Kryeplaku: Dhërmiu, fshati me më shumë kisha në botë
Karakteristikë e Dhërmiut, është se ka mbi 40 kisha. Kryeplaku Aleks Marko, tregon më shumë…
Dhërmiu është ndër të paktat vende përgjatë bregdetit që nuk ka pasur një transformim nëpërmjet ndërtimeve. Si është arritur të ruhet kjo harmoni ndërtimesh?
Po është e vërtetë që Dhërmiu i vjetër sidomos, e ka ruajtur në masën 90% identitetin me ruajtjen e ndërtimeve të vjetra, që do të thotë nuk janë bërë shumë ndryshime dhe kjo është arritur nën kujdesin e pushtetit vendor dhe të vetë banorëve.
Ju keni tashmë të shpallur një qendër historike. Çfarë do të thotë kjo për Dhërmiun?
Është një sukses i madh fakti që para 6 muajsh Dhërmiu është shpallur zonë e mbrojtur nga qeveria shqiptare dhe do të investohet nga UNESCO. Kjo me siguri është me rëndësi jo vetëm për Dhërmiun por edhe për Himarën dhe të gjithë Shqipërinë. Për zonën historike qeveria shqiptare në bashkpunim me Ministrinë e Kulturës në fund të muajit korrik do të prezantojë para banorëve të Dhërmiut projektin e ri të realizuar nga Ministria e Kulturës dhe pritet që nga tetori të fillojnë investimet në fshatin e vjetër duke rregulluar rrugicat, sheshet në shtëpitë e vjetra dhe fasadat e duke riparuar çatitë. Mesa kam informacion faza e parë e punimeve do të nisë së shpejti dhe vlera është 5 mln euro duke e restuaruar dhe kthyer në një pikë turistike me mjaft interes për këdo.
Si është transformuar Dhërmiu nisur nga popullsia. Ka familje muslimane? Sa të tilla janë shtuar? Si është arritur kjo harmoni fetare?
Dihet në të gjitha kohërat që Dhërmiu ka qenë një popull tërësisht ortodokse. Por vitet e fundit kanë ardhur edhe familje muslimane. Fillimisht kanë ardhur për punë sezonale dhe më pas një pjesë e tyre kanë qëndruar. Me këto familje kemi marrëdhënie shumë të mira sa tashmë janë bërë pjesë e jetës sonë të përditshme. Deri në vitet 90-të ishin 20 a 30 familje që ishin të profilizuar për punë ta caktuara. Tani mendoj se janë deri në 80 familje muslimane. Kjo bashkëjetesë ka ardhur seps Dhërmiu njihet si një popull mikpritës, një popull me kulturë të lashtë që ka ditur gjithmonë sesi të krijojë marrëdhënie të mira me cilindo që ka ardhur në Dhërmi. Jemi në harmoni me ata që janë shpërngulur dhe që jetojnë në Dhërmi dhe tuistët që vizitojnë fshatin tonë.
Çfarë ofron Dhërmiu që vendet e tjera të bregdetit nuk e kanë?
Dhërmiu, jo se jam unë banor, por është përcaktuar një nga perlat më të bukura të jugut dhe të gjithë Shqipërisë. Iu ofron turistëve detin shumë të pastër, një klimë që është ndër më të mirat në Evropë, klimë malore dhe bregdetare. Shumë pak e kanë këtë reliev në një zonë të vetme.
Si ka ndryshuar Dhërmiu në kohë? Sa familje kanë qenë dhe si ka mundësi janë ndërtuar kaq shumë kisha në një vend kaq të vogël?
Dhërmiu ka ndryshuar shumë duke filluar nga viti 1990. Këtij vendi i falur Zoti një natyrë shumë të bukur dhe të paçmueshme që shumë pak e kanë. Kemi një histori qindravjeçare dhe shumë të pasur. Fshati i vjetër ka vlera të mëdha historike e kulturore si përshembull kisha nga më të vjetrat, si kisha e Shën Stefanit, me një histori 1200-vjeçare në zonën e plazhit; kisha e Shën Mërisë mbi fshatin e vjetër, e cila është 900-vjeçare; kisha e Shën Theodhosit, 300-vjeçare; kulla 300- vjeçare e Kumijve, kulla 300-vjeçare e Kapedan Kocanit dhe shumë monumente të kulurës që secila ka një histori të veçantë. Edhe Kalldrëmet janë 300-vjeçare. Pra të gjitha këto dhe shumë të tjera e bëjnë fshatin e Dhërmiut me histori të paçmuar. Dhërmiu është fshati që ka më shumë kisha në botë në bazë të popullsisë. Në vitet 90-të kishte 36 kisha, ndërsa sot numërohen 46 kisha.
Si ka ndryshuar mendimi për të ardhurit nga veriu apo edhe vendet e tjera të Shqipërisë?
Ka shumë muslimane aktualisht që banojnë në Dhërmi? Të ardhurit në Dhërmi, një pjesë e mirë muslimanë vijnë kryesisht nga Veriu. Sigurisht që ka ndryshuar mendimi si për ata që vijnë nga veriu e po ashtu ata që vijnë nga vende të tejra të Shqipërisë, sepse siç e përmenda më lart, Dhërmiun e karakterizon kultura, mendja, mikpritja dhe pasuria historike dhe kulturore. Këto janë të gjitha anët pozitive që e kanë ndryshuar Dhërmiun në këtë drejtim. Tesheshi.com