Kim Mehmeti: Sherri im me Ramën
Në të gjitha prononcimet dhe shkrimet tuaja për aktualitetin politik, është vërejtur një mllef i madh ndaj atyre që drejtojnë në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Para disa javësh keni pasur dhe një polemikë me kryeministrin Rama. Ka një kuriozitet për këtë debat, nëse mund të quhet i tillë. Si është e vërteta?
Unë sado që e mbroj të qënurit larg politikës e krahasoj atë me futbollin që dhe pse nuk di ta luash, ti shkon e sheh dhe bën tifozllëk. Unë mbroj më shumë se kurrë thënien: Artistin kurrë mos e lejo të bëhet pushtetar. Sepse ai do të të krijojë dhe një shtet imagjinar. Dhe ti habitesh kur ai del dhe flet. Këtë problem ka dhe Rama. Ai vërtet që i beson asaj Shqipërie. Se ai aq e ka, e ka imagjinuar dhe e ka ndërtuar në kokën e tij. Unë nuk kam inat ndaj politikës shqiptare, por nuk e kuptoj se si mund të sillet kështu, dhe kjo është ajo që më irriton. Ta fillojmë nga Maqedonia. Jemi mbi 30% shqiptarë, që do të thotë se nuk mund të ketë as qeveri dhe as parlament pa ty. Dhe unë jam ai budalla që mendoj se problemet e shqiptarëve të Maqedonisë mund të zgjidhen për 24 orë. Mjafton të bëj të qartë se nuk do të jem as pjesë e qeverisë dhe as e parlamentit nëse nuk do të ulemi fillimisht të bisedojmë se si do e menaxhojmë këtë shtet.
Nëse unë do të isha kryeministër i Tiranës nuk do të ndihesha i nderuar se më ka pranuar në bisedime Gruevski, jo për mëndjemadhësi të tepruar, por mjafton të mendosh se ai deshqiptarizon Shkupin, shemb themelet e Shtëpisë së Nënë Terezës, kur ai zhduk çdo gjurmë të Lagjes së Katolikëve në Shkup, kur ai bën çdo gjë anti-shqiptare, si mundesh të heshtësh? Dhe të shtiresh si pro europian që do të ruajë stabilitetin në Ballkan. Unë këtë nuk e kuptoj. Nga të vjen ajo bindje se për stabilitetin në Ballkan jemi përgjegjës vetëm ne shqiptarët? Kush e ka thënë këtë? Si ka mundësi që ambasadat e huaja të interesohen më shumë për shqiptarët e Maqedonisë se sa ajo e Shqipërisë? Mua më habit kjo. Nuk mund të mendojmë se kush mund të na ndihmojë më shumë Edi Rama apo Erdogan? Nuk mund të arrijmë këtu. Kjo do të më irritonte dhe po të isha kinez, e jo më shqiptar. Dhe e gjithë kjo është e turpshme, pasi është dhe një nga arsyet se pse në Maqedoni sillen keq me shqiptarët. Pasi ka shumë që ndjekin parlamentin në Shqipëri dhe më pyesin se çfarë mund të pres unë.
Nuk na thatë cila është vërteta e debatit?
Ai debat me Ramën për mua nuk është debat. Dhe unë kam aq respekt për këtë institucion sa u detyrova dhe shtrëngova veten të bëja një ndërprerje të mirë kur thashë: dorëzohem!. Ne nuk na duhet as një Sali i fortë, as një Ramë i fortë, as LSI e fortë. Na duhet një Shqipëri e fortë. Nuk jam me asnjërin, jam me Shqipërinë, një vend që na identifikon që mbron veten dhe jo individin, se është ajo që na jep emrin e ne në fund jemi shqiptarë. Dhe jo vetëm emrin, por dhe nderin e krenarinë si çdo mëmëdhe. Ne jemi shtëpi të ndara, por që duhet të mësojmë se cili është kopshti i përbashkët. Kur jeton keq shqiptari në Shkup, të gjithë shqiptarët e tjerë duhet të ndihen keq, e kështu me rradhë. Nëse nuk bashkojmë kokat nuk mund të gëzojmë tokat, dhe të tjerët do vazhdojnë të bëjnë atë që duan me ne.
Në shkrimet tuaja prekni pa kursim indiferencën e politikës shqiptare për këto treva. Po në këtë libër sa të pranishme kanë qenë kjo temë ?
Që të mos asimiloheshin neve na kanë mbajtur dy gjëra: Përkushtimi i prindërve tanë, flijimi i tyre që ne të ruajmë identitetin, të mbesim këta që jemi dhe na mbajti ëndrra se atje përtej murit është dikush që kurdoherë do të kujtohet për ne. Bile ajo ëndërr që rezultoi të ishte gënjeshtare, se ata jetojnë më mirë dhe ne duhet të jemi vetëm të durueshëm, që një ditë siç është Tirana mirë dhe ne do të jemi mirë. Por kur erdha në Tiranë në vitin ’90 u tmerrova. Është tragjike ta thuash por doli që ne që kemi jetuar jashtë Shqipërisë kemi bërë jetë më të mirë se shumëkush këtu. Por më mirë që ishte kjo ëndërr e gënjeshtërt. Për tu rikthyer te romani, ishin gratë që e ruajtën shqiptarizmin.
Nënat tona edhe pse jetuan në Maqedoni kanë vdekur pa ditur asnjë fjalë maqedonisht apo serbisht, ndërsa ne burrat dinim të gjithë sepse ajo ishte e vetmja mënyrë që të mbijetonim. Përtej avllisë gjuha shqipe vetëm mund të pëshpëritej nuk mund të flitej. Kur isha me studime në Beograd kisha një kërkesë të brendshme që të vija në Tiranë dhe të flisja shqip nga mëngjesi deri në darkë pa frikë. Të më fillonte dita me mirëmëngjesi. Ndërsa sot kur shoh në Tiranë që nuk kanë respekt për gjuhën shqipe dhe flasin fjalë të huaja nuk më vjen mirë. Është bërë çështje mode të përdoret në Tiranë në vend të fjalës ngjarje fjala event. Ju mendoni se shqipes se më shumë i fusni fjalë të huaja e bëni më të mirë, më të bukur, ndërkohë harroni se bëheni më të shëmtuar. E kam shëtitur tërë botën por sa ka pranuar media, intelektualët në Tiranë fjalë të huaja nuk ka pranuar askush.
Kjo është kthyer në kompleks. Mua më irriton dhe se sa të pakujdesshëm jemi ndaj njëri-tjetrit. Më irriton se pse Tirana nuk sillet si i ka hije, pse nuk sillet si një piemont kulturor. Pse nuk i merr mbi vete obligimet që ka. E di duket irrituese kur e them që politika në Tiranë është kuptuar si një spektakël televiziv, ku kryeministri është aktori kryesor dhe ne të tjerët, të gjithë dublantët dhe spektatorët e tij. Madje unë mendoj që në Shqipëri nuk ka kabinet, sepse kabineti i tyre është në studiot televizive. Vetëm aty i shoh. Unë kam frikë të hap frigoriferin se kam hall se dhe aty mund të dalë o kryeministri o ndonjë ministër. Më e habitshme është se ata diskutojnë edhe për seksin, për ushqimin dhe asnjëherë nuk diskutojnë se çfarë po bëhet me kulturën shqiptare në Luginën e Preshevës.
Kujtohen për ne vetëm kur të ketë ndonjë protestë dhe fillojnë debatet duke u munduar secili të luajë rolin e pro evropianit të rrejshëm. Por asnjërin nuk kam parë duke pyetur se çfarë bëri ky mëmëdhe për ne që ishim atje? Shqipëria nuk e ka borxh që të interesohet për ne, por Shqipëria e ka borxh të interesohet për vetveten. Të dijë se ne, shqiptarët që jetojmë në Tetovë, në Shkup, nuk janë maqedonas. Shpesh kur kam qenë i ftuar në mediat shqiptare në Tiranë më shkruanin, krijuesi maqedonas Kim Mehmeti. Duhet më shumë kujdes. Vëllait të vogël i duhet gjithmonë kujdesi i vëllait të madh.
INA