Klajda Gjosha: Reforma në drejtësi, thelbësore për hapjen e negociatave
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha ka deklaruar se procesi i integrimit europian, është një proces reformash që sjellin transformim real për vendin dhe jo një proces datash.
Për 5 prioritetet që Komisioni Europian i ka caktuar Shqipërisë, ministrja Gjosha shprehet se, ecuria e përmbushjes së 5 prioriteeteve ka qenë shumë e mirë, pasi pjesa më e madhe e masave të përcaktuara në udhërrëfyes janë plotësuar.
Lidhur me mundësinë për hapjen e negociatave me Shqipërinë nga ana e BE, ministrja e Integrimi Europian thekson se anë ndërmarrë reforma shumë të rëndësishme, të cilat janë vlerësuar nga partnerët tanë, por reforma në drejtësi, e cila është në proces, mbetet thelbësore për të kaluar në fazën e radhës që është hapja e negociatave.
Duke folur për rritjen e fluksit të azilkërkuesve nga Shqipëria dhe vendet e rajonit, ministrja Gjosha nënvizon se, kjo nuk është pozitive për procesin e integrimit dhe për të ardhmen e përbashkët europian të këtyre vendeve.
Ajo shton se, ata që shkelin rregullat e qëndrimit të zonës Shengen, rrezikojnë lëvizjen e lirë të tyre në vendet e Bashkimit Europian, sipas afateve dhe rregullave të caktuara, ndaj ministrja Gjosha në një intervistë për ATSH thotë që të mos kërkojnë azil në vendet e BE-së.
Znj. Ministre, Komisioni Europian i ka caktuar Shqipërisë 5 prioritete për të cilat pritet të jepet një vlerësim në Progres Raportin e radhës së KE. Si e vlerësoni ecurinë e këtyre 5 prioriteteve?
Ecuria e përmbushjes së 5 prioriteteve ka qenë shumë e mirë, pasi në këto momente që ne flasim pjesa më e madhe e masave të përcaktuara në udhërrëfyes janë plotësuar. Ne presim në tetor progres raportin i cili do të jetë shumë i gjerë në vlerësime edhe për shkak të reformave që qeveria ka ndërmarrë në shumë fusha. Sigurisht fokusi i tij kryesor do të jenë 5 prioritetet, mbi bazën e së cilave vlerësohet dhe mbarëvajtja e procesit të integrimit , ose kalimi në fazën e rradhës që është hapja e negociatave.
Si e vlerësoni vijimin e bashkëpunimit me ministritë e linjës për të përmbushur priritetet që kërkon KE nga Shqipëria?
Ka një ndjeshmëri më të lartë të Ministrive të linjës për detyrimet që ato kanë në lidhje me 5 prioritetet. Megjithatë unë mendoj që të gjitha institucionet duhet të bëjnë akoma më shumë, pasi kemi të bëjmë me një prioritet kombëtar, një process zinxhir dhe kompleks që monotorohet mirë nga Komisioni Europian. Ka gjithmonë vend, për përmirësim dhe mendoj se mbështetja e qeverisë me riorganizimin që u është bërë drejtorive të integrimit, ka pasur për qëllim pikërisht motivimin dhe nxitjen e punonjësve për të dhënë më të mirën.
A jeni optimiste për një dritë jeshile nga ana e KE për hapjen e negociatava duke parë ecurinë e reformave që janë ndërmarrë në vend?
Dua të theksoj se janë ndërmarrë reforma shumë të rëndësishme të cilat janë vlerësuar nga partnerët tanë. Me përmbushjen e 5 prioriteteve është punuar mirë, por reforma në drejtësi e cila është në proces mbetet thelbësore për të kaluar në fazën e radhës që është hapja e negociatave. Ne jemi optimistë por edhe shumë të ndërgjegjshëm se reforma në drejtësi është një reformë e vështirë që kërkon kohën e saj, ndaj mendojmë se ekspertiza që po na ofrohet nga vendet e BE, apo SHBA është e domosdoshme, njësoj siç është i domosdoshëm kontributi I të gjitha palëve politike.
A ka ndërmarrë ministria e Integrimi lobime ndërkombëtare për të përshpejtuar hapjen e negociatave me BE?
Vizitat dhe takimet me zyrtarë të lartë të vendeve anëtare, për të evidentuar reformat e ndërmarra, janë pjesë e punës sonë të përditshme, jo vetëm të Ministrisë së Integrimit,por edhe Ministrisë së Jashtme. Ne kemi planifikuar një sërë vizitash në vendet anëtare gjatë muajit shtator, dhe pas publikimit të progres raportit në tetor mendojmë se do t’i intensifikojmë.
Kryeministri Rama ka deklaruar se pas realizimit të reformës në Drejtësi, i takon KE që të vendosë datën për hapjen e negociatave, a mendoni se kjo datë mund të jetë që këtë vit?
Detyra e qeverisë është të përmbushë detyrimet që kërkohen për 5 prioritetet. Ne nuk e konsiderojmë procesin e integrimit një proces datash. Për ne ky proces është një proces reformash, transformimi të vendit, ndryshim të mentalitetit dhe një proces që së pari ndikon në krijimin e një shteti më demokratik. Datat nuk kanë shumë rëndësi, rëndësi ka mënyra sesi ne do ta realizojmë siç duhet këtë proces, cilësia e tij.
Disa vende të Bashkimit Europian po përballen me problem me azilkërkuesve që vijne nga vendet e Ballkanit perëndimor. A rrezikon kjo gjë rikthimin e regjimit të vizave për këto vende?
Kriza e emigrantëve ne Europë, është vërtet një problem që kërkon zgjidhje. Për sa i takon Shqipërisë e besoj edhe vendeve të rajonit, se rritja e fluksit të azilkërkuesve nuk është pozitive për procesin e integrimit, për të ardhmen e përbashkët europian të këtyre vendeve. Nuk besoj se ka rrezik për kthimin e regjimit të vizave, por mendoj që ka rrezik për atë kategori qytetarësh që kërkon azil.
farë masash rrezikojnë ata që shkelin rregullat e qëndrimit të zonës Shengen?
Rrezikojnë lëvizjen e lirë të tyre në vendet e Bashkimit Europian, sipas afateve dhe rregullave të caktuara. Ndaj gjej rastin tu bëj apel që mos kërkojnë azil në vendet e BE-së.