Keti Bazhdari: S’do jemi peng i “të fortëve”
Kandidatja e majtë për Bashkinë Shkodër, Keti Bazhdari thotë se e ndjen veten si kandidate të koalicionit qytetar. Ajo ka bërë të ditur se ka besimin edhe të kreut të LSI-së, Meta, i cili i ka ofruar mbështetje për fushatë.Në një intervistë për gazetarin Roland Qafoku në "Channel One", ajo flet për marrëdhënit mes PS dhe LSI në Shkodër dhe fushat ku do përqëndrojë programin e saj.
Përse vendosët të kandidoni për të qenë kryetare e Bashkisë së Shkodrës?
Kjo vjen si një ëndërr e hershme. Fillon që nga fëmijëria e hershme, dëshira për të bërë diçka për qytetin tim. Nuk ka qenë e rastësishme, ka qenë shumë e lidhur me zhvillimet ekonomike, social-politike në Shkodër, në vitet e tranzicionit. Pak nga pak kjo ëndërr ka ardhur duke u forcuar dhe sot është kthyer në një vizion. Për sa kohë ekziston dëshira për ta bërë, vullneti dhe vizioni… Përse jo?!
Ke pasur një datë të veçantë, u ke thënë që po, dua të kandidoj?
Ka shumë kohë që e kam pasur këtë dëshirë. Edhe pse më janë ofruar dëshira të tjera, të shprehurit në politikë, unë kam dëshiruar të jem te kjo linjë e të pres momentin e duhur për të kandiduar si kryetare e Bashkisë.
Çfarë do bëni me biznesin tuaj, nëse zgjidheni kryetare bashkie?
Biznesi im ka vite që ka hyrë në funksion. Ka vite që i jam përkushtuar politikës dhe biznesin e ndjek në distancë. Në fakt, e ndjekin persona të tjerë.
Zonja Bazhdari, në gjithë historikun e Shkodrës nuk ka pasur asnjë grua në krye të Bashkisë. Si do ta kapërdini këtë sfidë në një ambient mashkullor që nuk ka parë ta qeverisin gratë?
Në radhë të parë duhet bërë një dallim. Sikur publiku t’i afrohet sistemit që duhen përzgjedhur njerëzit për të punuar në biznes, do të ishte shumë herë më mirë dhe frytdhënës. Si grua, është një favor edhe për faktin se në komunitet gratë kanë një reputacion që lidhet me faktin se janë më paqësore në konflikte, më të kujdesshme dhe më të përgjegjshme për punën, si dhe më të pavarura në planet ekonomike dhe kriminale.
Çfarë biznesi keni ju?
Unë kam një fabrikë që prodhon veshmbathje, që operon në Itali, Izrael dhe Rusi. Në Izrael dhe Rusi, janë lidhje të drejtpërdrejta me markat tona. Por kemi dyqane tonat edhe në Shqipëri.
Përveçse jeni kandidate femër, keni edhe disa sfida të tjera. Një prej tyre është që në një bastion të së djathtës ju përfaqësoni të majtën. PS nuk ka fituar asnjëherë në Shkodër në pushtetin lokal. Si do ta arrini ju këtë?
Keti është kandidate e koalicionit të majtë, por unë e ndiej veten kandidate të koalicionit qytetar. Kemi ndërmarrë një udhëtim të vështirë dhe nuk duhet të ndihet i përjashtuar asnjë qytetar. Ne kërkojmë krijimin e një modeli të ri. Shumë premtojnë modele të reja, por rrugën e ndjekin njëlloj.
Ne mendojmë që të mos kemi kurrë varësi nga qasje të caktuara. Nuk do jemi peng i “të fortëve” dhe planeve ekonomike, por të qytetarit. Qytetarët kanë mundësi të zgjedhin, duan modele hibride ku ka rol edhe qytetari, edhe tipi “i fortë”, apo duam një model tipik qytetar, që i ka dhënë shembujt që ka qenë konsekuent i kësaj rruge. Së dyti, përse modeli ynë ka më shumë mundësi të jetë model i pastër, larg pengmarrjes.
Edhe për shkak se pushteti qendror është i majtë. Shkodra ka nevojë që një herë në histori, ta provojë kur të dy pushtetet të bashkërendohen. Është një bashki që nuk do të jetë e bashkërenduar vetëm në kufijtë e qytetit, ka nevojë për një kryetar bashkie, që do të ketë mbështetje të madhe nga pushteti qendror. Kjo të mbron nga mundësia e të ardhurit në pushtet përmes elementeve dytësore ose tretësore. Duke qenë se kemi sot pushtet, kemi më tepër mundësi të bëjmë më shumë për Shkodrën.
Kur ju vendosët të angazhoheshit në politikë, a e pyetët babain dhe a ju dha ai ‘ok’ që të inkuadroheshit në Partinë Socialiste?
As njëra, as tjera. Babai nuk ka qenë një individ imponues. Unë vendosa të angazhohesha dhe ai kishte problemin infrastrukturor të gjësë. Por jo paragjykimin a janë të majtë apo të djathtë.
Babai juaj e miratoi që të jeni kandidate për kryetare bashkie?
Po. Ai është njeri i lidhur ngushtë me politikën.
Çfarë mendojnë në Shkodër për ju, që një familje antikomuniste përfaqësohet nga një forcë e majtë?
Në zgjedhjet për bashki ke mundësi të votosh për kandidatin dhe për koalicionin partiak. Koalicioni partiak ka testuar disa kandidatë dhe në bazë të këtyre testimeve, për emrin tim duket se ka pasur një kuotim më të lartë. Jo se nuk ka kandidatura në Shkodër.
Je e bindur që do fitosh?
Po, sepse shoh sesi njerëzit e kanë pritur këtë kandidim. Mendoj se edhe për shkak të konsumit politik që ka pasur forca e djathtë, pa ndonjë produkt të prekshëm, si dhe për shkak të rrotacionit politik.
PD mund të ketë Voltana Ademin në Shkodër si kandidaturë. Si ndjeheni përballë kësaj kandidature?
Mendoj që Shkodrës t’i ofrohet edhe një kandidaturë tjetër, do ta realizojë politikën në nivel qytetar. Duhet të ofrojmë një model të veçantë edhe në mënyrën e garimit.
Në Shkodër thonë që një nga arsyet përse Tom Doshi doli kundër Ramës është vendimi i Ramës për t’ju shpallur ju, kandidate për Bashkinë e Shkodrës. Përse nuk ju donte ju Tom Doshi?
Është shumë e rëndësishme që në Shkodër të realizohet një fushatë që në bazë të saj të ketë civilizim. Dhe duhet të jepet si mesazh për komunitetin, për të djathtët, të majtët e për persona të caktuar që ndoshta nuk e kanë perceptuar në momente decisive se Keti mund të ofrojë një mesazh civil për komunitetin. Unë jam shumë e hapur, do të bashkëpunoj me çdo qytetar të Shkodrës, i majtë apo i djathtë qoftë ai.
Ju thatë që jeni përfaqësuese e koalicionit të majtë, ku janë disa parti. A mund të na thoni cilat janë këto parti dhe a e keni mbështetjen e LSI-së?
Koalicioni i majtë është në rrugën në ndërtim sepse ka ende negociata. Por përsa i përket LSI-së, është një nivel shumë i lartë bashkëpunimi në Shkodër dhe interesi nga ana e tyre që fitues të jetë kandidati i koalicionit.
Çfarë ju tha konkretisht z. Meta?
Më ka ofruar suportin e tij përsa i përket pjesës së kandidimit, infrastrukturës së nevojshme, mënyrës së organizmit të fushatës elektorale dhe ruajtjes së votës në qendrat e votimit. Është disponibël edhe deputeti i LSI-së, zoti Agron Çela. Në garën për bashki do të jetë një slogan i përbashkët, po më pas secila nga partitë do të bëjë fushatën e saj.
Marrë me shkurtime nga “Debati në Channel One”