“Kriza në familje dhe destabiliteti ekonomik ndikon në sjelljet vetëvrasëse”

Flet Ergys Mërtiri, sociolog –

Vitin e shkuar në Shqipëri ndodhën 186 vetëvrasje, ndërsa vrasje 68. Si e shpjegoni rritjen e numrit të vetëvrasjeve vitet e fundit në vendin tonë?

Shifrat janë vërtet alarmante dhe tregojnë për një krizë të thellë të shoqërisë. Shoqëria shqiptare ka humbur drejtpeshimin, duke e lënë individin në mëshirën e fatit. Natyrisht, vetëvrasjet vijnë kryesisht për shkak të problemeve të natyrës psikologjike dhe është depresioni ai që sjell numrin më të madh të tyre. Por vetë depresioni është produkt i një shoqërie që nuk i zgjidh problemet dhe që i vendos egërsisht nën presion individët.

Mund të themi se shkaktarë të kësaj situate janë probleme të natyrës ekonomike, sociale e psikologjike. Të gjitha së bashku bëjnë që shumë njerëz të shfaqin dobësi që i bëjnë të mos i përballojnë dot presionet e shumta.
Një pjesë e mirë vuajnë probleme në familje, divorc, mosmarrëveshje, mungesë komunikimi etj. Një pjesë tjetër vuajnë presionet në punë dhe vështirësi për të siguruar jetesën. Një pjesë tjetër, për shkak të pamundësive që prodhon mjedisi, vuajnë perceptimin e të ndierit të parealizuar, të paaftë apo dështakë. Ndërkohë shoqëria shqiptare karakterizohet nga një intensitet i lartë i tensioneve, konflikteve, presioneve të shumta, të cilat shpesh ndikojnë në humbjen e ekuilibrit psikologjik. Jemi një shoqëri tejet agresive dhe aspak tolerante, gjë që rrit ndjeshëm ngarkesat e përditshme.

Një aspekt i rëndësishëm që ndikon në këtë fenomen është edhe humbja e vlerave shoqërore. Shoqëria shqiptare sot ka likuiduar normat dhe vlerat e trashëguara, ndërkohë që nuk ka mundur të krijojë vlera të reja, duke çuar në një situatë anomie, e cila, sipas studiuesve, është terreni më i përshtatshëm për përhapjen e vetëvrasjeve.

Në fund, mungesa e shpresës, në një shoqëri që perceptohet si pa të ardhme, është shpesh determinuese në përhapjen e dëshpërimit tek shumë njerëz, çfarë i shtyn ata të jenë plotësisht të demoralizuar dhe pa vullnet për të ndërtuar jetën e tyre.

Cilët janë faktorët kryesorë që ndikojnë?

Natyrisht, vetëvrasjet janë një fenomen i përhapur në botën moderne dhe përbëjnë një problem kudo. Përgjithësisht, janë disa faktorë që sociologët i evidentojnë kudo e që kanë të bëjnë me rritjen e madhe të depresionit dhe kryesisht problemeve psikologjike, të cilat vijnë nga mënyra e të jetuarit. Studiues të shumtë thonë se dy janë problemet e mëdha që shkakton jeta moderne: Vetmia sociale dhe pasiguria. Këtyre mund t’iu shtohen edhe një sërë problemesh që kanë të bëjnë me mungesën e motivimit, vanitetin, frenetizmin e përditshmërisë, stresin në punë etj.

Në shoqëritë moderne, njerëzit po bëhen gjithnjë e më të huaj për njëri-tjetrin, lidhjet shoqërore janë dobësuar, të afërmit janë bërë të largët dhe ne sot nuk njohim shpesh as kushërinjtë tanë dhe as fqinjët më të afërt. Njeriu jeton vetëm dhe në këto kushte nuk e përmbush dot qenien sociale, nevojën e tij për komunitet. Kjo i bën shumë njerëz të ndihen bosh dhe të mos iu japin kuptim jetës së tyre.

Nga ana tjetër, moderniteti është diçka që prodhon shoqëri të cilat janë në ndryshim të madh dhe të vazhdueshëm. Kjo prodhon pasiguri, e cila çon shpesh në ankthe e neuroza të ndryshme.
Problemi më i madh është kriza e familjes. Shifrat e larta të divorceve, tensioneve dhe dhunës në familje, apo edhe problemeve të shoqërizimit në të, tregojnë se familja nuk është më një strehë e sigurt dhe e ngrohtë për shumë njerëz. Kjo do të thotë se ajo nuk arrin të amortizojë problemet e jashtme, madje për më tepër, i krijon individit probleme të mëdha, shpesh dramatike.
Të gjitha këto janë të pranishme edhe në shoqërinë shqiptare, duke shtuar probleme të destabilizimit ekonomik dhe kulturor, të cilat në Shqipëri janë në nivele shumë herë më të larta se kudo në botën e zhvilluar.

A ka ndarje apo dallime në moshë, gjini?

Nuk di të them saktësisht. Për momentin, nuk kam të dhëna mbi këtë.

Çfarë mund të bëjë shteti shqiptar në drejtim të krijimit të politikave sociale?

Natyrisht, shteti e ka të vështirë të ndërhyjë në probleme të cilat janë thellësisht individuale, por ai ka një ndikim të madh, për aq sa ai mund të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetesës. Sigurisht, nëse kushtet ekonomike, shoqërore e kulturore do të ishin më të mira, numri i vetëvrasjeve do të reduktohej shumë.

Megjithatë, në një plan më të ngushtë, strukturat shtetërore mund të ndihmojnë në krijimin e lehtësive për njerëzit që vuajnë depresionin, mund të rrisin numrin dhe cilësinë e shërbimit të qendrave që asistojnë probleme të kësaj natyre, mund të ndërhyjnë me politika të cilat mund të zbusin probleme të stresit në punë, si dhe mund të rrisin sensibilitetin dhe informimin mbi probleme të depresionit, zbutjes së konflikteve sociale dhe motivimit. Sidomos, përmirësimi i kujdesit të shëndetit mendor është diçka emergjente, pasi praktikisht problemet janë të shumta, por mundësitë e trajtimit të tyre janë tepër të pamjaftueshme.
Megjithatë, më shumë se shteti, është e gjithë shoqëria që mund të përmirësojë gjendjen dhe kjo bëhet duke rregulluar, pikë së pari, mënyrën e jetesës.

Forcimi i familjes dhe marrëdhënieve midis njerëzve është boshti kryesor që do të shmangte shumë probleme shoqërore, përfshi këtu edhe vetëvrasjet. Nëse familja është e shëndetshme dhe e fortë, e nëse njerëzit janë më pranë njëri-tjetrit, natyrisht shumica e problemeve do të jetë rregulluar. Problemi është se duket se këto janë përgjithësisht jashtë vëmendjes, si nga shteti, ashtu edhe nga aktorë të tjerë socialë, siç mund të jenë shoqëria civile, institucionet e edukimit, media, etj.

SHKARKO APP