Kreu i PD në Shkodër: S’mund të fitosh nëse je i përçarë

 

Kryetari i Partisë Demokratike i Shkodrës, Ramiz Çobaj komenton rezultatin e zgjedhjeve në Shkodër, si kanë funksionuar strukturat, ku lipset analizë, si e sheh ai debatin ish/ministra- krerë degësh, dhe cilat janë marrëdhëniet e tij politike me Jozefina Topallin.

Z.Çobaj, Partia Demokratike ka hyrë në proces analize për zgjedhjet vendore, ku do të përfshihen të gjitha degët e PD-së, përfshi edhe ajo e Shkodrës, pavarësisht rezultatit që mori. Ju, besoj, keni pasur një rol thelbësor në hartimin e raportit analitik për zgjedhjet në Shkodër … Cilat janë ato probleme që ju keni evidentuar në funksionimin apo organizimin e strukturave të degës PD-së Shkodër gjatë procesit zgjedhor, ku mendoni se duhet ndërhyrë, me qëllim mospërsëritjen e gabimeve në të ardhmen dhe deri në ç’nivel duhet të shkojë përgjegjësia për ato raste ku rezultati nuk ishte i duhuri?

Dega e Partisë Demokratike Shkodër ka filluar analizën për zgjedhjet e fundit vendore që përpara një muaji. Ndërsa pak ditë më parë ishte thjesht vazhdim i analizës në kryesinë e PD-së, përpara se ajo të shtrihet në bazë, në grup-seksione dhe seksione. Gjatë këtyre analizave, doli në pah puna shumë e mirë e strukturave, punë e filluar përpara një viti dhe që e dha frytin e saj me datë 21 qershor. Përpara se të flas për problemet, do të doja tepër shkurt të vija në dijeni lexuesin tuaj për arritjet e kësaj Dege. Si Degë e Partisë Demokratike Shkodër, kemi marrë 12 500 vota më shumë se kundërshtarët tanë politikë, ose shprehur në përqindje, mbi 56 %. Duke i krahasuar këto zgjedhje me zgjedhjet vendore të vitit 2011, si subjekt politik kemi një rritje prej 37.6 % . Po të krahasojmë votën e marrë për dy Kryetarët në vitin 2015, me votat që ka marrë PD-ja si subjekt politik në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, rezulton se kemi një rritje prej 38.5% ose 13 503 vota më shumë. Këto rezultate na kanë bërë të mundur që të fitojmë dy Bashkitë, atë të Shkodrës dhe Vaut të Dejës, shumicën në të dy këshillat bashkiakë e për pasojë edhe dy kryetarët e këshillave, shumicën në këshillin e qarkut si dhe Kryetarin e Këshillit të Qarkut, pra gjithçka që ka qenë e mundur për t’u fituar në këto zgjedhje vendore, është fituar nga Dega e Partisë Demokratike Shkodër dhe aleatët e saj të djathtë. Analizat e punës kanë në fokus të tyre eksperiencat parë tashmë “ftohtë”, qetë, më në thellësi në kompleksitetin e tyre me qëllimin e evidentimit të praktikave efektive si pasuri për t’i përdorur ato në të ardhmen dhe gjithashtu, përveç kësaj mendoj që vlera e një analize bëhet e plotë, kur evidentohen dobësitë e shfaqura. Evidentimi i tyre është një feed-back i domosdoshëm për shmangien e riskut të rezultateve të padëshirueshme në të ardhmen.  Analiza e punës e filluar nga kryesia e Degës, do të vijojë më tej në grup-seksione dhe seksione. Një analizë e tillë e shtrirë nga qendra në bazë jep mundësinë e një reflektimi të gjerë, gjykimi objektiv dhe vlerësimit të çdo pjese që përbën të tërën. Gjatë analizës së deritanishme, evidentohen pesë grup-seksione në të cilat kemi patur rezultate më të dobëta se në grup-seksionet e tjera. Për të përmirësuar punën në këto grup-seksione, apo edhe në seksionet problematike që do dalin gjatë analizave të punës, nga ana e Kryesisë do merren masat përkatëse, si riorganizimi i këtyre strukturave, apo edhe zgjedhje e drejtuesve të rinj, qoftë në grup-seksion apo edhe në seksion.

Sa e konsoliduar si degë është PD-ja e Shkodrës? A ka përplasje rrymash brenda saj dhe si mund të menaxhohet ajo në të tilla raste? 

Kësaj pyetje besoj që iu dha përgjigje. Se sa e konsoliduar është Dega e Partisë Demokratike Shkodër, e tregojnë vetë rezultatet e arritura. Ata që merren me politikë dhe të gjitha ata që njohin proceset dhe fushatat elektorale, e dinë shumë mirë se sado i zoti të jesh, kurrë nuk mund të fitosh nëse je i përçarë. Këtë e ka treguar edhe përvoja e partive politike qoftë djathtas apo majtas gjatë këtyre 25 viteve pluralizëm. Prandaj, me shumë siguri dhe krenari njëkohësisht mund të them se çelësi i fitores ka qenë bashkimi i gjithë faktorëve politikë dhe konsolidimi i strukturave të partisë. Për sa i përket pyetjes se a ka përplasje rrymash brenda Degës së PD-së Shkodër, do thosha se po të kishte diçka të tillë, Kryebashkiakja e Shkodrës, do kishte emër tjetër.

Kohët e fundit ka pasur një pakënaqësi të hapur për mungesën e bashkëpunimit nga disa krerë degësh me të deleguarit e kryesisë për zgjedhjet vendore. Disa prej tyre madje i kanë cilësuar përgjegjës disa ish-ministra, aktualisht deputetë, për humbjen e zgjedhjeve, duke sjellë edhe reagimin e Genc Rulit pak kohë më parë. Ju vetë, si e keni parë këtë debat dhe, a e keni ndjerë edhe ju gjatë zgjedhjeve në Shkodër këtë handikap të krijuar mes të dërguarve nga qendra dhe degës?

Debatet për të cilat ju më pyesni, të them të drejtën, më shumë më janë dukur “sponsorizime mediatike” të mazhorancës për të tërhequr sadopak vëmendjen e publikut nga problemi i vërtetë që është vetë qeveria me bëmat e saj, sesa një debat real brenda radhëve të opozitës. Nëse bëhet fjalë për të gjetur përgjegjësit për humbjen, unë mendoj se janë analizat në bazë që do nxjerrin të vërtetën dhe unë nuk jam në gjendje të them se kush ka më shumë apo më pak faj, por një gjë e them me siguri se si në fitore apo edhe në raste humbjesh, kur luhet në skuadër (siç janë edhe fushatat elektorale), kurrë nuk mund t’i atribuohet një personi të vetëm, qoftë fitorja apo edhe humbja. Më duket manipulim mediatik i padrejtë që kriza e marrëdhënieve ndërpersonale, të paraqitet si krizë të marrëdhënieve ndërinstitucionale. Unë personalisht, (por mendoj edhe gjithë Kryesia e PD-së Shkodër) nuk kam patur dhe nuk kam asnjë lloj problemi të kësaj natyre. Kam patur dhe vazhdoj të kem marrëdhënie shumë të mira me të dy të deleguarit e qendrës, zotin Imami dhe zotin Uldedaj, të cilët dhanë kontributin e tyre të vlefshëm  në arritjen e rezultateve për të cilat ju fola më lart.

Është perceptuar nga media një ftohje në distancë mes jush dhe znj. Topalli nisur edhe nga ndonjë qëndrim i mbajtur… Në fakt, si janë marrëdhëniet tuaja me znj.Topalli e cila është një nga përfaqësueset më të rëndësishme për qarkun Shkodër në Kuvend dhe a ndikojnë këto situata pakënaqësie në funksionimin si duhet të degës së PD-së Shkodër? 

Çështje perceptimi… Unë ju siguroj se marrëdhëniet ndërmjet meje dhe zonjës Topalli ka shumë vite që janë të njëjtat, në po të njëjtin nivel, as nuk janë “ftohur‚, as nuk janë “ngrohur„. Por edhe sikur të ishte e vërtetë që mes nesh të kishte “një ftohje në distance”- siç shpreheni ju, të garantoj se jemi aq të qytetëruar dhe aq profesionistë, sa të mos i ngatërrojmë marrëdhëniet personale me ato institucionale. Vetë ecuria e Degës Shkodër e vërteton një gjë të tillë.

SHKARKO APP