Laert Vasili, më i dobishëm në teatrin shqiptar, sesa atë grek

Intervistoi: Sidorela Lepuri

Para pak ditësh është vënë në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqja, “Shembja e Shtëpisë Asher”, ku aktori dhe regjisori i njohur, Laert Vasili interpretonte rolin e Orestit. Një shfaqje kjo, e cila rezultoi e suksesshme jo vetëm nisur nga fakti i pjesëmarrjes së shumtë të publikut, por edhe sa i takon lojës së aktorëve. “Çështja nuk është si ndjehem unë gjatë interpretimit. Qëllimi kryesor është që çdo interpretim të pëlqehet nga publiku. Nëse i shkakton emocion publikut, atëherë ia ke arritur qëllimit”, kështu e nis rrëfimin e tij Vasili. Aktor i shumë roleve në teatër dhe në film, regjisor i plot shfaqjeve, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, modestisht ai na tregon se e gjitha kjo është thjesht pjesë e punës së tij disa vjeçare. Në një intervistë për suplementin “Koha Tjetër”, Laerti flet lidhur me karrierën e tij mes Shqipërisë dhe Greqisë, shfaqjet e vëna në skenë, rolet e interpretuara, problemet e teatrit, si dhe planet në vazhdim.

Para pak ditësh është vënë në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqja “Shembja e Shtëpisë Asher” ku ju interpretonit rolin e Orestit, si dhe kishit përkthyer pjesën. Si u ndjetë gjatë këtij interpretimi?

Çështja nuk është si ndjehem unë gjatë interpretimit. Qëllimi kryesor është që çdo interpretim të pëlqehet nga publiku. Nëse i shkakton emocion publikut, atëherë ia ke arritur qëllimit.

Duke qenë se jemi tek shfaqja, cilat ishin komentet e para lidhur me të?

Mesazhet që na kanë dërguar ishin jashtëzakonisht emocionuese dhe me superlativa.

Shfaqja “Elektra” nën regjinë tuaj është cilësuar tepër e suksesshme, duke marrë parasysh vetë kompleksitetin e saj. Përse zgjodhët pikërisht “Elektrën” dhe jo një vepër tjetër?

Elektra flet për një shpagim, i cili është harruar nga koha dhe kemi vetëm një element që kërkon të vendosë drejtësinë në vend, e cila është Elektra. Duke qenë se gruaja në atë kohë trajtohej si objekt dhe jo subjekt nuk ka mundësi ta vendosë të drejtën në vend dhe pret mashkullin e familjes që është Oresti. Po të shohësh edhe në kohën tonë, ajo që ndodh është shpesh harresa nga brezi i ri për atë që ka ndodhur një, apo dy breza më para. Harresa nuk e ndihmon një popull të eci përpara, gjërat nuk duhen harruar. Mund të mirëkuptohen, të falen ose të ndëshkohen, por jo të harrohen. Sepse, nëse harrohen atëherë populli është i destinuar të përsërisë vazhdimisht historinë, derisa të nxjerrë mësime.

Aktor i plot roleve në teatër dhe në film, regjisor i plot shfaqjeve, përkthyes i mjaft të tjerave. Ndiheni i realizuar?

Nëse do të ndihesha i realizuar do të kisha dalë në pension. Mua nuk më duket ndonjë gjë e jashtëzakonshme, është thjesht punë. Është njësoj si ato goditjet e marangozit që dëgjojmë tani. Kjo është puna ime dhe unë çdo ditë zgjohem për të bërë punën time.

Nëse nuk do të merreshit me aktrimin, në çfarë profesioni tjetër e shihni veten po kaq të suksesshëm?

Do të isha bërë futbollist.

Keni bashkëpunuar me disa prej regjisorëve më të shquar të skenës europiane si, Robert Ëilson, Aleksandar Popovski, etj.. Çfarë ju kanë mësuar këto bashkëpunime?

Unë kam patur fatin që të punoj që në moshë të vogël me regjisorë të huaj, duke mbaruar shkollën në Athinë dhe ata i tërhiqte fakti që ishte një djalë nga Shqipëria, i cili mbaroi shkollën në Athinë. Isha cilësuar që në fillim si hibrid, duke qenë se rrjedh nga një nënë minoritare greke dhe një baba shqiptar dhe kështu duke u rritur me dy kultura të ndryshme në familje më ndihmoi pastaj që të përzgjidhem. Por duke qenë se edhe prindërit e mi janë ushtarakë, jam rritur me një disiplinë të hekurt dhe kjo është shumë e rëndësishme në teatër dhe nga bashkëpunimet me këto regjisorë të njohur si, Popovski, Ëilson, Vinsevski, Terzopoulos, etj.  mësova thjeshtësinë dhe përkushtimin në punë. Ata janë vërtetë njerëz gjenialë, por po t’i takosh në jetën e tyre të përditshme janë shumë të thjeshtë.

Jeni penduar që jeni kthyer në Shqipëri, duke qenë se keni vënë edhe disa shfaqje në teatrin grek dhe mund të vazhdonit të bënit karrierë atje?

Nuk kam braktisur ndonjë karrierë. Unë jam aktor, Shqipëria është vendi im dhe qyteti ku u rrita është Tirana. Këtë sezon kisha disa oferta këtu dhe u vendosa në Shqipëri. Nëse do të jetë kështu do të vazhdoj edhe sezonin tjetër. Me bindje të plotë them se jam më i dobishëm për teatrin shqiptar, sesa atë grek. Teatri grek ka disa si unë.

Keni marrë disa çmime si “Regjisori më i mirë në Festivalin Ballkanik të Komedisë”, “Çmimi në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës”, si edhe jeni shpallur “Artisti i vitit” në Greqi. Ç’domethënie kanë çmimet për ju?

Çmimet janë një moment sikleti (qesh). Zgjohesh dhe të duket sikur ke një peshë më të madhe në kurriz. Është sikur të kanë bërë një piedestal dhe të duhet ta mbash. Janë siklet i madh. Vetëm në një moment janë të bukura, kur ti shpallesh fitues e ndihesh jashtëzakonisht i lumtur, por të nesërmen duhet të justifikosh psenë e dhënies së atij çmimi. Në punën tjetër që do të bësh nuk je më Laerti, por je Laerti që ka marrë një çmim.

Janë gjithmonë çmimet tregues i punës?

Jo, sigurisht që jo. Charlie Chaplin, nuk mori asnjë çmim, përveç atë të karrierës. Kështu që nuk janë tregues i punës. Thjesht në atë moment ishte diçka që u pëlqye nga juria dhe me dhanë çmimin.

Aktorët në Shqipëri janë kategoria që paguhen më pak mes artistësh të tjerë? Po në Greqi?

Njësoj është në të gjithë botën, përjashto Hollyëood-in. Ky nuk është një profesion për të nxjerrë para, se pastaj mund të bëheshe biznesmen, apo të merreshe me tregti.

Është në planet tuaja të afërta rikthimi në teatrin grek, nëse do të keni ndonjë ofertë?

Unë gjatë këtij sezoni të dimrit për shkak të angazhimit tim në Teatrin Kombëtar, braktisa një film grek. Është shumë e rëndësishme për mua të jem në teatrin shqiptar dhe të sjell përvojën që kam fituar gjatë 20 viteve në skenën e europës dhe jo t’i shërbej thjesht egoizmit tim vetjak për të bërë karshillëk të tjerëve, se unë jam në Europë dhe vuani ju. Artisti në radhë të parë është human dhe duhet të kthehet të ndihmojë aty ku ka nevojë.

Në këndvështrimin tuaj si profesionist, cilat janë disa nga problemet më evidente që hasen tek Teatri Kombëtar?

Problemet e Teatrit Kombëtar janë pafund dhe shpresoj që Hervini t’ia dalë mbanë, siç ia dalë deri tani. Por ka probleme të jashtëzakonshme godina, ana e teknikës. Është turp që shteti fqinj që ende nuk njihet si shtet nga shumë shtete të botës, investon 46 milionë dollarë dhe bën një kopje të teatrit të Vjenës në Shkup. Nuk e di, nëse janë investuar 46 mijë dollarë për Teatrin Kombëtar, se 46 milionë nuk bëhet fjalë.

Po përsa i përket cilësisë së aktorëve?

Shqipëria ka aktorë shumë të mirë. Ajo që gjithmonë vihet re kur kam ardhur me të huajt, apo në festivale të ndryshme, aktorët shqiptarë janë ata që kanë marrë kupa.

Po bashkëpunimet me aktorët e rinj?

Aktorët e rinj janë gjithmonë një shpresë jetëdhënëse për teatrin. Është një gjak i ri, një vrull i ri dhe unë prandaj zgjodha të bëja “Elektrën” totalisht me aktorë të rinj. “Elektra” mund të bëhej në atë mënyrë vetëm me ato aktorë, sepse vetëm ato mund të sjellin risi dhe ndryshim në teatër.

Publiku shqiptar ju ka njohur me serialin “Dashuria erdhi nga larg”. Dashuria e vërtetë vjen nga afër, apo nga larg?

Dashuria vjen nga larg, se po ta kishe afër nuk do kërkoje (qesh). Kështu që në momentet që ti e takon një person, larg teje ka qenë gjeografikisht. Nga larg varet se, mund të jetë tek blloku përballë, qytetit më të afërt, apo në një shtet tjetër.

Çfarë do të thotë për ju dashuri e vërtetë, përpos dashurisë për profesionin?

Kur sheh një njeri dhe nuk mund të marrësh sytë nga ai njeri dhe biologjikisht ti thjesht mbetesh pa frymë, pëson një aritmi zemre dhe ndryshon mënyrën e rrahjes.

Me çfarë shfaqjesh po merreni momentalisht dhe cila do të jetë shfaqja më e afërt?

Tani gjatë verës jemi duke punuar për filmin e Mond Budinës, i cili do të xhirohet nga fundi i gushtit, pastaj është Tartufi që do të vazhdojë shfaqjet në Teatrin Kombëtar dhe jam duke përkthyer dy pjesë. Njërën po e dramatizoj e bazuar në romanin “Kush e solli Doruntinën” të Ismail Kadaresë që është një projekt i fituar me Ministrinë e Kulturës. Tjetra është Pelikani që po e përthej për ta vënë në skenë.

Së fundmi, cilat janë disa nga shfaqjet që do të donit të vinit në skenë si regjisor?

Për momentin do të doja shumë të vija Pelikanin e Strimbergut.

 

SHKARKO APP