Lindita Lati: “Konkurenca e pandershme, problem evazioni fiskal”
“Autoriteti i Konkurencës e konsideron si shumë problematike konkurrencën e pandershme që shkaktohet nga evazioni fiskal, mosrespektimi i standarteve të cilësisë së produkteve, trajtimi jo i barabartë i firmave nga punonjësit e institucioneve”. Kështu shprehet në një intervistë për “Koha Jonë”, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati. Duke shtuar se të gjitha këto krijojnë një pabarazi midis operatorëve të tregut, mbi të cilën është shumë e vështirë të vendosësh sipas saj barazi në respekt të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”…
Znj. Lati, ulja e çmimit të naftës është kthyer në fokus kryesor të ditëve të fundit duke u spekuluar mbi teori të ndryshme lidhur me të. Për ju si drejtuese e këtij institucioni, cilat janë arsyet që çmimi i naftës konsiderohet si më i shtrenjti jo vetëm në rajon, por edhe në krahasim me vendet e tjera?
Autoriteti i Konkurrencës si institucioni mbikqyrës i tregjeve dhe i sjelljes së firmave që operojnë në territorin e Shqipërisë, ka filluar procedurën hetimore edhe në tregun e prodhimit, importit dhe shitjes me shumicë të karburanteve. Shqetësimi kryesor ishte në lidhje me shkallën e lartë të përqendrimit në këtë treg, si edhe elasticitetin e dobët të çmimeve të shitjes së karburanteve në tregun shqiptar kundrejt lëvizjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar. Në përfundim të procedurave hetimore, Komisioni i Konkurrences që është trupa vendimmarrëse ka dëgjuar pretendimet e ndërmarrjeve që kanë qenë objekt hetimi dhe aktualisht është në proces vendimmarrje. Autoriteti i Konkurrencës përbëhet nga pjesa e personelit ekzekutiv, të cilët janë nëpunës civilë dhe që luajnë rolin e prokurorisë së tregjeve dhe Komisioni i Konkurrencës, anëtarët e të cilit janë votuar nga Parlamenti i Shqipërisë, i cili është në rolin e gjykatës. Në këto kushte, kërkoj mirëkuptimin për të mos u shprehur më gjatë në këtë intervistë. Gjatë javëve në vijim do të njiheni me vendimin final, ku Komisioni i Konkurrencës do të paraqesë shkaqet dhe faktorët që ndikojnë në mirëfunksionimin e tregut.
Flitet për një situatë monopol dhe oligopol në Shqipëri në fushën e naftës. Nga verifikimet tuaja rezulton diçka e tillë?
Oligopoli është thjesht një strukturë tregu. Pra, nëse në një treg operon një firmë e vetme atëherë kemi një situatë monopol, por nëse në treg ka 3 apo 4 firma që zënë 80-90% të tregut, atëherë kjo quhet situatë oligopol. Nëse ka pak firma që operojnë në një treg kjo nuk përbën shkelje ligji, por nëse këto firma bashkëpunojnë midis tyre apo bashkërendojnë veprimet për kufizimin e tregut si nga pikëpamja e furnizimit apo për përcaktimin e çmimeve, kjo është shkelje e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Pra, firmat sadopak që mund të jenë në një treg, duhet të tregojnë që ndjekin politika të pavarura nga njëra-tjera për vendosjen e çmimit dhe të mos ketë ndarje tregu apo kuota midis tyre. Hetimi i Autoritetit ka patur si objekt pikërisht evidentimin e provave dhe fakteve mbi sjelljen e fimave që operojnë në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të hidrokarbureve, për të cilën do të shprehemi ne vendimin final të Komisionit te Konkurrencës.
Nafta është një nga sektorët më të debatuar kohët e fundit, por ankesa për mungesën e konukurreshmërisë së lirë ka edhe në sektorët e tjerë. Çfarë masash ka marrë institucioni që ju drejtoni?
Në lidhje me masat, do të shprehemi në vendimin final, pasi Autoriteti vlerëson edhe gjithë bazën ligjore që rregullon këtë treg dhe do të japë rekomandimet e duhura për të rritur dhe nxitur konkurrencën në këtë treg.
Për garantimin e konkurrencës kemi parë që keni vendosur shpeshherë gjoba. A janë gjobat e vetmja zgjidhje për normalizimin e situatës?
Një nga instrumentat për dënimin e shkelësve të ligjit janë edhe gjobat, të cilat në të drejtën ndërkombëtare të konkurrencës dhe si rrjedhim edhe në të drejtën shqiptare të konkurrencës, e cila është e përafruar me atë të BE-së, shkojnë deri në 10% të xhiros vjetore të firmave. Por gjoba është një instrument i zbatimit dhe i detyrimit të ligjit, dhe si i tillë është konsideruar. Vetë eksperienca mbi 10 vjet e Autoritetit të Konkurrencës ka treguar se vendimet me gjoba ndjekin rrugën e gjatë të gjykatave dhe shpesh dalin raste të humbura nga Autoriteti i Konkurrencës. Për rrjedhojë, vitin e fundit Komisioni i Konkurrencës ka përdorur më shumë instrumentin rregullues të tregut, por efiçenca e këtij instrumenti kërkon një bashkëpunim dhe mirëkuptim shumë të ngushtë me entet e tjera rregullatore dhe me institucionet publike. Kështu p.sh. rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Konkurrencës në përfundim të hetimit të thelluar në tregun e telefonisë celulare në fillim të vitit 2014, i vendosi si detyruese AKEP-it, si enti rregullator sektorial, në vendimet e tij për rregullimin e tarifave për firmat e celularëve. Po i njëjti reagim duhet të jetë edhe nga AMF në përgjigje të rekomandimeve që Komisioni i Konkurencës ka dhënë për zbatimin e sistemit bonus –malus në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik.
Çfarë roli luan shteti shqiptar si rregullator i tregut krahasuar me vendet e tjera të rajonit?
Bazuar në eksperiencën e deritanishme nuk kam dalluar ndonjë specifikë të shtetit shqiptar, të ndryshme me rolin që luajnë qeveritë e rajonit në vendet respektive.
Pozicioni juaj nuk ua lejon të merreni me politikë, por kur flasim për ekonominë dhe tregun, politika dhe qeverisja nuk mund të anashkalohen. Para vitit 2013 ka pasur ankesa për abuzime dhe mungesën e konkurrencës në treg nga ata që sot janë në qeverisje. Në këndvështrimin tuaj, situata ka ndryshuar për mirë apo për keq?
Shqetësimet e ngritura nga operatorët e tregut apo nga konsumatorët janë prezente jo vetëm nëpërmjet mediave, por edhe nga aktivitetet dhe raportimet e institucioneve përgjegjëse, si për mbrojtjen e konsumatorit, ashtu edhe nga ndërhyrjet e enteve rregullatore. Ne konstatojmë pak a shumë të njëjta problematika që përsëriten, fakt i cili tregon se duhet të realizohet një bashkëpunim real midis institucioneve dhe zgjidhjen përfundimtare të problematikave që evidentohen.
Konkurrenca e pandershme në Shqipëri kuptohet si rivalitet mes kompanive vendase që kapërcejnë hapësirat, por edhe përdorin “lidhjet” me institucionet shetërore për të dominuar në treg. Nga ana tjetër dëmi kompanive vendase mund tu vij dhe nga kompanitë e huaja që hyjnë në treg. Sa të garantuara janë kompanitë shqiptare nga kjo konurrencë që vjen edhe si pasojë e marrëveshjeve të firmosura nga shtetit shqiptar?
Autoriteti i Konkurencës e ka objekt te punës, në zbatim të ligjit, vlerësimin e efekteve që sjellin aktet ligjore dhe rregullatore në mirëfunksionin e tregjeve dhe ligji i jep fuqinë që të rekomandojë dhe të kërkojë edhe shfuqizimin e atyre akteve që sjellin kufizime apo shtrembërime të konkurencës në një treg specifik. Në këtë këndvështrim, edhe vlerësimet e marrëveshjeve koncensionare kanë marrë vëmendjen e Autoritetit si një nga shqetësimet e ardhura nga biznesi. Por duhet të qartësoj se detyrimi ligjor i qeverisë për të marrë mendimin e Autoritetit të Konkurencës para firmosjes së marrëveshjeve koncesionare duhet të zbatohet, pasi nëse këto marrëveshje firmosen, atëherë institucioni i konkurrencës nuk ka asnjë lloj fuqie ligjore për shfuqizimin e tyre. Nëse nga zbatimi i marrëveshjes koncensionare vërtetohet abuzimi i firmës përtej të drejtave që ka në marrëveshje, atëherë AK-ja mund të gjobisë firmën për abuzim me pozitën dominuese. Pra, AK-ja nuk mund të bëhet mbikëqyrëse e zbatimit të marrëveshjeve koncesionare, por të gjtha shqetësimet, të cilat nuk mundësojnë që në zabtim të ligjit të quhen abuzim me pozitën dominuese, ia adreson qeverisë si palë nënshkruese e marrëveshjes dhe që ka autoritetin e kërkimit të zbatimit të së drejtave dhe detyrimeve të saj si palë nënshkruajtëse.
Autoriteti i Konkurencës e konsideron si shumë problematike konkurrencën e pandershme që shkaktohet nga evazioni fiskal, mosrespektimi i standarteve të cilësisë së produkteve, trajtimi jo i barabartë i firmave nga punonjësit e institucioneve; e të gjitha këto krijojnë një pabarazi midis operatorëve të tregut, mbi të cilën është shumë e vështirë të vendosësh barazi në respekt të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Intervistoi: Sidorela Lepuri