Klajda Gjosha: Pse Shqipëria po ngel prapë në vjeshtë?

Shqipëria pritet të ndahet nga Maqedonia në rrugën e saj drejt integrimit në BE këtë vjeshtë pas 20 vitesh. Shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit për reformën zgjedhore, ngecja e Reformës në Drejtësi dhe plaga e përhershme e krimit dhe korrupsionit po na mbajnë peng në rrugën e vlerave evropiane. Kush janë fajtorët që na çuan drejt penalizimit dhe çfarë do të ndodhë me aspiratën e integrimit? Analizojnë për gazetën MAPO dy ish-ministrat e integrimit, Marko Bello dhe Klajda Gjosha

Nga Blerina Gjoka

As këtë vjeshtë nuk do të ketë çelje të bisedimeve për anëtarësim në BE për Shqipërinë. Dëshira më e madhe e shqiptarëve në vitet ’90, kur sapo kishin dalë nga një regjim diktatorial, është kthyer tashmë në një makth për qeveritë, të cilat kanë dështuar të përafrojnë vendin me vlerat evropiane. BE duket se është një stacion ku treni ku kemi hipur nuk dihet kur do të ndalojë pasi shpejtësia me të cilën ecën është e ngadaltë dhe siç ndodhi këto 6 vitet e fundit thuajse është ndalur në mes të rrugës.

Prej 2014 kur mori statusin e vendit kandidat, vendi ynë dështon që të plotësojë kushtet që BE ka vendosur si “pengesa” në këtë rrugë, që janë në fakt reforma, ligje dhe sjellje demokratike që do ta bënin Shqipërinë një vend të denjë për t’u ulur në tryezën e familjes së madhe evropiane. Çelja e negociatave të anëtarësimit, që do ta ulte Shqipërinë në paradhomën e pranimit në BE, pritej të ndodhte këtë vjeshtë pas 6 vitesh pritjeje, por qeverisja e Tiranës zyrtare e shkatërroi dhe një herë këtë mundësi.

Edhe pse u ngrit një tryezë politike me marrëveshje me opozitën në janar të këtij viti me qëllim plotësimin e një prej kushteve thelbësore për këtë proces, marrëveshja e prodhuar prej kësaj tryeze, u “gris” nga mazhoranca socialiste fill më pas. Të tjera kushte që qëndronin mbi procesin e integrimit si Reforma në Drejtësi me ngritjen e dy gjykatave themelore të sistemit, atë Kushtetuese dhe të Lartë, po zvarritet. Shto këtu dhe kushtet e kthyera në një refren prej 20 vitesh për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, apo respektimin e lirisë së medias, liri që rrezikohet prej një ligji të qeverisë.

Shqiptarët janë ndoshta populli më pro evropian në hapësirën gjeografike të kontinentit, ndërsa qeveritë e zgjedhura nuk i janë përgjigjur kësaj aspirate duke e mbajtur vendin peng për interesa korruptivë a ndoshta duke e konsideruar integrimin si të ishte një dhuratë nga Brukseli, jo një fitore e merituar.

Procesi i integrimit i nisur 20 vite më parë nga BE për Ballkanin Perëndimor ka treguar se më shumë se sa dëshirë integrimi është vullnet dhe detyrë për këto vende. Shqipëria e cila ishte një hap para vendeve të tjera të rajonit në vitin 2000 sot rrezikon të mbetet në grupin e fundit të vendeve me Kosovën dhe Bosnjën. Plot 20 vite më parë në Samitin e Zagrebit, 2000, BE lançoi Procesin e Stabilizim-Asociimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në atë kohë Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia ishin shumë përpara Serbisë dhe Malit të Zi, por sot tabloja është e ndryshme dhe kjo për shkak të seriozitetit me të cilin e morën integrimin këto vende. Kroacia dhe Maqedonia avancuan duke nënshkruar MSA-në me BE në 2001, ndërsa Shqipëria vetëm në vitin 2006. Ndërkohë Serbia dhe Mali i Zi, të cilat e nënshkruan në 2008 dhe 2007, sot janë duke negociuar Traktatin e anëtarësimit të plotë në BE. I vetmi vend i këtij blloku, Kroacia, është bërë vend anëtar në vitin 2013, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia po presin t’u hapet drita jeshile për të nisur bisedimet, duke lënë pas vetëm Bosnjën dhe Kosovën. Por në këtë pikë Shqipëria rrezikon të bëjë një hap në vendnumëro dhe të ndahet nga vendi fqinj për shkak të mosplotësimit të kushteve të vendosura nga BE.

Marko Bello: Qeverisja po sakrifikon integrimin për interesat partiakë

Ministri i parë i Integrimit, Marko Bello, kujton se në vitin 2002 perspektiva e anëtarësimit në BE ishte një objektiv realist për vitin 2020, ndërsa sheh sot me dhimbje që jemi në vendnumëro në këtë proces të paktën që prej vitit 2014 . Sipas tij nëse Shqipëria do të ndahet nga Maqedonia në këtë proces pas 20 vitesh rrugëtim së bashku faji bie vetëm mbi klasën politike shqiptare, dhe sidomos te shumica që qeveris vendin, e cila nuk po arrin të ngrihet dot mbi interesat partiakë, duke injoruar në mënyrë të pafalshme interesat e vendit.

Z. Bello, këto ditë ka dalë progres-raporti i ri i BE-së për Shqipërinë, një dokument prej të cilit vendi pret të nxisë unionin për të nisur zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit. Që prej vitit 2014 kur ka marrë statusin e vendit kandidat çelja e bisedimeve është kthyer në një “dhimbje koke” për Brukselin, i cili vendos kushte për Shqipërinë. Sipas jush a është gati vendi ynë të ulet në tryezën ndërqeveritare me BE-në dhe sa do ta penalizojnë këtë moment ndryshimet e njëanshme të bëra në kodin elektoral nga mazhoranca qeverisëse?
Në përgjithësi, progres-raporti i vitit 2020 për Shqipërinë është pozitiv dhe, sikurse rezultoi edhe nga vizita e Komisionerit për Zgjerim të BE, Varhelyi në Tiranë, Komisioni Evropian duket se kërkon që për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të thirret Konferenca ndërqeveritare brenda vitit, ose në fillim të vitit të ardhshëm, çka nënkupton nisjen zyrtare të bisedimeve për Traktatin e Aderimit në Union. Mirëpo, ky opinion pozitiv që rreket të përcjellë Komisioni është vetëm një rekomandim, pasi vendimin do ta marrë Këshilli Evropian, pra shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare. Nuk di të them me siguri se cili do të jetë vendimi i Këshillit, por duket se edhe kësaj radhe, për Shqipërinë do të ketë një shtyrje tjetër dhe nga sa thuhet, ka vende si Holanda që janë skeptike dhe mund të kërkojnë ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, duke nisur bisedimet vetëm me këtë të fundit. Nuk e uroj një skenar të tillë, por nëse ai ndodh, faji bie vetëm mbi klasën politike shqiptare, dhe sidomos te shumica që qeveris vendin, e cila nuk po arrin të ngrihet dot mbi interesat partiakë, duke injoruar në mënyrë të pafalshme interesat e vendit. Mosplotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, insistimi për të kaluar me kokëfortësi ligjin famëkeq antishpifje dhe miratimi pa konsensus i kodit zgjedhor janë të mjaftueshme për të bllokuar, ose shtyrë çeljen e bisedimeve.

Në këtë rrugëtim drejt BE-së vendet e Ballkanit Perëndimore kanë qenë pak a shumë në të njëjtin hap, kush më pak më para apo mbrapa, por deri në këtë moment Shqipëria është bashkudhëtare me Maqedoninë e Veriut. A mendoni se këtë vjeshtë rrezikon të ndahet edhe nga Maqedonia për të mbetur një hap më pas dhe çfarë do të thotë kjo për aspiratat integruese të vendit tonë?
Rreth 20 vjet më parë, kur Bashkimi Europian lançoi zyrtarisht (Samiti i Zagrebit 2000), Procesin e Stabilizim-Asociimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia ishin shumë përpara Serbisë dhe Malit të Zi, por për arsye më shumë subjektive sesa objektive, Kroacia dhe Maqedonia avancuan më shpejt se Shqipëria, duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me BE në 2001, ndërsa Shqipëria vetëm në vitin 2006. Nga ana tjetër, Serbia dhe Mali i Zi, të cilat e nënshkruan MSA përkatësisht në 2008 dhe 2007, sot janë duke negociuar Traktatin e anëtarësimit të plotë në BE. Kroacia është vend anëtar që nga 2013, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia po presin t’u hapet drita jeshile për të nisur bisedimet, duke lënë pas vetëm Bosnjën dhe Kosovën. Pra, në 20 vjet, ne kemi ecur me hapat e breshkës, dhe tani rrezikojmë të mbetemi pas Maqedonisë. Në mënyrë paradoksale, duket se më shumë e interesuar për anëtarësimin e rajonit është vetë Unioni, sesa qeveritë e vendeve të rajonit, të cilat preferojnë autoritarizmin ndaj vlerave të demokracisë.

Si ekspert i çështjeve të integrimit si e komentoi plotësimin e 15 kushteve të vendosura për Shqipërinë, ku jemi me këta hapa që tregojnë përafrimin me vlerat demokratike evropiane? A ndikon në këtë vendim të Brukselit dhe fakti që jemi në një vit elektoral pak muaj para zgjedhjeve parlamentare?
Është fatkeqësi që nga njëri vit në tjetrin, kushtet që i vihen Shqipërisë nga BE vetëm se po shtohen, një tregues kokëfortë ky i keqqeverisjes, korrupsionit, krimit të organizuar, dështimit të institucioneve për të adresuar një gamë problemesh që lidhen me zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Ndërkohë, Shqipëria ende nuk ka arritur të përmbushë disa prej kushteve më të thjeshta, sikurse realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, dialogu politik, reformat e domosdoshme për funksionimin e një shoqërie të hapur dhe demokratike, me një ekonomi tregu funksionale, administratë të depolitizuar etj. Fakti që ndodhemi rreth 6 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, i bën disa prej vendeve anëtare të jenë skeptike dhe të ngurojnë, duke kërkuar më shumë kohë, me qëllim që të kuptojnë nëse klasa politike shqiptare është maturuar mjaftueshëm për të respektuar rregullat demokratikë që kërkohen në një garë elektorale me standarde demokratike.

Z. Bello, në vitin 2002 u hap për herë të parë dikasteri i Ministrisë së Integrimit në qeverinë shqiptare, një dikaster që vijoi në vitet më pas të kishte prioritet çështjen e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Cilat kanë qenë parashikimet më optimiste të ministrisë tuaj në atë kohë për këtë proces dhe në takimet me zyrtarët evropianë çfarë pritshmërish kishin ata për Shqipërinë? A kishit menduar se pas afro dy dekadash do të ishim akoma në pritje për të nisur bisedimet e anëtarësimit?
Sigurisht, në vitin 2002, sfidat kanë qenë të njëjta, ndonëse prioritet ndryshojnë, në varësi të procesit të anëtarësimit. Pas krizës së rëndë të 1997, Shqipëria kishte përpara sfida të mëdha të rindërtimit dhe konsolidimit të institucioneve, stabilizimit të situatës makroekonomike dhe pa diskutim të realizimit të reformave që do të na afronin me Evropën e bashkuar. Ne kishim nevojë për studim fizibiliteti për të kuptuar nëse mund të përballonim negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që nisi në 2003 dhe përfundoi në 2006. Më pas, na u deshën edhe 3 vite derisa MSA hyri në fuqi, ndërsa vetëm në 2014 ne mundëm të merrnin statusin e vendit kandidat. Ndryshe nga vendet e tjera, neve na janë dashur 6-7 vite pas statusit të vendit kandidat për të nisur bisedimet, të cilat mund të kërkojnë mbi 10 vjet kohë për të përmbyllur një proces që nisi 30 vite më parë. Askush nuk e mendonte në fillim të mijëvjeçarit, pra 10 vite pas rënies së diktaturës, se anëtarësimi do të kërkonte edhe 30 vite të tjera. Më optimistët mendonin vitin 2014, ndërsa realistët 2020. Sot edhe 2030 nuk na duket aq e largët, por kur kthejmë kokën pas, kuptojmë se sa shumë kohë është humbur me përplasje politike të panevojshme, dështime në mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe sa pak europiane jemi bërë. Jemi në Evropë tashmë, deklarojnë disa drejtues politikë shqiptarë, duke harruar se në BE nuk integrohesh thjesht gjeografikisht…

Klajda Gjosha: Shkelja e “5 Qershorit” vendos rrugëtimin evropian në rrezik

Ish-ministrja e integrimit, Klajda Gjosha, thotë se Shqipëria është ndarë nga Maqedonia e Veriut që prej mbledhjes së fundit të Këshillit Evropian, ku për Maqedoninë e Veriut u afrua Dhjetori për konferencën e parë ndërqeveritare, ndërsa për Shqipërinë u vendosën 15 kushte. “Për vendin tonë kjo do të thotë se perspektiva jonë evropiane do të zvarritet drejt një kalvari të vështirë kushtesh”, thekson ajo në një intervistë për MAPO.

Këto ditë ka dalë progres-raporti i ri i BE-së për Shqipërinë, një dokument prej të cilit vendi pret të nxisë unionin për të nisur zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit. Që prej vitit 2014 kur ka marrë statusin e vendit kandidat çelja e bisedimeve është kthyer në një “dhimbje koke” për Brukselin, i cili vendos kushte për Shqipërinë. Sipas jush a është gati vendi ynë të ulet në tryezën ndërqeveritare me BE-në dhe sa do ta penalizojnë këtë moment ndryshimet e njëanshme të bëra në kodin elektoral nga mazhoranca qeverisëse?
Është për të ardhur keq që Shqipëria për herë të parë ka marrë rekomandimin për çeljen e negociatave në vitin 2016 dhe që prej asaj kohe nuk është marrë asnjë vendim për këtë çështje. Nga një kusht kryesor për vettingun, sot kemi 15 kushte të kërkuara zyrtarisht nga vendet anëtare të BE, kushte këto që prekin thelbin e problemeve kryesore në vend. Reforma zgjedhore ka qenë një nga kushtet kryesore për nisjen e konferencës së parë ndërqeveritare, së bashku me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Kushti i parë është sot sa i plotësuar me marrëveshjen e 5 Qershorit, aq edhe i goditur me ndryshimet e njëanshme Kushtetuese dhe minimin e konsensusit dhe dialogut! Disa prej vendeve anëtare janë shprehur qartë se shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit, do ta vendoste rrugëtimin evropian të vendit në rrezik. Ndërsa kushti i dytë ende nuk është plotësuar, ndaj askush nuk e merr në konsideratë. Për sa i përket të qenit gati për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, unë mendoj se vendi ka ende një rrugëtim të gjatë, si për plotësimin e kushteve që përveç atyre dy më sipër kemi implementimin e zgjedhjeve, gjykimin e çështjeve që kanë të bëjnë me shitblerjen e votës, legjitimitetin ose jo të zgjedhjeve lokale 2019 si dhe lirinë e medias. Të gjitha këto kushte bashkë me faktin se Shqipëria nuk është ende gati në kapacitete njerëzore për t’ju përgjigjur sfidave të procesit të negociatave, e bëjnë thuajse të pamundur fillimin e kësaj etape në një kohë të afërt!
Në këtë rrugëtim drejt BE-së vendet e Ballkanit Perëndimore kanë qenë pak a shumë në të njëjtin hap, kush më pak më para apo mbrapa, por deri në këtë moment Shqipëria është bashkudhëtare me Maqedoninë e Veriut. A mendoni se këtë vjeshtë rrezikon të ndahet edhe nga Maqedonia për të mbetur një hap më pas dhe çfarë do të thotë kjo për aspiratat integruese të vendit tonë?
Shqipëria është ndarë nga Maqedonia e Veriut që prej mbledhjes së fundit të Këshillit Evropian, ku për Maqedoninë e Veriut u afrua Dhjetori për konferencën e parë ndërqeveritare, ndërsa për Shqipërinë u vendosën 15 kushte. Për vendin tonë kjo do të thotë se perspektiva jonë evropiane do të zvarritet drejt një kalvari të vështirë kushtesh dhe fatkeqësisht e bashkon Shqipërinë me grupin e vendeve si Kosova dhe Bosnja!

Si eksperte e çështjeve të integrimit si e komentoi plotësimin e 15 kushteve të vendosura për Shqipërinë, ku jemi me këta hapa që tregojnë përafrimin me vlerat demokratike evropiane? A ndikon në këtë vendim të Brukselit dhe fakti që jemi në një vit elektoral pak muaj para zgjedhjeve parlamentare?
Asnjë prej 15 kushteve nuk është plotësuar sot që flasim dhe ne ende nuk kemi asnjë rezultat konkret për t’iu paraqitur vendeve anëtare në mbledhjen e ardhshme të Këshillit. Sot standardet demokratike janë të zëvendësuara me autokracinë, sot qytetarët shqiptarë rrezikohen në fjalën e lirë, në të drejtën e pronës e kështu me radhë! Sot drejtësia është në duart e një individi. Administrata publike përdoret si ushtri partiake, ku rrezikohesh me vendin e punës nëse nuk voton për partinë në pushtet! Numri i azilkërkuesve shqiptarë është shqetësues sepse ai paraqitet në shifra edhe më të larta se sa vendet me stad lufte! Krimi i organizuar dhe korrupsioni ndihet në çdo qelizë, duke përfshirë edhe ekonominë e vendit! Është e vërtetë që në një vit elektoral, BE nuk do t’i jepte kredit asnjë vendi aspirant, por edhe në rrethana të tjera, Shqipëria është ende larg rrugëtimit të negociatave!/Mapo

SHKARKO APP