Lajla Përnaska: Sot në politikë kemi velina dhe të fortë
Fernada Cenko
Vjen në një rrëfim ndryshe, mes politikës, aktivizmit civil, jetës familjare dhe dëshirave e objektivave të saj. Lajla Përnaska është një femër tipike e politikës në vend. Me një mal eksperiencash në kurriz, më së shumti jashtë vendit ajo u bë pjesë përfaqësimit femëror dhe në Kuvendin e Shqipërisë. E specializuar në Francë për mjekësi, e përfshirë hershëm në lëvizjen për barazi gjinore në shoqërinë shqiptare, në përgatitjen e kuadrit ligjor në këtë fushe, e angazhuar me reformën shëndetësore, në ruajtjen e shëndetit të fëmijëve e të rinjve në vëndin tonë… A mungon modeli i politikanes, sipas Lajlës sot në realitetin e Parlamentit, etiketuar shpesh si i “ të fortëve” dhe jo i “intelektualeve”? Si e sheh ajo këtë realitet dhe perspektivën e vendit? Lajla është e bindur se ky vend do bëhet dhe femrat, (me ato standarde që ajo vlerëson) mund të bëjnë shumë ndryshim.
Lajla ke kohë që ke bërë një tërheqje në politike, ku po angazhohesh?
Jam e angazhuar në një projekt me një Organizatë partnere të Këshillit të Europës, ku kam dhe eksperiencat dhe lidhjet e mia prej vitesh tashmë.
Është më mirë një këmbë jashtë politikës, të dyja brenda, apo asnjë në të?
Në fakt unë në çdo angazhim që përfshihem, e kam natyrën që, “o merrem tamam, ose fare”. Më pëlqen që gjërat t’i bëj seriozisht dhe me maksimumin e kohës dhe punës sime. Kështu që varianti “i pjesshëm” nuk përputhet tamam me profilin tim. Plus që politika dhe politikbërja tashmë janë profesioni im, që e kam zgjedhur që para 20 vjetësh, kur u shkëputa nga shërbimi klinik në shëndetësi (ku isha investuar gjithashtu maksimalisht) dhe vazhdova karrierën time në politikë dhe politikbërje. Edhe diplomimin tim në Francë e kam bërë në fushën e Shëndetit Publik dhe Politikave Shëndetësore.
Ke një eksperiencë të konsiderueshme në politikë, në c’gjëndje është parlamenti ynë?
Sot i madh e i vogël në këtë vend e kanë të qartë gjendjen e paprecedentë në parlamentin shqiptar. Në zgjedhjet e fundit parlmentare, sistemi zgjedhor proporcional me “lista të mbyllura”, prodhoi një përfaqësim, të kundërshtuar publikisht, duke sjellë deri në nevojën e “dekriminalizimit” të parlamentit. Nëse parlamentarët tanë do të votoheshin sot direkt nga populli, sa syresh do të fitonin?! Gjithashtu edhe niveli i përfaqësimit intelektual lë për të dëshiruar!
A është femra shqiptare e “aftë” për t’i mbijetuar politikës? Shumë deputete femra sot janë bërë të dhunshme në artikulim…
Nuk bëhet fjalë për “aftësi”, pa asnjë diskutim kapacitetet femërore plotësojnë, madje dhe tejkalojnë nivelet e politikës sot. Kjo është çështje që ka të bëjë me profilin individual të femrave, që futen në botën e politikës. Madje ka të bëjë më shumë dhe për rrugën, apo mënyrën se si përfshihen në politikë e për më tepër në Parlament. Nëse hyn bazuar ne kapacitetet e tua, me investim në kohë, duke ngjitur dhe shkallët hap pas hapi, sigurisht ke një tjetër status për të qenë vetvetja. Kur përdor rrugë të tjera që njihen si “katapultime”, apo me “lidhje të shkurtra” , ka më shumë gjasa që të bësh “ushtarin” për “t’i shërbyer parties, apo liderit” që ta kanë dhënë këtë shans. Madje sistemi i listave të mbyllura për përfaqësimin parlamentar e amplifikoi këtë fenomen. Edhe çështja e artikulimit besoj lidhet me profilin e individit. Një artikulim i dhunshëm është jo vetëm i shëmtuar , por edhe i papranueshëm në gjykimin tim! Madje këto janë edhe modele negative për brezat e rinj!
A kemi model femre në politikë, apo ende nuk kanë zgjedhur partitë një të tillë?
Ky realitet është kompleks. Partitë janë të interesuara t’i krijojnë hapësira femrave, për tre arsye kryesore, së pari kanë nevojë për votat e tyre (kontigjenti femëror është kontigjenti më serioz i votuesve në këtë vend). Së dyti, kanë nevojë për kontributin femëror në parti. Konfirmoj se, shumica e femrave kanë një angazhim serioz në jetën partiake, janë korrekte dhe të përkushtuara. Së treti është gjithmonë dhe trendi europian e botëror drejt një balance gjinore në politikë dhe partitë tona janë të interesuara të duken “moderne” dhe në këtë drejtim. Plus në Shqipëri ka ende dhe një shtysë të shoqërisë civile dhe faktorit ndërkombëtar në këtë aspekt. Lidhur me modelin femëror ai ngelet miks, nga femra politikane që kanë investuar në një karrierë të gjatë, duke ngjitur dhe shkallët e përgjegjësisë në mënyrë të natyrshme, në rastin e femrave që zgjedhin “të imitojnë burrat”, tek femrat që punojnë të sjellin një model personal ndryshe, si dhe një kontigjent femëror që mbetet “i heshtur”, pa lënë gjurmë në arenën politike. Po bëhet prezent në realitetin tonë dhe i ashtuquajturi modeli i "Velinave" !Kjo besoj në kuptimin si të profileve karrierash, që s’kanë asnjë lidhje me politikën dhe papritur, “rreshtohen në partitë politike”, ashtu dhe të rasteve “të katapultuara” dhe jo të investuara në karrierën politike.
Sot katapultohet në politikë, apo janë ato rrugët e gjata të kontributit?
Është për të ardhur keq, që rrugët e gjata të kontributit, shpesh janë zëvendësuar me atë të katapultave, apo “lidhjeve të shkurtra”, apo “grupe të interesit”. Kjo sigurisht ka sjellë deformime të forta të përfaqësimit politik brenda vetë kontigjentit femeror, që ndihet i përjashtuar, pasi nuk gjen veten tek kontigjentet e preferuar dhe të katapultuar nga Liderat Politikë!
Keni hyrë shpejt në politikë, ju pranoi Berisha lehtë për të qenë pjesë e ekipit?
Në fakt, profesor Berisha më ka zgjedhur pjesë të ekipit të tij që në moshën 19-vjeçare (Viti i I-re, Fakulteti i Mjekesisë) si Pedagogu ynë i Kardiologjisë, në një grup pune me tre studentë të tjerë (me rezultatet më të larta në mësime). Ai na bëri pjesë të punës së tij shkencore, duke realizuar një eksperiment të mirëfilltë shkencor (mbi patologjinë kardiake, Atheroscleroza) ku ne punuam deri në fund të studimeve të Fakultetit, duke qenë dhe udhëheqësi i Diplomës sime Universitare (1980-1985). Në politikë na bashkoi fakti që z. Berisha u bë Lider i Lëvizjes për Demokraci dhe i PD-së, ndërkohë që unë në të gjithë origjinën e familjes sime dhe në bindjet e formimin tim i përkas spektrit të Djathtë Politik. Edhe në politikë me profesorin kam pasur gjithnjë një marrëdhënie pune korrekte, madje është personi që njeh në detaje kontributin tim politik, si në opozitë edhe në pozitë!
Me qënien tuaj në parlament çfarë ju ke dhënë shqiptarëve?
Së pari një përfaqësim dinjitoz, duke ruajtur normat e moralit të një figure të pastër në politikë. Së dyti, duke investuar drejtpërdrejt të gjitha kapacitetet e mia profesionale në ligjbërje, në çështjet e shëndetësisë, të grave, fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve, përgatitja e Ligjeve për të miturit dhe të rinjtë. Së treti, një përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare dhe bashkëpunimin me organizatat partnere. Së katërti kam ndjekur dhe përfaqësuar në vazhdimësi çështjet së zonës elektorale dhe prioritetit të komunitetit të banorëve, Njësia Nr.2 në Tiranë. Së pesti, besoj se kam kontribuar dhe për ndërtimin e një modeli femëror në politikë, të pranuar nga shumica e opinionit publik sot.
PD ka marrë nga ty, apo ka dhënë?
Padiskutim është PD që ka marrë shumë nga unë dhe familja ime! Familja ime ka themeluar PD në lagjen tonë, ka kontribuar në vite në mbështetje të saj, plus kontributi im personal 20-vjeçar tashmë. Në një aspekt të thjeshtë, unë nuk kam pasur asnjë person të familjes sime, të punësuar në administratën e qeverisjes së PD, as ndonjë lloj “avantazhi” në angazhimin e tyre privat!
Jeni marrë më një sërë projektesh edhe për femrën në politike. Keni qenë e para që keni “instaluar” 30 përqind të femrave në vendimarrje. Ka pasur rezultat?
Ka qenë një betejë e gjatë që e kam nisur me kolegë të shoqërisë civile që në vitet 2000 dhe e kam vazhduar në Parlament, ku u finalizua me 2008 me ligjin për barazinë gjinore dhe futjen e kuotës 30%. Pa asnjë dyshim që ka dhënë rezultat. Pa kuotën do ishim ende në gjendjen skandaloze të 7% femra në parlament, ndërsa sot jemi në 22%. Kjo betejë vazhdon, por është qesharake kur dëgjon edhe politikane femra që shprehen “kundra kuotës”, se duket ndihen më “trendy” , apo më të sigurta në pozitat e tyre se, “kanë ardhur aty me merita e jo me kuotë”. Kjo është një çështje shumë e thjeshtë, mjafton që secila syresh më së pari të zbardhë rrugën personale se si është futur në politikë e në parlament, çfarë investimi paraprak ka bërë. Plus që kuota s’ka të bëjë aspak me futjen e femrave të paafta në politike. Por këtu është roli kyç i partive se si i përzgjedhin femrat, me çfarë kriteresh e me çfarë standartesh. Por kjo është një çështje tjetër sigurisht.
Për të drejtat e femrave ke marrë edhe Hillari Klinton në telefon. Kush ka qenë mesazhi?
Në fushatën elektorale të Bill Klinton në vitin 1996, zonja Klinton bëri një bisedë të hapur për të gjitha vendet e botes në studion e Zërit të Amerikës. Unë e kam ndjekur aktivitetin e saj dhe në atë rast insistova, derisa hyra në linjë dhe komunikova direkt me të. I shpjegova angazhimin tonë të kohës për të përmirësuar statusin e gruas në Shqipëri, si dhe në fushën e të drejtave të fëmijëve, që janë dhe fushat ku ajo ka qenë e angazhuar prej kohësh. Ne në atë kohë sa kishim filluar përgatitjen e Plaformës Kombëtare pas Konferëncës Botërore të Gruas në Pekin (1995) ku dhe znj. Klinton ishte pjesëmarrëse aktive. I kërkova mbështetje për lëvizjen e gruas në Shqipëri, duke e siguruar që do të ishte një moment historik për ne, nëse ajo një ditë do të vizitonte Shqipërinë. Në vitet në vazhdim me angazhimin tim civil dhe politik, unë kam pasur shansin të marr pjesë dhe të trajnohem në Institucione dhe Organizata të rëndësishme të SHBA-ve. Veçoj programin e trajnimit mbi Gruan në Politikë, (2004), nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku jam përzgjedhur nga Ambasada Amerikane në Tiranë si pjesëmarrëse në këtë program. Kjo ishte dhe një shtysë e fortë që unë të futesha në garën elektorale të vitit 2005, ku fitova mandatin tim e parë!
Politika seleksionon të forte, apo intelektual?
Formati i “të fortëve” që u amplifikua dhe me sistemin zgjedhor që kemi në fuqi, është e qartë tashmë së është bërë i papranueshëm nga shoqëria shqiptare. Duhet me domosdo që përfaqësimi në Kuvend t’i rikthehet profilit intelektual dhe të njerëzve më të kultivuar e më të denjë për të ushtruar këtë detyrë. Këtë më shumë se kushdo duhet ta kuptojnë liderët partiakë që i përzgjedhin këta njerëz.
Ka qënë Lajla një nxënëse e mirë?
Nxënëse absolute, e shkëlqyer me mësime, gjithnjë në tabelën e të dalluarve të klasës, shkollës, madje dhe të qytetit. Mësimi ka qenë pasioni më i madh për mua. Gjimnazin e mbarova me Medalje Ari në vitin 1980, Fakultetin e Mjekësisë me rezultate të shkëlqyera (1985). Specializuar në Francë për Mjekësi, kryer studime dhe në fushën e Integrimit Europian në Tiranë.
Çfarë sporvash ke kaluar gjatë jetës, kuptohet ato që kanë lënë më shumë gjurmë?
Nuk më janë ndarë sfidat. Çdo gjë e kam arritur më shumë punë e djersë, në asnjë hap të karrierës sime askush nuk më ka falur asnjëherë asgjë. Vetëm e kam fituar, me shumë investim.
Jeta të ka servirur mundësi, apo ti ke kërkuar nga jeta?
Mundësia madhore që më ka ofruar jeta është se jam lindur e rritur në një familje të mrekullueshme që ka qenë boshti dhe mbështeja kryesore për mua. Në punën time kam kërkuar vazhdimisht për të arritur objektivat e mia.
Si është marrëdhënia me djalin?
Një marrëdhenie unike në llojin e saj. Unë besoj se misioni më madhor që kemi në jetë është të kultivojmë pasardhës, me të cilët të tejkalojmë vetveten. Dhe ndihem më se krenare që unë e kam arritur këtë mision me tim bir. Ashtu siç janë ndjerë e ndihen krenare prindërit e mi me mua!
Sa ndikoni tek vendimarrjet e tij, meqënëse ju jeni shtylla kryesore për të?
Koncepti dhe mendësia ime në edukimin dhe mirërritjen e fëmijës është që atë ta asistosh në çdo hap, duke e lënë të lirë në zgjedhjet dhe përmbushjen e dëshirave dhe objketivave të tij. Këtë gjë e kam aplikuar që së vogli me tim bir dhe ju siguroj që është metodë suksesi.
Gjyshi ka pasur atelien e parë të Modës në vend, ke ndonjë dhuratë prej tij?
Po ai hapi së bashku me vëllezërit e tij atelienë e parë të Modës në Tiranë (1929), përballë parlamentit të sotëm që në atë kohë ishte pallati mbretëror. Unë e kam njohur atë dhe isha 10 vjeç kur u nda nga jeta. Kam fustanet që ai më ka qepur e vogël, kam edhe një fustan të nënës e të gjyshes sime.
Sport, klasike, moderne? Pa iu përgjigjur ambientit ku do jesh… me kë ndjehesh “ok” me veten?
Të treja stilet i përdor, por përshtatur stilit tim personal, me të cilin ndihem më rehat në çdo rast.
Blini shtrenjtë dhe rrallë. apo shpesh dhe lirë?
Në femrat e kemi garderobën dinamike se ndryshon më shpejt moda e veshjeve tona. Për të qenë gjithmonë me hapin e kohës, unë aplikoj variantin e freskimit të vazhdueshëm të veshjeve, por me nikoqirllëk. Nuk më pëlqen blerja e shtrenjtë, aq më tepër fiksimi pas firmave të ndryshme, që për më tepër në Shqipëri shumica e atyre që përpiqen t’i përdorin i kanë false!
Klasifikoheni tek femrat “maniake” të shopping?
Aspak, manjakllëku të dëmton në çdo aspekt që shfaqet. Shopping e kam relaks, për qejfin tim, por larg manive dhe fiksimeve të kota.
Vini nga një familje borgjeze, sa e lehtë, apo e vështirë ishte të bëjë jetë luksi në komunizëm?
Mundësia ishte zero. Ai sistem kontrollonte gjithshka, merrte gjithshka siç mori pasuritë e shumë shqiptarëve. Duhet të ruheshe nga gjithshka, se të ndalonin edhe për një fjalë goje me të famshmen “agjitacion e propagandë”. Duhet të jetoje sa më thjeshtë “siç donte Partia”. Ishte sistemi i nje barazitizmi fals dhe të sforcuar. Por sigurisht brenda mureve të shtëpisë përpiqeshim të ruanim pjesën më të mirë të kulturës dhe traditës familjare.
Kush është libri që do i riktheheshe shpesh?
Kam disa të tillë. Ka një periudhë që po rilexoj Xhek London. Më shumë më pëlqen t’i rikthehem për t’i përmirësuar, librave që kam shkruar vetë. Kam përgatitur materiale në formatin e njohurive dhe këshillave praktike, si libri, “Për fëmijën Tuaj” (1996), “AntiStres” (2004, 2009), Libri “Udhërrëfyes i adoleshencës”, 2006.
Të shkon në mendje të marrësh “arratinë”, duke thënë se Shqipëria nuk bëhet?
Këtë ndjesi e kam përjetuar në ngjarjet e çmendura të vitit ‘97. Por si shumica e shqiptarëve i rezistuam edhe asaj “dalldie” për të mos u larguar përfundimisht nga ky vend. Unë jam natyrë optimiste dhe e tillë dua të mbetem, prandaj po them se, “Shqipëria do bëhet”!
Konica ka thënë, “Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë” keni një kundërpërgjigje”?
Duam, s’duam, ne shqiptarët do e bëjmë Shqipërinë!