Klajda Gjosha: Sfidat për të arritur standardet e BE-së

Teksa reforma në drejtësi është prej muajsh në plan të parë, puna vijon dhe për arritjen e standardeve të tjera. Institucionet shqiptare janë duke punuar për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Procesi i përafrimit të legjislacionit, për të gjitha fushat, jo vetëm për lëvizjen e lire të mallrave, është një proces i gjatë dhe që do të vazhdojë edhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në një intervistë të posaçme për Monitor, ministrja e integrimit, znj.Klajda Gjosha thotë se sfidat më të mëdha do të jenë përafrimi i legjislacionit për mjedisin dhe bujqësinë.

***

Në çfarë pike kanë arritur negociatat me Bashkimin Evropian për harmonizimin e legjislacionit dhe lëvizjen e lirë të mallrave e kapitalit? Cilat janë afatet dhe rezultatet e pritshme?

Shqipëria është zyrtarisht që nga viti 2014 vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Por, hapja e negociatave të anëtarësimit është një hap që vendi nuk e ka hedhur ende në procesin e integrimit. Siç e dini reforma në drejtësi, mbetet thelbësore për të avancuar më tej. Miratimi i kësaj reforme do të krijonte kushtet që Komisioni Europian në Raportin e tij të radhës, të shprehet pozitivisht me një rekomandim për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Dua të theksoj edhe njëherë se, reforma në drejtësi pavarësisht procesit të integrimit është një reformë e domosdoshme për qytetarët. Ajo do të ketë një ndikim të rëndësishëm në jetën ekonomike në Shqipëri, duke kontribuar direkt në përmirësimin e klimës së biznesit, forcimin e besimit tek Shqipëria të investitorëve të huaj, rritjen e punësimit dhe të ardhurave kombëtare. Ndërkohë, institucionet shqiptare janë duke punuar për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Procesi i përafrimit të legjislacionit, për të gjitha fushat, jo vetëm për lëvizjen e lire të mallrave, është një proces i gjatë dhe që do të vazhdojë edhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Përsa i përket levizjes së lirë të mallrave dhe kapitalit, marrëdhëniet me BE, në këto fusha janë rregulluar nëpërmjet Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që ka hyrë në fuqi që në vitin 2009. Çdo rregullim i mëtejshëm do të bëhet duke respektuar këtë Marrëveshje.

Konkretisht, si pasojë e adoptimit të acquis me Bashkimin Evropian cilat janë standardet europiane, që duhen përmbushur dhe afatet e fillimit të zbatimit të tyre në drejtim të cilësisë së produkteve, shërbimeve dhe proceseve të punës – sigurisë ushqimore apo asaj në punë, kushteve të higjienës apo ndotjes së mjedisit, etj?

Çdo herë që një masë ligjore shqiptare përafron legjislacionin e BE-së, ajo vendos standarde europiane në atë fushe të caktuar. Këto standarde janë të gjithanshme dhe do të jetë e pamundur që të shpjegohen në pak faqe. Më lejoni të shpjegoj, se standardet e produkteve janë thelbi i lëvizjes së lirë të mallrave si një nga katër liritë themelore mbi të cilat bazohet Bashkimi Europian. Si të tilla këto standarde kanë lidhje me një pjesë të konsiderueshme të legjislacionit të Bashkimit Europian. Përafrimi i këtyre standardeve është duke u bërë gradualisht për t’i dhënë kohë bizneseve të përshtaten dhe administratës publike kohë për të zbatuar me korrektësi legjislacionin. Këto standarde do të fillojnë të zbatohen kështu gradualisht përpara anëtarësimit në Bashkimin Europian. Afatet konkrete të fillimit të zbatimit të standardeve janë të përcaktuara në aktet ligjore shqiptare. Gjatë negociatave Shqipëria do të ketë mundësinë të negociojë periudha transitore për zbatimin e standardeve europiane në fusha të caktuara, që do t’i lejojë fillimin e zbatimit të një standardi pas anëtarësimit. Një gjë e tillë mund të bëhet për shembull, në lidhje me zbatimin e plotë të standardeve në sektorin e mjedisit, për të cilat do të kërkohen jo vetëm shumë kohë por edhe fonde të konsiderueshme të cilat Shqipëria nuk i zotëron sot. Zbatimi i plotë i këtyre standardeve do të kërkojë edhe një rritje të mëtejshme të mbështetjes financiare të Bashkimit Europian. Më lejoni të përmend disa nga arritjet në lidhje me zbatimin e këtyre standardeve. Së pari, për standardet ushqimore, është ngritur dhe funksionon kënaqshëm Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, për forcimin e kapaciteteve të të cilit kemi pasur edhe mbështetjen e Bashkimit Europian. Së dyti, është miratuar ngritja e Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut dhe po punohet për vënien në funksionim të tij. Ky Inspektoriat pritet që të forcojë në mënyrë të konsiderueshme mbikëqyrjen në cilësinë e mallrave industriale, në zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale, etj. Së treti, Shqipëria ka përafruar pothuajse tërësisht legjislacionin e saj me legjislacionin e Bashkimit Europian në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Është në proces përafrimi i legjislacionit shqiptar me acquis e Bashkimit Europian për mbrojtjen e shëndetit nga azbesti. Përafrimi gradual në këtë fushë do të shërbejë si shembull edhe për përafrimin në fusha të tjera.

A i monitoroni, informoni, apo dhe i mbështesni me asistence e fonde bizneset për të arritur respektimin e këtyre standardeve?

Ministria e Integrimit Europian koordinon hartimin e Planit Kombëtar të Integrimit Europian, si dokumenti themelor për procesin e përafrimit të legjislacionit. Në këtë kuadër, ne e paraqesim këtë dokument për konsultim me shoqërinë civile. Në vlerësimin tonë, ky konsultim shërben edhe si pjesë e informimit të publikut në lidhje me aktet e ardhshme ligjore dhe afatet e miratimit dhe zbatimit të tyre. Sigurisht që ky proces mund të zgjerohet më tej duke rritur mundësitë e biznesit për t’u njohur me legjislacionin në përgatitje dhe për t’u bërë pjesë e hartimit dhe zbatimit të legjislacionit. Monitorimi dhe mbështetja me fonde e bizneseve për zbatimin e standardeve është detyrë e ministrive të linjës, si për shembull, e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, të cilat janë edhe më kompetente për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.

Sipas eksperteve, bujqësia dhe siguria ushqimore janë dy fusha të rëndësishme, që do të preken nga domosdoshmëria e plotësimit të standardeve dhe që kërkojnë shumë punë e masa në periudhën në vijim. Çfarë po bëhet konkretisht dhe cilat janë afatet e respektimit të standardeve?

Bujqësia dhe siguria ushqimore janë dy nga fushat më të rregulluara nga legjislacioni i Bashkimit Europian, me rregulla strikte që zbatohen në të gjithë zinxhirin ushqimor si të njerëzve ashtu edhe të gjësë së gjallë.Në takimet e përbashkëta Shqipëri – BE, që zhvillohen për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, jepen rekomandime nga pala europiane në lidhje me hapat që duhen hedhur në përafrimin e legjislacionit në këto fusha. Këto rekomandime përkthehen në masa ligjore, të cilat me futjen në fuqi vendosin standarde të reja, ose përmirësojnë aktivitetin e institucioneve publike shqiptare në monitorimin e tyre. Por, është e qartë se ashtu si në shumë fusha të tjera, edhe në bujqësi, prodhuesit do të ndjejnë rritjen e trysnisë për zbatimin e mëtejshëm të këtyre standardeve.

Bizneset vendase (industria tekstile) janë shprehur se janë të kufizuara në tërheqjen e partnerëve të huaj për shkak të taksës doganore prej 12.5% për produktet nga vendet ekstrakomunitare si Shqipëria. Kur parashikohet heqja e kësaj takse, në bazë të negociatave që keni me BE-në?

Sikurse e dini, marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian rregullohen nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Me kënaqësi, vërejmë zbatimin pozitiv të kësaj Marrëveshjeje si përsa i përket përafrimit të legjislacionit ashtu edhe zhvillimit të tregtisë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, i cili mbetet partneri ynë kryesor tregtar. Rritja e volumit të tregtisë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, veçanërisht e eksporteve shqiptare, tregon se Marrëveshja po funksionon dhe rritja e tregtisë sigurisht që përkthehet në rritje investimesh, punësimi dhe të ardhurash për ekonominë shqiptare. Në këtë aspekt, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është amenduar dy herë. Së pari, në lidhje me anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në Bashkimin Europian, u kalua nga kumulimi bilateral në atë diagonal mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Së dyti, Marrëveshja u amendua përsëri në nëntor 2015, për të siguruar përputhshmërinë e saj me Konventën Pan-Euro-Med për përkufizimin e konceptit “produkte origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ. Këto masa sigurisht që do të ndikojnë në zgjerimin e mëtejshëm të tregtisë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian apo edhe vendeve të tjera, si për shembull vendet e EFTA-s. Hapja e tregtisë ndërmjet vendeve të Procesit të Stabilizim-Asociimit, ka qenë një politikë konstante nga ana e Bashkimit Europian. Këshilli Europian i Lisbonës, i mbajtur në mars 2000, theksoi se Marrëveshjet e Stabilizimit-Asocimit (SAA) me vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të paraprihen nga liberalizimi asimetrik i tregtisë. Hyrja në fuqi e të ashtuquajturave masa autonome për të gjitha vendet pjesëmarrëse në Procesin për Stabilizim dhe Asocim më 1 dhjetor 2000 liberalizoi rreth 95% të eksporteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian duke synuar nxitjen e bashkëpunimit tregtar rajonal, reformave dhe zhvillimit ekonomik.Liberalizimi i mëtejshëm për ato pak eksporte shqiptare që i nënshtrohen tarifave doganore të Bashkimit Europian, përmes një amendimi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, do të kërkonte edhe një liberalizim dhe hapje të mëtejshme të tregut shqiptar ndaj importeve/produkteve europiane. Dhe sigurisht që çdo iniciativë e tillë duhet të mendohet duke pasur parasysh në tërësi interesin kombëtar të Shqipërisë.

Në afatin e shkurtër dhe të mesëm, cilat vlerësoni ju se do të ishin avantazhet dhe diasavantazhet e biznesit (i madh, i vogël, i mesëm) nga procesi i pakthyeshëm i integrimit në Bashkimin Evropian?

Në interpretimin e aspektit ekonomik të procesit të integrimit, duke u fokusuar për sa kërkohet, kryesisht në bilancin e integrimit, kostot dhe përfitimet, sfidat e këtij procesi, duhet ndaluar së pari në atë që është boshti i këtij procesi – Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit – hyrë në fuqi në 1 prill 2009, (mbi bazën e të cilës mund të ofrojmë dhe këndvështrimin analitik për sa do jetë dhe temë e këtij diskutimi/interviste publike). Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, sikurse dihet, është ndërtuar mbi bazën e një marrëdhënie kontraktuale midis palëve dhe ecuria e këtij procesi matet me zbatimin korrekt të kësaj Marrëveshjeje. Kjo Marrëveshje është parashikuar të zbatohet në një hark kohor 10 vjeçar 2009 – 2019, ku në bazë të nenit 70 të saj për përafrimin e legjislacionit, në 5 vitet e para duhet të adresohet harmonizimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së për fushat prioritare dhe në fund të 10 viteve presupozohet që ky harmonizim të jetë adresuar brenda afatit të parashikuar në MSA dhe të jetë i zbatueshëm. Hapja tregtare sikurse janë parashikuar nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit sigurisht që sjellin edhe përftime por edhe sfida për ekonominë shqiptare. Në aspektin afatshkurtër, hapet një treg i madh në të cilin prodhuesit shqiptarë mund të eksportojnë produktet e tyre. Por, nga ana tjetër, prodhuesit shqiptarë do të ekspozohen edhe ndaj rrezikut të një konkurrueshmërie të lartë nga mallrat europiane. Por, ky rrezik pritet të kundërbalancohet nga rritja e eksporteve shqiptare si dhe nga hapja e bizneseve të reja me kapital shqiptar apo të huaj që shfrytëzojnë mundësitë e eksportit drejt tregut të Bashkimit Europian dhe faktorët e tjerë pozitivë që ofron Shqipëria. Sikurse e përmenda edhe më parë, eksportet shqiptare drejt Bashkimit Evropian kanë njohur rritje pothuajse çdo vit që nga hyrja në fuqi e pjesës tregtare të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.Avantazhet e procesit të integrimit sigurisht që do të shtohen edhe më tej, me përparimin e vazhdueshëm në këtë proces. Ky përparim është logjikisht e pritshme që të shtojë interesin për investime në Shqipëri. Plotësimi i standardeve europiane do të shtojë po ashtu edhe mundësitë e ndërmarrjeve shqiptare për të eksportuar drejt Bashkimit Evropian. Në tërësi, siç e theksova edhe më parë, ne nuk shohim asnjë mundësi tjetër për një zhvillim të shpejtë ekonomik dhe social, jashtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

A keni kryer ju studime dhe analiza për impaktin e procesit në fazat në vijim dhe a ka një strategji për ta bërë sa më efektiv dhe me më pak pasoja këtë proces?

Ministria e Integrimit Europian, me ndihmën e Bashkimit Europian kryen studime, analiza si dhe apo ka mbështetur me të gjitha kapacitetet e saj nisma të tilla të realizuara nga shoqëria civile. Aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së një dokumenti shumë të rëndësishëm që është Strategjia e anëtarësimit. Drafti po punohet nga ekspertët dhe brenda një kohe të shkurtër do të jetë gati.

Ekonomia shqiptare karakterizohet nga biznese të vogla me 1 – 4 punonjës, që përbëjnë mbi 90% të totalit të ndërmarrjeve, ku mbizotëron vetëpunësimi dhe që shpesh janë në kufijtë e ekzistencës dhe nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të përshtatur standardet. Sa problem e shikoni ju këtë dhe si mendoni ta lehtësoni këtë tranzicion?

Sigurisht që ne i vlerësojmë të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohet biznesi i vogël shqiptar nën efektet e globalizimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por, në këtë rast vërejmë se standardet për bizneset e vogla janë lehtësuar krahasuar me ato për bizneset e mesme ose të mëdha. Kjo lehtëson edhe plotësimin/ respektimin e tyre. Po ashtu, në tërësi, politikat ekonomike dhe fiskale të Qeverisë kanë pasur gjithmonë parasysh mbështetjen për bizneset e vogla, për të përshtatur teknologjinë, gjetur tregje të reja, nxitur bizneset e reja apo ato të drejtuara nga gratë. Kjo mbështetje ka ardhur në rritje nga vit në vit. Reforma e mëtejshme në sistemin e arsimit profesional do të ndikojë po ashtu në këtë drejtim. Një fuqi punëtore e orientuar drejt tregut të punës dhe e përgatitur profesionalisht e ka më të lehtë që të njihet dhe të përshtatet me standardet europiane.

Cilat janë disa nga reformat më të rëndësishme dhe më të kushtueshme në procesin e harmonizimit të legjislacionit e standardeve?

Reforma dhe sfida më e kushtueshme në procesin e harmonizimit me standardet europiane do të jetë ajo në fushën e mjedisit dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Kjo është një fakt një sfidë për të gjitha vendet, por aq më e madhe për Shqipërinë duke pasur parasysh problemet e akumuluara si gjatë periudhës së komunizimit ashtu edhe gjatë tranzicionit. Për momentin është e vështirë që ta kuantifikojmë vlerën e kësaj reforme dhe arritjen e standardeve europiane. Kjo ka mundësi që të jetë e vetmja fushë në të cilën gjatë negociatave të anëtarësimit, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë, të kërkojnë periudha të gjata transitore për zbatimin e legjislacionit europian edhe pas anëtarësimit në Bashkimin Europian. E them këtë edhe duke pasur parasysh shembullin e Kroacisë si vendi i fundit që iu bashkua Bashkimit Evropian. Sikurse e dini, Kroacia u anëtarësua me datë 1 korrik 2013, por për shembull, për mbetjet e ngurta i është dhënë një periudhë transitore që të respektojë legjislacionin europian deri me 1 janar 2019, për disa parametra të ujit të pijshëm po ashtu deri me 1 janar 2019, dhe për përpunimin e ujërave të ndotura deri me 1 janar 2024. Një pjesë e mirë e këtij procesi përshtatjeje pritet që të përballohet nga fondet e Bashkimit Europian. -monitor.

SHKARKO APP