Lorenc Goga: Facile.it, kjo familje e madhe që motivon të rinjtë!

Në gjurmët e suksesit të paraardhësve…

Nga Albina Gjergji

“Nëse me të vërtetë e dëshiron çelësin e suksesit, fillo duke vepruar të kundërtën e asaj çfarë gjithë të tjerët bëjnë”. Nuk e dimë nëse kjo shprehje e Brad Szollose – njërit prej ekspertëve botërorë të biznesit – është filozofia që udhëheq sipërmarrësit e suksesshëm, por për Lorenc Gogën mund të thuhet me siguri, që kjo moto gjen vend në mbarëvajtjen e punës dhe rritjen e biznesit që ai drejton. E ndërsa pjesa më e madhe e kompanive të Telemarketing-ut te ne ngjajnë për mënyrën sesi funksionojnë, për Facile.it nuk mund të themi të njëjtën gjë, sepse falë frymës së re të punës që Goga ka futur, dega e Facile.it në kryeqytet duket qartazi se bën diferencën nga Call Center-at e tjerë që operojnë në Shqipëri. Por, cili ishte starti i Facile.it në vendin tonë? Siç administratori Goga tregon në intervistën e mëposhtme dhënë për “Koha Jonë”, gjithçka lindi në fundin e verës të vitit 2012. Kohë, kur kompania e Telemarketing-ut, Facile.it në Itali vendosi të hapë filialin e saj në Tiranë. Pas pothuajse një jete të kaluar në Itali, Lorenc Goga rikthehet në vendlindje me vullnetin e mirë për t’i dhënë vetes e vendit të tjera mundësi. I lindur në Durrës nga një familje e njohur, bazat e suksesit të tij në biznes duket se prejardhjen e kanë pikërisht në genin familjar. Te Thoma Goga – xhaxhai i babait të Lorenc Gogës – i cili, pasi jetoi dhe studioi për shumë vite në Italinë e viteve ‘35-‘40 kthehet në atdhe për të ngritur disa sipërmarrje biznesi, por që do të pushkatohej nga regjimi diktatorial në moshën 23-vjeçare. “Nuk e di nëse një histori që përsëritet është rastësi, apo diçka tjetër. Di vetëm të them që kur gjen pika takimi me të shkuarën e paraardhësve është një ndjesi shumë e bukur dhe një motiv më shumë për ta vazhduar këtë mision”, tregon pasardhësi Goga, i cili është dëshmi konkrete e faktit që disa karakteristika te njeriu janë të lindura e të trashëguara…

Të bësh biznes në Shqipëri, parë nga jashtë duket e lehtë, por pasi je njohur më në thellësi me disa nga aspektet e të bërit biznes kupton që gjërat nuk janë aspak të lehta. Në fakt, si është të bësh biznes në Shqipëri? 

Të bësh biznes nuk është e thjeshtë jo vetëm në Shqipëri, por kudo. Shqipëria është një vend i vogël dhe biznesi duhet të ishte motori i zhvillimit ekonomik të këtij vendi tejet të pasur për nga burimet, si natyrore, ashtu edhe njerëzore, por të varfër për nga aktorët e jashtëm që e lehtësojnë, ose vështirësojnë të bërit biznes. Avantazhet dhe disavantazhet janë të shumta, por çka po e trondit biznesin sot, të vogël, të mesëm, apo të madh është pikërisht, për fatin e keq të shqiptarëve, politika. Politika nuk po e ushqen rritjen e biznesit. Ndaj dhe nuk është aspak e rastësishme që ekonomia shqiptare nuk po “ngre kokë”. Sfida e ardhshme e biznesit shqiptar do të jetë shkëputja nga “elita politike” dhe dhuna e shtetit mbi të. Kjo do t’i jepte mundësinë biznesit të ishte konkurrues në tregun brenda vendit, por dhe jashtë tij, në Europë e më gjerë.

Facile.it është një nga kompanitë e huaja të Telemarketing-ut, e cila me filialin e saj në Shqipëri ka shënuar një rritje dhe sukses të prekshëm krahas kompanive të tjera që operojnë te ne. Si administrator i përgjithshëm i degës në Shqipëri prej disa vitesh, mund të na thoni disa nga pikat e forta që e dallojnë atë nga kompanitë e tjera?

Facile.it është lider në tregun italian për ndërmjetësimin e produkteve asikurative dhe bankare. Filozofia e Facile.it është shumë e thjeshtë. Ne u ofrojmë klientëve tanë çmimin më të mirë për produktet që ata kanë nevojë. Ndryshe nga kompanitë e tjera të Telemarketing-ut që operojnë në vend, ne nuk punojmë me nën-tenderime nga kompani të treta dhe kjo i bën punonjësit tanë të jenë më të sigurt mbi vazhdueshmërinë dhe cilësinë e projektit tonë. Ky fakt na bën ne të punojmë dhe të investojmë mbi një vizion dhe plan biznesi shumë afatgjatë. Kjo motivon këdo që punon pranë Facile.it, ta shohë atë si një investim e rritje personale. Në një kohë që në Shqipëri shkurtohen dhjetëra vende pune thuajse çdo ditë, Facile.it hap vende pune të reja dhe mundësi zhvillimi për këdo që dëshiron, është i aftë dhe i kualifikuar të punojë.

Cili është çelësi i suksesit të kësaj kompanie, në gjithë këtë mori Call Center-i, që ende vazhdojnë të hyjnë te ne?   

Siç e thashë dhe më parë, jemi e vetmja kompani në këtë sektor që punon dhe “prodhon” për veten e saj. Nuk jemi të varur nga kontrata, apo, siç e quajmë ne, nga fushata afatshkurtra. Unë mendoj që çelësi kryesor i kësaj sipërmarrje është aftësia dhe impenjimi i punonjësve të saj. Bëhet fjalë për një kompani shumë të re, edhe si krijim, por edhe si moshë mesatare të drejtuesve dhe punonjësve, ku çdo proces i kompanisë është ideuar dhe zhvilluar brenda saj. Ky fakt është shumë i rrallë në ndërmarrje të këtyre përmasave.

Façile.it ofron mundësi punësimi për një numër të madh të rinjsh, pjesa më e madhe, të cilëve janë të diplomuar. Mendon se kjo është një meritë tjetër e këtij biznesi, për të përkrahur të rinjtë e pa punë dhe çfarë përkrahjeje keni gjetur realisht ju nga autoritetet për këtë meritë tuajën?

Sot Shqipëria jeton një realitet, ku pjesa dërrmuese e të rinjve janë të diplomuar në degë jo pak prestigjioze. Ndonjëherë, mendoj sa e vështirë do të jetë gjetja e një elektricisti apo muratori mbas 10 vitesh, pasi edukimi profesional, fatkeqësisht, nuk është në kulturën akademike të vendit tonë. Por kjo na ndihmon ne si kompani në gjetjen e një stafi të përgatitur dhe të kualifikuar. Patjetër që facile.it ka meritat e saj, për numrin e madh të punonjësve të punësuar gjatë këtyre viteve dhe për fatin e mirë kompanitë të ngjashme me Facile.it janë kthyer në një amortizues social të mirëfilltë me të cilin mund të mjekohet deri diku plaga e punësimit nga, e cila vuan shumë Shqipëria sot.

Sa kompetitiv është tregu i Call Center në Shqipëri?  

Tregu i Call Center-ave në Shqipëri po jeton maksimumin e konkurrueshmërisë së tij. Deri diku, kompanitë Call Center sot të kujtojnë disi “boom”-in e firmave të ndërtimit në fillimin e viteve 2000. Mendoj që kjo eufori paksa kaotike do na shoqërojë natyrshëm në një fazë të dytë ku do të ngelet një hapësirë e të bërit biznes më e kualifikuar dhe më cilësore. Pra, kriteri përzgjedhës nuk do jetë më “sa para kam”, por “sa aftësi dhe njohuri kam”.

Mund të na flisni për fillesat tuaja?

Gjithçka lindi në fundin e verës të vitit 2012, kur vendosëm të krijonim filialin tonë të Facile.it në Tiranë. Mbas thuajse një jete të kaluar në Itali u riktheva në vendlindje dhe e gjeta veten “emigrant” në vendin tim, por me një dëshirë dhe vullnet të madh për t’i dhënë vetes e këtij vendi disa mundësi më shumë. Personalisht, gjithmonë kam menduar se “guri rëndon në vendin e tij” dhe se Shqipëria ka pasur e ka nevojë për të rinj me vizion, të edukuar dhe që nuk i tremben punës. Kam menduar gjithmonë se realizimi i vetes vjen pasi ti i përkushtohesh shumë diçkaje. Dhe kështu, unë nisa t’i përkushtohem Facile-s duke e bërë atë një familje të madhe për këdo që nisi e vazhdoi bashkë me mua këtë rrugëtim.

Konkurrenca. Në profilin tuaj si biznes, e rrit apo e dobëson cilësinë e shërbimit?

Konkurrenca në biznes është thelbësore. Të shtyn që të bëhesh gjithmonë e më i mirë dhe të rrisësh nivelin e shërbimit. E rëndësishme është që konkurrenca të jetë e drejtë.

Cilat janë shërbimet që ofroni?

Facile.it, nëpërmjet ëebsite-it të saj, ofron çmimet më të mira për sigurime të ndryshme, kredi, depozita bankare, kontrata ADSL, telefoni celulare etj…

Përfitimi i të pasurit një Call Center në Shqipëri? Çfarë përfitimesh ka vendi ynë nga një biznes që u shërben të huajve?

Përfitimet e vendit tonë nga këto aktivitete mund t’i klasifikojmë në 3 makro-kategori:

  • Tatimet mbi fitimet e gjeneruara nga bizneset.
  • Punësimi (dhe avantazhet e tij) dhe prurja e kapitaleve të huaja në Shqipëri.
  • Kontraktimi i një sërë shërbimesh dhe furnizimesh që kanë nxitur në krijimin e një rrjeti kompanish zinxhir, që punojnë për këtë sektor.

A është një vlerë e shtuar për investimet dhe të ardhurat e vendit?

Pa diskutim që po. A keni menduar ndonjëherë si mund të ishte ekonomia shqiptare pa këto lloj sipërmarrjesh? Tirana është epiqendra e ekonomisë së vendit, prandaj edhe në Tiranë gjendet baza e këtij rrjeti. Unë kam frikë ta mendoj se si do të ishte vendi ndryshe…

E ardhmja e të rinjve që punësohen në Facile.it. Si e shikoni veten si biznes në raport me perspektivën e tyre?

Sot të punosh në Facile.it të jep mundësinë e rritjes profesionale. Ka shumë punonjës që impenjohen fort për të ngjitur shkallët e karrierës brenda kompanisë, ashtu siç ka shumë të tjerë, të cilëve kjo eksperiencë i ka ndihmuar për t’u afruar në një punë më të ngjashme me profesionin, për të cilin ata kanë studiuar dhe ëndërruar. Gjithsesi, sot të punosh në Facile.it nga ana ekonomike, por edhe nga ana profesionale është njësoj (ndonjëherë edhe më mirë), sesa të punosh në Bankë, apo në një kompani sigurimesh.

Numri i të punësuarve në Facile.it është rritur shumë që nga fillesat e saj dhe tashmë mund të thuhet që jeni një markë e njohur në produktet që ofroni. Mendoni se ka ardhur koha të zgjeroheni edhe më shumë edhe në qytete të tjera të vendit?

Po, është e vërtetë. Jemi rritur shumë gjatë këtyre 3 viteve dhe vazhdojmë e rritemi me ritme shumë të shpejta. Sot jemi të mirëstabilizuar në kryeqytet edhe për faktin se Tirana, për arsye demografike na jep mundësi që qytete të tjera nuk na garantojnë ende. Por, nëse në vitet e ardhshme do të kemi të njëjtin trend rritjeje, atëherë mund ta mendojmë edhe mundësinë për të hapur një seli në një qytet tjetër, apo edhe në disa qytete kryesore të vendit.

Kualifikimi i të punësuarve, testet që duhet të kalojnë ata për t’u punësuar te ju?

Ne kërkojmë punonjës që kanë njohuri shumë të mirë të gjuhës italiane dhe një përdorim të mirë të mjeteve informatike bazë. Këto janë dy kërkesat kryesore për të qenë pjesë e Facile.

Përkrahja e bizneseve si ju nga Bashkia dhe qeveria? Çfarë lehtësirash aplikohen ndaj jush, meqë keni një impakt të madh edhe në tregun e punësimit?

Deri më sot nuk kemi pasur lehtësira dhe asnjë përkrahje konkrete, pavarësisht rolit kryesor që kemi si sipërmarrje në treg. Arsyet përse, i shpjegova edhe më lart. Në Shqipëri, politikat e qeverisë më shumë sesa konstruktive janë destruktive.

 

Vështirësitë që hasni sot me zhvillimin e biznesit, krahasuar me qeverinë e shkuar?

Vështirësitë janë të shumta. Çka më shqetëson më shumë është arroganca e shtetit dhe pushtetit që edhe në kontrotendencë të plotë historike, vjen e bëhet më e madhe. Nëse në institucionet shtetërore kryefjala e punësimit do të mbetet “militantizmi”, atëherë për bizneset, që çdo ditë përballen me këta individë vendimmarrës të paaftë do të bëhet gjithmonë e më e vështirë.

Duke e lënë pak anash të bërit biznes, mund të na flisni pak për veten përtej kostumit të sipërmarrësit?

Nuk e kam shumë të thjeshtë ta shikoj veten përtej punës, apo jashtë saj. Jam mësuar të jetoj me punë dhe të punoj shumë për të jetuar më mirë. Krahas kësaj, jam pozitiv dhe energjik. Dua të bëj më të mirën për njerëzit. E jetoj jetën time shumë thjeshtë. Më pëlqen të kaloj kohë me miq, më pëlqen t’i ruaj fort lidhjet njerëzore që trashëgoj nga fëmijëria ime, por në të njëjtën kohë të njoh gjithmonë e më shumë njerëz të rinj…

Ju keni jetuar dhe studiuar jashtë vendit, konkretisht në Itali. Po të bësh një paralele me kulturën e punës atje, shikon ndonjë diferencë mes rinjve shqiptarë dhe atyre huaj? 

Ne dalim nga një sistem, ku cilësia e punës nuk sillte ndonjë përfitim të veçantë dhe njerëzit ishin mësuar të bënin minimumin. Sot të rinjtë shqiptare po mundohen ta mposhtin këtë mentalitet të vjetër dhe të hedhin shikimin drejt Perëndimit, ku liria dhe e drejta e individit janë primare. Dalloj një dëshirë të madhe te të rinjtë, sidomos në Tiranë, të mendojnë, të punojnë dhe të jetojnë si në vendet në zhvillim. Avantazhi i të rinjve tanë, ndryshe nga të rinjtë e vendeve të pasura është energjia, dëshira e madhe për t’u afirmuar dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë.

Si një menaxhues shumë i mirë i punës dhe qindra punonjësve në Facile.it, mund të themi që jeni po aq i mirë edhe në menaxhimin e kohës së lirë?

Pasuria më e madhe sot është koha. Po të mendosh se, çdo ditë nëpër botë lindin kompani që ofrojnë shërbime, për të cilat do të kursesh kohë, edhe facile.it është një e tillë. T’ju them të drejtën, gjithmonë e më pak herë më del koha t’i bëj gjatë ditës të gjitha gjërat që dua e kam në plan të bëj, por jam mësuar të bashkëjetoj me këtë gjë. Por, jam koshient që asgjë nuk ikën më shpejt se sa koha.

Tejet i impenjuar, por ajo pak kohë që ju ngelet edhe për veten. Mund të na thoni, si e plotësoni puzzle-in e prioriteteve tuaja?

Një nga prioritetet e mia është të jem i informuar mbi ngjarjet që ndodhin në Shqipëri dhe në Europë. Për fat të mirë sot marrim informacione të shpejta dhe në kohë reale. Përsa i përket kohës time të lirë dëshiroj, si të gjithë të kultivoj pasionet. E një ndër pasionet më të mëdha është ai për sportin, në veçanti futbolli. E kam pjesë të jetës sime, pa të cilën nuk do bëja dot.

Gjeni mirëkuptimin te të tjerët për dedikimin e munguar?

Jo gjithmonë të tjerët më kuptojnë dhe ky fakt më dhemb pak, pasi siç thashë edhe më lart, nëse do kisha mundësi, do të doja të kaloja më shumë kohë me miq e familjarë, por unë gjithsesi e ndjej të fortë mbështetjen e tyre dhe kjo më jep më energji për ta vazhduar rrugën time…

Lorenc Goga, pasardhës i një familje të nderuar durrsake dhe e njohur ndër vite për persekutimin e saj nga regjimi komunist. Na flisni pak për origjinën dhe historinë e dinastisë “Goga”?

Siç thatë edhe ju, vij nga një familje qytetare durrsake, pjesë e një borgjezie fisnike e punëtore, e cila u persekutua dhe u godit nga regjimi komunist. Familja Goga ka qenë pronare, apo bashkëpronare e shoqërive të para aksionere në Shqipëri, ku mund të përmendim sipërmarrje si, kantieri detar “Tom Goga SH.A.” kantieri i parë modern në Shqipëri, apo “STAMLES SH.A.”, një ndër shoqëritë më të mëdha në Europë për prodhimin e cigareve. Por që regjimi diktatorial vrau dhe uzurpoi familjen time, ashtu siç bëri me shumë familje të tjera në vend, duke pushkatuar njeriun, shpresën dhe dëshirën hyjnore tonën për të qenë pjesë e Europës më të emancipuar.

Të bërit biznes dhe i të qënurit i suksesshëm. A është ky në fakt një virtyt i trashëguar nga paraardhësit tuaj? 

Xhaxhai i babait tim (i cili i ka trashëguar emrin) Thoma (Tom) Goga, jetoi dhe studioi në Itali përpara se të kthehej në atdhe për të ngritur disa sipërmarrje, ku dhe u pushkatua nga regjimi diktatorial në moshën 23-vjeçare. Nuk e di nëse një histori biznesi që përsëritet është rastësi, apo diçka tjetër. Di vetëm të them që është një ndjesi shumë e bukur dhe një motiv më shumë për të vazhduar këtë mision. Disa karakteristika te njeriu janë të lindura, sado të mundohesh t’i kultivosh ato.

A ka një qëllim, një pasardhës i fisit Goga dhe cili është ai?

Nuk ka sukses, nëse nuk ka një qëllim. Sot qëllimi im është të vazhdoj të krijoj sa më shumë vende pune për t’i dhënë mundësi bashkëqytetarëve të mi të kenë një jetë më të mirë e pse jo t’i bëjnë realitet ëndrrat e tyre.

Mund të ndjeheni mjaft i realizuar nga ana profesionale, por a e ndjeni veten të tillë në aspektin personal?

Nuk kam pasur shumë kohë ta mendoj, sepse realisht nuk e kam të thjeshtë ta ndaj profesionalen nga personalja, por sot mund të them që jam i lumtur për familjen, kushërinjtë, shokët dhe kolegët që kam…

Ka pengje një sipërmarrës dhe si e konceptoni realizimin tuaj përtej kornizës që ju fal puna? 

Si definicion sipërmarrësi është ai që rrezikon. Rrezikon në financa, rrezikon marrëdhëniet (edhe ato më të afërta), rrezikon kohën. Po të ndaloja tani do isha plot pengje, por tashmë jam i dënuar të mos ndaloj, të paktën jo tani. Si çdo shqiptar i mirë, realizimin, përveç punës e shikoj te familja, pavarësisht se nuk e shikoj veten akoma gati për ta ndërtuar një të tillë. Por, gjithçka ka kohën e saj e mendoj se do të vijë koha që edhe unë të krijoj një familje si ajo, në të cilën u linda dhe u rrita.

A ju ndjell Italia që të riktheheni për të punuar atje, apo Shqipëria mbetet një realitet që duhet prekur deri në fund?

Italia më ka adoptuar dhe më ka edukuar. Është vendi, ku jetojnë prindërit e mi dhe një pjesë e mirë e shoqërisë sime, që më ka shoqëruar për shumë vite, por unë e dua shumë tokën time dhe dua të vazhdoj të jap kontributin tim për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë… Shqipëria ka shumë vlera, është e bukur dhe ka nevojë për njerëz që t’i nxjerrin në pah bukurinë e vlerat që gëzon.

 

 

 

 

 

SHKARKO APP