Liljana Elmazi: Aleanca e PS solli plagën e vjetër eksodin masiv

 

Fernada Cenko

Deputetja e Partisë Demokratike e qarkut Vlorë, Liliana Elmazi është ndalur në eksodin e shqiptarëve drejt vendeve të BE-së edhe kryesisht Gjermanisë. Duke ju kërkuar mirëkuptimin për të mos u larguar ajo e drejton gishtin e fajësisë nga qeveria e cila e kantandisi shtetin, sipas saj, të varfër. Duke komentuar zgjedhjet e 21 Qershorit ajo ka besim se qytetarët shqiptarë dhe kryesisht ata vlonjatë do të votojnë djathtas duke dhënë edhe argument. Ajo thotë se ka qenë Vlora qyteti i parë që u vendos tritoli në rrëzimin e ndërtimeve me leje. Ndaj në këtë kontekst ajo kërkon që qytetarët të votojnë djathtas në këto zgjedhje, duke mos u cilësuar më si dele që orintohen nga barinjtë.  

Znj, Elmazi kush janë shkaqet e këtij “eksodi” që po ndodh në vendin tonë?

Eksodi që po ndodh është pasojë e varferisë së tejskajshme, mjerimit që ka kapluar vendin, por edhe si mungesa e perspektivës për këta njerëz, të cilët tashmë kanë humbur dhe shpresën se do bëhet më mirë. Shqiptarët po ikin sepse varfëria është pesëfishuar, numri i shqiptarëve që jetojnë me 1 dollarë në ditë është pesëfishuar, është rikthyer në gjendjen ku ishte në vitin 2005. Premtimi i 300,000 vendeve të punës e ka rritur papunësinë nga 13.4% që ishte në 18% sot, sipas INSTAT, ku  mbi 34%  e të papunëve janë të rinj. Dhe këtu shihet prapë gjurma  e zezë e ministrit të rinisë. Ata dinë vetëm të mbyllin vende pune. Me taksat e larta, me tritolin qeveritar, me marrëzi të panumërta që ndërmarrin çdo ditë saqë edhe ministria e muratorit po konsiderohet si armë pa leje. Eksodi është prova më e re e pashpirtësisë, arrogancës, arbitraritetit dhe dhunës qeveritare ndaj qytetarëve. Tetë mijë ndërtime të ligjshme, apo ne proces legalizimi, kursimet e një jetë për mijëra shqiptarë, janë bërë pre e fadromave dhe tritolit të shkatërrimit qeveritar, ndërkohë që sarajet e kështjellat e pushtetarëve lartësohen, madje dhe ruhen nga policia e shtetit siç është rasti i vilës së ministrit në qendër të Tiranës. Tridhjetë e tetë mijë shqiptarët janë ndaluar nga policia partiake, sepse nuk kanë të paguajnë energjinë. Madje tashmë me një ligj të ri qeveria do t’u konfiskojë dhe shtëpitë shqiptarëve që nuk kanë të paguajnë energjinë dhe kanë një detyrim ndaj OSHEE-së mbi 150 mijë lekë. Në cilin vend demokratik keni dëgjuar se ndodh kjo? Kur dihet që është në shkelje flagrante me Kushtetutën e Republikës. Por nuk është e re paligjishmëria dhe shkelja e kushtetutes nga kjo qeveri: sot ajo kërkon të ketë në duart e saj të gjitha pushtetet, gjë që është kritikuar edhe nga ndërkombëtarët. Është e pamundur që në një vend të ketë një eksod të tillë masiv thjesht se njerëzit kërkojnë një jetë më të mirë. Thjesht kjo kërkesë nuk mund të shkaktonte eksod të këtyre përmasave. Eksodi është zhgënjim i thellë dhe i pakthyeshëm i qytetarëve me qeverinë e premtimeve të mëdha, fjalëve të mëdha dhe rezultateve zero dhe minus.  Këta njerëz lënë vendin e tyre duke braktisur gjithçka, sepse ata nuk shohin “dritë  në tunel”. Eksodi është vdekja e shpresës se gjerat mund të ndryshojnë për mirë me ketë qeveri. Asnjë kantier i vërtetë që do të shërbente të mirën publike. Bizneset mbyllen, investitorët e huaj largohen, madje dhe ata vendas po investojnë në Kosovë e Maqedoni. Lulëzojnë vetëm investimet e luksit dhe korrupsionit që thellojnë dita-ditës hendekun tashmë kolosal midis oligarkëve dhe qyetarëve. Asnjë reformë reale në letër apo në horizont, asnjë pritshmëri  pozitive që do të zbuste sadopak sakrificën e zgjatur dhe padurimin e qytetarëve në vështirësi. Prognoza është po ajo që kemi nënvizuar vazhdimisht në takimet tona: përkeqësim dhe rënie. Sot më keq se dje, nesër më keq se sot. Ky është realiteti i dhimbshëm shqiptar sot, meritë e qeverisjes fatkeqe të majtë këto 20 muaj… .

Kush është “ilaçi” për këtë “sëmundje”?

Është e rëndësishme që për të ndalur këtë eksod, njerëzit të kuptojnë që kanë një perspektivë më të mirë në këtë vend. Kjo alternative qeverisëse i kthehu këta njerëz nga varfëria në mjerim dhe mbi të gjitha u hoqi shpresën për një të ardhme më të mirë.  Thirrja që ne u bëjmë qytarëve  të tunduar nga ideja e eksodit si dhe mbarë qytetarëve të tjerë të vendit  është ta kërkojmë, ta gjejmë dhe ta  vendosim  zgjidhjen  e problemeve  tona këtu,  me mjetet e fuqishme  që disponon demokracia, me fuqinë e  votës së lirë, me magjinë e zgjedhjeve të lira. Me votë të lirë, që këtë herë, që më 21 qershor, do të diktojmë  uljen e çmimit të energjisë elektrike, uljen e çmimit të karburanteve, uljen në maksimumin e mundshëm të taksave vendore, shfrytëzimin maksimal  dhe administrimin efikas të burimeve vendore për punësim dhe zhvillim. Shqipëria ka resurse  për të mbajtur e prosperuar dyfishin dhe trefishin e popullsisë së saj, mjafton që këto resurse të vihen në punë dhe të shfrytëzohen me dashuri, me përgjegjesi, me inteligjencë, me profesionalizëm. Shqipëria, për nga natyra dhe pasuritë është e bekuar nga Zoti, ndaj dhe në 21 Qershor duhet të bekohet edhe me votën e shqiptarëve, me një qeverisje lokale që është e qytetare dhe punon për ta. Unë shpresoj dhe besoj shumë në këtë. Kur gjërat shkojnë ku nuk mban më, siç po shkojnë, nuk mund të ikin e nuk duhet të ikin qytetarët. Duhet të ndalet qeveria, duhet të ikë qeveria. Ikja e qytetarëve është triumfi i së keqes. Largimi i së keqes me votë të lirë është fitorja e qytetarëve. Megjithëse vendor, mesazhi i këtyre zgjedhjeve do të jetë vendimtar për rrugën që do të ndjekë Shqipëria në vijimësi. Ne do ti fitojmë zgjedhjet e 21 Qershorit për të nisur që me këto zgjedhje rikthimin e shpresës dhe ringritjen ekonomike e shoqërore. Oferta jonë është ekipi i kandidatëve për kryetarë bashkish dhe këshilltarë vendor, që përfaqësojnë vlerat më qytetare, më komunitare, më profesionale. Kandidatët tanë angazhohen se në administratat vendore nuk do të ketë vend për të inkriminuar, por vetëm për profesionistë. Ata janë oferta jonë anti-krim dhe dekriminalizuese. Kandidatët tanë zotohen se do të jenë 24 orë në shërbim të qytetarit, se do dëgjojnë zërin e çdo qytetari, hallin dhe problemin e kujdo, pa dalllim politik apo lokalist. Përballë kemi shërbëtorët dhe zgjatimet e dyshes oligarke Rama-Meta, që do të duan të  jenë oligarket e vegjël në bashkitë e zmadhuara të vendit, të shurdhët për hallet dhe problemet e tyre. Oferta jonë është kujdesi me përparësi për qytetarët dhe familjet në nevojë, për ata që jo vetëm janë harruar, por edhe janë goditur më rendë egërsisht dhe arbitraisht me gjoba, taksa, fatura, prishje të shtëpive e bizneseve të vogla nga dyshja oligarke Rama-Meta e që sot po marrin, të pashpresë arratinë nga Shqipëria. Përballë kemi kopjet lokale të dyshes Rama-Meta që, njësoj si padronet e tyre në nivel kombëtar, do të sillen nesër në nivel vendor. Oferta jonë është zotimi solemn për mosrritje të taksave dhe tarifave, për uljen e tyre kudo e kurdo që kjo është e mundur.  Kur ne të fitojmë zgjedhjet vendore, atëhere e vetmja mënyrë për të ndalur eksodin dhe për të shpëtuar vendin nga një qeveri të cilën tashmë shqiptarët e quajnë, “fatkeqësi kombëtare” janë zgjedhjet e parakohshme ku shqiptarëve do t’u kthehet shpresa për të ardhmen.

Edhe në kohën e PD ka pasur kërkesa për azilkërkues për shkak të pakënaqësisë së qeverisjes, mos ndoshta po e vini gishtin gabim?

Kërkesa për azil është tjetër gjë dhe eksodi masiv që po shofim ditët e fundit është tjetër gjë. Edhe nga vendet më të pasura se Shqipëria ka njerëz që zhvendosen në vende të tjera për një jetë më të mirë. Por këtu kemi të bëjmë me një eksod masiv, me zona të tëra që po boshatisen, lagje e fshatra të tërë nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë. Kjo ndodh vetëm kur njerezit vërejnë se po u kërcënohet ekzistenca dhe janë të gatshëm të bëjnë çdo sakrificë për të lënë vendin. Eksodet masive në histori ndodhin vetëm në rast lufte (siç po shohim nga disa vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore) ose në rastet kur pllakos mjerimi dhe njerëzit shohin si të vetmen alternative largimin me çdo çmim (ky është rasti i Shqipërisë së sotme). Kanë ndodhur edhe në 90-91 për tu larguar nga rregjimi komunist. Por për vite me radhë Shqipëria po bëhej, po zhvillohej ekonomia dhe demokracia. Kishim arritje e suksese, të vlerësuara edhe ndërkombëtarisht. U dhamë shpresë shqiptarëve jo me fjalë, por me vepra se Shqipëria mund të bëhet dhe ia arritëm kësaj, por  as dy vjet të kësaj qeverisje na kthyen plagën e vjetër, eksodin masiv.

Si i vlerësoni kandidatët e djathtë në këto zgjedhje?

Partia Demokratike dhe koalicioni që ajo drejton, kanë bërë përzgjedhjen më të mirë të mundshme të kandidatëve për zgjdhjet lokale, duke ju ofruar qytetarëve njerëz me integritet të lartë, me përvojë në administrim dhe me vizionin e duhur për të shndërruar bashkitë ku kandidojnë, ndërkohë që koalicioni qeverisës kanë ofruar edhe persona me rekorde kriminale. Shqiptarët do votojnë PD-në dhe koalicionin tonë, sepse jemi e vetmja forcë që mund të ngjallim shpresën për ta bërë këtë vend. Kryetari Basha që prej dy vjeteve kur erdhi në krye të partise ka treguar se është një lider europian vizionar që mendon e punon për shqiptarët.

Përballja në Tiranë si ju duket? Mendoj që përveç arsyetimit politik të kemi edhe një qëndrim qytetar?

Partia Demokratike ka kandiduar në Tiranë një njëri me reputacion në qytet dhe jo vetëm, me përvojë të gjatë profesionale dhe manaxheriale, qe ka mbajtur poste të rëndësishme gjatë karierrës së tij dhe që ka dëshmuar gjatë gjithë punës së tij se është i përkushtuar në punë dhe udhëhiqet nga dashuria për njerëzit. Halim Kosova është kryebashkiaku që Tirana ka nevojë sot për të bërë të mundur transformimin e madh që Tirana meriton. Përballë z. Kosova është kandidatura më e keqe që mund të ofronte e majta: ministri jo i Mirëqënies Sociale, por i asaj personale. Ministri është bashkëautor  për varfërimin dhe mjerimin e shqiptarëve në skemën shkatërrimtare ekonomike sociale të aplikuar që prej dy vjetesh, skemë që la pa kafshatën e bukës mbi 20 mijë familje realisht në nevojë, sepse ministri i hoqi nga ndihma sociale vetëm pse iu gjendet një karrige e një tavolinë në shtëpi dhe kur gjen tavolinë e karrige nuk kualifikohesh më për ndihmë ekonomike, sepse duhet të jetë si në mesjetë që të përfitosh ato 16 mijë lekë të mjera që merr sot një pakicë njerëzish, ndërkohë që fatura minimale e energjisë është 35 mijë lekë dhe po s’pate ta paguash, çfarë të pret?! Burgu natyrisht. Nga ana tjetër nuk mund të mohojmë faktin që këto zgjedhje do të kenë dhe një ngarkesë politike pavarësisht faktit se janë zgjedhje lokale. Gjatë këtij një vit e gjysëm të qeverisë së majtë edhe Tirana, ashtu si gjithë Shqipëria ka vuajtur pasojat e keqqeverisjes së majtë, të dhunës dhe arbitraritetit që ka sunduar në gjithë vendin dhe natyrisht kjo është koha e duhur për ti treguar me votë kësaj qeverie se është koha për ndryshim.

Vërtetë ka një ‘alarm’ për vjedhje vote? Nga e keni këtë informacion?

Kjo qeveri ka dhënë prova që nuk e njeh votën e lirë, ajo di vetëm ta marrë me mashtrime, me “të fortë”, shumë herë të inkriminuar, apo dhe me para. Rasti i Korçës është një rast flagrant që tregon se e majta në pushtet është e gatshme që paratë e fituara në mënyrë abuzive me tendera, kontrabandë dhe çdo lloj mënyrë të paligjshme, t’i hedhë në fushatë për të blerë votat e qytetarëve.

Përballja në Vlorë do të jetë e vështirë? E majta ka mandate që ka fituar aty?

Vlora është një qytet që ka votuar disa herë edhe për të majtën edhe për të djathën, nuk është se kemi parë në Vlorë gjatë këtyre 23 vjet demokraci që Vlora të mos ndryshojë, pavarësisht situatës të krijuar dhe alternativave që ofrohen. Gjithsesi nuk duhet të harrojmë diçka, që statistikat e votimeve të mëparshme nuk mund të jenë garanci për votat e ardhshme. Situata e sotme është shumë dinamike në përgjithësi dhe faktorët ekonomik, sociale, politike, etj ndryshojnë shumë shpejt dhe ekulibrat politike. Gjithashtu janë të ndryshueshëm. Ndërkohë të gjithë janë në dijeni që Vlora ka qëne shembulli me ekzemplar i papërgjegjshmërisë së qeverisjes së majtë, ku dhuna dhe terrori qeverisës kanë krijuar një gjendje të mjerueshme edhe pse qyteti dhe zonat përrreth ofrojnë mundësi të shumta për biznes. Para më pak se dy muaj, 137 banesa ne lagjen Kushtrimi, edhe pse ishin me leje apo në proces legalizimi, shumica të ndertuara para viteve ‘90 u bënë shkrumb e hi me fadromat qeveritare dhe banorët: pleq, plaka, fëmijë u lanë në qiell të hapur. Vlora ishte i pari qytet në vend që njohu tritolin qeveritar në bizneset me leje të vlonjatëve. Vlora, më shumë se çdo qytet tjetër është prova e qartë e dështimit të kësaj qeverie të paaftë e të papërgjegjshme. Kandidati që ne kemi ofruar është nga një familje e nderuar vlonjate që e do Vlorën e do punojë me përkushtim e ndershmeri për vlonjatët. Ai përfaqëson shpresën për vlonjatët, ndaj do t’ia besojnë manaxhimin e qytetit, tashmë të shkatërruar nga qeverisja e majtë edhe në pushtetin lokal.  

Ju çfarë funksioni do të keni për zgjdhjet në Vlorë?

Së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, z. Ristani po drejtojmë fushatën për zgjedhjet lokale në Vlorë. Kam besim që Vlora, ashtu si pjesa më e madhe e vendit, në 22 Qershor do te gdhihet “blu”, si ngjyra e detit që i ri karshi dhe si e qiellit të pastër e pa re. Kjo është ngjyra e PD-së, e demokracisë, kjo do të jetë edhe e Vlorës pas 21 qershorit.

Do i lëhtësojë apo do i vështirësojë harta e re këto zgjedhje?

Shqipëria po shkon në këto zgjedhje vendore me një hartë që nuk i afron, por  priret t’i  largojë  deri në moskomunikim qytetarin dhe komunitetet  nga pusheti vendor. Ne refuzuam hartën  e  ndarjes së re  administrative me dy argumente bazë: e para sepse duhej bërë me parë  ligji i decentrazimit dhe mandej harta, së dyti sepse vetë harta e krijuar në projeksionin e shtrirjes së oligarkisë qëndrore në çdo njësi të qeverisjes së re vendore ka shdukur komunitete vendore në më shumë se gjysmën e territorit kombëtar, duke i hequr pushtetit vendor një pjesë të rëndësishme të kuptimit që ai ka në demokraci.  Mirë hartën oligarkike e kaluan në refuzimin kostant të konsensuit me opozitën, po ligjin e decentralizimit ku e kanë? Ku e kanë ligjin për të cilin u përbetuan  aq shumë  vitin e  kaluar? Nuk e kanë, mashtruan pa u skuqur si për sa e sa premtime dhe përbetime të tjera pa doganë. Shqipëria po shkon në këto zgjedhje pa një ligj adekuat me hartën e re që do të siguronte autonominë e nevojshme vendore sipas standarteve europiane. Në thelb, qeveria Rama-Meta, ka hedhur në votim në këto zgjedhje, me paturpësinë më të madhe, zhdukjen e pushtetit vendor si një arritje e njëzet e pesë viteve të demokracisë. Qeveria ka ftuar qytetarët, me paturpërsinë me të madhe gjithashtu, të votojnë me duart e tyre shdukjen e një kolonë të madhe të lirisë, siç është pushteti vendor.  Kjo është e verteta. Gjithsesi, hartat elektorale apo ligjet zgjedhore janë teknikalitete që nuk mund të ndryshojnë rrjedhjen e ngjarjeve. E rëndësishme në këto zgjedhje është fryma e përgjithshme e besimit që partia demokratike ka krijuar te qytetarët, alternativa qeverisëse dhe kandidatët e përzgjedhur. Këto janë faktorët kryesor që ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa metodat e ndjekura nga qeveria për të krijuar avantazhe në zgjedhje nëpërmjet ndryshimeve ligjore, thjesht tregojnë që kjo qeveri nuk ka bilanc të ballafaqohet me qytetarët dhe është në panik nga fryma e përgjithshme antiqeveri që ekziston në vend.

Basha gaboi me aleatët?

Nuk bëhet fjalë këtu për aleat apo gabim. Të gjithë shqiptarët e panë se ata që u larguan nga koalicioni me PD nuk është se morën më shumë nga PS-ja, madje morën dhe më pak. Thjesht ata lëpinë kockën që ju hodhi qeveria dhe asgjë më tepër. Natyrisht që dhe krijimi i një koalicioni që përfshin nga komunistët te ish të përndjekurit, nga islamikët te domokristianët e me rradhë është përsëri shprehje e panikut, që thash dhe më lart, që ka kapur qeverinë dhe që e ka bërë këtë të fundit të bëjë lëvizje kaotike edhe për sa u përket aleancave. Siç e ka theksuar dhe kryetari Basha, Partia Demokratike është në aleancë me qytetarët, pasi ata janë sovrani në këtë vend.

Mendoni se do ja dilni përballë një kundërshtare me dyfishin tuaj?

Numri i partive nuk përkthehet në numër votash automatikisht. Shqiptarët nuk janë dele që ti drejtojnë barinjtë ku të duan. Shqiptarët janë qytetarë që kërkojnë një jetë më të mirë, kërkojnë siguri për vete dhe familjet e tyre, kërkojnë një sistem demokratik ashtu siç e meritojnë, të tjerat janë numra që shumëzohen me zero.

Cili është mesazhi juaj në këto zgjedhje? 

Uën shpresoj që këto zgjedhje të zhvillohen në një klimë të qetë, tolerante, të jenë me të vërtetë të lira dhe të drejta. Mesazhi im është që të gjithë qytetarët të dalin në zgjedhje, dhe me votën e tyre të lirë të votojnë për kandidatët e opozitës si alternativë më e mirë për ata vet, familjet e tyre dhe bashkitë ku ata jetojnë, sepse kështu votojnë për Shqipërinë, për të kthyer shpresën se ajo mund të bëhet… .

 

SHKARKO APP