Keti Bazhdari: Shkodranët u lodhën duke votuar djathtas
Intervista E Shtunë, 17 Prill 2021 11:32
Sidorela Lepuri
Keti Bazhdari është kandidatja e parë e zyrtarizuar nga koalicioni i majtë për zgjedhjet e 21 Qershorit. Kjo konfirmim e ka nxitur atë që të mos humbas kohë në përgatitjen për fushatën dhe vendosjen e piketave të premtimeve të saj. Në një instrvistë për “Koha Jone”, Bazhdari thotë se do t’i mundësojë qytetit të Shkodrës zhvillimin ekonomik dhe investime që nuk ja ka siguruar pushteti i mëparshëm vendor. Lidhur me faktin se kandidon për të majtën në një zonë historikisht të djathtë, Bazhdari thotë se “shkodranët u lodhën duke votuar të djathtën”. E pyetur mbi zhvillimet e fundit në PS-në e Shkodrës dhe largimin e deputetit Tom Doshi, ajo shprehet se “nuk ka pse të dëmtohet nga largimi i asnjë individi. E vetmja gjë që mund ta dëmtojë një parti politike është frenimi i rregullave të lojës dhe konkurrencës”.
Zgjedhjet lokale të qershorit po afrojnë, ndërkohë është fakt zyrtar se ju do të përfaqësoni PS për Bashkinë e Shkodrës. Çfarë do të thotë për ju kjo zgjedhje?
Do të thotë realizim i gjysmës së ëndrrës sime. Pjesa tjetër mbetet tani. Por rruga është hapur. Dua të them se frymëzimi im në politikë ka qenë dëshira për të kontribuar për qytetin tim. Dhe pozicioni më i mirë për ta bërë këtë është administrimi i tij me ide dhe projekte ambicioze.
Qyteti i Shkodrës, njihet si një bastion i së djathtës. Ju jeni e para femër që kandidoni nën siglën e një partie të majtë që aktualisht është në pushtet. Sigurisht, futeni në zgjedhje për të fituar, por çfarë pakete keni për t’i ofruar votuesve, qofshin këta të majtë ose të djathtë?
Termi “bastion” sikur është vjetruar dhe i fyen shkodranët. Shkodra është bastion i vetvetes, i historisë dhe krenarisë së saj. Ajo që ju e quani “paketë” është një program i detajuar që përfshin reformimin e të gjitha shërbimeve të bashkisë, është ringjallja e një qyteti kryelartë në histori me një program ekonomik, infrastrukturor, kulturor, një ringjallje për arsimin, shëndetësinë dhe sportin që përfshin një territor tashmë të zmadhuar nga Alpet e Dukagjinit në bregdetin e Velipojës. Detajet konkrete do t’ia parashtrojmë publikut gjatë fushatës.
Bashkia Shkodër dhe ajo e Tiranës qeverisen aktualisht nga e djathta dhe janë dy nga synimet e mëdha të së majtës në zgjedhjet e 21 qershorit. Pse besoni se qytetarët duhet të votojnë majtas në këtë zgjedhje?
Për Tiranën besoj se arsyetimi juaj tashmë ka rënë. Ajo fitore që nxori Ristani për Bashën, ku gara shkoi për 10 vota, u përmbys me mijëra të tilla në zgjedhjet e 2013. Kurse për Shkodrën them se një masë e madhe qytetarësh janë mërzitur duke votuar djathtas. Këtë po e shoh çdo ditë në takimet që zhvilloj me njerëz të ndryshëm. Por unë e mendoj se mazhoranca e bashkisë së dyfishuar të Shkodrës do ketë një mijë arsye për të votuar për kandidaten e Partisë Socialiste.
A i druheni faktit se dy vjet pas ardhjes në pushtet të koalicionit PS-LSI qytetarët mund të jetë të zhgënjyer dhe për një qytet si Shkodra, fitorja do të bëhet edhe më e vështirë për Ju?
Ashtu siç mund të këtë “të zhgënjyer” siç thoni ju, mund të ketë edhe të tjerë që i entuziazmon fakti se në Shqipëri po fillon të funksionojë shteti. Por, meqë folët për të zhgënjyer, kam një plan ambicioz që përfshin edhe të zhgënjyerit. Edhe ata do ta gjejnë veten në programin e kandidates së koalicionit të majtë për bashkinë e Shkodrës. Por, që ta ezaurojmë problemin me “të zhgënjyerit” janë mijëra të tillë, të zhgënjyer nga keqadministrimi i Bashkisë së Shkodrës. Dhe natyrisht kërkojnë ndryshimin për kreun e kësaj bashkie.
Për herë të parë në këto zgjedhje lokale, do të zbatohet reforma e re territoriale. Për sa i përket Shkodrës, a mendoni se do të ketë impaktin që pritet kjo reformë?
Do të ketë impakt pozitiv. Gjithë kjo hapësirë që përfshin bashkinë Shkodër, që nga malet e Thethit deri në bregdetin e Velipojës, shihet si një e tërë dhe si e tillë përshtatet më mirë në projekte të avancuara zhvillimi. Zgjerimi i hapësirës gjeografike është edhe zgjerim idesh e projektesh, është zgjerim i mendjeve kreative. Kam fatin të jem e para që kandidoj për një hapësirë të tillë.
Zhvillimet e fundit politike brenda PS-së kanë qenë tejet dinamike. A mendoni se kjo do të ndikojë edhe në rezultatin e zgjedhjeve lokale në tërësi?
Zhvillimet politike në PS tregojnë hapësirën e kësaj partie për debat dhe vetëpërsosje. Elektorati është shumë më i hapur se një strukturë partie dhe i sheh me mendje të kthjellët zhvillimet.
Një nga arsyet e kritikave të para të z.Doshi ndaj mazhorancës, sipas mediave, ishte edhe kandidimi juaj. Sa e vërtetë është kjo?
Nuk e di si mund të kritikohet mazhoranca për këtë gjë. Çdo individ, deputet apo jo, ka patur lirinë të shfaqë ambiciet e veta për të konkurruar për bashkinë e Shkodrës. Unë nuk ia kam kufizuar askujt këtë liri, as që më ka shkuar ndërmend. Natyrisht, as ambiciet e mia pozitive nuk ka pse t’i kufizojë kush. Pastaj çdo forcë politike apo koalicion forcash vendos kritere dhe përcakton përfaqësuesit e vet.
Mendoni se largimi i deputetit Tom Doshi nga Partia Socialiste do ta dëmtojë partinë në Shkodër?
Partia Socialiste ka një elektorat solid dhe me vlera, ka mjaft figura me integritet, profesionistë dhe përfaqësues për shtresa të tëra të elektoratit. Nuk ka pse të dëmtohet nga largimi i asnjë individi. E vetmja gjë që mund ta dëmtojë një parti politike është frenimi i rregullave të lojës dhe konkurrencës.