Koço Kokëdhima: Kanabisi do legalizohet në Shqipëri, por do jetë vonë dhe pa fitime për ne. S’kam gisht në arrestimin e Gjikës
Deputeti i qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima, deklaroi mbrëmë në emisionin “Tonight Ilva Tare” se qeveria e majtë ka trashëguar koncesione skllavëruese nga qeveria “Berisha”, të cilat e kanë shkatërruar ekonominë e Shqipërisë. Ai deklaroi se shumë koncesione që janë bërë në dëm të interesave të shqiptarëve janë të mbrojtura me ligje, me garanci të forta që të ketë pasoja të rënda për vendin tonë në rast të prishjes së tyre, duke sjellë pasoja shumë të rënda në ekonomi. Zoti Kokëdhima iu rikthye edhe çështjes së legalizimit të kanabisit mjekësor, si një mundësi për zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe kjo mundësi duhet diskutuar sa më shpejt, ashtu siç po bëjnë shumë vende të botës.
Zoti Kokëdhima a kemi zgjedhur një model ekonomik që do t’i çojë shqiptarët drejt një rritjeje të qëndrueshme?
Në vendin tonë diskutohet për lloj e lloj temash, por nuk diskutohet për kryeproblemin që ka vendi ynë: ekonominë. Nuk mund ta mohoj që janë bërë dhe po bëhen përpjekje të mëdha për një realitet tjetër ekonomik në Shqipëri. Por më duhet të them bindjen time që ky çerek shekulli ka qenë i dështuar. Sot Shqipëria nuk ka një mënyrë për të akumuluar pasuri. Ne e kemi bazuar ekonominë mbi shitjen e lëndëve të para, mbi koncesione, por jo mbi prodhime dhe mbi eksportin. Ndaj këtë gjë do ta vuajmë për shumë vite. Nëse nuk do të eksportojmë mallra, do të jemi për gjithë jetën të varfër.
Po kush është zgjidhja?
Duhet të orientohemi nga prodhimi dhe nga eksporti. I gjithë debati kombëtar duhet të fokusohet te ekonomia, te punësimi, te zhvillimi dhe te eksporti. Ne kemi një pozitë gjeografike të shkëlqyer, me resurse shumë të mëdha.
A mendoni se do të ketë impakt projekti i TAP-it në jetën e shqiptarëve?
TAP-i nuk do të ketë asnjë ndikim pozitiv në Shqipëri. Ashtu si TAP-i dhe një numër i madh koncesionesh në Shqipëri janë çnderuese për një vend. Janë koncesione që në mënyrë të hapur tradhëtojnë interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, u japin interesa vetë përfituesve të koncesioneve. Edhe pse është bërë shumë propagandë që TAP-i do të sjellë shumë të mira në vendin tonë, në të vërtetë Shqipëria nuk përfiton asnjë metër kub gaz. Kapaciteti i TAP-it ndahet kështu: 80 për qind e merr Italia, 10 për qind e merr Greqia dhe 10 për qind e merr Bullgaria. Kalon nëpër territorin e Shqipërisë dhe nuk merret asnjë lek qira për tokën. Nuk merret asnjë taksë kalimi, anjë metër kub gaz. Praktikisht përfitojnë koncesionarët dhe ata që kanë negociuar kontratën.
Po thoni që jeni kundër TAP-it?
Unë nuk jam kundër TAP-it, por jam kundër faktit që marrëveshja është bërë pa i dhënë asnjë interes dhe asnjë avantazh vendit tonë. Marrëveshjet e TAP-it janë bërë në kohën e Berishës dhe nuk mund të rinovohen. Greqia ka disa përfitime, duke përfshirë edhe 10 për qind të gazit që transportohet. Nuk ka nevojë për diskutime. Mjafton të themi që qira tokash nuk ka, taksa për kalimin nuk ka, kapacitet për Shqipërinë nuk ka. Atëhere kush është përfitimi, vetëm disa punëtorë që do të punojnë për ngritjen e impiantit?
Pse nuk i kërkoni qeverisë që të rinegociojë?
Në dijeninë time kjo është një gjë që po bëhet. Vitin e kaluar është kërkuar nga qeveria shqiptare një planifikim për gazin, gjë që është refuzuar nga TAP-i. Kjo është një marrëveshje si shumë të tjera që nuk na kanë sjellë asnjë përfitim. Në asnjë vend në botë nuk është bërë kjo që ka bërë qeveria “Berisha” me kompaninë “Rapiscan” për privatizimin e skanerave. Për mua koncesionet e Sali Berishës duhet të jepen leksione nëpër shkolla se si shkatëruan interesat e një vendi. Duhet të kuptojmë që shumë koncesione që janë bërë në dëm të interesave të shqiptarëve janë të mbrojtura me ligje, me garanci të forta që të ketë pasoja të rënda për vendin tonë në rast prishjeje. Pasojat në ekonomi janë shumë të rënda nga këto lloj marrëveshjesh.
Të ndalemi pak te koncesionet. Si e shpjegoni standardin e dyfishtë me parkingjet? Ai i Tiranës u refuzua, ndërsa në Vlorë u miratua?
Unë mund të them që, për koncesionin e parkingjeve në Vlorë, jam krejtësisht kundër. Me shumë sinqeritet nuk kam pasur asnjë dijeni për këtë gjë. Por as qeveria nuk ka pasur asnjë dijeni për këtë çështje dhe po bën të gjitha tratativat e nevojshme për të mos lejuar vazhdimin e këtij koncesioni. Ka instrumenta qeveria që mund të ndërhyjë edhe në çështje që i ka marrë pushteti lokal. Ai është një koncesion që nuk prodhon avantazhe për qytetarët.
Sa serioz është propozimi juaj për legalizimin e kanabisit?
Unë jam një person shumë i ndjeshëm për rreziqet që ka përdorimi i drogave nga rinia dhe jam shumë i vetëdijshëm se, karriera dhe shëndeti i një të riu që provon eksperienca drogimi, komplikohet jashtë mase. Unë e kam vlerësuar shumë punën që bëri Ministria e Rendit dhe Policia e Shteti për të eliminuar gjithë atë ekonomi kriminale që lidhej me kanabisin në Shqipëri. Kur unë flas për kanabisin nuk kam parasysh aspak që të rikthehemi tek ajo histori ilegale dhe kriminale e kanabisit në të shkuarën në Shqipëri.
Çfarë keni parasysh? Do të doja ta sqaronit propozimin tuaj.
Kanabisi është një bimë me një cilësi jashtëzakonisht të rralla. Është një bimë me përfitime shumë të mëdha. Ka përdorime të gjera për të mirën e njeriut, prej mijëra vjetësh dhe sot. Kanabisi medicinal që unë kam përmendur përdoret për kurimin e 170 lloj sëmundjesh, në mënyrë shumë efektive. Janë miliona njerëz që kanë nevojë për trajtimin e kanabisit në botë. Kanabisi përdoret në shumë industri të tjera. 50 mijë produkte bëhen nga kanabisi. Është një bimë me veti të mrekullueshme. Nuk është një bimë fajtore për asnjë gjë. Ekonomia e kanabisit sot në botë është një ekonomi shumë e madhe, një ekonomi që tenton rreth një trilion dollarë në vit. Ne duhet të përfitojmë nga ekonomia e kanabisit.
Mos jeni kujtuar pak vonë për të bërë këtë propozim?
Unë nuk jam kujtuar vonë, por këtë bindjen time e kam treguar vazhdimisht. E kam mbrojtur vazhdimisht në takime me miq dhe me kolegë. Gjithmonë kam thënë se duhet që të vendosim monopolin e shtetit mbi kontrollin e kanabisit mjekësor, industrial dhe për eksport. Sot janë më shumë se gjysma e shteteve në botë që e kanë legalizuar kanabisin medicinal. Nuk mund të bëhet fjalë për ta refuzuar kanabisin kërp apo industrial, sepse ka vetëm të mira, nuk ka asnjë gjë negative. Në mënyrë të habitshme, në ligjin shqiptar, nuk përkufizohet liria për të eksportuar kërpin. Komponentja tjetër që meriton vëmendje dhe shqyrtim është gjithashtu situata e ndëshkimeve të lidhura me kanabisin. Ne kemi sot legjislacionin më të ashpër në botë. Ne kemi gati 40 për qind të krimeve penale të lidhura me kanabisin.
Jeni për liberalizimin e kanabisit për përdorim personal në doza të caktuara sipas ligjit?
Unë jam që Shqipëria të ketë një legjislacion të arsyeshëm për çështjet e kanabisit. Mundësitë e përfitimit nga kjo ekonomi të diskutohen hapur. Kjo nuk duhet të jetë një tabu. Sot, të gjitha vendet e botës po e diskutojnë, po e legalizojnë dhe ne kemi nevojë që ta diskutojmë këtë çështje. Përderisa ne dimë ta bëjmë kanabisin, përderisa kjo bimë kultivohet në mënyrë të suksesshme në Shqipëri, pse të mos e ngremë këtë ekonomi me kontrollin e plotë të shtetit, gjithmonë për interesa të farmaceutikës dhe për eksport, si për kërpin dhe për kanabisin medicinal? Kjo ekonomi është shumë me leverdi dhe nuk ka arsye që në të mos përfitojmë prej saj.
Por kryetarin e mazhorancës e keni kundër?
Ai e shpjegon shumë qartë, që ne nuk i kemi kushtet dhe unë jam plotësisht dakord me këtë gjë. Më përpara duhet të emancipojmë mendimin e njerëzve dhe më pas të shohim mundësinë për të ndërtuar të gjitha kushtet.
Mendoni se brenda këtij mandati do të keni një projektligj që do ta diskutoni për legalizimin e kanabisit?
Kjo nuk është sfida ime personale. Unë besoj vërtet që ne kemi mundësi të përfitojmë nga kjo ekonomi. Në jug të vendit, aty ku unë jam deputet, fshatarët e atij vendi, në të shkuarën, në një masë jo të vogël, kanë jetuar me marijuanën. Nuk u bënë të pasur, por jetonin me këtë kulturë. Merrnin rreth 200 euro për kilogram dhe rregullonin shumë nevoja të tyre. Pasi kjo mundësi u mbyll mendoj se duhet të gjejmë një rrugë për ta zëvendësuar këtë histori.
Këtë ekonomi, tashmë të pamundur, ta zëvendësojmë me alternativa të tjera që njerëzit të mund të jetojnë. Këtë diskutim e ka bërë shumë të vështirë, për mendimin tim, edhe sjellja e opozitës. Në të ardhmen kanabisi në Shqipëri do të legalizohet, madje në pak vite, por mund të legalizohet në atë kohë kur ne nuk do ta kemi mundësinë për të nxjerrë përfitime prej tij. Prandaj edhe unë insistoj në këtë debat. Ftoj edhe mediat të merren me këto çështje pasi këto nuk janë çështje për mua, nuk dua as merita, nuk jam në moshë që të miklohem nga autorësitë. Por dua që të zbusim sado pak situatën kritike që kemi në ekonominë tonë në përgjithësi dhe në atë të fshatit në veçanti.
Si po shkojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale?
Unë po merrem me bashkinë e Sarandës, Himarës dhe me bashkitë e tjera në jug. Nga PS-ja në Sarandë janë zgjedhur 5 kandidatë që i janë nënshtruar një procesi dëgjimi me publikun dhe me Partinë Socialiste për të arritur në një kandidat të vetëm. Kandidatët janë Stefan Çipa, kryetari aktual i bashkisë, Sheme Lulo, kandidati për deputet në zgjedhjet e vitit 2013, Ana Shehu, drejtoresha e hipotekës, Ramiz Hysi dhe Floriana Koka. Tashmë janë në një proces dëgjimi të platformave të tyre nga organizatat e PS-së në qytet. Pasi prezantuan platformat në aktivin e partisë, tani po e bëjnë këtë gjë në lagjet dhe në fshatrat që përfshin bashkia e Sarandës. Më pas PSja e Sarandës do të vendosë për një ose dy kandidatura që do t’ia propozojë qendrës.
Jeni në dijeni nëse po ndodh në qytete të tjera ky proces?
Në zonën time ky proces bëhet në zona të ndryshme, për bashki të ndryshme. Jo vetëm me dëgjesa, por sipas koalicioneve, sipas marrëveshjeve me parti të tjera, bëhen dëgjesa, bëhen propozime, shqyrtohen kandidatura. Ka shumë mënyra për të arritur tek kandidaturat më të mira për zgjedhjet e 21 qershorit.
Nuk keni informacion se kush janë kandidatët e mundshëm në Vlorë?
Nuk kam informacion pasi nuk janë vendosur akoma.
Arrestimi i Gjikës është përfolur se është bërë për të mos e lejuar rikandidmin e tij?
Këto janë spekulime të ndryshme. Dua të këshilloj edhe median që të mos merren me këto lloj spekullime. Çështjet e drejtësisë nuk janë çështje të politikës.
Nga katër kandidatët për Tiranën kush ju duket më i forti për ta fituar këtë bashki?
Propozimi i parë për Tiranën i takon Partisë Socialiste dhe nuk janë vetëm katër kandidatë. Pasi ky proces nuk është i mbyllur dhe mund të dalin edhe emra të tjerë. Kandidatët nuk i vendosin gazetat, por kryesia e PS-së për Tiranën. Të katër kandidatët për mua janë shumë të shkëlqyer. Unë i përkrah që të gjithë. Sigurisht që kandidati është i rëndësishëm për të qeverisur fitoren e mazhorancës së majtë. E majta është e bashkuar, është shumicë absolute gjë që do të verifikohet edhe në 21 qershor. Ne do ta fitojmë Tiranën si e majtë e bashkuar ndaj PS-ja po bën punën e duhur për përzgjedhjen e njerëzve të duhur, me qëllim që kjo fitore mos jetë politike për PS-në, por një fitore për popullin e Tiranës, për t’u qeverisur në mënyrë sa më të mirë. Unë mbështes një administrator shumë të mirë më profil të lartë politik. Vendimi do të diskutohet fillimisht në kryesinë e partisë dhe më pas do të vendoset për kandidaturat finale.