Kryebashkiakja e Shkodrës: Debati me Ramën, i rëndë

Kryetarja e bashkisë së Shkodër, Voltana Ademi ka mbajtur qëndrimin e saj në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama, të cilat i ka cilësuar të pafalshme. Në një intervistë për ‘BalkanWeb’, Ademi theksoi se debatet dhe sulmet e kryeministrit, duhet të zëvendësohen me komunikim dhe bashkëpunim. Ndër të tjera, kryebashkiakja e Shkodrës pohoi se përzgjedhja e projekteve nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve nuk është bërë sipas kritereve por ndasive politike për bashkitë.

***

Si shkoi mbledhja në Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve pas të cilit u zhvillua edhe mbledhja e shoqatës së bashkive ku përmes një deklarate për shtyp u bë e qartë mungesa e financimit të projekteve të bashkive të djathta?

Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve mblidhet pas çdo thirrjeje pas shqyrtimit të dokumentacionit teknik dhe sigurisht janë anëtarë të qeverisë që mblidhen për të marrë vendim dhe sigurisht vendimet na janë dërguar dy ditë më përpara dhe pati një vendimmarrje për disa projekte që ishin pjesë e kësaj thirrje.

Kishte debat, i shprehët ankesat tuaja aty?

Ankesat tona i shprehim. Sigurisht që bashkia Shkodër ka aplikuar por jo vetëm bashkia Shkodër edhe shumë bashki të tjera të djathta por këtë radhë shumica e projekteve janë financuar për bashkinë Vlorë e cila edhe ajo ka patur problematikat e veta lidhur me financimet nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve. Çështja nuk shtrohet në një mbledhje apo në një diskutim por çështja shtrohet në parim që do të thotë për mënyrën se si është organizuar fondi, për mënyrën se si do të aplikohet, kriteret e përzgjedhjes dhe Komiteti Teknik që duhet të bëjë vlerësimin teknik dhe më pas vendimarrja që duhet të bëhet në bazë të kritereve. Sigurisht që të gjitha bashkitë kanë nevojat e veta por ajo që kemi sugjeruar është që të respektohen kriteret në kuadër të ligjit ekzistues dhe për sa kohë diskutohet për ligjin e financave vendore të shihet ndryshimi thelbësor i Zhvillimit të Rajoneve në aspektin e përcaktimit se ku duhet të shkojë dhe të ndarjes. Ideja është se nëqoftëse ky fond është për Zhvillimin e Rajoneve niveli vendor duhet të jetë vendimmarrësi kryesor për ta zbatuar dhe vendosur se ku do ta shpenzojë këtë fond dhe kur themi niveli vendor mund të jenë vetë bashkitë apo bashkëpunimi ndërmjet bashkive e pse jo në nivel rajonal Agjencitë e Zhvillimit Rajonal. Pastaj për projekte strategjike të rëndësishme nga ky fond mund të merren fonde për nevoja strategjike të zhvillimit të zonave të caktuara.

Nuk janë zbatuar kriteret për shpërndarjen e projekteve nga qeveria?

Po të shohim grafikun e ndarjes së fondeve në vitin 2015 dhe 2016 dhe kriteret që përcaktojnë mënyrën se si duhet të ndahen fondet dhe projektet për gjithsecilën bashki mund të them se kam një disbalancë të dukshme ndërmjet bashkive të mëdha dhe të vogla, ndërmjet bashkive në zona të ndryshme, ndërmjet bashkive të majta dhe të djathta apo nuk mund të thuhet se është ndjekur kriteri për zhvillimin e turizmit apo kriteri për zonat që kanë më shumë nevojë apo kriteri numrin e dendësisë dhe popullsisë që i shërben projekti. Ka vend shumë për të thënë në aspektin e zbatimit por nga ana tjetër nuk ka një raport teknik të Komitetit Teknik të Zhvillimit të Rajoneve për projektet që të gjitha bashkitë dërgojnë. Kjo do të thotë se sigurisht kur nuk ka një vendim teknik atëherë vendimi politik është ai që dominon dhe po të shohim grafikët disa bashki kanë përfituar më shumë dhe disa bashki nuk kanë përfituar fare.

Kemi parë kryeministrin në një raport jo shumë të mirë me ju për debate që kanë nisur që nga takimi në zyrën tuaj e deri tek debate tek stadiumi. Pse e sulmon kryeministri Shkodrën?

Ne bashkëpunojmë me çdo institucion që do të thotë që në aspektin institucional bashkia Shkodër ka qenë pjesëmarrëse dhe aktive shpesh herë edhe kritizere por ka dhënë edhe opsione. Dua të kujtoj ligjin për pushtetin vendor, kemi qenë ndër bashkitë më aktive për përmirësimin e ligjit apo edhe për rastin e konsultimit për ligjin për financat vendore dhe ne jemi ndër bashkitë aktive dhe që japim opsione por edhe për akte rregullore të tjera që ne kemi mundur t’i japim dhe kemi kërkuar që të japim informacionin dhe opsionin tonë me idenë që duke njohur mirë territorin të japim opsionet më të mira ashtu sikurse dimë teknikisht. Çështjet që shkojnë përtej diskutimeve që nuk janë teknike apo nuk referojnë zbatimin e ligjit sigurisht që nuk janë të mira dhe besoj se nuk ka qenë një debat i mirë për të gjithë. Kur them për të gjithë them pikësëpari për qytetarët, komunitetin dhe të gjithë ata që na kanë dëgjuar, ka qenë e rëndë dhe këtë dua ta them por nga ana tjetër unë besoj tek shteti, besoj tek institucionet, besoj tek përgjegjësitë që kemi në bazë të ligjit dhe do të jemi deri në fund për ta bërë këtë në emër të asaj çfarë përfaqësojmë, në emër të votës, në emër të pozicionit që kemi si të zgjedhur vendor apo në nivel qeverie. Historia e Shkodrës është e tillë që ne kemi patur gjithmonë probleme që lidheshin edhe me politikën. Mua më kujtohen vitet e vështira që kemi patur edhe para shumë vitesh kur ishim në opozitë në pushtetin vendor dhe më vjen keq ta them por historitë përsëriten dhe fakti që Shkodra apo edhe zona përreth Shkodrës nuk marrin vëmendjen që do të duhej t’i takonte edhe për faktin se janë një ndër zonat me atraksionin më të madh turistik në Shqipëri por edhe për faktin se janë zona që kanë nevojë të zhvillohen dhe për faktin që në aspektin e nevojës për urbanizim përsëri kanë nevojë, të dendësisë së popullsisë kanë nevojë, të nevojës për shërbime ne kemi trashëguar nga reforma territoriale probleme shumë të mëdha me shërbimet. Në këtë kontekst lind e drejta për të kërkuar dhe kush më mirë këtë mund ta bëjnë kryetarët e bashkive, mund ta bëjnë qytetarët, mund ta bëjë qeveria dhe këtu jemi për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Çfarë është përtej kësaj sigurisht që nuk është institucionale dhe nuk mendoj se kanë nevojë për interpretim.

Është një sulm i qëllimshëm nga kryeministri për Shkodrën?

Besoj se është diçka jo e menduar mirë ose një reagim që shkon përtej asaj që është etike dhe është ligjore.

Përveçse politikisht ju ka sulmuar edhe personalisht, cili është qëndrimi juaj? Për çfarë rasti e keni fjalën…

Kur e keni dëgjuar si ndjeheni sepse besoj ka një ndjesi për ato deklarata të kryeministrit në adresën tuaj?

Edhe debati ynë ka qenë i rëndë dhe sigurisht nuk është kënaqësi, është e rëndë por nga ana tjetër në Shqipëri unë them se ajo që duhet të bëjnë shqiptarët, unë si kryetare bashkie, si një grua, si një vajzë, si një nënë që jeton në Shkodër dhe do të jetojë në Shqipëri, ju e dini që jam kthyer nga emigracioni për të jetuar këtu dhe ajo që duhet të ndërtojmë është bashkëpunimi, komunikimi i mirë, dëshira dhe vullneti i mirë për të bërë punë të mira pavarësisht krahëve politik. Pavarësisht debateve politike vullneti i mirë duhet të mbizotërojë, pavarësisht se kjo nuk është demonstruar në takimin e fundit. Është e pafalshme që kryeministri i Shqipërisë të deklarojë se Shkodra do të marrë zero fonde. Asnjë kryeministër në asnjë vend të botës nuk do të guxonte ta bënte këtë. Kjo nuk bëhet për kryetarin e bashkisë dhe kjo është përtej personales dhe po flasim për një komunitet të tërë, po flasim për komunitetin e Shkodrës dhe t’i thuash qytetarëve që do keni zero investime është e rëndë, shumë e rëndë. Personalisht jam ndjerë keq dhe kam kërkuar disa herë duke e bërë pyetjen që të kisha një përgjigje për të kërkuar vullnet dhe shprehje vullneti. Unë shpresoj që kjo të dëgjohet sepse gjithmonë ka vend për të riparuar dhe se bashkia e Shkodrës dhe qytetarët e Shkodrës janë qytetarë shumë të mirë të Shqipërisë. Me të njëjtat të drejta, me të njëjtin vullnet ne kemi demonstruar në historinë tonë që ne kemi bërë shumë edhe për vendin edhe përtej vendit prandaj ne jemi shqiptar dhe duhet ta bëjmë këtë në emër të vendit tonë. Kjo është detyra që kemi.

Zoti Rama e përmend fitoren e PS në Dibër në çdo takim me socialistët si shembull pozitiv se si duhen fituar zgjedhjet, ju tremb ajo që ndodhi atje dhe a frikoheni se mund të përsëritet edhe në Shkodër apo qytete të tjera në zgjedhjet e 2017?

Në zgjedhjet e 2013 ne u përballëm me krimin, me drogën, me përdorimin e pushtetit në mënyra abuzive duke dhunuar të drejtat e qytetarëve për të votuar të lirë dhe pse jo jemi përballur edhe me blerjen e votës. Fatkeqësia jonë e madhe është institucionalizimi i këtij procesi të shëmtuar në Shqipëri. Unë shpresoj se të gjithë, ndërkombëtarët por jo vetëm edhe shoqëria civile, njerëzit e thjeshtë të kuptojnë se paraja e sotme nuk bën një pushtet demokratik, blerja e votës nuk prodhon një pushtet demokratik, përdorimi i instrumentëve kriminal nuk prodhon një shtet të lirë. Kurrsesi Dibra nuk mund të quhet një rast zgjedhjesh normale në Shqipëri. Ajo që ndodhi në Dibër është një shëmti e radhës e zgjedhjeve në Shqipëri.

I trembeni se mund të përsëritet në zgjedhjet e 2017 në Shkodër apo qytete të tjera?

Kushdo duhet të trembet, t’i trembet për faktin se po dhunohet të drejtat e njeriut, po dhunohet e drejta për të ushtruar të drejtën. Sigurisht kjo që më bën të trembem, të trembeni, të tremben të gjithë sepse në fund të fundit kjo do të prodhojë atë që askush nuk do të guxojë të flasë, atë që prodhoi sistemi që kaluam, askush nuk do të guxojë të votojë i lirë. Ne kemi patur raste të verifikuara gjatë zgjedhjeve vendore apo në nivel kombëtar që ndokush nuk ka guxuar të alë nga shtëpia sepse i është dhunuar për të dalë për të votuar. Prandaj është shumë më e madhe se një trembje politike, është një trembje për të qenë i lirë, për vetëdije, për një premisë apo për një prosperitet për të jetuar në një vend të lirë. Shansin gjithmonë shqiptarët e kanë patur dhe duhet që të vendoset vetë prandaj të gjithë ne duhet t’i trembemi sepse është e rëndë ajo që ndodhi në Shqipëri. E keni vënë re që ka filluar të na bëhet normale pamja e fushave e maleve të mbjella me kanabis sativa. Nuk është më një ngjarje që bën lajm dhe duke e sjellë në veshin tonë si një gjë normale imagjinoni sa e rëndë është. Duke qenë e tillë sigurisht që Shqipëria nuk mund të klasifikohet ndër ato vende që po ecin me hapin e duhur drejt demokracisë.

Dhe zonat malore të Shkodrës janë kryeqendër e kanabisit?

Shkodra është një ndër problematikat, zonat me kanabis dhe besoj se nuk është vetëm Shkodra por e gjithë Shqipëria.

 

 

 

SHKARKO APP