Klosi: Kur eliminuam terroristët në Shqipëri me lejen e SHBA, BE u mërzit
“Kundër terrorizmit duhet të sillesh si terrorist”. Kështu shprehet Fatos Klosi, ish-kryetar i SHIK-ut pas vitit 1997 për gazetën ‘Shekulli’. Fatos Klosi, sot, pas rreth dy dekadash flet për çështjet e terrorizmit, jo vetëm duke iu referuar kohës së tij, betejës me elementët radikalë që u përzunë drejt vendeve të tyre. Bashkimi Europian, thotë ai, u zemërua me ne, por ne i ekstraduam. Klosi tregon se Shqipëria nuk është në “shijet” terroristëve: “Ka nga ata që nuk e dinë se ku biem në hartë”, ndërsa thotë se shqiptarët që ikin e luftojnë atje janë injorantë, ndërsa ka një porosi edhe për policinë dhe masat aktuale.
Z, Klosi si u arrit që të zbuloheshin 5 xhihadistët islamikë në Shqipëri?
Të parët ishin francezët që na sinjalizuan se brenda territorit shqiptar fshiheshin persona dhe eksponentë të rrezikshëm të organizatës terroriste egjiptiane dhe që më vonë doli se kishin lidhje edhe me Al-Qaeda-n. Më pas, me asistencën e amerikane, ne si shërbim, na u vunë në dispozicion të gjitha dokumentet, fotot dhe pasaportat që përdornin ata brenda territorit shqiptar. Më i kërkuari në atë kohë ka qenë 28-vjeçari, Salah El-Sayed, i identifikuar si një nga eksponentët më të rrezikshëm të organizatës terroriste egjiptiane, i cili kishte kryer 25 akte terroriste në vendin tij, por edhe në vendet e tjera si: Kenia apo Tanzani.
Ata terroristë që janë arrestuar kur unë kam qenë në krye të SHIK-ut, nuk kanë qenë terroristë për të kryer akte ekstremizmi në vendin tonë. Ata e shikonin Shqipërinë si një vend të mirë për t’u strehuar. Xhihadistët islamikë e konsideronin Shqipërinë një vend të varfër që mezi po i priste ndihmat e tyre, si për xhami dhe shkolla fetare. Kjo gjë u bë nga ata me qëllim që, nëpërmjet fesë, të përhapej edhe propaganda e tyre radikale. Madje edhe në atë kohë pati familje që dërguan fëmijët e tyre për shkollim në Arabinë Saudite dhe në vendet e tjera të Lindjes së Mesme. Askush nga shqiptarët, por, as ne si Shërbim Informativ nuk e imagjinonim se ishin terroristë. Madje muxhahedinët mbijetuan gjatë në vendin tonë me këtë formë të kamuflimit.
Meqenëse identifikimin e paskan bërë partnerët euroatlantikë, SHIK-u çfarë bëri për t’i parandaluar ardhjen tyre në Shqipëri?
SHIK-u ka patur si detyrë vetëm verifikim dhe survejimin të tyre brenda territorit tonë. Ata kanë pasur shumë zyra, fabrika dhe vende ku strehoheshin dhe në këtë mënyre detyra jona në atë kohë nuk ka qenë dhe aq e lehtë. Kur them nuk ishte e lehtë t’i identifikoheshin kam parasysh se, njëri prej tyre kishte hyrë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë me 7 pasaporta, pra përdorte 7 identitete të ndryshme. Zbulimi i terroristëve ka qenë shumë i vështirë, pasi institucionet e zbulimit që kishim në dispozicion pas vitit ’97, ishin të djegura dhe të plaçkitura, ku nga 24 godina që kishte SHIK, vetëm dy mbetën në gjendje funksionale.
Prandaj them se, kemi qenë në kushte primitive në luftën kundër terrorizmit dhe kjo gjë, vërtetë, krijonte shumë vështirësi se kush fshihej pas personave me identitet të ndryshuar. Dhe diçka tjetër, ata (terroristët egjiptianë) erdhën në Shqipëri krejt normal dhe, me të thënë të drejtën, ne, nuk kishim asnjë informacion se kush ishin këta shtetas në të vërtetë. Por, falë shërbime partnere u bë e mundur kapja, arrestimi dhe dëbimi i tyre nga vendi ynë.
A ka qenë e vërtetë se 5 eksponentët e organizatës terroriste do të përgatisnin një sulm me bombë në Ambasadën Amerikanë në Tiranë?
Me sa më kujtohet jo! Ata kishin ardhur tek ne vetëm për t’u strehuar dhe jo për të bërë veprime terroriste. Pretendime të tilla, më vonë dolën që ishin vetëm përralla. Mbaj mend që Ambasada Amerikane u blindua, duke u ngritur një mur rreth 5 metra i lartë. Pavarësisht masave që morën amerikanët, unë isha i bindur dhe kisha siguruar edhe homologët e CIA-s se, ne si popull nuk do të lejonim qoftë edhe një hedhje guri përtej murit të ambasadës. Kisha parasysh se ne jemi një popull pro-amerikan dhe në një situatë të tillë çdo qytetar do të bëhej polic për të ruajtur dhe informuar nëse do të shikonin diçka të dyshimtë përreth Ambasadës. Pas viteve ’90, amerikanët kanë qenë idhuj për ne shqiptarët dhe kam përshtypjen se kjo “dashuri” do të vazhdojë të mbetet gjatë.
Si u arrestuan 5 terroristët radikalë që u strehuan në vendin tonë?
Partnerët e huaj na vunë në dispozicion të gjitha identitetet e tyre, ndërsa ne, si Shërbim Informativ Kombëtar na thuhej se: 5 të shumëkërkuar për veprime terroriste në vende të ndryshme të botës, kryesisht në Azi dhe Afrikë, strehohen në Shqipëri. Ne i ruanim në distancë, pasi kjo është detyra e shërbimit të fshehtë që të punojë pa rënë në sy. Pas verifikimit dhe pas asistencës së huaj rezultoi se, personat e rrezikshëm fshiheshin brenda territorit tonë. Katër prej personave me origjinë arabe u arrestuan në mëngjes duke ikur për në punë dhe i pesti, Salah El-Sayed bëri rezistencë, ku mbeti i vrarë ai dhe u plagos Artan Didi.
Çfarë ndodhi me personat e arrestuar?
Pas arrestimit të 4 terroristëve ndodhi një dukuri që Europa nuk e pëlqeu… Nuk e pranon Bashkimi Europian që të arrestosh një person dhe më pas ta ekstradosh në vendet ku është në fuqi dënimi me vdekje. Pra, ne i arrestuam terroristët dhe i ekstraduam drejt Egjiptit, ku ata u ekzekutuan me dënim me vdekje. E di që shkelëm shumë konventa për të drejtat e njeriut, por ne fillimisht u konsultuam me partnerët amerikanë dhe ramë dakord që, kundër terrorizmit duhet të sillesh si terrorist!
Kjo gjë u bë në atë kohë edhe për të dërguar një mesazh të fortë ndaj terroristëve të tjerë, të cilët mendonin se nuk do të ekstradoheshin, pavarësisht akteve terroriste që kishin kryer në vende të tjera të botës. Morëm disa vërejtje nga europianët por, ia hodhëm paq, pasi edhe ne ia shpjeguam se bëhej fjalë për persona që kishin kryer sulme të mirëfillta terroriste dhe kjo si histori kaloi.
Sa kohë ka zgjatur ndjekja e 5 terroristëve në territorin Shqiptar dhe si u plagos Artan Didi, i cili ishte kreu i RENEA-s në atë kohë?
Ndjekja ka zgjatur disa muaj, ose më saktë 1 vit. Më pas morëm miratimin nga partnerët tanë për të prangosur edhe terroristin e fundit që ishte në Shqipëri, i cili ishte Salah El-Sayed. 28-vjeçari, fshihej te banesa e vjehrrit, pranë zonës së “Oxhakut” në Tiranë. Rrethuam shtëpinë dhe nisëm kontrollin e saj. Pas shumë orë kontrollesh nuk po e gjenin El-Sayed, pasi ai kishte krijuar një vend të fshehtë brenda lavatriçes, duke e përdorur si vendstrehim.
Për një moment ne, u bëmë gati për t’u larguar nga banesa, kur në ato momente terroristi lëvizi nga vendi ku ishte fshehur dhe menjëherë u krijua dyshimi se brenda lavatriçes mund të fshihej i shumëkërkuari. Në fillim, nuk e menduam se El-Sayed, ishte i armatosur. Kur u identifikua se ku fshihej, ai hapi zjarr në drejtim të forcave RENEA, ku dhe u plagos kreu i saj Artan Diti. Kundërpërgjigja ishte e menjëhershme nga forcat RENEA dhe ai mbeti i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit.
Si e shikoni ngritjen në gatishmëri të policisë shqiptare?
Në këto kushte ku është sot bota, unë e quaj të domosdoshëm ngritjen e vigjilencës së Policisë së Shtetit dhe të shërbimeve të tjera partnere. Dikush nga xhihadistët kosovarë ka pohuar se, Shqipëria është në vëmendje të sulmeve të ISIS dhe në këtë pikëpamje një masë e tillë dhe një demonstrim force tregon se shtetit është në gatishmëri të plotë kundër keqbërësve.
Rrezikohet Shqipëria nga ndonjë sulm i mundshëm terrorist?
Dua të citoj fjalën e kryeministrit që tha: Ne rrezikohemi, po aq sa gjithë të tjerët nga terrorizmi! Kjo gjë është absurde ta mendosh se, asnjë nga filozofitë e terrorizmit nuk të çon te Shqipëria si vend interesant për t’u sulmuar. S’ka qenë kurrë! Shqipërinë nuk e dinë se ku është në hartë terroristët, e jo më ta sulmojnë.
Konkretisht, çfarë do të thotë i gjithë ky mobilizim me 1500 trupa policore në terren?
Kjo do të thotë që shteti nuk e mori si shaka kërcënimin për sulme të mundshme terroriste në Shqipëri, por e mori si të vërtetë, si të mirëqenë! Tani të shohim sesa të vërteta do të rezultojnë këto kërcënime. Mesazhi tjetër që jep shteti është se policia është në këmbë dhe në të njëjtën kohë për t’u thënë atyre (terroristëve) se nëse mendoni për të sulmuar vendin tonë, atëherë urdhëroni! Por, për mendimin tim, rreziku për një sulm terrorist në Shqipëri është absolutisht zero. Për më tepër, duhet testuar policia dhe gatishmëria e saj, kohën e reagimit, sepse kemi parë policë që me zor mbajnë armën dhe në këtë mënyrë është edhe sprovë për vetë efektivët blu.
A nuk do të ishte më mirë që, në terren, përveç trupave policore të angazhoheshin edhe efektivë civilë?
Këto dy forca policie nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën. Por unë mendoj se, duhet treguar forcë dhe gatishmëri, madje për mendimin tim duhet të dalin edhe forcat e ushtrisë. Kjo do të thotë se, këtu është marrë seriozisht çdo sulm i mundshëm terrorist, qoftë edhe imagjinar, por prapë tregon vigjilencë për t’u ruajtur nga një e keqe e përbashkët që, tashmë është kthyer edhe globale. Një rastin konkret është Franca dhe Belgjika, ku ushtria dhe policia janë në terren dhe kjo gjë nuk i prish punë një njeriu të zakonshëm, përkundrazi i jep atij më shumë garanci dhe siguri për jetën.
Pak ditë më parë, një shqiptar humbi jetën në Siri. Sa kohë do të vazhdojmë ne si vend të eksportojmë luftëtarë drejt Lindjes së Mesme që i bashkohen shtetit islamik ISIS?
Për sa kohë që në Shqipëri do të ketë budallenj, do të ketë edhe luftëtarë që i bashkohen shtetit islamik që nuk është shtet. Ata janë njerëz të dështuar dhe totalisht injorantë. Unë nuk jam ateist, por nga kjo pikëpamje unë nuk i kuptoj fare ata njerëz që i bashkohen siç thonë ata, luftës së shenjtë për xhihad. Me pak fjalë, ne (luftëtarët shqiptarë) shkojmë në Lindjen e Mesme, si mish për top! Në këtë pikëpamje unë nuk i quaj normalë dhe prandaj ndjej keqardhje për ata që e kanë marrë rrugën e luftës për xhihadizëm. Shqetësimi më i madh për mua është se shteti nuk i mban nën kontroll. Luftëtarët që kanë shkuar në Siri dhe Irak një ditë do të kthehen në Shqipëri dhe unë nuk e di se çfarë do të jenë në gjendje të organizojnë brenda territorit tonë këta luftëtarë, ku një pjesë e mirë e tyre, iu kanë bërë edhe lavazh truri dhe në këtë pikëpamje duhet një survejim më i rreptë i Shërbimit Informativ Shtetëror.