Klajda Gjosha: Krimi është ngjitur në pushtet. Opozita ka mision historik

Ish-ministrja e Integrimit dhe deputetja e LSI, Klajda Gjosha e sheh alarmante situatën e krimit në vend. Ajo shprehet se krimi është ngjitur në pushtet dhe LSI në opozitë ka një mision historik për të ndihmuar në zhvillimin e vendit dhe denoncimin e abuzimeve, krimit dhe keqqeverisjes.

 Të vjen keq që nuk je me ministre e Integrimit?

Absolutisht jo. Për mua ka mbetur një kujtim jashtëzakonisht i bukur. Ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme. Unë e kam kryer me shumë përgjegjshmëri, çdo ditë timen në atë ministri. Ndihem shumë krenare që në këto katër vite, Shqipëria përveçse mori statusin e vendit kandidat përfitoi dhe një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave, të cilën pavarësisht se sot unë jam në opozitë, e them haptazi që Shqipërisë duhet ti jepet mundësia për të çelur negociatat. Pse e them këtë? Sepse monitorimi që do të vijë nga Bashkimi Europian do të jetë shumë herë më i madh se sa ne ç’kemi sot. Do të monitorohet zbatimi I Reformës në Drejtësi që për ne është një prioritet madhor, do të monitorohet krimi dhe çështja e drogës që tashmë ka marrë një nocion jo vetëm kombëtar, por I ka kaluar kufijtë për fat të keq dhe kjo ndikon dhe në imazhin e Shqipërisë. Kështu që e vetmja shpresë për ne është çelja e negociatave dhe monitorimi i rreptë i Komisionit Europian.

Gjatë kohës që keni qenë ministre, keni patur kontakte me të gjithë ministrat e Bashkimit Europian. Cili është ai që e do më shumë Shqipërinë?

Unë do të thoja që të gjitha vendet e BE kanë një preferencë ndaj Shqipërisë, ndaj rolit që luan Shqipëria në rajon, ndaj rëndësisë që vendi ynë ka për sigurinë në rajon dhe më gjerë, Megjithatë unë realisht unë do të veçoja si një nga vendet më pritëse dhe më mbështetëse është Austria. Dhe në të gjitha takimet zyrtare që kam patur, të bëjnë të ndihesh, të bëjnë të ndihesh një vend mik për ta, dhe një vend që gjithmonë i ke në krah për të mbështetur për procesin e integrimit. Patjetër dhe vendet që ne kemi në kufijtë tonë, pavarësisht retorikave që kanë pasur, mbështetja për Shqipërinë nuk ka munguar. Nuk ka munguar momenti kyç kur është ngritur vota për Shqipërinë, kështu që ne duhet ta vlerësojmë.

Të vjen keq për shkrirjen e Ministrisë së Integrimit?

Më vjen jashtëzakonisht shumë keq, për një investim të jashtëzakonshëm që është bërë ndër vite në atë ministri, për ato kapacitete njerëzore që e kanë themeluar, por për faktin që janë një memorie institucionale e procesit. Në Shqipëri gabohet shpesh. Mbarojnë zgjedhjet, fiton një parti e caktuar, vjen një qeveri dhe ne mendojmë se jemi më të zotë se ata që kanë qenë, shkarkon një ministri të tërë, pa asnjë lloj analize, apo studimi, që në fakt duhet ta ndjeki një vend demokratik ku funksionojnë institucionet. Sot kjo nuk ndodh. Është për të ardhur keq, jo vetëm për ministrinë e Integrimit. Po të shohim sot, kemi një kryeministër i cili merr përballë tij të gjithë drejtorët dhe u thotë jepni dorëheqjen. Më jepni një vend tjetër ku ndodh kjo? Këto janë paksa nuanca diktatoriale dhe është për të ardhur keq që ne i rikthehemi këtij nocioni dhe në 2017, në një vend si Shqipëria që synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, në një vend ku BE ka investuar pa fund dhe miliona euro për administratën shtetërore dhe për trajnimin e administratës shtetërore, dhe aq më tepër nëse ti i thua dikujt jep dorëheqjen sepse je i korruptuar, çfarë tregon kjo? Do të thotë që ti e mbron atë person.  Nëse ky person është i korruptuar dhe ti ke fakte atëherë lëre Ministrin, respektoje Ministrin që ke në krahë të kryejë detyrën e vet, të bëjë analizën e atij personi, të marrë dosjen e këtij personi ta shikojë dhe ti drejtohet organeve të drejtësisë. Nuk funksionon më me jepni dorëheqjen. Funksionon me një analizë dhe një lloj hierarkie, të cilën kryeministri se s’bën duhet të fillojë në radhë të parë ta kthejë në mentalitetin e vet, ta bëjë pjesë të kulturës së vet dhe më pas ta zbatojë atë.

Kush të ka uruar nga Ministrat homologë të tu apo Ministrat e tjerë të BE kur ke mbaruar mandatin dhe je bërë deputete?

I pari ka qenë Ministri i Çështjeve Europiane të Austrisë, një mik realisht i imi personal por edhe i detyrës që unë mbaja dhe si homolog i imi, më pas Ministri Gjerman madje dje unë kam marrë dhe një letër prej tij. Pasi dhe unë i kisha dhënë falënderimet e mia të bashkëpunimit që ne kishim pasur me të. Kam marrë një letër falenderimi prej tij dhe mesazhe të shumta nga ministrat e tjerë, homologë të mi dhe të rajonit.

Ke filluar një mision të ri, misionin e një opozitare, duam s’duam ne, për shkak të përvojës tënde, për shkak të kontributit tënd në LSI por për shkak dhe të peshës së fjalës. E ndien këtë peshë fjale?

Unë mundohem të jem realiste te të gjitha ato gjëra që them. Nuk është e thjeshtë në momentin që ti ke qenë në pushtet katër vite, je sot opozitare. Duhet të jesh siç e themi ne shqiptarët me mend në kokë. Pra dhe kur flet duhet të tregohesh e kujdesshme sepse jo çdo gjë që bën qeveria, domosdoshmërisht është gabim. Unë kam qenë vetë një ministre dhe e kuptoj shumë mirë që disa gjëra mund të ishin bërë më mirë por jo çdo gjë që unë bëja ishte e gabuar apo për të më goditur opozita. Kështu që unë tregohem shumë e kujdesshme, racionale, konstruktive dhe po të shohësh edhe në fjalët e mia që kam mbajtur në Kuvend, mundohem që të jap një alternativ, pra aty ku qeveria gabon ta ve në dukje por duke dhënë një alternativ. Kjo është e rëndësishme dhe çka i ka munguar njerëzve dhe në katër vitet që shkuan me opozitën që ne kishim përballë Partinë Demokratike. Ne nuk kishim një alternativë, pra në qoftë se unë gaboja diku nuk kisha askënd nga Partia Demokratike të thoshte që shiko Klajda se ti këtë gjë mund ta bësh më mirë dhe mund ta bësh kështu, merre modelin. Kjo është ajo çka duhet të ofrojmë ne sot në opozitë dhe patjetër të qëndrojmë fort në një opozitë frontale, aty ku duhet siç janë dy çështje madhore që unë i përmenda dhe më parë krimi i organizuar dhe patjetër reforma në drejtësi.

Znj. Monika Kryemadhi çdo ditë që kalon po e konturon atë opozitarizmin e saj po i jep fytyrë, po i jep objektiva të qarta, godet drejtpërdrejt te kryeministri dhe te punët e qeverisë. Ky opozitarizëm i ri  e shëndosh LSI apo si ndiheni juve si opozitar si njerëz në një front të vështirë të luftës?

Ne ndihemi shumë mirë, në fakt është një risi që ne kemi që në politikën shqiptare është një Kryetare grua dhe kjo është për tu vlerësuar jashtëzakonisht shumë. Dhe tu them të vërtetën duke njohur nacionalitetin e një gruaje dhe përgjegjshmërinë e saj mendoj që opozita e sotme e LSI do ti shkojë jashtëzakonisht shumë dhe e them që çdo ditë më shumë e më shumë njerëz afrohen drejt nesh. Përveç faktit të atij trungu njerëzish që ne i kemi patur me vite dhe që janë vota të konsoliduara të LSI. Është me frymë, njerëzit e besojnë atë, shpesh herë jemi akuzuar për shumë gjëra të ndryshme jo është pushteti, do të merrni në punë e kështu me radhë por unë them që sot që ne jemi në opozitë edhe më shumë qytetarë afrohen dhe besojnë te LSI. Edhe ata që fatkeqësisht në një moment të caktuar janë tunduar për të blerë apo për të shitur votën sot janë bërë pishman sepse duke parë mënyrën sesi reagon qeveria ndaj tyre dhe arrogancën e kryeministrit për fat të keq ato e shikojnë që një forcë e cila mund të dëgjojë zërin e tyre është LSI.

Tek shumë njerëz është krijuar përshtypja që gjithë ky ristrukturim që bën Rama, kjo tiganisje sepse ai ka mbledh bashkë gjithë llojet e zarzavateve në një tigan, është bërë vetëm për të heq nga puna LSI. Ndan këtë mendim me mua?

Unë do thoja që është përtej kësaj, kjo është një rrëmujë që krijohet për të tërhequr vëmendjen nga krimi i organizuar dhe nga kapja e politikës nga krimi. Sepse kuptohet qe ai e bën këtë sepse mendon që opozita do të kapet pas shkrirjes së institucioneve. Për ne kjo nuk ka rëndësi nëse janë 19 institucione apo 11 është target i kryeministrit. Mund ta bëj  këtë pavarësisht se ka kosto shumë të madhe në buxhet të shtetit. Ka kosto të kapaciteteve njerëzore, të gjyqeve që do të fitohen nga njerëzit e kështu me rradhë. Por vëmendja jonë nuk ikën, ne mbetemi realisht me këmbë në tokë dhe të vendosur për ti shkuar deri në fund çështjes së krimit. Këtë e provuam mbi supe gjatë zgjedhjeve të 2017. Tu them të vërtetën ishte një  periudhë ku jemi ndier realisht keq sepse shikonim sesi deformohej demokracia dhe vota e lirë e qytetarëve çdo moment. Dhe kjo nuk duhet të ndodh sidomos në një vit siç jemi ne. Mbas 27 vitesh demokraci të brishtë të vazhdosh ende dhe ta thyesh këtë demokraci çdo ditë ne dorën tënde për mua është një kthim prapa dhe është për tu ardhur keq. Kështu që ne jemi të vendosur të vazhdojmë me opozitarizmin tonë dhe kemi prioritetet tona pavarësisht se qeveria mendon në çdo moment sesi do të krijojë disa momente të tjera të vështira që të tërheqë vëmendjen.

Gjithë objektivi i Grupit Parlamentar të LSI dhe opozitarizmi dhe në parlament po ashtu, është kundër oligarkisë së krimit dhe sidomos kundër politikës në shërbim të oligarkisë. Pse ky objektiv madhor është zgjedhur nga Monika Kryemadhi, por dhe nga gjithë LSI?

Sepse nëse krimi është ngjitur në pushtet, unë do thoja që asgjë nuk funksionon më në këtë shtet. Dhe ne shohim një masivitet njerëzish që kërkojnë të largohen nga Shqipëria. Përveç faktit që lotaria amerikane sa lexova dhe dje, ishte prishur dhe faqja zyrtare e tyre nga fluksi aplikimeve që kane nisur, kjo duhet të jetë një këmbanë alarmi. Për të gjithë ne, jo vetëm për qeverinë por për mënyrën sesi duhet të veprojmë. Nuk është çështja vetëm të punosh me vendet të cilat duan të shkojnë shqiptarët. Nuk është çështja të detyrosh policinë  të ndalojë shqiptarët në kufi për të kthyer ata mbrapsht nëse ata kërkojnë azil të padrejtë. Problemi është te ekonomia shqiptare.

Ju u përpoqët shumë që të rinjtë ti integronit në këtë jetë por ishit të vetëm dhe nuk ia dolët dot. Do e vazhdoni këtë sfidë?

E vazhdojmë sepse kjo është sfida jone, e ardhmja jonë është rinia. Eshte një brez i të tërë i cili pret që të ardhmen e tij ta ndërtoj në Shqipëri. Sot kjo është e vështirë.

I ka zgjedhur drejt partnerët strategjik Shqipëria sipas mendimit tënd se po ta shikojmë ky herë thotë partneri strategjik Shqipëri pastaj herë është dhe i paqartë në ato që thotë. Nuk la marrëdhënie të mira me Greqinë ndryshe nga partitë e tjera opozitare se dhe Z.Meta dhe PD janë shumë të kujdesshëm me fqinjët tanë Italinë dhe Greqinë.

Unë mendoj që jemi një vend i vogël për të bërë armiq dhe ne duhet të tregohemi të kujdesshëm kur flasim sidomos me vendet që ne i kemi fqinj. Miqtë janë aset për Shqipërinë dhe për shqiptarët, më pas partnerët strategjik apo vizioni ynë se ku duam të shkojmë janë dy gjëra të ndryshme. Mendoj që shqiptarët e kanë zgjedhur rrugën e tyre që është perëndimi dhe ky duhet të jetë dhe prioriteti ynë i parë dhe për të drejtuar gjithë politikën e jashtme drejt perëndimit dhe për të punuar më shumë që Shqipëria të jetë një vend anëtar me të drejta dhe përgjegjësi  të plota në BE .Kjo është ajo çka unë do të bëja ndarje. Pastaj për të pasur miq, ne kemi nevojë për shumë miq, jemi shumë të vegjël për të krijuar armiq.

Keni punuar shumë me politikanët e Kosovës, janë në rrugë të mbarë sipas mendimit tënd, sepse ne duam s’duam Edi Rama na e ka shndërruar tek akciza e patates te e bukës, ndalimi i tyre në Durrës apo mos ndalimi, te gjëra të tjera…

Është e vështira politika në rajon. Nuk është e thjeshtë. Edhe Kosova ka probleme të mëdha me politikën, me formimin e qeverisë apo edhe për kryetarin e Kuvendit, për marrëdhëniet me vendet fqinje, me Serbinë e kështu me radhë. Një gjë unë gjithmonë kam kërkuar edhe me homologët e mi. Kosovarët gjithmonë kanë lëvizur të lirë edhe kur shqiptarët kanë qenë të mbyllur. Është paradoks që sot kur i gjithë Ballkani Perëndimor lëviz i lirë Kosova është ende e mbyllur në kufijtë e vet dhe vazhdon të mbajë radhë të gjata për të kërkuar një vizë. Edhe në Komision Evropian e kam kërkuar këtë të drejtë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Më pas kushtet për të ecur drejt anëtarësimit janë tjetër gjë. Rruga do të jetë e gjatë ashtu siç është edhe për ne. Lëvizja e lirë është tjetër gjë dhe ka të bëjë me dinjitetin, i cili i duhet rikthyer.

Janë kaq të zinj zyrtarët serbë sa i paraqesim ne në shtyp?

Janë jashtëzakonisht bashkëpunues, të paktën me palën shqiptare. Unë kam pasur bashkëpunim për të parë edhe planin strategjik që ata kanë punuar edhe për çeljen e negociatave. Gjithmonë kanë qenë të hapur.

Çfarë nuk shkon mes nesh. I kujt është faji?

Është çështje historie. Është çështje vitesh më parë. Të shpresojmë që me brezin e ri të ndryshojë.

Rama ka 5 vite që nuk ka shkuar për një vizitë në Greqi. Cili është komenti juaj?

Nuk ka pse të mos ketë një vizitë të Kryeministrit atje. Aq më tepër që kemi mijëra shqiptarë që jetojnë në Greqi. Në fund të fundit Kryeministri duhet të zgjidhë edhe problemet e tyre. Kështu që është i detyruar ta bëjë një vizitë në Greqi.

Çështja e votës së emigrantëve, e shikoni të mundshme?

Kemi shumë vite që e dëgjojmë këtë gjë. Duhet patjetër që emigrantët të kenë të drejtën e votës. Nëse ky Kryeministër nuk ka arritur që t’i sigurojë shqiptarëve që jetojnë këtu votën e lirë a mund të më thoni se si mund të jetojnë shqiptarët në emigracion. Kush e siguron votën e tyre. Cili sistem do të ngrihet që nuk e lejon një dorë që ta kontrollojë këtë votë. Mund të kemi edhe sistem elektronik por cilën votë do të numërojmë? Atë që është e blerë dhe e shitur? Kjo është çështja me e rëndësishme sot në Shqipëri. Nuk është elektronika që e zgjidh problemin e shit-blerjes së votës. Nëse Kryeministri thotë që policët të heqin kapelën dhe të shkojnë të mbledhin vota këtu ka mbaruar vota e lirë.

Keni një grup parlamentar shumë të rëndësishëm, intelektualë, të rinj. Keni probleme të brendshme?

Gjithsecili nga ne ka mendime të ndryshme për çështje të ndryshme. Kjo është normale. Por për çështje të votës apo vendimeve politike jemi shumë kompakt.

Si e vlerësoni punën e z. Meta si President?

Në Shqipëri mund të kishte shumë kandidatura për President. Por duke e njohur z. Meta mund të them që vlerësoj shumë qetësinë e tij, mendimin e matur, faktin që ai di ta ndajë shumë mirë politikën me përgjegjësinë shtetërore. Nga momenti kur ai është betuar si President i Republikës së Shqipërisë ka mbajtur një qëndrim të jashtëzakonshëm. Asnjëherë nuk përfshihet më në debatet politike dhe nuk ngjyroset nga asnjë lloj partie. Unë mendoj se do të jetë një President shumë i suksesshëm, sidomos për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera partnere, me BE-në por edhe për rolin e Shqipërinë në rajon.

Marrë me shkurtime nga emisioni “Aktualitet” në “Shijak TV”

SHKARKO APP