Lëvizja për Universitetin: Synojmë bojkotin e mësimit, për të ndalur Ramën!

 

E përfolur dhe tepër e diskutuar, Reforma në arsimin e lartë, po has gjithnjë e më shumë në kundërshtimin e disa pedagogëve dhe studentëve. E miratuar nga Kuvendi dhe e kthyer pas nga Presidenti, Reforma në arsimin e lartë, sipas qeverisë duhet miratuar sepse është e nevojshme që të lërë pas të kaluarën e hidhur të shitjes së diplomave dhe të rrënimit të dijes. Kjo reformë brenda oborrit akademik ka përplasje, që tregon se ky i fundit ka shumë probleme për të zgjidhur në vetvete, sidomos sa i përket depolitizimit. Megjithatë, protesta e ndërmarrë nga ata studentë e pedagogë, pak apo shumë qofshin, është në të drejtën e saj dhe në asnjë rast ajo nuk i sjell asnjë dëm vendit.  Kriteri ekonomik nuk përmendet nga qeveria sesa i prek studentët, që në të vërtetë nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të vazhduare studimet dhe madje nuk jep asnjë zgjidhje sesi mund t’ia dalin ata mbanë. Një nga që drejtuesit e Lëvizjes për Universitetin shpjegon arsyet pse kundërshtohet reforma dhe se pse ata  nuk do të pajtohen kurrë me të. Sipas Arlind Qorit, pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale, kjo reformë jo vetëm që nuk sjell i asnjë anë pozitive sistemit arsimor në vend, por shkatërron përfundimisht edhe ato pak anë të mira që i kanë mbetur universitetin publik. – “Ne vlerësojmë se edhe universitetet private që kanë mbetur pa u mbyllur nga qeveria ndjekin të njëjtën praktikë si ato që u mbyllën kohë më parë. Universitetet private që kanë mbetur tani përdorin skema më fine dhe më të moderuara, me të njëjtin qëllim: për të diplomuar studentë kundrejt pagesës. Kështu, nuk mundet që ato të na sjellin cilësi dhe të privilegjohen dhe më keq akoma të barazohen me universitetin publik,” – thekson Arlind Qori, në një intervistë për “Koha Jonë”, teksa paralajmëron sot një protestë para kryeministrisë. Ai zbulon idenë që kanë mbështetësit e lëvizjes ku bën pjesë për të ndalur reformën. – “Synojmë që të ndërgjegjësohen sa më shumë të jetë e mundur studentë dhe pedagogë, që të bojkotohen mësimi derisa kjo reformë të mos kalojë,” – thotë Qori  ndër të tjera:

Arlind, përse kundërshtohet kaq fort reforma nga ana juaj?    

Reforma ne mendojmë se jo vetëm që nuk sjell asgjë të mirë, por prish edhe ato pak anë pozitive që i kanë mbetur universitetit publik. Ajo është një reformë që kërkon t’iu vijë në ndihmë universiteteve private që kanë mbetur dhe që nuk kanë ndonjë ndryshim të madh me ato që u mbyllën. Janë hapur për të njëjtin qëllim dhe funksionojnë me standarde gati të njëjta.  

Përse atëherë qeveria kërkon t’i financojë këto universitete?

Për arsye klienteliste, që të shpërblejë klientët e saj. Fondet tani do të jepen edhe në emër të universiteteve private. Por duhet të dimë se paratë që jepeshin deri tani nga  qeveria për universitetin publik ishin të pamjaftueshme. Ligji nuk garanton më ekzistencën e universitetit publik, aq më pak që të rrisë cilësinë apo të sjellë ndonjë gjë pozitive, në të ardhmen.

Po universiteti publik a mendoni se ka probleme për të zgjidhur në vetvete dhe a pajtoheni ju me to?

Sigurisht ka, dhe kurrsesi nuk pajtohemi. Ne nuk mund të pajtohemi me burokracitë që burojnë nga politika. Jemi kategorish kundër. Jemi kundër çdo fenomeni negativ dhe i luftojmë ato. Nga rektorët, dekanët, shefat e departamenteve, pedagogët dhe deri te sekretaret e fakulteteve, ne jemi kundër çdo veprimi apo sjellje burokratike nga ana e tyre. Kundër çdo forme korrupsioni. Prandaj kërkojmë të ndërgjegjësojmë studentët dhe pedagogët e ndershëm që të bashkohen dhe të protestojnë qoftë ndaj këtyre fenomeneve, qoftë ndaj reformës për ta ndalur atë. Jemi pra, për një universitet më të mirë publik, në shërbim të publikut. Dhe jemi ne ata, studentë e pedagogë që duhet ta ndryshojmë atë, jo politika.   

Ministria e Arsimit, çfarë kriteresh ka përcaktuar, si do të masë cilësinë dhe si do t’i shpërndajë fondet?

Ka krijuar një agjenci monitorimi. Agjencia që do të varet nga Ministria e Arsimit, përcakton fondet dhe i ndan ato.  Por universitetet private e dimë të gjithë se afrojnë diploma kundrejt interesit financiar. Do të thotë se ato nuk e ndajnë cilësinë dhe nuk janë aspak të interesuara për të. Ato nuk i përgjigjen kërkesave të shoqërisë dhe nuk afrojnë dije. Janë biznes i mirëfilltë dhe  janë të interesuara për të bërë biznes. Agjencia në fjalë që varet nga ministria, përbëhet nga njerëz politik. Anëtarët e saj  nuk janë të aprovuar apo miratuar nga parlamenti me konsensus që të mbrojë interesat e publikut. Kjo e fundit sheh interesa klienteliste, çka do të thotë se ngjall dyshime të mjaftueshme për një skemë të pastër në favor të një klientele të caktuar.      

A ka masivitetin e duhur protesta e Lëvizjes për Universitetin për të bindur publikun që është në të drejtën e saj?

Ne duam që në universitetin publik, pedagogët dhe studentët të bashkohen dhe të punojnë për të nxitur dije e për të luftuar çdo fenomen negativ që na rrethon. Po shtihemi edhe në universitete të tjera publike, Durrës, Elbasan dhe Shkodër, që të ndërgjegjësohen edhe studentë e pedagogë të rretheve pasi edhe ato janë publike, por në fokus protesta do të jetë në Tiranë.  Në Shqipëri, problem qëndron kultura e protestës. Njerëzit e kanë të vështirë të ngrihen dhe të protestojnë që të kërkojnë të drejtat e tyre. E kanë të vështirë të ngrihen dhe të kundërshtojnë sidomos qeverinë. Ne synojmë pikërisht që t’i ndërgjegjësojmë ata, kur preket interesi i publikut. E kemi detyrim në radhë të parë, sepse nëse nuk e bëjnë këtë studentët, atëherë nga kush duhet të presim.        

Pse vendosët që të protestonit duke qëlluar me vezë edhe kryeministrin pak ditë më parë?

Ne morën vesh atë ditë që kryeministri do të vinte në fakultet. Dhe u organizuam rastësisht që të protestonim dhe të reagonim në atë formë, që t’i tregonim se ai është i padëshiruar. Vezët u përdorën simbolikisht si formë për të protestuar dhe për të pasur impakt në publik. Dhe ia arritëm deri diku qëllimit.  Për protestuam edhe për të larguar frikën nga studentët dhe pedagogët që të binden, se nëse ne arrijmë ta kundërshtojmë në këtë formë kryeministrin, ata nuk duhet të jenë të frikësuar të bashkohen nismës sonë. Ka shumë të tjerë që na mbështesin por kanë frikën se mund të humbasin vendin e punës apo se familjet e tyre mund të ndëshkohen nga qeveria. Prandaj duhet t’i bashkohen nismës sonë për të protestuar, me qëllimin e mirë të triumfojnë të drejtat tona, pra të studentëve dhe të pedagogëve, për një universitet më të mirë në shërbim të publikut që sigurisht do të jenë ai publik.

Cilat do të jenë hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren?

Do të protestojmë, deri sa ta ndalat  reforma. Synojmë që të binden edhe studentë dhe pedagogë të tjerë dhe të shkojmë deri në bojkot të mësimit në universitet dhe besojmë se qeveria atëherë do të jetë e detyruar të dëgjojë më mirë zërin tonë.

 

Arlind Qori: Pse duhet sot të protestohet!

“Unë nuk jam i korruptuar. E kam fituar vendin e punës me djersë dhe nuk kam frikë të protestoj. Edhe studentët e lëvizjes sonë janë studentë shumë të  mirë dhe nuk kanë frikë të protestojnë për të drejtat e tyre e të publikut.”    

 “Nga 20 për qind e përfaqësimit të studentëve, shifra ra në 10 për qind. Ne synonim që kjo shifër të arrinte në 50 për qind. Pra, përfaqësimi dhe dëgjimi i zërit të studentit po shkon drejt shifrës zero.” 

“Lëvizja jonë nuk ka bindje politike. Ka filluar në vitin 2011, kur qeveria e kaluar pati ndërmend të niste një reformë të ngjashme. Lëvizja u krijua që të kundërshtonte atë dhe prandaj dështoi pa nisur.”

“Studentët e Bachelor paguajnë rreth 300 mijë lekë (të vjetra) në vit. Për Master ata duhet të paguajnë mbi 1 milion lekë, çka është e papërballueshme nga shumë familje shqiptare dhe  nuk mendohet për ta.”

“Qeveria ka për qëllim që me rritjen e kuotave në publik, t’i detyrojë studentët që nga viti në vit të largohen te privati. Ky është qëllim jo dashamirës ndaj edhe duhet kundërshtuar fuqishëm.”

“Universitetet private nuk kanë qëllime të tjera përveç fitimit. Ata diplomojnë çdo student që u paguan tarifat (me skema më fine ) dhe nuk i japin llogari shtetit, ndaj dhe nuk mund të barazohet me publikun.”

Nga Aranit Muraçi

 

SHKARKO APP