Ku fshihet Ilir Kumbaro sipas gazetarit që e ndoqi këmba këmbës në Londër

Prej më shumë se pesë vitesh, drejtësia shqiptare dhe ajo britanike janë në kërkim të Ilir Kumbaros, i akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Gazetari që iu qep Kumbaros gjatë gjithë procesit gjyqësor në Londër, Muhamed Veliu, në një intervistë për DITA hedh dyshime se Kumbaro fshihet në një vend që Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi, siç mund të jetë Kina që Kumbaro e ka vizituar një herë më parë. Sipas tij, në largimin e Kumbaros nga Britania e Madhe, mund të kenë dorë persona të cilët janë riaktivizuar për të mos hapur kutinë e “Pandorës”.

Zoti Veliu, ju ishit i pari gazetar që raportuat nga Londra arrestimin për qëllim ekstradimi  të Ilir Kumbaros, person i cili akuzohet për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Çfarë mund të na thoni për proceset gjyqësore që u bënë në Britani për ta ekstraduar në Tiranë?

Pas më shumë se një dekadë fshehje në Britaninë e Madhe më 24 Mars 2009, ish-zyrtari I lartë i SHIK-ut do të arrestohej në shtëpinë e tij në lagjen Fulham të Londrës nga skuadra e ekstradimeve. Në momentin kur policia mbërriti në adresën ku ai banonte, u gjet nën shoqërinë e një gruaje për të cilën tha se ishte një mike e familjes.

Më pas nga hetimet u zbulua se ajo ishte bashkëshortja e cila në Angli mbante një identitet të rremë. Ilir Kumbaro, njeriu kyç në të gjithë operacionin e shërbimit sekret shqiptarë në rrëmbimin e Remzi Hoxhës, Avdyl Loshajt dhe Zizo Kristopullit, fillimisht do të qëndronte në burg për 15 muaj, kohë në të cilën u zhvilluan një mori me seancash gjyqësore si në gjykatën e ekstradimeve në Londër dhe atë të apelit. Gjatë të gjithë kohës, ai sëbashku me avokatin mbrojtës i qëndronin variantit se skuadra e ekstradimeve kishte arrestuar njeriun e gabuar pasi ai ishte një shtetas nga Kosova me emrin Shaqa Shatri dhe jo Ilir Kumbaro. Por një sere provash të siguruara nga policia britanike vërtetuan se ai ishte Ilir Kumbaro.

Përse ai u la i lirë?

Pas 15 muaj seancash gjyqësore, ai u la i lirë për parregullsi në dokumentacionin e dërguar nga Ministria e Drejtësisë në Tiranë. Personalisht jam i mendimit se dikujt në Tiranë nuk i ka interesuar asnjëherë që Ilir Kumbaro të ekstradohej në Shqipëri. Me sa duket, mosektradimi i risolli qetësinë vetë Ilir Kumbaros dhe atyre të cilët kërkonin ta mbanin sa më larg Shqipërisë. Kumbaro vijoi jetën i qetë, por jo më në banesën ku u arrestua në lagjen Fulham. Ai u zhvendos në shtëpinë e njërit prej dy djemve në një zonë tjetër të Londrës.

Sëbashku me avokatin e tij John Johns, një ekspert në çështjet e ekstradimit, ata mendonin se përpjekjet për ta ekstraduar kishin mbaruar me aq. Në fakt rezultoi  se ishin gabuar. Kjo është faza e parë kur ekstradimi dështoi. Por ishte ngulmimi i prokurorit të ndjerë Xhevat Hana i cili e çoi çështjen deri në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë nga ku fitoi një betejë ligjore për këtë çështje që ai e hetonte nga fillimi. Ky zhvillim i ri në këtë çështje bëri që skuadra e ekstradimit ta arrestonte përsëri Ilir Kumbaron në bazë të një mandat arresti të ri lëshuar nga Tirana falë këmbënguljes së prokurorit Xhevat Hana.

Meqenëse kur u arrestua herën e parë me qëllim ekstradimi, Kumbaro qëndroi 15 muaj në burg, avokati i tij mbrojtës argumentoi se burgimi rezultoi jo i drejtë për faj të dokumentacionit të jo të plotë të sjellë nga Ministria e Drejtësisë shqiptare. Në të tilla kushte, avokati John Johns kërkoi që klienti i tij të ndiqej në gjendje të lirë me kusht. Për këtë, bashkëshortja e djalit të Kumbaros vendosi si garanci 10.000 stërlina. Kjo kërkesë u miratua për t’i ndjekur seancat pasuese në gjendje të lirë me kusht që do të thotë se ai duhet të paraqitej dy herë në javë në një stacion policie dhe nga ora 20:00 deri në 08:00 duhet të qëndronte në shtëpi nën një monitorim elektronik me një pajisje në formë byzylyku të vendosur në këmbë.

Si rrodhën ngjarjet me këtë përballje të dytë të Ilir Kumbaros për t’u ekstraduar?

Që në seancat e para gjyqësore të këtij procesi të dytë u pa se nuk kishte asnjë hapësirë ligjore për të bllokuar ekstradimin.  Vendimi i marrë nga Kolegjet e Bashkuara në Tiranë ishte “arma” më e fortë në duart e përfaqësueses së shtetit shqiptar në këtë proces. Pavarësisht kësaj, çështja kishte marrë vëmendjen e medias  dhe vetë autoriteteve më të larta britanike. Pra u kthye në një çështje të ndjeshme për drejtësinë britanike.

Në séancen e parafundit të ekstradimit kur palët bënë konkluzionet, u pa haptas që pala mbrojtëse e Ilir Kumbaros ishte në pozita pa kthim pas për ta bllokuar ekstradimin. Gjykatësi vendosi dhënien e vendimit për në 1 Dhjetor 2011, ndërkohë që Kumbaro vijonte të ishte në liri me kusht duke zbatuar me përpikmëri kushtet e kësaj lirie.

Çfarë ndodhi ditën kur do të shpallej  vendimi?

Supozohej që Ilir Kumbaro të mbërrinte në gjykatën e ekstradimeve në Londër në orën 14:00.  Por ai nuk u paraqit. Avokati mbrojtës i tha gjykatës se për herë të fundit ai kishte komunikuar me klientin mbrëmjen e një dite më parë. Këtu për policinë britanike kanë lindur edhe dyshimet e para pasi avokati mund t’i ketë komunikuar se vendimi nuk do të ishte në favorin e tyre që do të thotë se Kumbaro do të arrestohej në sallën e gjyqit.

A është e mundur që në një shtet si vendi ishullor të arratiset personi pa lënë asnjë gjurmë?

Po është e mundur. Paçka se është një vend ishullor, mundësitë e largimit janë nga më të ndryshme. Janë të shumta rastet kur persona të kërkuar nga drejtësia britanike kanë mundur të zhduken pa lënë gjurmë. Me suportin e duhur financiar dhe logjistik largimi është mëse i mundur. Dy janë skenarët e largimit. Me pasaportë të falsifikuar ose me ndonjë kamion të cilët kur lënë Anglinë nuk i nënshtrohen kontrolleve të rrepta.

Ju thatë që ai ishte nën një monitorim elektronik. Si arriti ti shpëtonte këtij monitorimi?

Monitorimi elektronik do të thotë që Ilir Kumbaro nga ora 20:00 deri në 08:00 të ditës së nesërme duhet të qëndronte në ambientet e shtëpisë ku përmes linjës së telefonit ishte lidhur pajisja që dërgonte sinjal në sallën e monitorimit. Pjesën tjetër të ditës ai mund të lëvizte i lirë.  Hetimet për zhdukjen e tij kanë mbërritur në përfundimin se ai ka dalë nga shtëpia, ka hequr nga këmba pajisjen dhe është zhdukur.

Si i humbi gjurmët Kumbaro dhe ku mund të jetë ai sot?

Besoj se Ilir Kumbaro, atë kohë 58 vjeç dhe i sëmurë, e ka patur të pamundur të organizojë i vetëm shmangien në mënyrë spektakolare me drejtësinë britanike. Siç edhe ish-Shefi i Shërbimit Sekret Fatos Klosi pohoi disa ditë më parë se në Angli janë strehuar shumë  ish-agjentë të SHIK-ut, të cilëve iu dhanë pasaporta diplomatike, nuk është aspak e habitshme që ata të jenë riaktivizuar për të ndihmuar në zhdukjen pa lënë gjurmë të Ilir Kumbaros.

Gjithsesi ata të cilët u munduan të bllokonin ekstradimin janë kujdesur deri në fund që Ilir Kumbaro asnjëherë mos të shkelte të Shqipëri. Kumbaro ishte personi i vetëm që u dënua me 15 vite burg. Në të tilla kushte nuk përjashtohet mundësia e një presioni direkt aktorëve të tjerë në këtë ngjarje nga Kumbaro për t’i ofruar mbështetje. Për njerëzit e implikuar në këtë ngjarje, Ilir Kumbaro mbase përbënte një kërcënim serioz.

Në mënyrë që t’i shpëtonte burgut Kumbaro mund të kthehej në një të penduar të drejtësisë duke tronditur njerëzit e atëhershëm në politikë me dijeni për ngjarjen nga fillimi deri në fund. Gjatë seancave gjyqësore u zbulua se në dy raste, Ilir Kumbaro kishte udhëtuar drejt Kinës dhe Bullgarisë. Qëllimi i udhëtimeve dhe kë kishte takuar në këto dy vende nuk u mësua asnjëherë.

Nga informacionet që unë kam, skuadra e ekstradimeve në Londër që vijon të hetojë për ta gjetur Ilir Kumbaron i përqendroi hetimet në këto dy shtete, por pa rezultat. Për Scotland Yard mbetet një çështje nën hetim dhe të mësosh për progresin e hetimeve është e pamundur. Tashmë për Scotland Yard dhe drejtësinë britanike gjetja e Ilir Kumbaros është një sfidë më vete pasi ai theu besimin që I dha gjykata kur e la të lirë me kusht.

Duke qenë se ju jeni ende në kontakt me Britaninë, cili është version zyrtar i policisë për këtë arratisje të Kumbaros?

Megjithëse kam rreth 6 vite që jetoj dhe punoj në Tiranë, vijoj ta ndjek me shumë interes njësoj si në ditën e parë kur dhashë lajmin e arrestimit të Ilir Kumbaros. Skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard e shpalli Kumbaron si person në kërkim duke mos dhënë detaje të shumta. Detective Superintendent Pete Rance ishte njeriu që pas shumë viteve kërkime mundi të zbulonte se nën cilin emër fshihej Ilir Kumbaro dhe ta arrestonte dy here për qëllim ekstradimi. Është sërish po ai që drejton hetimet për riarrestimin e Kumbaros.

“Krimet serioze për të cilat ai akuzohet janë një arsye e fortë për ne, në gjetjen dhe arrestimin e tij. Kemi të bëjmë me një hetim të një profili të lartë ku është përfshirë edhe policia britanike. Prandaj ne duhet ta gjejmë dhe ta kthejmë përpara drejtësisë”,- kështu do të deklaronte Pete Rance 5 vite më parë.

Nga informacionet që keni për  zhdukjen e Ilir Kumbaros, a keni ndonjë ide se ku ai mund të fshihet?

Fillimisht nga policia britanike u shpreh dyshimi se Kumbaro strehohej nga miqtë e tij në një qytet tjetër të Anglisë. Me kalimin e viteve kjo pistë është rrëzuar. Personalisht mendoj se ai fshihet në një vend ku Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi.  Kumbaro mbetet për policinë shqiptare dhe atë britanike si një prej personave më të kërkuar. Në të tilla kushte, një fshehje e tij në Europë do të ishte shumë e vështirë.

Jeni shprehur se ai ka pasur suport ekonomik dhe politik nga Tirana, kush janë personat që e kanë ndihmuar?

Rrëmbimi dhe zhdukja e Remzi Hoxhës u vërtetua nga organi akuzës se ishte një ngjarje komplekse në të cilët Ilir Kumbaro dhe të akuzuarit e tjerë ishin pjesa operacionale . Pra pjesa e dukshme dhe aktive në këtë ngjarje të dhimbshme.  Por urdhëruesit që nga ish-kreu i SHIK Bashkim Gazidede apo edhe persona me poste të rëndësishme politike atë kohë janë kujdesur mos të lënë gjurmë. Në të tilla kushte, interesi për ta mbajtur Ilir Kumbaron sa më larg Shqipërisë ishte dhe mbetet i madhe.

Ata i druhen frikës se Ilir Kumbaro, për të përfituar lehtësi nga dënimi i dhënë prej 15 vitesh burg, mund të kthehet në një bashkëpunëtor të drejtësisë duke hapur kutinë e Pandorës për zhdukjen e Remzi Hoxhës.

Në ekranin e Top Channel është fiksuar momenti që ju e ndiqni Kumbaron me mikrofon në dorë dhe nuk ia dilni të merrni një prononcim. E keni takuar ndonjëherë personalisht atë apo dikë nga rrethi i tij?

Me Ilir Kumbaron jam përballur disa herë në korridoret e  gjykatës së ekstradimeve. E shikoja që nuk i vinte mirë që çdo seancë isha atje për të raportuar procesin e ekstradimit. Asnjëherë nuk kam komunikuar me të. Për njeriun që mbart sekretin e zhdukjes së Remzi Roxhës kishte vetëm foto, por jo pamje filmike. Mësova orën dhe stacionin e policisë ku ai dy herë në javë firmoste.

Mbrëmjen e 16 Dhjetorit 2009 i zura “pritë” në stacionin e policisë për t’i marrë një prononcim që edhe ai të kishte mundësi të thoshte versionin e tij. Cilido të ishte ai. Kumbaro i shoqëruar nga djali u gjetën të papërgatitur nga përballja me mua pasi nuk e mendonin asnjëherë që të mund të filmohej. Nuk foli, por me shpejtësi iu drejtua parkimit për të hipur me shpejtësi në makinë. Ndërsa djali zuri pjesën ballore për mos të na lejuar të fiksonim të atin. Duke ikur me shpejtësi me makinë, djali i Kumbaros hapi xhamin duke thënë “nuk e ke të gjatë”.

Sali Berisha është shprehur se ai nuk ka pasur dijeni fare për zhdukjen e Remzi Hoxhës, derisa ia ka përmendur Adem Demaçi. Mendoni se ndodhte një zhdukje personi në vitet e Berishës së parë dhe ai të mos merrte vesh gjë?

Ish-kryeministri Berisha është një njeri i fiksuar pas detajeve. Këtë do ta ilustroj me një ndodhi në Pallatin e Brigadave tre vjet më parë në një pritje ku për herë të dytë në jetën time jam takuar me Berishën pas një takimi të parë me të në Londër. Ai në këtë pritje me detaje na tregonte se ku jetonte, ku pinte kafen, çfarë dyqanesh frekuentonte një person i njohur në Shqipëri që kishte sjellë djalin për t’u shkolluar në Angli. Informacioni për Berishën është një oksigjen i dytë.

Në të tilla kushte për një ngjarje e cila u inicua nga SHIK vetëm e vetëm se kishte dyshim që Remzi Hoxha po punonte kundra Berishës, e hedhin poshtë pretendimin që Berisha nuk kishte dijeni.  Kemi edhe dëshmitë e Mero Bazes apo Izet Haxhisë që japin të dhëna se Berisha kishte dijeni. Zhdukja e Remzi Hoxhës nga fillimi deri në fund me të gjithë elementët përbën një krim shtetëror.  Edhe pse pati hetim nga prokuroria dhe një proces gjyqësor, mendoj se ky krim duhet të hetohet më tej.  Kur të nisë punën Byroja Kombëtare e Hetimet, me patjetër që duhet të ketë një hetim strikt për këtë ngjarje e cila nuk është zbardhur plotësisht.

Keni kontaktuar ndonjëherë me familjarët e Remzi Hoxhës?

Po. Që kur isha në Londër, vijoj të kem kontakt me Ardianin, djalin e Remziut.

Ju keni tashmë disa vite që jeni larguar nga Londra dhe në Tiranë u morët me raportimin politik deri një vit më parë. Çfarë ju shtyn të flisni përsëri për këtë çështje?

Njihet botërisht fakti se gazetaria dhe gazetarët duhet të kenë në fokus të punës së tyre të pambrojturit, ata të cilëve i është mohuar drejtësia. Ky parim më ka ndjekur edhe këtë rast. Të kontribuoj sa të mundem për të ndihmuar familjen Hoxha që ata të kenë një varr ku çdo vit të vendosin një tufë me lule. Ky është i vetmi motiv. Asgjë tjetër.

Mendoni se mund të gjenden eshtrat e tij, apo qoftë dhe vendndodhja e tyre?

Dëshiroj shumë që kjo të ndodhë. Por  nëse do të gjenden eshtrat, atëherë prokurorisë i lind e drejta të ndërmarrë një hetim për vrasje ku ndëshkimi është burgim përjetë. Në të tilla kushte, Ilir Kumbaro, vetë personalisht dhe kupola drejtuese e SHIK-ut të atëhershëm apo politikanët e përfshirë direkt ose indirekt në këtë ngjarje, do të bëjnë çmos që eshtrat mos të gjenden asnjëherë. Shpresoj që Ilir Kumbaro përpara se të largohet nga kjo botë, ta lërë një pusullë se ku janë eshtrat e Remzi Hoxhës.-Dita

SHKARKO APP