Lira Gjika: Qytetaria ose zhvillohet në fëmijëri ose shkatërrohet
Intervista/ Flet për “Koha Jonë” pediatrja Lira Gjika lidhur me edukimin e fëmijëve në familje dhe shoqëri
Lira Gjika: Qytetaria ose zhvillohet në fëmijëri ose shkatërrohet
Intervistoi: Sidorela Lepri
Grupmosha e fëmijëve është pikërisht kategoria e cila ka më shumë nevojë për një kujdes tejet të veçantë, lidhur me mënyrën e komunikimit, edukimit si edhe të gjithë komponentëve të tjerë që ndikojnë në formimin e tyre të mëvonshëm. Në këtë mënyrë, roli i prindërve, të rriturve dhe mjedisit rreth tyre përbën një faktor të rëndësishëm për individët dhe modelet e mëvonshme të shoqërisë sonë. Ku gabojnë zakonisht prindërit më fëmijët? A i njohin ata sa duhet nevojat e tyre? Si po ndryshon teknologjia jetën e fëmijëve? Këto janë vetëm disa nga shqetësimet që shoqërojnë procesin e edukimit dhe rritjes së fëmijëve.
Pediatrja Lira Gjika, në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” i jep përgjigje të gjitha këtyre shqetësimeve. Ajo ka edhe disa këshilla sesi mund të edukojmë fëmijë të përgjegjshëm dhe me formimin e duhur, çka do të sjellë edhe një shoqëri po kaq të përgjegjshme.
Znj.Lira, cilat janë gabimet më të zakonshme të prindërve me fëmijët?
Kjo është një pyetje shumë e vështirë. Ka shumë raste ku prindërit nuk e shohin fëmijën si njeri, por të vogël. Nuk e kuptojnë që kanë përpara tyre një njeri të parritur. Prindërit duhet të komunikojnë me fëmijët e tyre me të vetmen mënyrë, me anë të fjalës. Nëse do të ecim me mendimin që fëmija nuk merr vesh, atëherë do të edukojmë një të rritur që nuk merr vesh. Kjo është A-ja dhe Zh-ja në edukimin tonë. Duhet të mësojmë të përdorim pasurinë tonë që realisht kemi në dispozicion.Të dimë të mendojmë dhe jo të mësojmë fjalët përmendësh, duke i riprodhuar më pas. Kjo praktikë haset edhe në programet, sjelljet dhe fjalët tona copy-paste.
Nëqoftëse duam të kopjojmë të huajt, duhet të dimë që nuk jemi ata, por të shohim një pasqyrë tek modelet e tyre. Imitimi është një tjetër gabim i prindërve me fëmijët. Prindërit nuk i shohin fëmijët e tyre si njeri, por si të parritur. Kjo ka shumë rëndësi për ta kuptuar, në mënyrë të atillë që të shmangim imitimin dhe fëmijët të mos jenë peng i të rriturve dhe më vonë i tjetrit, por t’i çojmë drejt vetes. Ky edukim është forma më e mirë, ku prindërit i çojnë fëmijët drejt vetes.
Përse është e rëndësishme kjo?
Sepse identiteti i çdo njeriu ndërtohet nga tjetri, ashtu sikurse vijmë në jetë nga dikush tjetër, ashtu edhe ndërtohemi. Por nëse pranë kemi prindër dhe të rritur të tjerë të përgjegjshëm, do të kemi si rezultat individë dhe shoqëri po kaq të përgjegjshme. Dhe anasjelltas.
A janë mjaftueshëm të përgjegjshëm prindërit e rinj në ditët e sotme?
Në atë konceptin e vetëdijes dhe principeve europiane perëndimore, jo. Intuitivisht po. Por ka një ndryshim të madh vitet e fundit. Nga eksperienca ime, shoh që është rritur edhe ndërgjegjësimi i meshkujve në këtë aspekt. Shoh prindër që i trajtojnë fëmijët me shumë dashuri dhe nga ana tjetër edhe prindër që i godasin pa pikë mëshire fëmijët e tyre.
Do doja që një prindër të ishte i përgjegjshëm dhe jo i mëshirshëm. Ti sheh në rrugë apo kafene mama me taka të larta, thonj të gjatë, ndërkohë që flasin në telefon dhe qëllojnë fëmijën. Kjo ndodh kaq shpesh në realitetin tonë.
Sa ndikon kjo në formimin e fëmijës dhe sjelljen e mëvonshme të tij?
Prek në mënyrë direkte identitetin e tij. Nëna e prezanton fëmijën pa respekt dhe kur nëna nuk të përfill, nuk mund të ndërtohet një identitet. E keqja këtu është se hesht babai. Por këto nuk janë vetëm difektet tona, por të gjithë shoqërisë në tërësi.
Po ashtu, edhe në zgjedhjen e profesioneve ne i ngulisim në mendje fëmijëve idenë se do të bëhet doktor apo çfarë tjetër dëshirojnë prindërit pa i dhënë mundësinë të eksplorojnë. Lërini fëmijët të eksplorojnë dhe të zgjedhin! Në fëmijëri ose zhvillojmë qytetar ose i shkatërrojmë ato.
Probleme të tjera që hasen në edukimin e fëmijëve?
Mugesa e etikës është një tjetër problem më vete në familje. Nëse nëna dhe babi i fëmijës i flasin njëri-tjetrit me gjuhën e rrugës apo mënyra sesi i drejtohen njëri-tjetrit, ndikojnë drejtëpërdrejtë në formimin e mëvonshëm të fëmijëve.
A i njohin mjaftueshëm prindërit e sotëm nevojat e fëmijëve të tyre?
Nuk është puna vetëm t’i njohësh, por të marrësh përgjegjësi. Njohja është vetëm një prej elementëve. Ai nuk e mat me nevojën e vërtetë, por me nevojën që sheh në televizor. Arritjet e fëmijës janë të vogla, por mësimet duhet të jenë të vazhdueshme.
Zakonisht në shoqërinë tonë mamatë mbajnë peshën kryesore për rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Po përsa i përket rolit të meshkujve, kemi një rritje të prezencës së tyre në edukumin e fëmijevë?
Natyrisht. Ka ardhur në rritje edhe ndërgjegjësimi. E thashë edhe më lart që kemi një rritje të prezencës mashkullorë në edukimin dhe rritjen e fëmijës, e cila nis që me ngjizjen e tij.
Ti kushtosh vëmendje fëmijeve, do të thotë gjithmonë të iu falësh dashuri?
Të biem dakort për termin dashuri, pasi ka 2 përkufizime. Dashuri që e ndjen vetëm ti dhe dashuria që është niveli më i lartë i vetëdijes. Këtu fillon edhe edukimi.
A duhet të ia plotësojnë prindërit të gjitha kërkesat lidhur me pajisjet teknologjike fëmijeve të tyre?
Ky është një debat shumë i madh në plan botëror. Sikurse janë një arritje e madhe të gjitha këto pajisje, po aq janë edhe një frikë e madhe. Duhet të mësojmë të respektojmë ligjet e natyrës. Ne mund t’i blejmë fëmijëve iPad, smartphone, por duhet të mos i ndajmë nga duart librin. Pajisjet teknologjike janë të gatshme, por pa librin këto nuk do të ishin. Libri të zhvillon fantazinë, ndërsa teknologjia e kufizon.
Në vendin tonë, si po e ndryshon teknologjia jetën e fëmijëve?
Teknologjia iu ka dhënë një farë rehatie dhe pavarësie të dy palëve. Prindërit janë rehat në kafene dhe fëmijët rehat me pajisjet teknologjike në duar. Idealja do të ishte ta kalonin bashkë këtë kohë, sepse fundja prindërit i kanë sjellë vetë në jetë këto fëmijë.