Lindita Milo: Nuk ka pasur ankesa për koncesionet
Lindita Milo: 2015 një vit me ankesa në tregun e telefonisë celulare, prokurimet publike, si dhe në tregun e blerjes së energjisë elektrike.
Lindita Milo:Nuk ka pasur ankesa për koncesionet
Autoriteti i Konkurrencës është organ publik, i krijuar në vitin 2004. Së fundi ky komision është vlerësuar dhe nga Raporti i progresit të Komisionit Evropian, për progresin në fushën e konkurrencës. Në një intervistë për "Koha Jonë", Kryetarja znj.Lindita Milo shpjegon për publikun mbi punën e këtij komisioni ku përqendrohet në shpjegimin e probleme në lidhje me transparencën e konkurrencës në treg. Një nga problemet shqetësuese për shqiptarët janë dhe tarifat për fluturimet ajrore ku znj.Milo shprehet se: "Duhet saktësuar se tarifat që aplikon TIA-së nuk përbën tërësisht tarifat e fluturimit, të cilat vendosen nga linjat ajrore dhe tarifat e TIA-së përbëjnë vetëm një pjesë të tyre". Për sa i përket konkurrencës të bizneseve që kanë lidhje ndihmuese me shtetin, znj.Milo thekson se: " Ligji i jep të drejtë Autoritetit të Konkurrencës të luaj rolin e arbitrit kur ka probleme të trajtimit të diferencuar midis operatorëve të tregut dhe institucioneve publike, por përsëri eficienca e këtyre vendimeve kërkon që rekomandimet e Autoritet të Konkurrencës duhet të zbatohen".
Intervistoi:Redjon Shtylla
Cili është bilanci për vitin 2015, një vit që po e vëmë pas, si do ta vlerësonin këtë në lidhje me konkurrencën në të gjithë sektorët?
Autoriteti i Konkurrencës vepron sipas ankesave të biznesit për fenomene që lidhen me sjelljen e operatorëve të tjerë, në të njëjtin treg, që shkaktojnë veprime anti-konkurruese. Në këtë kontekst ka patur ankesa në tregun e telefonisë celulare, prokurimet publike, tregu i blerjes së energjisë elektrike etj. Për të cilat Autoriteti ka realizuar procedurat hetimore si dhe ka dhënë vendimet përkatëse. Gjithashtu, bazuar në sinjalet e deformimeve të funksionimit të tregjeve të ndryshme të transmetuara nga mediat apo institucionet e tjera publike, institucioni i konkurrencës ka realizuar procedurat përkatëse në zbatim të ligjit dhe të bazës ligjore dytësore.
Znj. Milo një çështje e rëndësishme është dhe ajo e monopoleve. Dihet qëndrimi i institucioneve për çështje të ndjeshme siç janë koncensionet në energjitikë, si markimi i karburanteve, ekskluziviteti i tregut të transportit ajror, pulla fiskale etj. A duhet të merret AK me këto koncensione para dhënies së tyre?
Bazuar në Ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës” të ndryshuar në vitin 2010, përkatësisht nenet 69 dhe 70 të këtij ligji, Autoriteti ka të drejtën të realizojë vlerësimin e të drejtave ekskluzive dhe speciale të shprehura në draft-marrëveshjet midis institucioneve publike dhe operatorëve të tregut. Pra me fjalë të tjera, institucionet qendrore dhe legjislativi nuk duhet të firmosin marrëveshjet e të drejtave ekskluzive pa marrë mendimin dhe vlerësimin e Autoritetit të Konkurrencës. Nëse këto marrëveshje firmosën atëherë, AK nuk ka të drejtën ligjore të shprehet për kushtet dhe detyrimet e shprehura në këto marrëveshje. Kur këto marrëveshje hyjnë në fuqi atëherë bizneset apo qytetarët që marrin shërbimin e dhënë me koncesion mund të ankohen tek Autoriteti i Konkurrencës, i cili vlerëson sjelljen e koncesionarit nëse abuzon me pozitën monopol që zotëron. Deri tani nuk kemi patur ankesa të drejtpërdrejta të adresuara pranë Autoritetit të Konkurrencës nga përfituesit e shërbimeve që janë dhënë me koncesion.
Znj.Milo jeni shprehur se AK ka parë disa nga elementë rekomandues e që çojnë në uljen e tarifave të udhëtimeve ajrore, a është ende Shqipëria një nga vendet me çmimet të më shtrenjta të biletave për udhëtimet ajrore? Cilat kanë qenë disa nga hapat që AK ka marrë për këtë shqetësim?
Në fakt Autoriteti është shprehur se vetë marrëveshja koncesionare e nënshkruar midis Tirana International Airportdhe qeverisë në vitin 2004 përmban një nen që lejon të rishikohen tarifat e aplikuara në marrëveshje, për t'u përshtatur më mirë realitetit ekonomik dhe padyshim vetë volumet në rritje të transportit ajror. Padyshim që do të çojnë në uljen e tarifave të ofrimit të shërbimit nga ana e aeroportit të Tiranës. Por duhet saktësuar se tarifat që aplikon TIA-së nuk përbën tërësisht tarifat e fluturimit, të cilat vendosen nga linjat ajrore dhe tarifat e TIA-së përbëjnë vetëm një pjesë të tyre.
Konkurrenca është vendimtare për funksionimin e tregjeve dhe nxit risitë, produktivitetin dhe rritjen ekonomike, e cila krijon pasuri dhe redukton varfërinë, si është vlerësimi juaj për këto sfida që tregojnë nivelin e integrimit të vendit?
Sikurse është paraqitur edhe në Raportin e Progresit të sapo publikuar nga Komisioni Europian, dhe përkatësisht në lidhje me kapitullin tetë, Politika e Konkurrencës: “Rregullat e BE- së mbrojnë konkurrencën e lirë. Ato përfshijnë rregullat e anti-trust kundër marrëveshjeve kufizuese ndërmjet kompanive dhe rregullat për abuzimin me pozitën dominuese. Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në politikën e konkurrencës. Progres është bërë në veçanti për sa i përket antitrust-it dhe kontrollit të përqendrimeve. Kapaciteti administrativ i AK-së është i mjaftueshëm dhe stafi i saj ka një nivel të mirë të ekspertizës. Megjithatë, vonesat në proceset gjyqësore janë shumë të gjata dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme për të rritur disponueshmërinë dhe cilësinë e trajnimeve për gjyqtarët mbi politikën e konkurrencës. Sa i përket liberalizimit, një vlerësim ex post i Autoritetit të Konkurrencës zbuloi se autoritetet kontraktuese nuk e kishin përmbushur detyrimin e tyre për të kërkuar një vlerësim nga Autoriteti i Konkurrencës për dhënien e të drejtave ekskluzive”. Pikërisht detyra e shprehura qartë nga mbikëqyrësit tanë të Komisionit Europian kërkojnë një bashkëpunim shumë të ngushtë midis institucioneve të qeverisë qendrore dhe enteve rregullatorë të tregjeve specifike me Autoritetin e Konkurrencës, i cili është arbitri jo vetëm i lojës së ndershme midis lojtarëve të tregut por edhe mbikëqyrësi i kufizimeve potenciale që mund ti vijnë konkurrencës nga aktet ligjore të institucioneve publike.
Raporti i progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë vlerëson progresin në fushën e konkurrencës, sa motivuese është ky vlerësim për punën tuaj?
Keni të drejtë kur pyesni se sa motivuese është ky vlerësim, por mënyra se si e konceptojmë ne është se sa detyruese është zbatimi i ligjit dhe i politikës kombëtare të konkurrencës, shprehet në fjalinë e parë të pjesës respektive të Raportit: "Rregullat e BE- së mbrojnë konkurrencën e lirë", e cila do të thotë se ligji shqiptar i konkurrencës është i përafruar me rregullat e BE-së dhe Komisioni Europian nuk toleron nëse këto rregulla nuk zbatohen me të njëjta standarde si në tregun Europian. Prandaj Autoriteti i Konkurrencës në zbatim të ligjit aplikon metodologjitë e konsoliduar dhe praktikat më të mira të Komisionit Europian dhe rrjetit Ndërkombëtar të Konkurrencës. Kjo përben një sfidë të vazhdueshme për institucionin e konkurrencës pasi efiçienca e vendimeve të Komisionit të Konkurrencës varet në mënyrë të ndjeshme nga vendimet e gjyqësorit, për vendimet me gjoba për ndërmarrjet që kanë vepruar në mënyrë antikonkurrese në dëm të ndërmarrjeve të tjera si dhe të konsumatorit, si dhe nga bashkëpunimi ndër institucional dhe zbatimi i rekomandimeve të dhëna nga qeveria dhe entet rregullatorë sektoriale, për vendimet e lidhura me mbrojtjen dhe nxitjen e konkurrencës nga institucionet publike. Pavarësisht se raporti i progresit cilëson se stafi i Autoritetit të Konkurrencës “ka një nivel të mirë të ekspertizë” mbetet një nga sfidat e vazhdueshme përmirësimi i teknikave dhe i aftësive investiguese dhe i analizave ekonomike gjatë procedurave hetimore.
Bizneset e mëdha shpesh herë përdorin lidhjet e tyre me shtetin, kjo lojë antikonkurruese e një apo disa lojtarëve të tregut, apo ndikimi i shtetit si faktor në treg mund të penalizojë dhe të lërë në hije bizneset pa mbrojte politike? Si e shihni këtë situatë për sa i përket paraqitjes në lidhje me konkurrencën e padrejtë?
Shteti përbën një faktorë të rëndësishëm për krijimin e një ambienti pro-konkurrues në treg, ndikim i cili vjen në rritje me rritjen e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, prandaj një nga shtyllat e së drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare së konkurrencës është edhe Advokacia e cila lidhet pikërisht me rolin e mbikëqyrësit të Autoritetit të Konkurrencës. Ky rol realizohet nëpërmjet zbatimit të detyrimit ligjor të institucioneve të qeverisë qendrore apo vendore, si dhe enteve rregullatorë për të marrë opinionin dhe vlerësimin e institucionit të konkurrencës përpara se të miratojnë aktet ligjore dhe rregullatorë, të cilat mund të shkaktojnë kufizime të konkurrencës në tregje. Gjithashtu, ligji i jep të drejtë Autoritetit të Konkurrencës të luaj rolin e arbitrit kur ka probleme të trajtimit të diferencuar midis operatorëve të tregut dhe institucioneve publike, por përsëri eficienca e këtyre vendimeve kërkon që rekomandimet e Autoritet të Konkurrencës duhet të zbatohen.
Në lidhje me koncesionet, Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur akuza qeverisë sepse ka shkelur ligjin e vitit 2010. Si e shihni situatën pas disa muajsh kontestimesh nga ana e Autoritetit të Konkurrencës?
Duke marrë në konsideratë ç’ka u argumentua më lartë, Komisioni i Konkurrencës në zbatim të instrumenteve ligjor u shpreh pikërisht mbi rëndësinë e respektimit të parimeve bazë të mbrojtjes dhe të nxitjes së konkurrencës edhe nga faktori shtet, si një faktor shumë i rëndësishëm për mirëfunksionimin e tregjeve dhe në fund të fundit rritjen e mirëqenies së konsumatorit.