Leskaj: Mazhoranca e vendosur për dekriminalizimin

Nënkryetarja e re e Kuvendit, deputetja e partisë Socialiste, Valentina Leskaj, në një bisëdë në studion e Tema Tv, tha së çështja e integrimit të Shqipërisë në BE, nuk është vetëm çështje e qeverisë, por edhe e opozitës. Sipas Leskajt, opozita duhet të fitojë kohën që ka humbur për të luajtur një rol të rëndësishëm në këtë proces dhe të rikthehet drejt qasjes alternative. Duke komentuar çështjen e dekriminalizmit, Leskaj tha se mazhoranca është e vendosur ta çojë deri në fund këtë proces. Megjithatë, ky problem sipas saj duhet parë jo vetëm nga pikëpamja ligjore, por duhet të ketë edhe një standard moral. Leskaj deklaroi se në Asamblenë Parlamentare të PS, do të ketë një organizim të partisë, dhe kjo do të paraprihet me një faze diskutimesh, reflektimesh dhe analizash.

Nga Besmira Pelushaj

E nisim me zgjedhjen tuaj si nënkryetare e Kuvendit. Është ky një vlerësim për kontributin tuaj në partinë Socialiste dhe në Kuvendin e Shqipërisë apo lidhet edhe me rezultatin e Vlorës, aty ku ju udhëhoqët fushatën elektorale?

Në fakt, unë nuk do ta lidhja vetëm me rezultatin e Vlorës sepse unë kam pasur rezultate të mira në zgjedhje edhe më përpara, edhe në zgjedhjet Parlamentare të 23 qershorit kam pasur gjithashtu rezultat shumë të lartë në zonën time, por edhe në një territor më të gjërë ku kam mbuluar, duke qënë edhe e deleguar e kryesisë së partisë Socialiste. Natyrisht rezultatet e Vlorës ishin shumë të mira, por unë mendoj që tani u krijuan disa rrethana për të zgjedhur një nënkryetar të Kuvendit të Shqipërisë nga partia Sociliste për shkak se siç dihet zoti Dule dha dorëheqjen e parevokueshme duke u krijuar një mundësi. Natyrisht që grupi parlamentar dhe kryetari i partisë Socialiste bënë një propozim që e çmoj, por natyrisht që e shoh me shumë përgjegjësi.

Cili ka qënë bashkëpunimi i deputetëve socialistë në Vlorë, a ju ndihmuan apo pati dhe pengesa gjatë rrugës tuaj në fushatën elektorale të 21 qershorit, por edhe më 23 qershor të 2013-s?

Jo, nuk bëhet fjalë për pengesa por unë besoj se procesin e lehtëson dhe fakti që ka një organizim të strukturuar mirë në ndarjen e përgjegjësive të deputetëve në terrenNe kemi të parin në listën e qarkut të Vlorës, kryeministrin e vendit Edi Rama që natyrisht është e rëndësishme. E vërteta është se, ne si ekip deputetësh në qarkun e Vlorës kemi funksionuar gjithëmonë si ekip dhe ky bashkëpunim shumë i mirë na ka dhënë rezultat shumë të mirë si në zgjedhjet e 21 qershorit ashtu edhe në ato të 23 qershorit.

Ndërkohë në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë Socialiste është vendosur të mblidhet edhe Asambleja Kombëtare. Zoti Rama ka lajmëruar edhe më herët se do të ketë një organizim të partisë nga organizmat bazë deri në krye, në zgjedhjen e kryetarit. A do të paraprihet kjo me ndryshime në statut zonja Leskaj?

Së pari, unë dua të them së është mëse normale që mbasi përfundon një palë zgjedhje, të bësh analizë, edhe pse këto zgjedhje ishin shumë të suksesshme, pasi Partia Socialiste ka arritur një rezultat shumë të mire, ashtu si e gjithë Aleanca për Shqipërinë Europiane, çka unë do ta quaj edhe një konfirmim të reformave. Këtu duhet të hap një parantezë; Partia Socialiste përpara zgjedhjeve të 23 qershorit ka thënë që ne do t’i bëjmë reformat qoftë edhe me kosto, dhe në fakt reformat që janë bërë natyrisht që kanë një kosto. Shumë njerëz kanë menduar që kostot e reformave nuk do të jepnin këtë rezultat në zgjedhje. Por unë mendoj se është pjekuria në radhë të parë e popullit, pjekuria e votuesve tanë, të cilët i kanë mirëkuptuar reformat dhe kanë parë përtej interesave të ditës sepse në fund të fundit reformat japin një shtrëngim në fillim, por në qoftë se ne i shohim si afatgjtë natyrisht do të sjellin një rezultat. E kam fjalën jo vetëm për reformat që lidhen me energjinë, por e gjithë paketa që lidhet me uljen e informalitetit.  Edhe pse u mendua që këto reforma do të kishin një impakt jo pozitiv në vota, në fakt impatki ka qënë pozitiv. E dyta, unë mendoj që natyrisht është punuar seriozisht në fushatë, koalicioni ishte një koalicion i plotë, solid, që dha këtë rezultat. Lidhur me pyetjen për organizimin e Partisë. Pavarësisht rezultatit çdo forcë serioze politike reflekton, në të dyja drejtimet. Reflekton edhe duke parë përpara. Domethënë analiza që projektohet të bëhet për këto zgjedhje është një analizë e cila nuk është me vështrimin mbrapa, po një analizë me vështrimin përpara. E dyta, përsa i përket statutit nuk është një gjë e paravendosur në tavolinë, që ne do të bëjmë këto ndryshime në statut. Ne kemi filluar një proces, një proces analizash, diskutimesh, reflektimesh të cilat pastaj do të konvergojnë në konkluzione që mund të jenë pse jo edhe ndryshime në statut. Do të ketë një grup pune, i cili do të punojë komplet për reformën.

A do të votohet për kryetarin bazuar në parimin “një anëtar një vote”, apo do të njihet si një rikonfirmim në këtë post rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit apo dhe 21 qershorit?

Po ky proces që sapo përmenda nuk është një proces për kryetarin, dhe unë mendoj që nuk duhet fokusuar nëse do zgjidhet apo jo kryetari, sepse nuk është ky qëllimi i këtij procesi. Po flasim për një proces, nuk po flasim për zgjedhje konkrete, që natyrisht, ky proces do të na çojë edhe te zgjedhjet. Në fund të dhjetorit, siç është deklaruar, do të ketë një kongres të Partisë Socialiste dhe do të ketë zgjedhje për të gjitha forumet e Partisë Socialiste përfshirë edhe kryetari. Por, ajo që thashë në fillim, nuk bëhet fjalë thjesht dhe vetëm për një zgjedhje, por bëhet fjalë për një proces, i cili do të na ndihmojë për një riorganizim më të mire, më të suksesshëm për një hapje më të madhe të Partisë Socialiste, e cila ka qënë gjithmonë një parti e hapur model do të thoja në këtë pikëpamje. Ne, për shembull, në Vlorë e kemi filluar që gjatë fushtës elektorale.

 Ndërkohë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së është diskutuar edhe çështja e reformës në drejtësi. Është arritur tashmë një konsensus mes mazhorancës dhe opozitës për ngritjen e komisionit të reformës në drejtësi. Zonja Leskaj besoni se këtë radhë Shqipëria do të arrijë ta çojë deri në fund këtë reformë. Kujtoj që ky është kushti i panegociushëm i Brukselit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?

Natyrisht që është një kusht i panegociushëm, çka do të thotë që është një përgjegjësi shumë e madhe për forcat politike që të tregojnë seriozitetin e tyre dhe unë do të dëshiroja që opozita në këtë rast, të luajë rolin e saj, të marrë përsipër përgjegjësitë e saj, sepse në fund të fundit integrimi nuk është përgjegjësi vetëm e maxhorancës, sado e madhe të jetë ajo maxhorancë, sado vota të ketë në parlament, sado vota të ketë marrë në zgjedhje. Çështja e integrimit nuk është çështje e qeverisë. Çështja e integrimit është një çështje e të gjithë shqiptarëve ku opozita luan një rol shumë të madh dhe unë besoj se opozita do të fitojë kohën që ka humbur për të luajtur një rol të rëndësishëm në këtë proces, duke u bërë pjesë e zgjidhjes dhe jo pjesë e problemit. Shumë kollaj bëhesh pjesë e problemit, puna është si të bëhesh pjesë e zgjidhjes dhe unë besoj që në këtë rast, duhet ta uroj dhe shpresoj që opozita të jetë pjesë e zgjidhjes, jo vetëm në reformën e drejtësisë, që është një reformë kyçe e cila fillon me përgatitjen e bazës ligjore, e cila prek pothuaj gjithë institucionet e pavarura. Çështja e institucioneve të pavarura, është kyç për integrimin. Duke qenë që përfshihen që nga reforma kushtetuese, prokuroria, gjyqësori dhe të gjitha elementet që përbëjnë kyçin për shtetin ligjor. Unë besoj se opozita do ta shfrytëzojë këtë shans, për të luajtur një rol. Do jetë në radhë të parë në të mirën e vendit, por do të jetë edhe në të mirën e opozitës sepse unë besoj që nëse do të ketë një angazhim serioz për reformën në drejtësi dhe për një sërë reformash që janë në proces do të gjejë rugën e duhur, duke u kthyer në një alternativë sepse i ka munguar qasja alternative opozitës së sotme.

Duke mbetur tek mesazhet e rëndësishme të ndërkombëtarëve, zëvendës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland e ka vënë theksin në procesin e dekriminalizimit, edhe ky një proces shumë i rëndësishëm që po ndodh në politikën shqiptare. Cili është mendimi juaj, sepse duket sikur mazhoranca e ka ndaluar disi këtë cështje, e fokusuar në reforma të tjera të rëndësishme të integrimit, por në fakt këto të dyja shkojnë bashkë?

Jo vetëm këto të dyja shkojnë bashkë, por e gjithë paketa e reformave që ka të bëjë me 5 prioritetet, e cila po ecën paralel, sepse reformat nuk përfundojnë me miratimin e ligjit. Për fat të keq, ne jemi shquar në aprovimin e shpejtë të reformave por në zbatimin shumë të ngadaltë të tyre. Unë do të thoja me aq shpejtësi sa i miratojmë reformat, aq me shpejtësi i shkelim ligjet, po flas për kulturën e ligjit në Shqipëri dhe me kulturën e sundimit të ligjit në Shqipëri ka qënë një proces i vështirë. Përsa i përket procesit të dekriminalizimit ne kemi një vullnet të qartë dhe te fortë politik, për sa i përket dekriminalizimit jo vetëm në paralment, por edhe në administratën publike, kudo që të ketë. Nëse do më pyesni mua, unë jam për një qasje më radikale sepse në fund të fundit përfshirja ose mospërshirja e elementëve, të cilët kanë probleme me ligjin apo që edhe mund t’i kenë kapërcyer problemet me ligjin, është ligjore por edhe morale. Dua të jem më e qartë në këtë pikë, nëse një përson është angazhuar në një trafik të qënieve njerëzore apo një trafik të narkotikëve apo një lloj tjetër krimi të rëndë është e vërtëtë që mund të ketë mbaruar dënimin ligjor dhe mund të konsiderohet i pafajshëm, por për mua ka edhe një kriter moral. Pra, duhet të ketë edhe një standard moral, që ky njeri është i papërshtatshëm për të qënë në politikë, pavarësisht se ligjërisht e ka të drejtën që të konkurrojë dhe të zgjidhet. Për t’iu rikthyer qëndrimit tone, natyrisht që kemi një qëndrim të palëkundur përsa i përket dekriminalizimit dhe një vullnet për ta çuar përpara. Unë besoj që duhen bërë përpjekjet maksimale nga të dy palët për të gjetur gjuhën e përbashkët, pra në këtë pike, ajo që na bashkon është shumë më e rëndësishme nga ajo që mund të na ndajë. Ajo që na bashkon është e rëndësishme sepse ka të bëjë me fatet e vendit, ka të bëjë me integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane, ka të bëjë me legjitimitetin e politikës dhe çështja e legjitimitetit të politikës është shumë e rëndësishme. Për fat të keq, legjitimiteti i politikës shpesh për shkak të elementëve të caktuar vihet në diskutim. Ne duhet t’i rikthehemi debatit dhe diskutimit për legjitimitetin e politikës dhe në këtë rast një vullnet pozitiv për të luftuar për dekriminalizimin ndihmon në legjitimitetin e politikës.

 Dhe për të mbetur tek procesi i integrimit të Shqipërisë në BE. Zgjedhjet e 21 qershorit kanë qenë një test i rëndësishëm për integrimin, sa i arritën ato standardet duke pasur parasysh edhe kritikat e vëshguesve të OSBE/ODHIR-it në raportin paraprak?

 Natyrisht që ishin një test i rëndësishëm, duhet të ndjehemi shumë mirë për standardin që arritëm. Unë besoj se këto zgjedhje kanë arritur një standard të vlerësueshëm, që është vlerësuar jo vetëm nga ne, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Por çdo përpjekje për të mbyllur problemet e brendshme, duke tentuar për të bërë pis zgjedhjet, nuk është as shqiptare sepse në fund të fundit çdo përpjekje që bëhet për të bërë pis zgjedhjet, bën pis gjithë Shqipërinë. I duhet dhënë fund njëherë e mirë kësaj praktike, që për të justifikuar humbjen apo për të mbyllur problemet e brendshme që opozita ka sot, të tentojë që arsyen ta gjejë nga faktorë të jashtëm. Kjo nuk është në të mirë të vetë opozitës. Sa më vonë opozita t’i rikthehet reflektimit të brendshëm, analizave të brendshme, për të gjetur në mënyrën më të mirë të saj për tu sjellë si alterantivë, për të reflektuar, aq më mirë do të jetë për opozitën, aq më mirë është për vendin, aq më mirë është edhe për ne. E them me sinqeritet se nuk është mirë edhe për ne që të kemi një opozitë shumë të dobët. Në demokraci opozita është shumë e rëndësishme, duhet të luajë rolin e saj, dhe besoj që ky vend ka nevojë dëshpëruese që të ketë një opozitë të forte, konstruktive, që të dy palët ta çojnë vendin përpara.

Ju zonja Leskaj jeni pjesë e strukturave të larta të Asamblesë së Parlamentare të Këshillit të Europës, dhe keni më shumë informacione dhe të drejtpërdrejta. Sa ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë, në sytë e ndërkombëtarëve, në këto dy vite qeverisje të kësaj mazhorance?

Unë besoj që ka ndryshuar shumë, por nuk mjafton të thuash me një fjalë që ka ndryshuar shumë. Mjafton t’i referohesh raporteve të progresit të BE-së, se si ka evoluar dhe si është përmirësuar, mjafton të analizosh rolin që ka marrë Shqipëria edhe në Ballkan. Ajo që ka shumë rëndësi është që Shqipëria ka qënë një faktor stabiliteti në rajon, por është tjetër gjë që të jesh një faktor stabiliteti në rajon sepse nuk ke sulmuar njeri, nuk ke atakuar njeri, nuk ke trazuar vendet e tjera dhe është tjetër të kesh një rol të faktorit, stabilitet proaktiv. Dhe unë mendoj që Shqipëria ka kaluar në një rol aktiv të faktorit të stabilitetit, çka dëshmohet në të gjithë rolin që ka luajtur Shqipëria. Po t’i referohemi Samitit të Berlinit nuk është çështja që në Samitin e Berlinit, kryeministri shqiptar ishte ai i cili përfaqësoi rajonin në konferencën e shtypit, por Shqipëria u paraqit me një paketë propozimesh konkrete, nuk vajti me duar në xhepa, nuk vajti si dëgjues. Një paketë propozimesh është jetike për rajonin sepse ky rajon nuk mund të integrohet nëse nuk integrohet në vetvete. Dhe nuk mund të integrohet mes veti nëse minimumi nuk investohet në zhvillimin e infrastukturës. Infrastuktura është komunikim, bashkëpunim ekonomik, zhvillim dhe BE e vlerëson shumë sepse pavarësisht problemeve politike që ka pasur Shqipëria, pavarësisht problemeve politike që ka pasur rajoni, në fund të fundit BE është një bashkëpunim ekonomik. Nëse dimesioni ekonomik, i cili në fakt nuk ka qenë në axhendat e ditës, për shkak të problemeve të tjera që kanë dominuar axhendën e këtij vendi, në rastin konkret kur Shqipëria shkon në Berlin edhe me një paketë propozimesh qoftë edhe për një projekt ekonomik është shumë e rëndësishme, merr një rol në rajon. Nëse i referohemi vizitave të fundit sepse ne e dimë që më parë, shumë personalitete kanë kaluar në rajon dhe nuk kanë ardhur në Shqipëri. Natyrisht që vizitat e fundit janë një vlerësim, vizita e fundit e Schulz-it dhe Merkel-it janë vlerësuese, por ndërkohë edhe përgjegjësi për Shqipërinë, por edhe për arsyet e situates në të cilën ndodhet rajoni, sepse rajoni është një rajon i cili ka probleme që fillojnë që nga situata në Maqedoni, Bosnjën e ke një shtet të papërfunduar, deri tek kriza greke.

Për të mbetur tek kriza greke, së fundmi është miratuar një paketë e re për Greqinë në Bruksel. A mendoni se e shpëton kjo paketë Greqinë?

Së pari, është herët të flasësh që e shpëton përfundimisht. Është e vërtetë që vendimi u mor në Bruksel dhe ky vendim duhet përshëndetur sepse është një vendim i rëndësishëm edhe për shkak të vështirësive që kishte vendimmarrja, pa u kthyer mbrapa në histori, por edhe për shkak se janë të ndara vendet e BE. Edhe vendimi i djeshëm i Parlamentit megjithë percarjen edhe te vete Syriza-s është një hap i rëndësishëm po do ishte e tepërt që të themi që është kapërcyer. Natyrisht që 85 miliardë dollarëshi nuk i mbyll problemet e Greqisë, pasi Greqisë do t’i duhet kohë e gjatë që të rikthehet në situatën e dy viteve me pare. Në arsyetimin tim do t’i duhen rreth 6-7 vite për tu rikthyer në fazën që ishte para dy tre vitesh.

 Sa mendoni se do të ndikojë kriza greke në Shqipëri?

Natyrisht ka një efekt, por për fat të mirë edhe për shkak të masave që janë marrë për sa i përket bankave nuk do të ketë një efekt të madh, ka një efekt në remitancat por kjo duhet parë në dy plane. Do të thotë që do të kemi një rikthim të emigrantëve, nga njëra anë është një sfidë për të përballuar nevojat që emigrantët do të kenëpër arsim, për punësim, për shërbim shëndetësor. Ka disa zona në të cilat janë kthyer emigrantët dhe problemet që kanë të bëjnë me arsimin nuk është se kanë krijuar ndonjë shqetësim, por duhet parë ana tjetër e medaljes që pak vlerësohet apo diskutohet që këta njerëz vijnë me një eksperiencë, vijnë me një kualifikim të caktuar, vijnë me një kulturë punë të ekonomisë së tregut. Natyrisht shpresoj edhe me një sasi sado modeste kursimesh, që mund të kenë, që do të thotë mund të kontribuojnë në ekonominë shqiptare edhe duke punuar. Në fakt, emigrantët shqiptarë kanë një problem të madh, një problem i cili ka ngelur për dekada. Ne kemi filluar që në 2003-shin të negociojmë marrëveshjen me Greqinë për njohjen e periudhës së sigurimeve shoqërore të emigrantëve sepse janë emigrantë të cilët kanë punuar 10-15 vite në Greqi dhe që nuk u njihen vitet e punes për efekt të pensioneve, që do të thotë kthimi këtu i krijon një problem të madh për pensionet. Unë e kam ngritur edhe në debat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës që shqiptarët janë kontributorë të mëdhenj në financat greke. Janë kontributorë të mëdhenj sepse kanë paguar tatimet, taksat, kanë paguar sigurimet çka do të thotë që ata janë kontributorë, por që nuk kanë marrë dhe nuk marrin nga kontributi i tyre. Unë shpresoj që kjo marrëveshje është vazhduar edhe nga ministri aktual, pra edhe nga Veliaj edhe nga Klosi me shumë seriozitet, që kjo marrëveshje të përmbyllet sepse është shumë e rëndësishme, kjo mund të jetë një pengesë për emigrantët shqiptarë. Natyrisht efektet e krizës Greke ka rëndësi të analizohen, të vlerësohen, të llogariten dhe të menaxhohen mire, që vendi të mos ketë kosto, por mundësisht përfitime.

 

SHKARKO APP