Kristaq Kume: Primi elektoral, PD dhe PS fitore në tavolinë

 

Eksperti i zgjedhjeve dhe ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve flet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor

Kristaq Kume: Primi elektoral, PD dhe PS fitore në tavolinë

Intervistoi: Sidorela Lepri

Këto ditë kanë nisur diskutimet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe vendosjen e një primi elektoral midis dy forcave kryesore politike në vend, PD dhe PS. Por çfarë kuptojmë me prim elektoral? Cilat janë efektet pozitive dhe negative të tij si një sistem zgjedhor?
“Primi elektoral është sistemi që favorizon subjektin elektoral që merr më shumë vota se të tjerët, qoftë edhe një votë më shumë sesa të tjerët.”, thotë për “Koha Jonë”, ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume.  
Sipas tij, primi elektoral favorizon forcat e mëdha politike në vend dhe dënon partitë e vogla.
Më tej, ai flet edhe për koalicionin PD-LSI dhe PS-LSI, duke u shprehur se partitë e mëdha duket se kanë bërë më shumë çfarë kanë dashur gjatë qeverisjes.

Këto ditë kanë qarkulluar zëra për vendosjen e një primi elektoral midis dy forcave kryesore politike. Në kënvështrimin tuaj si ish-kryetar i KQZ-së, çfarë mendoni?

Të realizosh një prim do të thotë të ndërhysh në Kushtetutën e Shqipërisë dhe nëpërmjet këtij ndryshimi të ndryshosh vetë sistemin zgjedhor, i cili është sot i përcaktuar qartë në kushtetutën e vendit tonë. Që i gjithë ky sistem të kthehet në prim do të thotë që ky sistem favorizon subjektin elektoral që merr më shumë vota se të tjerët, qoftë edhe një votë më shumë sesa të tjerët. Në rast se do të zbatohet një sistem i tillë, ai subjekt që do të fitojë një rezultat të tillë, automatikisht i jepet e drejta që të qeverisë vendin dhe të formojë qeverinë. Mënyra sesi mund të realizohet kjo në aspektin teknik, për mendimin tim gjenden midis tyre forma dhe mënyra të ndysshme të tij, ose ndryshe thënë të bonusit elektoral.

Çfarë do të thotë prim elektoral?

Prim elektoral është sistemi që favorizon subjektin elektoral që merr më shumë vota se të tjerët, qoftë edhe një votë më shumë sesa të tjerët.
Për ta kuptuar më mirë zgjedhësi ynë, unë do të thosha që nuk do të shërbente për asgjë. Mënyra sesi është konvertuar vota e zgjedhësve në rastet kur ne kemi votuar në 100 zona mazhoritare dhe në 40 zona të tjera ka qenë proporcionale dhe kandidati fitues në zonën mazhoritare është shpallur ai që ka marrë shumicën e votave, qoftë edhe një votë më shumë sesa kandidatët e tjerë. Kjo ka ndodhur atëherë kur ne në ligjin zgjedhor futëm kushtin e zhvillimit të zgjedhjeve në dy raunde. E njëjta gjë në parim shënon edhe rastin e një sistemi që aplikon primin, pavarësisht se asnjë forcë politike nuk arrin dot të marrë shumicën e thjeshtë, asaj vetëm se është më shumë, i jepet e drejta që të qeverisë vendin.

Çfarë do të thotë vendosja e një sistemi të tillë elektoral për vendin tonë, duke marrë parasysh një sërë faktorësh?

Kjo do të thotë që pas zgjedhjeve klasa politike nuk do të ndodhet para situatës ku të mos ketë mundësi të formohet qeveria. Pra qeveria formohet, sepse partia e parë fituese në zgjedhje merr aq deputetë sa i duhen për të formuar qeverinë. Por çfarë ndodh pas kësaj, për mendimin tim duke iu referuar asaj çfarë ne kemi ndeshur gjatë gjithë këtyre viteve të qeverisjes si një qeveri demokratike, nuk zgjidhet në kuptimin që qeveria formohet, por tek qëndrueshmëria e asaj për të vazhduar qeverisjen dhe për të mbyllur mandatin është e dyshimtë.
E para, sepse siç e dimë tek ne është i shpeshtë fenomeni i lëvizjes së deputetëve nga një krah në krahun tjetër. Një lëvizje e tillë e deputetëve mund të bëjë që kjo mazhorancë të mos ketë më mundësi të miratojë ligje që kërkojnë shumicën. Primi garanton formimin e qeverisë, por primi nuk garanton mazhorancën e cila të mund të realizojë reforma që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash në Kuvendin e Shqipërisë, gjë që do të thotë që për të realizuar të tilla reforma do të duhet të realizozh ato që primi në formimin e qeverisë i përjashton.

Cilët palë favorizon primi dhe a dëmton ai partitë e vogla?

Ajo është përshtypja që të krijon. Po ta analizosh me vëmendje se çfarë rezultatesh kemi patur në procese zgjedhore të deri në ditët e sotme kanë të bëjë me faktin që më shumë sesa kërkohet që nëpërmjet këtij sistemi të sigurohet mundësi qeverisje pas çcdo procesi zgjedhor, është objektivi i dy partive të mëdhaja për të qenë ato dhe vetëm ato të mundshme për të qeverisur vendin. Njëherë njëra dhe njëherë tjetra. Pra, një sistem i tillë krijon hapësira shumë të ngushtuara për partitë e tjera, përveçse dy partive të mëdha. Një sistem i tillë ngushton mundësitë që partitë e vogla të kenë përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Pa filluar procesi zgjedhor, vetë sistemi favorizon partitë e mëdha me bonusin që ai parashikon (për atë forcë polite që do të jetë e para) dhe si e tillë ai dënon partitë e vogla.

A është i nevojshëm ky sistem për Shqipërinë?

Sesa nevojë ka vendi ynë dhe shoqëria jonë për të patur një parlamament mesa më shumë përfaqësim politik në të apo jo, kjo është pjesë e analizave që duhen bërë.
Për mendimin tim, ne jemi akoma në kohën kur qeverisja e këtij vendi vetëm me dy forca politike është akoma e pamundur për t’u realizuar me produktet e mirëpritura. Ne kemi nevojë për më shumë diversitet mendimi, ne kemi nevojë për cilësi të atyre që do të jenë në parlament dhe jo për partinë që do të ketë njëri apo tjetri subjekt.
Problemi më i madh deri më sot dhe veçanërisht në zgjedhjet e fundit në parlament dhe në pruduktin që ka sjellë qeverisja nuk ka ardhur, për mendimin tim prej faktit që qeverisja është dashur të realizohet nëpërmjet një koalicioni qoftë edhe të “panatyrshëm”, por më shumë se kaq ka ardhur si pasojë e faktit që cilësia e njerëzve që na kanë përfaqësuar dhe na përfaqësojnë nuk është ajo që do të duhej të ishte. Pra, për mendimin tim më shumë se për çdo gjë tjetër partitë politike nëqoftëse do të hyjnë në procesin e ndryshimit të Kodit Zgjedhor duhet të mendojnë mënyrën që cilësia e parlamentit të jetë e tillë dhe jo sesi të bëjnë të mundshme qysh në tavolinë qeverisjen nga njëra apo tjetra forcë e mnadhe politike.  

Cilat shtete të tjera në botë kanë miratuar këtë sistem zgjedhor?

Greqia zbaton këtë system. Po ashtu edhe sistemi spanjoll, i cili në fakt është edhe më i koklavitur sesa sistemi grek, sepse atje kemi sistem proporcional rajonal.
Pra primi është një ndër zgjidhjet, një ndër sistemet që përdoret, por për mendimin tim është shumë e rëndësishmë që në vendimarrje sipas sistemit që do të realizohen zgjedhjet në një vend, konkretisht në vendin tonë të mos jetë kryefjalë çfarë duhet bërë që unë t’i krijoj mundësira sa më të mëdha vetes, prej atyre që e kanë në dorë këtë gjë. Dihet që kjo është në duart e dy partive të mëdha, por kryefjalë duhet të jetë ç’duhet të bëjmë që institucioni përfaqësues i vullnetit të popollit, Kuvendi i Shqipërisë të jetë cilësisht i mirë për të realizuar reforma në shërbim të elektoralit dhe jo në shërbim të një krahu të caktuar politik që merr mazhorancën, edhe nëpërmjet këtij sistemi që bëhët më e lehtë për të marrë mazhorancën.

Mund të na tregoni disa efekte pozitive të vendosjes së këtij sistemi?

Fillmisht menjëherë pas zgjedhjeve qeveria formohet menjëherë, qoftë edhe nëse merr një votë më shumë. Krijohen menjëherë kushtet për të formuar qeverinë. Kaq ka për mendimin tim.

Do t’i sjellë ndonjë të mirë shqiptarëve vendosja e një sistemi të tillë?

Ne kemi patur qeverisje edhe pa patur primin, të formuar si produkt i koalicioneve  midis dy partive siç është PD-LSI në zgjedhjet e kaluara dhe PS-LSI aktualisht. Primi e përjashton këtë mundësi ose e zvogëlon, duke qenë se për të formuar qeveri nuk ka nevojë të bëhet një koalicion i tillë. Pyetja që mund të bëhet është çfarë sjell fakti që sot dhe dje kemi një qeveri të formuar në atë mënyrë dhe nësër do të kemi një qeveri të formuar nga një parti?
Po t’i referohemi mënyrës sesi ka qeverisur PD-ja në kohën kur ishte në koalicion me LSI-në dhe mënyrën sesi po e qeveris sot PS, duke patur në koalicion LSI unë them se në një farë mënyrë dy partitë e mëdha kanë bërë më shumë atë që ato kanë dashur.
Çfarë është duke u bërë sot në qeverisjen PS-LSI? Unë nuk shoh (përjashto ndonjë rast të rrallë) që efekti i ndryshimit midis këtyre dy partive (që janë të ndryshme) në qeverisje të ketë sjellë ndryshime në krahasim me qeverisjen e kaluar. Në kuptim që përse e ka bërë këtë koalcion?Çfarë ka dashur?
Qeveria formohet, partitë që kanë qenë në pushtet PD ose PS kanë arritur të zbatojnë çfarë kanë dashur në programet e tyre pa u shqetësuar që kanë qenë në koalcion me LSI-në. Problemi fillon në atë që koalicione të tilla bëjnë që të ndahet pushteti, pra të ndahet ajo çfarë pretendohet në garat zgjedhore. Më mirë ta kenë të gjithë pushtetin për vete, sesa të ia japin dikujt tjetër. Pra,të marrin pushtetin pa ndërhyrë dikush tjetër. Duke qenë se ne jemi një vend që kemi nevojë për reforma të vazhdueshme dhe qeverisja formohet shumë lehtë. Vështirësia qëndron për ta mbajtur këtë qeverisje katër vitet e mandatit. Po ashtu është shumë e vështirë për të realizuar reforma që kërkojnë shumicë të theksuar. Me primin ne mundësojmë krijimin e menjëhershëm të qeverisjes, por jo se zgjidhim procesin e qeverisjes 4 vjeçare.

Për ta përmbyllur, të gjitha palët duket se bien dakort për ndryshime në Kodin Zgjedhor deri në zgjedhjet e ardhshme. Sipas jush, cilat janë disa ndryshime të nevojshme?

Kodi Zgjedhor duhet amenduar në të gjitha ato dispozita që preken nga rekomandimet e misionit të vëshguesve ndërkombëtarë, por edhe nga çfarë ka prodhur ky kod zgjedhor në këto zgjedhjet e fundit, të cilat janë përvoja politike të grumbulluara nga subjektet shqiptare.
Të tilla ndryshime duhen bërë për të krijuar një trend ligjor më të mirë sesa ky që kemi, i cili është kusht i nevojshëm për të pasur zgjedhje me standarte. Në mënyrë të përsëritur është thënë dhe unë po e them sërish, që është e rëndësishme që çdo ndryshim të pasohet me vullnetin për të zbatuar atë çfarë partitë politike bien dakort dhe që shkruhet në ligjin zgjedhor. Unë do të thosha që është vërtet koha që të ndërhyhet në procesin zgjedhor. Duhet të iu jepet mundësia për të votuar votuesve shqiptarë që nuk banojnë në Shqipëri. Kodi aktual zgjedhor në parim e ka të zgjidhur, por në praktikë është e vështirë që emigrantët ta realizojnë këtë të drejtë të tyre. Është koha të mos mbetemi vendi i vetëm që nuk i krijon mundësi emigrantëve të mos marrin pjesë në votime. 

SHKARKO APP