Liria e medias në Shqipëri, Borchardt: Vetërregullimi, opsioni më i mirë

Më 3 maj, u shënua Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Si e shihni lirinë e medias në Shqipëri? Raporti i fundit për lirinë e medias tregonte se në Shqipëri situata u përkeqësua. Edhe Presidenti dhe kryetari i PD-së u shprehën të shqetësuar. A ndani edhe ju të njëjtin shqetësim?

Situata e medias, sigurisht që nuk është përmirësuar dhe, sipas renditjes, madje u përkeqësua gjatë vitit të kaluar, gjë që është për të ardhur keq. Raporti ia atribuon këtë kryesisht ndryshimeve në legjislacionin e medias, të cilat janë tani në parlament. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka pasur diskutime të gjata me shumicën në parlament për këto çështje dhe kjo ka çuar në përmirësime të gjera të projektligjit, por ende nuk ka asgjë që të garantojë, për shembull, proporcionalitetin. Të gjithë, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, po presin tani opinionin e Këshillit të Venecias – një tjetër institucion evropian i rëndësishëm që merret me çështjet e medias – lidhur me ndryshimet e propozuara. Ata kanë njoftuar se do ta japin opinionin e tyre muajin e ardhshëm, në qershor. Mbetet të shihet se çfarë do të bëjë Kuvendi me komentet e Komisionit të Venecias. Ne e kemi mbështetur gjithmonë vetërregullimin e medias, e kemi nxitur atë përgjatë shumë viteve, dhe sigurisht vetërregullimi është opsioni më i mirë. Ky është edhe mendimi i Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias.

Por ka pasur edhe shumë aspekte të tjera se pse situata e medias nuk është përmirësuar. Së pari, të drejtat ligjore dhe socialo-ekonomike të gazetarëve nuk janë përmirësuar. Kjo është theksuar, në mënyrë të përsëritur, nga unioni i gazetarëve. Sepse punëdhënësit shpesh nuk ofrojnë kontrata punësimi të detyrueshme nga ana ligjore dhe inspektorati përgjegjës nuk e kontrollon sistematikisht statusin ligjor të punësimit të gazetarëve. Kontributet, si pensionet dhe sigurimi shëndetësor, shpesh nuk paguhen, gjë që i bën gazetarët akoma më të pambrojtur përballë presioneve të brendshme nga pronarët apo menaxherët, sa i takon anës editoriale. Dhe kjo, në vetvete, çon në kufizimin e larmisë së mendimeve.

Gjithashtu, praktika e partive politike dhe e institucioneve për ta ushqyer median me të ashtuquajturat kaseta të parapërgatitura është kritikuar për shumë vjet nga ne dhe nga miqtë tanë të ODIHR-it, pas zgjedhjeve. Nga njëra anë, përdorimi i këtyre kronikave që vijnë nga partitë politike nuk është profesional. Në vende të tjera, ato shënohen që vijnë nga X apo Y parti apo institucion, pra që nuk janë materiale të prodhuara nga vetë media. Prandaj, transmetimi i tyre pa koment dhe pa asnjë shënim nuk është gazetari profesionale. Në këtë mënyrë, publiku shqiptar ngatërrohet, sepse jepet përshtypja sikur këto kronika janë përgatitur nga media. Duket sikur ato janë përgatitur nga gazetarët, nga media e pavarur, por pa shqyrtim kritik dhe pa interpretim nga vetë gazetarët. Gazetarët duhet të kenë të drejtën të mbulojnë veprimtaritë publike dhe politike, veçanërisht ato përpara zgjedhjeve, ku është problematika më e madhe. Këto janë vetëm dy ndër problemet që duhen trajtuar.

Nga ana tjetër, shoh edhe përparim. Ka pasur më pak konflikte mes gazetarëve dhe të tjerëve, si për shembull konflikte në gjykatë apo, më keq, konflikte të dhunshme.

Në mbulimin e COVID-19-s, si ishte media në Shqipëri?

Kam folur për këtë me kolegët e mi, sepse shqipja ime nuk është aq e mirë sa për të ndjekur televizionet, ndjek vetëm median e shkruar. Në përgjithësi, kam një përshtypje shumë të mirë. Ndjek faqet në internet të disa prej mediave kryesore në Shqipëri dhe marr një përmbledhje të përgatitur nga kolegët e mi për të tjerat. Besoj se media shqiptare ka bërë punë të mirë, madje duke ekspozuar veten ndaj rreziqeve për shëndetin. Kjo gjë sigurisht që ndihmon në ndalimin e përhapjes së panikut në shoqëri. Duhet të vlerësoj edhe fokusin e vijueshëm të medias në çështje të tjera shumë të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore, të cilat janë në prag dhe luajnë një rol shumë të rëndësishëm në debatin publik, ashtu sikurse kuptoj nga telefonatat e shumta që bëj gjatë izolimit.

A duhet të ndihmohet financiarisht media e goditur nga COVID-19?

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias deklaroi shumë qartë se shtetet duhet t’i mbështetin mediat që po vuajnë financiarisht për shkak të pandemisë. Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’u bëj jehonë fjalëve të tij.

Si parashikon OSBE-ja t’i ndihmojë këtë vit mediat, edhe në kushtet kur Shqipëria mban Kryesinë e Radhës së OSBE-së?

Si gjithmonë, ne monitorojmë gjatë gjithë kohës mediat shqiptare, dhe veçanërisht raportimet në lidhje me kërcënimet apo sulmet ndaj gazetarëve, rastet kur gazetarëve nuk u lejohej të bëjnë punën e tyre, apo nuk u lejohej qasja në informacionin e nevojshëm. Në përputhje me politikën tonë për të nxitur pluralizmin mediatik dhe në përputhje me raportet e ODIHR-it për zgjedhjet, në veçanti raportin e fundit dhe atë të vitit 2017, ne gjithashtu presim të diskutojmë në lidhje me përqendrimin e pronësisë së mediave në vend dhe çfarë duhet të bëhet për të balancuar situatën. Do të doja, gjithashtu, të përmendja projektin tonë kryesor në fushën e medias, një projekt përmes të cilit mbështetim transmetuesin publik RTSH dhe Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Ky projekt financohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe do të zbatohet deri në vitin 2022. Këta janë vetëm pak shembuj, por që përbëjnë drejtime të rëndësishme të punës sonë.

Rikthehet Komisioni për Reformën Zgjedhore, por jo tryeza. Çfarë po i mban palët larg? Keni apel? Keni sugjerim për çështjet e mbetura pezull?

Prezenca e OSBE-së, ODIHR-i, organizata të tjera ndërkombëtare dhe miq dypalësh të Shqipërisë i kanë nxitur të gjitha palët të punojnë së bashku për reformën zgjedhore. Ne kemi ofruar mbështetjen tonë përmes këshillave të ekspertëve dhe praktikave më të mira, për ta bërë këtë reformë. Pamë përparim të rëndësishëm në vitin 2019, përfshirë këtu faktin që kësaj përpjekjeje iu ribashkuan ato parti politike që kishin vendosur të largoheshin nga parlamenti. Ne besojmë shumë fort se rifillimi i këtij procesi në komisionin e posaçëm të Kuvendit për reformën zgjedhore, nesër, është një hap tejet i rëndësishëm përpara për vendin, duke qenë se reforma zgjedhore ka mbetur pezull prej ca kohësh tashmë, dhe shumë rekomandime të OSBE/ODIHR-it nuk janë adresuar tashmë ndër vite. Ne kemi parë që këshilli politik, në të cilin është e pranishme edhe opozita jashtëparlamentare, ka punuar shumë për të arritur projektet e tij, dhe i nxitim fuqishëm të gjitha palët që të vazhdojnë të punojnë me këtë hov. Ne do të vijojmë të mbështetim me ekspertizën tonë të brendshme; miqtë tanë nga ODIHR janë të gatshëm dhe, po ashtu, edhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë si Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, mund të këshillojnë se si të ecet përpara dhe si të arrihet ajo që kërkohet politikisht, në kornizën e praktikave më të mira ndërkombëtare. Së fundi, dua t’i nxit të gjithë aktorët politikë të vazhdojnë të ecin përpara dhe të mos lejojnë që ky proces i rëndësishëm politik të zvarritet.

Burimi: A2 Cnn

SHKARKO APP