Linda Rama:Zaho erdhi, kjo ishte dhurata më e mirë për ne

Është gruaja e Edit dhe jo e Kryeministrit. Kështu e quan veten Linda Rama, teksa pas 4 vitesh nga dalja e fundit në ekran si e intervistuar, u rikthye dje në emisionin “E diell”, në Top Channel. Përballë moderatorit Alban Dudushi, ajo ka treguar jetën e saj në krah të Edi Ramës, ndryshimet e këndshme në familje pas ardhjes në jetë të Zahos, marrëdhëniet me miqtë etj.

Ndërrimi i viteve pritet që ta gjejë çiftin kryeministror edhe me shtëpi të re, ku do të jenë të mbledhur të tre fëmijët: Gregu, Rea dhe Zaho. Para se të fillonte intervista, “E Diell” transmetoi një video me gratë e kryeministrave të shteteve të ndryshme, të modeleve që ato kanë ofruar në krah të të shoqit. Po Linda Rama, si është në krah të Kryeministrit? Ndiqni çfarë tregoi vetë ajo në emision, në mënyrë të përmbledhur…

Pyetja e parë që vjen: Si është Zaho? … Zaho është mirë, rritet. Është i grindur si Edi, është i qetë si ty…?

Edi nuk është i grindur gjithmonë, s’e di çfarë keni parasysh…. Impulsi… natyrë që shpërthen… Sigurisht, ndryshe nuk do ishte Edi aq i mirë. Është një fëmijë që na mirëkupton, ka ato grindjet e bebeve, si të gjithë.

Pse e quajtët Zaho?

Është një emër i vjetër, shumë i përdorur, besoj e dinë shqiptarët këtë. Së dyti, është një emër i përdorur nga të dyja fetë, myslimanë dhe të krishterë. Më e lidhur akoma është një legjendë, nga bregu, në Vuno, ku koincidon të jetë edhe e ëma e Edit. Legjenda e Zaho Kokës ka qenë shumë prezente, na intrigonte shumë, dhe siç thotë Edi, Zaho Koka – Luftoi për Liri dhe dha jetën për Dashuri.

Çfarë dhurate mori Zaho për Krishtlindje …festa?

Zaho erdhi, kjo ishte dhurata më e mirë për ne. Po këto Krishtlindje, ndryshe nga herët e tjera, ishim të gjithë bashkë dhe Edi qëndroi me ne më gjatë për këto Krishtlindje. Rea i dhuroi një gushore Zahos “Krishtlindjet e para”. Gregu e mësoi si bëhet “Selfie” dhe Zaho i vogël është shumë komod para kamerave.

Dhe te kjo pjesë i ngjan Edit…

Po, po, është shumë komod, nuk e di pse jam mburrur që do e mbaj larg teknologjisë, sepse më tremb që sa shikon një telefon, fiksohet aty… Ndërkohë unë i vë pak muzikë dhe qetësohet. Por doja të thosha këtë, që unë dhe Edi i dhuruam Zahos një triko të punuar me shtiza, kishte edhe një fantazi Krishtlindjesh në të, donim të kujtonim fëmijërinë tonë, nënat dhe gjyshet që na vishnin me triko.

Çfarë ka ndryshuar te ju kjo mundësi e dytë?

Ardhja e një fëmije në jetë është moment kulmor, besoj që këtë ma kupton çdo grua që e ka provuar. Zaho bëri të mundur të më kthente mbrapa në kohë, 24 vite më parë dhe Zaho i solli bllok. Jam e fokusuar në çdo detaj, e përjetojmë shumë thellë, edhe unë, edhe Edi.

Jeni alarmantë si prindër, jeni të vëmendshëm, e përjetoni si fëmijën e parë? Janë disa gjëra që janë njëlloj për të gjithë dhe unë u përkas nënave që janë pak të vëmendshme. Ndoshta i ngjaj nënës sime, po siç thashë, Zaho nuk na ka dhënë shkas, na mirëkupton. Sigurisht që dashuria dhe vëmendja janë maksimale si për çdo bebe. Çdo prind me bebet është i kujdesur.

Kanë ndryshuar shumë gjëra si bashkëshortja e Kryeministrit nga ajo e kryetarit të opozitës dhe ajo e kryebashkiakut?

Nuk ka ndryshuar asnjë gjë. Jam martuar me Edin, jo me Edin Kryeministër. Në përditshmërinë time nuk ka ndryshuar asgjë. Do jem shumë pranë në të gjitha momentet që do ketë nevojë për mua, në thelb jeta ime do jetë siç ka qenë.

Bashkëshortja e Blair: Unë nuk kam pse ndryshoj drejtimet e mia në jetë, vetëm se im shoq ndryshoi punë… Ju?

Vijoj të bëj të njëjtën jetë dhe të njëjtën punë, jam shumë e dedikuar te pjesa studimore e punës që bëj. Vëmendja më e madhe ishte që Edi të arrinte të fitonte, të plotësonte atë ambicie të vetën të të qënit Kryeministër. Nuk e kisha menduar që kjo më bënte mua gruaja e Kryeministrit. Pata një moment hutimi e thashë: Po tani? Çfarë ndodh? I dhashë vetes mundësi të bëja një reflektim. Si do ndryshonin marrëdhëniet tona… Dy-tre muajt e parë ishte… Pastaj e kuptova që është një proces që ka të bëjë me mënyrën se si të shikojnë njerëzit, sepse njerëzit e vendosin barrierën e parë. Njerëzit mendojnë që kanë të bëjnë me gruan e Kryeministrit apo me gruan e një personi me pozitë të lartë publike. Kanë vetëm nevojë që ti të dedikohesh në mënyrë të posaçme dhe t’u tregosh njerëzve që je i njëjti person që ke qenë më parë. Dhe këto barriera nuk u bëjnë mirë marrëdhënieve. Tani të gjithë e kanë shumë të qartë, Linda është ajo që ka qenë më parë. Nuk është gruaja e Kryeministrit, por është gruaja e Edit.

I shtohen më shumë veta bashkëshortes së Kryeministrit, se është një prag për të kaluar në dhomën e Kryeministrit…

Mund të jetë e vërtetë dhe kjo, prandaj është shumë e rëndësishme ajo që ti kërkon të jesh dhe ajo që ti kërkon t’u tregosh njerëzve. Mua nuk më ka ndodhur. Më ka ndodhur që shumë njerëz më kanë takuar dhe më kanë transmetuar komplimente për punën e Edit, e marr gjithë kënaqësinë e kësaj gjëje, jo thjesht për Edin, por për të gjithë vendin! Dhe më bëhet qejfi, se ai është në një pozitë të tillë, që suksesi i tij transmetohet në një jetë të qetë dhe në një standard jetese për të gjithë popullsinë dhe për vendin. Edhe kur ka qenë ndonjë rast që ka pasur ndonjë gjë artificiale dhe kanë dashur të afrohen, kam qenë shumë dashamirëse dhe elegante që “nuk jam unë personi i duhur për të kaluar te Kryeministri”.

Kë ka Edi Rama këshilltar ekonomik, mos ju ka juve?

(Qesh) Unë do isha shumë e shqetësuar nëse Edi nuk do kishte pranë tij këshilltarë me famë botërore. Do isha shumë e shqetësuar, nëse nuk do kishte këshilltarë me famë botërore si Rikardo Haussman, grupi i Tony Blair, që asiston qeveri në vende që kanë nevojë. Në këtë kontekst, nuk do ndjehesha mire, nëse do isha unë. Herë pas here jam pjesë e diskutimeve dhe kam mendimin tim, e shpreh qoftë tek Edi, apo në diskutim. Si çdo shqiptar që ka mendimin e tij dhe unë e them mendimin tim në këto biseda.

Vizita në Beograd e Ramës…

Ishte një gur i mirë në marrëdhëniet e dy vendeve dhe ishte një vlerë e shtuar për atë që kërkon vetë Ballkani – integrimin europian. Besoj tezën e Edit, “çdo vend i rajonit e ka shumë të vështirë të përparojë pa marrëdhënie të mira në rajon, si një vlerë e shtuar…”

Keni bërë një deklaratë të rreptë për çështjen e grave. Si e shikoni këtë fenomen?

Në atë deklaratë kam cituar një studim që është bërë nga një institucion ndërkombëtar. Unë nuk mendoj se kemi bërë shumë për dhunën ndaj grave, nuk është bërë progres. Madje, në atë takim unë thashë që është bërë regres. Në Shqipëri ndodhin paradokse, dhuna ndaj gruas është parë si një aspekt, që flamurin e ka shoqëria civile dhe shteti vetëm e shikon. Unë mendoj që shteti duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Së dyti, është bërë një punë për të ndërgjegjësuar gratë e dhunuara, ndërkohë nuk është bërë fare punë me dhunuesit…

Kur kritikoni shtetin, kë keni parasysh?

Janë shumë institucione që ndërlidhen në këtë çështje. Duhet bërë punë nga ana e institucioneve që lidhen me arsimin, me Ministrinë e Punës dhe Çështjet Sociale dhe me njësitë vendore. Dhuna kap më shumë zonat rurale, ndërkohë që kanë qenë jashtë fokusit.

Viti 2014, si është ekonomia shqiptare në analizën tuaj?

Krizë fianciare dhe ekonomike përtej tranzicionit… Vazhdojmë të jemi nën efektin e gropave të tranzicionit-energjisë, informalitetit. Janë disa gropa të mëdha që janë krijuar nga periudha e tranzicionit, shteti nuk ka dalë ende nga pelenat e tranzicionit. Do t’i duhet pak kohë, vetë personalisht kam një ngushëllim modest: Kemi humbur shumë kohë. Duhet të punojmë fort për të fituar kohën e humbur, duhet vepruar shpejt për Shqipërinë dhe shqiptarët. Veprimi shpejt, vjen edhe me kosto… Është shumë e rëndësishme, mendoj unë, që Shqipëria dhe shqiptarët të jenë në një të ardhme të afërt, në një skenar të sigurt për ekonominë e tyre. Shqipëria e 2015-s do jetë shumë më mirë se Shqipëria e 2014-s dhe do ta marrë veten edhe nga një tranzicion i zgjatur përtej disa limiteve të nevojshme.

Familja Rama, ku do ta bëjë Vitin e Ri?

Në shtëpi.

Kam dëgjuar që do hyni në shtëpi të re…

Po. Do kemi një shtëpi të re, tonën. Qëllimi im është që të bëjmë festat me tre fëmijët në një shtëpi të re, është një ogur i mirë. Unë jam marrë shumë me shtëpinë. Edi ka qenë i zënë. D.m.th. kontributi im ka përshkuar fillin e kreativitetit të Edit, vështirësia ime ka qenë e disafishtë… Banesa është një banesë e ngrohtë dhe ndjehem mirë, edhe pse me materiale shumë të varfra…

Shija është e Edit dhe ekzekutimi është i yti…

Kështu ndahemi në shtëpinë tonë. Me materiale të lira. Shtëpisë ia japin vlerën banorët dhe jo materialet.

Deri tani familja kryeministrore ka qenë e pastrehë?

Jo, ne kemi qenë në një shtëpi. Kur thashë që do jetojmë në një shtëpi me qira, shumë veta më thanë: “Si e bëre ti këtë? Mbase dhe nga moseksperienca me mediat?”. Po të thoja gjë tjetër, i bie të mos thoja të vërtetën. Dhe ja, i kaluam 4 vite…

Duke iu referuar një interviste të Ramës, vendin në histori ia keni lënë atij, ju keni vendin pranë tij?

Ky është vendi im.

Një urim për shqiptarët për 2015-n…

Viti 2015, uroj të jetë vit më i mirë… Do doja që çdo shqiptar në familjen e tij të ishte i gëzuar dhe me shëndet të plotë. Kushdo që e ka mundësinë, ta kthej kokën te një njeri në nevojë. Do isha shumë e lumtur, nëse çdo shqiptar që ka mundësi ta bëjë, do e bëjë.

SHKARKO APP