“Koncesionet me më shumë lekë i mori një kameriere dhe një murator”

Intervistoi: Redjon Shtylla

Deputeti Dashamir Tahiri shprehet se zgjidhja e çështjes çame mund të arrihet vetëm me rrugë juridike në gjykatën e Strasburgut. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Tahiri shprehet se problemi i pronave të komuniteti çam kërkon dhe bashkëpunim mes parlamentit shqiptar dhe atij grek. I zgjedhur si deputet me PDIU, Tahiri nuk e sheh më vetën pjesë të koalicionit që kjo parti ka bërë më qeverisjen e majtë, ndaj prej kohësh është rreshtuar në krah të Partisë Demokratike. Duke folur për situatën politike, ai shprehet se zgjedhjet e parakohshme dhe largimin i qeverisë “Rama” është një emergjencë. Sipas tij, korrupsioni ka arritur nivele të larta. Ndërsa ndalet dhe në çështjen e koncesioneve, ku si më problematikë rendit koncesionet në shëndetësi. “Më problematik shoh atë të kamerieres nga Berati dhe këtij muratorit nga Italia”,- thotë Tahiri.

Gjithmonë kur flitet për Çështjen Çame, lindin pyetjet se çfarë është bërë dhe premtuar dhe nga këto premtime çfarë është realizuar? Konkretisht ku gjendemi sot me Çështjen Çame?

Për Çështjen Çame është folur shumë dhe janë bërë shumë gjëra dhe pothuajse në këto shtatë vjet pjesëmarrje në Parlament janë parë disa ndryshime, sidomos legjislacioni që kaloi. Por që të jemi të sinqertë, por që Çështja Çame kërkon bashkëpunimin e dy parlamenteve si atë të Shqipërisë dhe atë të Greqisë për çështjet e pronave, por kërkon dhe një zgjidhje ligjore. Personalisht, mendoj se, një pjesë për zgjidhjen ligjore e ka dhe Gjykata e Strasburgut, ku neve nuk na pengon as ligji i luftës. Një ligj i veçantë që ka nxjerrë në ato kohë prokuroria dhe mbreti i Greqisë që ka qenë që në vitin 1947, ku i ka quajtur bashkëpunëtorë të gjermanit dhe pak a shumë i krahason me sudetët, por çamët nuk mund të krahasohen me këtë grup. Çamët nuk kanë pasur as ushtri, as përfaqësim në qeveri apo në Parlament dhe ka qenë popull i thjeshtë.

Z.Idrizi e ka kanalizuar Çështjen Çame, në një deklaratë se është çështje politike dhe jo juridike. Ju si e shihni këtë qëndrim dhe si mendoni, personalisht, për zgjidhjen e problemit në rrugë juridike apo politike?

Për sa i përket kësaj deklarate unë i qëndroj mendimit që është zgjidhje politike, por me mbështetje ligjore dhe që rezoluta është bërë dhe duhet që të vendoset në funksion sepse nuk ka qenë pjesë që nga traktati i miqësisë, që nuk e kanë futur. Por gjithsesi kjo çështje ka nevojë për zgjidhje ligjore, kjo nëpërmjet Gjykatës të Strasburgut. Çamët nuk i pengon ligji i luftës, nuk ka lidhje ligji i luftës në këtë pikë. Në kohën kur doli ligji i luftës, nga vitet ‘40, çamët deri në 1953-n kanë qenë shtetas grekë. Dhe vetëm me zgjidhje ligjore mund të marrë fund kjo çështje.

Në qeveri kanë ndodhur ndryshime ministrash dhe prishje koalicionesh. Së fundi z.Dule deklaroi se nuk është më në qeverisje me PS-në. Si i shihni këto largime nga qeveria?

Z.Dule është z.Dule dhe z.Tahiri është z.Tahiri dhe përderisa ai ka mendjen dhe punën e tij dhe mbron interesat e popullsisë së tij, kurse z.Tahiri pikë së pari nuk është një deputet ambulant që të bredhë sa andej e këtej, por siç e keni parë unë nuk kam lëvizur dhe kam qenë atje që kur kam ardhur që në vitin 2009 dhe vazhdoj që të mbaj një qëndrim dhe atë do mbaj derisa të jem në Parlament. Pra, zgjedhja është e z.Dule dhe nuk dua ta gjykoj.

Pak kohë ka që vendi ynë u përfshi nga përmbytjet dhe Vlora ka qenë në ndër qytetet më problematike. Si deputet i zonës, e keni konstatuar nga afër nëse qeveria ka ndihmuar dhe në çfarë gjendje janë zonat e përmbytura?

Vlora është një katastrofë dhe më vjen keq, sepse ky Kryeministër nuk do të arrijë që t’i mbarojë premtimet e dhëna në Vlorë sepse do të ketë ndryshime se kush do të jetë në qeveri. Duhet qeveri teknike dhe të shpëtojmë ne dhe e gjithë Shqipëria nga këta deputetë, nga kjo qeveri e nga këta njerëz. Nuk është vetëm Vlora, por e gjithë Shqipëria një katastrofë dhe duke qenë se jam deputet i Vlorës, së fundi Rama ka hapur një kantier që nuk i dihet fundi dhe shumë rrugë me baltë e që janë të ngushta. Nuk ka asnjë përmirësim dhe ndihmë për ato familje.

Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PD-së, z.Basha deklaroi se janë tetë koncesione që paraqesin dëm të madh për vendin tonë. Ju cilin shihni më problematikun?

Më problematik shoh atë të kamerieres nga Berati dhe këtij muratorit nga Italia. Dhe koncesionet e Vilma Nushit janë koncesione të habitshme. Në përgjegjësi, siç e theksoi dhe z.Basha shumë prej tyre janë gabim dhe mesa e njoh unë termin dhe logjikën e koncesionit është kur ti ecën me xhepat e tu dhe jo me të qeverisë.

Shesh kemi dëgjuar se zgjidhja për situatën është një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme, por a është kjo mënyra më e mirë dhe e duhura?

Urgjent duhet një qeveri teknike dhe heqja e Kryeministrit Rama, vetëm kjo është mënyra më e mirë dhe më e drejtë për gjendjen ku jemi sot.

Zgjedhje të parakohshme vendi ynë ka parë në raste kur ka pasur trazira, por që nuk pasqyrohet e njëjta situatë në këtë kohë, mendoni se si grup parlamentar po e zgjeroni realitetin? Duke qenë se deri më tani nuk ka pasur trazira.

Në mënyrë historike luftërat civile, apo trazirat i kanë bërë këta të majtët se e djathta nuk ka bërë asnjë sepse të jesh i djathtë nuk shkon në luftë civile. Në kohën kur këta kanë qenë në opozitë kanë bërë luftë civile dhe nuk është e thënë që duhet të jemi në këtë që po thoni, por jemi në një gjendje katastrofike të tillë ekonomike duhet të kemi zgjedhje të parakohshme. Nuk po funksion më gjë, gjithçka ka ngecur sepse në popull shihet një pesimizëm dhe unë jam nga ata deputetë nuk iki shumë larg zgjedhësve dhe në komunikimet me ta, shoh shumë zhgënjim nga kjo qeveri. Unë banoj në Vlorë, rri me ta dhe i dëgjoj dhe kjo nuk është vetëm për Vlorën, por për të gjithë Shqipërinë, situata alarmante.

Kur do të rinisin protestat, siç ka deklaruar dhe z.Basha. Ka plane të brendshme për rrëzimin e ndonjë institucioni që është i rrethuar nga korrupsioni?

Planet nuk kanë nevojë të jenë të brendshme dhe populli do të protestojë, demokratët do të protestojnë dhe duke marrë në shembull protestat, më saktë ato në dhjetor të 2015 ishim masive, por këtë herë do të jenë akoma dhe në përmasa më të mëdha. Protesta është një kërkesë e popullit dhe nuk ka nevojë që të prezantohet si i djathë ose jo me PD-në. Proteston ai njeri që e ndjen të nevojshme, sepse ai i di ku i ka mungesat dhe në një farë mënyre ai shfryn dufin e tij, për këtë është protesta.

Reforma në drejtësi është ende një ngërç midis qeverisë dhe opozitës. Si i keni parë debatet dhe arritjet e deri më tanishme?

Problemi më i madh i shqiptarëve është Rama dhe nëse e dëgjon me vëmendje ai thotë se këto 25 vite nuk është bërë asgjë dhe është bërë vetëm ato 45 vjet sipas mendjes së Ramës dhe vetëm tani po punohet, kur u kthye Rama në qeveri. Reformat në drejtësi i kanë bërë gjithnjë të huajt, që kur ka filluar në këto 25 vite dhe ata do t’i vazhdojnë. Në vend ka gjyqtarë shumë të mirë, të rregullt dhe gjendja nuk është kaq shumë katastrofë siç po prezantohet. Vetëvetiu në gjyq do të ketë probleme, se një palë e merr dhe të gjithë humbësit thonë që e ka fajin drejtësia.

A do të ketë të njëjtin fat ngërçi dhe reforma zgjedhore?

Në bazë të rekomandimeve të OSBE-së, duhet të bëhet reforma dhe do të bëhet, edhe pse Rama ka frikë. Rama nuk bie asnjë herë dakord, këtu është gjëja më e bukur, sepse në këtë vend Rama nuk bie dakord me asnjë gjë. Opozita gjithnjë është për t’i përmirësuar gjendjen, por Rama bën të kundërtën e asaj që po bëjmë ne si opozitë.

Në media është publikuar shpesh herë që Meta Kryeministër, Berisha President në 2017-ën. A janë të vërtetë zërat?

Për z.Meta kam shumë respekt sepse ka folur në mes të Athinës dhe ka punuar shumë për vendin dhe nuk diskutohet që PD e vlerëson për rezolutën dhe për 27 qershorin dhe ka më shumë punë. Ato janë fjalë të kota sepse z.Meta është një politikan shumë i mirë dhe e shikoj që në Parlament mban një sjellje konstante dhe që mban një qëndrim dhe nuk më duket një politikan që mund të bëjë të tilla lojëra dhe është i vlefshëm për politikën shqiptare. Nga e majta është politikani më i mirë.

Së fundi PS-ja vendosi për kongresin e saj, edhe pse duhet të ishte realizuar me kohë. A ka Rama frikë nga ky kongres?

Këto janë shenja të një diktatori, kur nuk ka demokraci brenda partisë si mund të funksionojë partia. Një kryetar që ka frikë nga zgjedhjet dhe sipas logjikës një kryetar duhet të zgjohet dhe natën dhe t’i shërbejë komunitetit. Dhe nëse Rama nuk ka besim te partia e tij atëherë pse është kryetar.

SHKARKO APP