Klentiana Mahmutaj, shqiptarja e Gjykatës së Arbitrazhit në Londër

Mahmutaj: Historia ime mes Tiranës dhe Londrës 

Intervistoi: Aranit Muraçi/ Klentiana Mahmutaj është një nga avokatet e pakta shqiptare, në Londër. Ajo është avokate e Shkallës së Parë (Barrister) që është edhe shkalla më lartë e avokatisë në Britaninë e Madhe. Klentiana i përket brezit të shqiptarëve që u largua pas viteve ‘90 jashtë vendit, për të studiuar apo për të siguruar një jetë më të mirë. Ajo kreu studimet universitare në De Montfort University, Leicester dhe më vonë ato pasuniversitare në Universitetin e Londrës.  Në Londër ajo  nisi karrierën e saj si avokate, sikurse dhe ndërtoi jetën familjare. Autore e disa studimeve, artikujve dhe librave kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare, Klentiana Mahmutaj  është edhe anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, në Londër. Gjithashtu, ka asistuar në reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, e ngarkuar  nga pala britanike. Para pak ditësh, në të përditshmen britanike “Telegraph” ajo botoi shkrimin me titull, “Grovving up under Communist rule made me the tough feminist I am today”, që do të thotë se: “E rritur nën sundimin komunist, kjo më bëri të jem sot një femër më e vendosur.” Në një intervistë për “Koha Jonë”, Klentiana Mahmutaj tregon historinë e saj, që nga fëmijëria në Shqipëri, zhvendosja në Londër, karriera si avokate  dhe angazhimet familjare. Ajo flet kryesisht mbi arsyet e  përfundimit që ka arritur tek ky artikull mbi rolin e gruas që duhet të ketë sot në shoqëri, për të cilën sugjeron Britaninë e Madhe që të ndjekë modelin komunist në Shqipëri. Po ashtu Klentiana jep pëlqimin për botimin e këtij materiali në gazetën “Koha Jonë”, për lexuesin shqiptar:

A e kujtoni ende, se cila ka qenë fëmijëria juaj në Tiranë, e cila përkon edhe me vitet e periudhës komuniste?

Fëmijëria ime në Tiranë ka qenë e lumtur. Kujtoj se jeta ishte e thjeshtë dhe e mbushur me dashuri nga prindërit, gjyshërit dhe të afërmit e tjerë. Sigurisht, që mungonin argëtimet që kanë fëmijët e ditëve të sotme, si në shumëllojshmëri ashtu edhe në teknologji. Por kjo kishte të mirat e veta, pasi mbaj mend që e kaloja kohën duke lexuar ose duke luajtur jashtë me fëmijët e tjerë. Për fat të keq në ditët e sotme, si libri ashtu edhe aktiviteti fizik po rrezikohen gjithnjë e më shumë nga teknologjia dhe probleme të tjera socio-ekonomike.  Ndërsa, përsa i përket komunizmit, si fëmijë ne nuk ishim në dijeni të shtypjes ideologjike ose varfërisë ekonomike që mbizotëronte, elementë, të cilët  e bënin jetën e të rriturve jashtëzakonisht të vështirë.

Jeni larguar pas viteve ‘90 si shumë shqiptarë të tjerë. A e vizitoni shpesh Shqipërinë  dhe si ka ndryshuar ajo sot, pas më shumë se dy dekadash?

Prindërit e mi jetojnë ende në Shqipëri dhe që nga koha kur kam qenë studente jam përpjekur të vij të paktën dy herë në vit. Në katër vitet e fundit kam vizituar gjithashtu, edhe në kapacitetin profesional pasi, ndër të tjera, kam qenë pjesë e një grupi pune të financuar nga Ministria e Jashtme Britanike për të dhënë ndihmë ligjore në lidhje me reformat në drejtësi. Qëndrimet e mia kanë qenë të shkurtra dhe kryesisht në Tiranë, por më duket se vendi ka ecur përpara, të rinjtë janë më të sofistikuar, shoqëria më duket më e pasur.

Në një artikull të fundit që keni botuar në mediat britanike, flisni për rolin e gruas në familje dhe shoqëri gjatë kohës së komunizmit dhe pretendoni se barazia gjinore që respektohej në atë kohë në vendin tonë duhet të jetë sot model edhe për shoqërinë angleze. Si është pritur artikulli?      

Një nga gjërat që kam dashur të them në artikullin tim është se angazhimi i gruas si në familje, ashtu edhe në tregun e punës në komunizëm, edhe pse jo një zgjedhje tërësisht ideologjike, është një koncept që mund të  transportohet suksesshëm në shoqërinë britanike. Këtë e kam lidhur kryesisht me fushën e drejtësisë, pasi angazhimi dhe promovimi i grave në këtë profesion në Angli mbeten shumë problematike. Mund të them që artikulli është pritur shumë mirë dhe jam habitur me numrin e lartë të lexueseve (disa mijëra) në të gjithë botën, përshirë SHBA-të, Australinë edhe Kilin, përveç vendeve të Europës, ku edhe pritej.  Në Britani është përgëzuar veçanërisht nga  emra të njohur në fushën e drejtësisë, disa prej të cilëve kanë titullin Këshilltarë të Mbretëreshës (Queen’s Counsel). Po kështu edhe akademikë të ndryshëm e kanë pëlqyer dhe më kanë ftuar të flasë në disa universitete të njohura në Britani.

 Janë të paktë ata që kanë evidentuar edhe vlera të shoqërisë gjatë diktaturës, aq më pak shqiptarët që janë larguar nga vendi i tyre.  Por si e vlerësoni ecurinë e Shqipërisë në këto vite tranzicioni dhe si ka ecur imazhi i saj në Europë? 

Unë mendoj që është gjithnjë e rëndësishme të reflektosh tek e shkuara, sado problematike dhe nëse mundesh të gjesh diçka pozitive, të cilën mund ta huazosh në të mirë të barazisë dhe respektimit të të drejtave. Por do të ishte naive nëse nuk do ta njihnim komunizmin në Shqipëri për atë që ishte: një sistem monstruoz që mohoi dhe shkeli të drejta themelore njerëzore, shpërfytyroi disa njerëz dhe e bëri shumicën të jetoje në varfëri të tejskajshme. Ecuria në periudhën e tranzicionit ka qenë e mirë, edhe pse me probleme. Nuk jam as historiane e as analiste politike, por kjo më duket normale dhe mendoj që duhet t’i shikojmë gjërat në kontekst, pasi po flasim për një demokraci të brishtë që u parapri nga gati 50 vjet komunizëm, dy luftëra botërore dhe përpara tyre 500 vjet pushtim otoman dhe luftë mbijetese. Kështu duhet kohë për të konsoliduar edukatën tonë në lidhje me ndërgjegjësinë politike, transparencën dhe përgjegjësinë në kontekstin e demokracive perëndimore. Imazhi i Shqipërisë është i ndërlidhur me seriozitetin e reformave dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, që mendoj se i kanë themelet në ndryshimin e mentalitetit dhe kulturës politike të vetë popullit.  Kështu që nga ky këndvështrim e kemi vetë veten në dorë.

Dhe meqenëse i përkisni fushës së drejtësisë, aktualisht drejtësia në Shqipëri shihet si një nga problemet më të mëdha të zhvillimit të demokracisë në vendin tonë. Ju i keni ndjekur zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe çfarë mendoni për mënyrën sesi funksionon sistemi i drejtësisë?  

I ndjek rregullisht zhvillimet në Shqipëri dhe sidomos ato në fushën e drejtësisë. Pyetja se si funksionon sistemi i drejtësisë është shumë e gjerë dhe komplekse. Por mendoj që përfshirja në reforma dhe bashkëpunimi me vende të ndryshme Europiane është pozitiv. Fakti që vende si Britania e Madhe i japin ndihmë teknike ligjore vendit tonë, më mbush me shpresë. Mjafton të kujtosh që  Britania vitin që shkoi festoi 800- vjetorin e Magna Carta-s, Traktati i Parë i të Drejtave të  Njeriut në të gjithë botën.

E rritur nën sundimin komunist, më bëri të jem sot një femër më e vendosur

Fëmijëria ime i përket kohës së komunizmit. Jam lindur në Shqipërinë komuniste në fund të viteve shtatëdhjetë dhe jam rritur atje deri në moshën 19 vjeçe, kur edhe sigurova një bursë për të studiuar në një universitet anglez. Tani jam një avokate që ushtron profesionin në Britaninë kapitaliste dhe nënë e një fëmije dy vjeç e gjysmë. Vazhdimisht përballem me sfidat që vijnë si nënë, që kërkon edhe të ketë sukses në një profesion të vështirë pune. Frymëzuar nga debati i vazhdueshëm mbi pabarazitë e grave, kam reflektuar kohët e fundit në lidhje me politikat e fëmijërisë sime dhe kam dalë në një përfundim surprizë se zgjidhja e pabarazisë gjinore mund të gjendet në  modelin komunist.

E rritur në Shqipërinë komuniste…

Jeta si një fëmijë nën periudhën komuniste ishte e thjeshtë dhe pangarkuar nga bollëku apo luksi. Unë kujtoj si tani radhët me orë të tëra kur dilja me gjyshen time për të blerë ushqime me racion. Radhët e  gjata shoqëroheshin me biseda të shumta dhe unë i kisha qejf bisedat me zonjat e moshuara. Familja ime jetonte në Tiranë, në një shtëpi të vjetër, me një kopsht të madh, ku kishte pemë frutore dhe një gardh që mbulohej plot lule ore. Kur isha tetë vjeçe, për fat të keq, shteti konfiskoi shtëpinë tonë dhe na dha si këmbim një banesë në pallat parafabrikat. Shtëpia jonë u shkatërrua për të ndërtuar në vend të saj  blloqe pallatesh parafabrikate që ofronin më shumë strehim. Çdo gjë i përkiste shtetit. Në shkollë ne ishim mësuar të adhuronim Enver Hoxhën, udhëheqësin e vendit dhe Kryetarin e Partisë së Punës së Shqipërisë, pasardhësen e Partisë Komuniste. Kjo vazhdoi madje, edhe pas vdekjes së tij, në vitin 1985. Një pjesë e programit shkollor dënonte kapitalizmin dhe Perëndimin, gjë që ne të gjithë e bënim pa hezitimin më të vogël. Muret e klasës ishin të zbukuruara me slogane të pikturuara bukur si: “Feja është opium për popullin”, apo, “Lavdi marksizëm-leninizmit”. Në atë kohë unë nuk dija asgjë për fenë, drogën apo teoritë politike, megjithatë, më pëlqente shkolla. Shkëlqeva në aspektin akademik dhe u nderova me “Yllin e Kuq Komunist” që në klasën e parë dhe më vonë u bëra një “Pioniere e  Enverit”, që do të thoshte se mund të mbaja shallin e kuq të pionierit. Unë e mbajta atë me krenari, kryesisht sepse më pëlqente ngjyra. Por jeta nën komunizëm nuk ishte aq e lehtë për prindërit e mi. Ata të dy punonin shumë për të siguruar një jetë të mirë si dhe për edukimin tim dhe motrës sime të vogël. Fakti që çdo formë  ndërmarrjeje private ishte e ndaluar në Shqipëri, nuk i stepi ata që të paguanin privatisht për mësimet e mia të italishtes që në moshën 6 vjeçe. Babai im sidomos e kishte urryer gjithmonë komunizmin, shtypjen ideologjike që vinte prej politikave të tij, mbytjes së lirisë dhe trajtimit mizor të atyre që besuan në fjalën e lirë dhe nuk u pajtuan me partinë. Ai i kishte dashur gjithnjë për t’u larguar në Perëndim që në adoleshencë, por nuk e beri një gjë të tillë, sepse kishte frikë pasojat e mundshme për pjesën tjetër të familjes, që do të mund të përfshihej në internime, ekzekutime, ose, së paku, në izolim shoqëror. Sakaq, në dhjetor të vitit 1990 prindërit e mi ishin ndër të parët që u bashkuan me mijëra shqiptarë dhe protestuan publikisht kundra regjimit në rrugët e Tiranës që ishin të mbushura me policë të armatosur dhe me qentë  e tyre. Prindërit ishin në demonstrata edhe kur busti i Enver Hoxhës u rrëzua në formë ceremoniale mes të sheshit “Skënderbej”. Ai moment është ngulitur në kujtesën time, sidomos kur ata u kthyen në shtëpi me fytyrat e tyre plot entuziazëm dhe gëzim, për mua shenja të sigurta shprese për një jetë më të mirë. Edhe unë ndjehesha instinktivisht e lumtur dhe teksa rritesha, kuptoja dhe i bashkohesha bindjeve të tyre politike. Kjo është arsyeja pse kam neveri automatike për çdo sistem socio-ekonomik që i ngjan komunizmit dhe që nuk më është venitur. Por ka një përjashtim të madh këtu dhe ai është mënyra se si Shqipëria komuniste i trajtonte gratë në punë dhe në shtëpi.

 

Si i trajtonte gratë Shqipëria komuniste?

Premtimi komunist se edhe gratë duhet të jenë të barabarta në fuqinë punëtore nuk ishte premtim bosh. Gratë u inkurajuan pozitivisht nga fushatat e qeverisë duke u përfshirë në të gjitha profesionet, duke zënë edhe vende pune “burrërore”, bazuar edhe në faktin që ato kishin luftuar në një numër të madh së bashku me burrat si partizane, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për të arritur deri këtu, grave iu dhanë trajnime, kualifikime profesionale dhe të drejta studimi në shkollat përkatëse. Pa dyshim, arsyet prapa kësaj politike nuk ishin tërësisht ideologjike. Shqipërisë i ishte imponuar një nga format më të egra dhe më të izoluara të komunizmit. Si pasojë vendi përpiqej të ishte kryesisht i vetëmjaftueshëm në kontekstin ekonomik. Më thjesht, qeveria nuk mund të përballonte se gjysma e fuqisë punëtore e vendit të rrinte në shtëpi. Pavarësisht nga motivi, rezultatet ishin befasuese. Një numër i madh i grave u bënë bujke, mekanike, inxhiniere, mjeke, shkencëtare dhe profesoresha në universiteti. Gratë, gjithashtu, u angazhuan në ushtri dhe fituan pozita të larta. Edhe në politikë ato ishin kudo, madje, në vitin 1990, rreth 30 për qind e deputetëve shqiptarë ishin gra. Teksa rritesha, kurrë nuk pata ndeshur ndonjë sugjerim se gratë në këto profesione mund të ishin më pak të afta se burrat për shkak të gjinisë së tyre apo faktit që ishin dhe nëna. Në tërësi, ato nuk përballeshin me pengesa të diskriminimit gjinor. Kujtoj veçanërisht kur prindërit e mi dhe miqtë e tyre shpesh lavdëronin mjeke të shkëlqyera femra, apo dhe mësuese. Gratë sa i përket rolit të tyre në shtëpi janë parë në të njëjtën mënyrë, pra, si partnere të barabarta dhe shumë të vlefshme. Në familjen time të dy prindërit punonin me orar të plotë, por ata gjithmonë ndanin detyrat – ai që ndodhte të ishte më pak i lodhur gjatë një dite, i duhej të merrte pjesën më të madhe të punëve të shtëpisë. Mbaj mend babanë tim, një mashkull i pashëm goxha, i cili pastronte rregullisht shtëpinë, gatuante, e po ashtu na çonte në shkollë dhe na ndihmonte me detyrat e shtëpisë. Edhe kur unë dhe motra ime ishim adoleshente, ai preferonte që ne të lexonim libra ose të kalonim kohë me shoqërinë tonë  sesa të ndihmonim atë në punët e shtëpisë. Prindërit e mi bënin gjithçka së bashku, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në demonstratat e dhjetorit të vitit 1990. Disa vjet pas rënies së regjimit, ata ndërtuan dhe zhvilluan një biznes të suksesshëm së bashku. Kjo formë e partneritetit të barabartë si në familje edhe në punë ka qenë e zakonshme në shoqërinë shqiptare, ku u rrita. Nëse burrat sugjeronin se gratë duhet të qëndronin në shtëpi, me ta mund të talleshin për idetë e tyre anakronike.

Rënia e komunizmit në Shqipëri…

Megjithë rënien e komunizmit dhe për të gjitha vuajtjet dhe problemet e tjera të saj, Shqipëria, ruajti  qëndrimin e saj progresiv ndaj grave. Për shembull, në vitin 2013 ishin 168 gjyqtare femra – që do të thoshte 45.2 për qind e 371 gjyqtarëve të vendit në total ishin gra. Aktualisht, katër prej 17 gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë janë gra, dhe nëse lëmë mënjanë Kryetarin e Gjykatës së Lartë, raporti është një grua kundrejt katër burrave. Edhe pse ka ende më shumë meshkuj se femra në këtë rol, situata është dukshëm më e mirë se ajo në Britani të Madhe, ku shifra është një me 12 dhe, sipas Lord Sumption, ky raport nuk ka gjasa të përmirësohet në një kohë të afërt.  Pjesëmarrja në politikë, nga ana tjetër, duket se është përkeqësuar që nga viti 1990, kur pothuajse 30 për qind e deputetëve shqiptarë ishin gra, dhe ka rënë në 18.6 për qind apo 26 gra në 2014. Megjithatë, edhe këtë herë në Parlament, shtatë gra u promovuan si ministre të kabinetit qeveritar shqiptar me 21-anëtarë. Ky është numri i njëjtë i ministreve femra me  22-anëtarë të  kabinetit të Mbretërisë së Bashkuar, me përjashtim të atyre që ulen nganjëherë në kabinet. Kështu, duket se Shqipëria promovon gratë në pozita më të larta dhe në numër më të madh se sa në Mbretërinë e Bashkuar – e cila në vetvete është interesante. Duke parë profesionin tim në Mbretërinë e Bashkuar dhe duke qenë një avokate e Shkallës së Parë, kryej një nga profesionet që në përgjithësi konsiderohet si profesion i parehatshëm për gratë. Fatkeqësisht, pajtohem me këtë këndvështrim.  Kur kam vendosur për t’u bërë avokate e Shkallës së Parë, gra të tjera avokate më inkurajuan të bëhesha avokate e Shkallës së Dytë në vend të kësaj, pasi konkurrenca në Avokatinë e Shkallës së Parë ishte shumë e madhe dhe sipas tyre ishte e pamundur të kisha sukses e të siguroja një vend pune. Fakti që vija nga Europa Lindore dhe përpiqesha për të hyrë në një profesion historikisht elitar, i shtonte akoma dhe më shumë pengesat. Gjithsesi, unë zgjodha të mos i dëgjoj këto këshilla dhe me pak fat ia dola. Megjithatë, lufta nuk përfundon këtu. Si grua në profesion të duhet për të provuar në mënyrë të vazhdueshme, që je të paktën po aq e aftë sa burrat.  Duhet të tregosh se mund t’i përballosh me sukses kundërshtarët meshkuj, shumë prej të cilëve ende i shohin gratë si vizitore të paftuara në këtë profesion.

Çfarë mund të mësojnë nga komunizmi gratë dhe burrat

Duke reflektuar mbi përvojën time, besoj se po të mos ishte shoqëria komuniste në të cilën jam rritur, nuk do të kisha besim dhe kurajo 10 vite më parë që të bëhesha avokate e Shkallës së Parë.  E pajisur me një diplomë në një universitet të ri, me Master në të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe me një aksent të huaj u përqendrova te synimi im duke qenë në të njëjtën kohë e pavetëdijshme për vështirësitë e lidhura me gjininë apo ndarjes klasore në shoqërinë angleze. Mendoj se, ndonjë ndërgjegjësim i vërtetë i këtyre pengesave do të kishte venitur ambicien time. Kam këshilluar kohët e fundit tre studente të reja, të cilat dëshironin të bëheshin avokate të Shkallës së Parë.  Secila prej tyre vendosi përfundimisht të mos ta ndiqte këtë rrugë, sepse mendonin se vështirësitë me të cilat përballen gratë në këtë fushë janë të pakapërcyeshme. Të treja ishin rritur në Britani të Madhe. Përveç të qenit avokate e shkallës së parë, kam krijuar gjithashtu edhe familjen time. Është interesante se, kur është fjala për ndarjen e detyrave në shtëpi, unë e kam pasur më të vështirë këtu sesa nëna ime kur ishte në moshën time, në Shqipëri. Bashkëshorti im është anglez, i cili është gjithashtu avokat. Ai është diplomuar në Universitetin Kembrixh si dhe është në përgjithësi një njeri shumë i mirë që i përket shtresës borgjeze angleze. Dy vjet e gjysmë më parë u bekuam nga ardhja në jetë e djalit tonë. Na u deshën rreth dy vjet për të arritur një pikë në të cilën kemi arritur të ndajmë barazisht detyrat tona në shtëpi, nga  kuzhina, për t’u kthyer sërish te vënia e djalit tonë në gjumë ose zgjimi herët në mëngjes, me të. Babai i bashkëshortit tim ka punuar, kurse nëna e tij ishte një zonjë shtëpie dhe shumë e aftë në këtë  funksion. Ajo kujdesej për fëmijët dhe ishte e vetmja që kujdesej për shtëpinë – ndërsa ai ishte i zënë në profesionin e gazetarit. Kam frikë se është ky modeli i njohur dhe familjar për tim shoq. Kështu u desh kohë  që ai të kuptonte se si puna ime, ashtu edhe nevoja për të pushuar është po aq e rëndësishme sa edhe e tij. Por ndërsa dy avokatët së bashku gjithmonë mund të zgjidhin edhe mosmarrëveshjet më problematike, është shqetësuese të vesh re se të njëjtat modele sjelljeje përsëriten në të gjithë shoqërinë britanike. Ky model në mënyrë të vazhdueshme rrjedh në botën e gjerë, ku gratë kërkojnë të jenë pjesëmarrëse të barabarta në fuqinë punëtore dhe ku meritat dhe shanset e përparimit të tyre gjykohen pjesërisht nga të ata burra që refuzojnë të përveshin mangët në punët e shtëpisë. Por pyes veten nëse këta burra të suksesshëm dhe të aftë do të jenë të përgatitur për të ripërkufizuar mundësitë e barabarta dhe suksesin, në qoftë se ata do t’u duhet të bënin pjesën e tyre të punëve në shtëpi dhe të kujdesit për fëmijët. Pyes veten nëse, në këto rrethana, ata do t’i kërkonit shoqërisë edhe tregut të punës të tolerojnë detyrat e tyre atërore dhe bashkëshortore, ndërkohë që, po ashtu t’i lejojnë që të shkëlqejnë edhe në karrierën e tyre të zgjedhur? Unë nuk pretendoj të kuptoj tërësisht psikologjinë e mashkullit, por besoj se sjellja e tyre do të ndryshonte. Në lidhje me të kaluarën e jetës sime në Shqipërinë komuniste, si dhe suksesin tim relativ në një profesion të vështirë të dominuar nga meshkujt në Britaninë e Madhe, unë nuk mund të ndihmoj, por mendoj se fillimisht na duhet të trajtojmë paragjykimet e krijuara në Familje – ashtu si edhe mentalitetin e vendimmarrësve meshkuj.

Barazia gjinore e vërtetë fillon në shtëpi?

Duket se përgjigja e këtij problemi mund të gjendet në modelin e vërtetë egalitar, ndjekur në shoqëritë komuniste. Prandaj, qeveria britanike duhet të ndjekë një fushatë proaktive, e cila para së gjithash edukon shoqërinë si një e tërë mbi rolin e grave, si lojtare të barabarta. Gjithashtu, duhet siguruar edukimin kulturor, trajnimin dhe mundësi të bursave për gratë nga një moshë shumë e re, në mënyrë që kur të arrijnë moshën madhore, ata ta shohin familjen dhe karrierën si simbiozë e jo një zgjedhje të vështirë. Ndoshta përveç qëndrimit politik dhe social ndaj grave, barazia gjinore ka funksionuar në Shqipëri për shkak të kushteve të tjera të pranishme në shoqërinë e saj, të tilla si lidhjet e ngushta familjare dhe mbështetja praktike që vinte nga këto lidhje. Kjo nuk e bën arritjen më pak të rëndësishme. Në fakt, kjo tregon se mund të jetë koha që edhe qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të marrë gjithashtu, hapa për të inkurajuar familjet që të krijojnë dhe ruajnë një mbështetje të tillë. Në fakt, nuk është kjo që David Cameron është duke bërë në fusha të tjera, duke sugjeruar se, për shkak të burimeve të kufizuara, fëmijët e tyre dhe jo shteti duhet të kujdeset për prindërit e moshuar? A nuk duhet përpjekur për të rritur theksin e vlerave të shoqërisë sonë drejt mirësisë dhe kujdesit ndaj njëri-tjetrit më shumë se sa hapësirave personale, pavarësisë dhe egoizmit? Dhe nëse është kështu, nuk mund të jeta koha për fushata pro-aktive të qeverisë që të edukojë njerëzit para së gjithash, për të ndarë në mënyrë të barabartë detyrat e shtëpisë? Mua më duket kjo do të largojë disa, nëse jo të gjitha pengesat me te cilat  ballafaqohen gratë dhe do të ndihmojë edhe promovimin e tyre në tregun e punës. Ky do të ishte vetëm fillimi, por nuk do të ishte pak. Në fund të fundit, nëse bamirësia fillon në shtëpi – po aty fillon dhe respekti.

SHKARKO APP