Lubonja rrëfehet për emisionin e ri dhe ndarjen nga Klani

 

Pak ditë më parë lajmi se Fatos Lubonja po niste një emision të vetin brenda lajmeve te Agon Channel, bëri xhiron e gjithë mediave. Disa qenë të habitur për ndarjen e tij me Klan, pas 15 vitesh bashkëpunim. Të tjerë për sfidën e rifillimit në një ekran ende te ri. Por si shumë herë në jetën e tij, Fatos Lubonja edhe këtë radhë ka guxuar. Dhe ai ka pranuar ta tregojë në një intervistë ekskluzive për Lapsi.al këtë sfidë. Duke i’u përgjigjur edhe akuzave se ai është një luftëtar anti sistemit, por që përfiton prej tij: "Për momentin nuk shoh mjet alternativ për të thënë të vërtetën time e për të ndryshuar gjendjen në emër të ideales, përveçse duke luftuar me kurajo përbrenda sistemit…"

Çfarë është këndi i Lubonjës, çdo të përmbajë ky program?

Më shumë se program më vete, ky është një kënd i imi në lajme, ku do të komentohet pesë ditë në javë (nga e hëna në të premte) një apo më shumë se një nga ngjarjet më të rëndësishme të ditës apo do të sjell ndonjë fakt, ide a informacion me domethënie të veçantë sipas kënvështrimit tim. Në fillim nga Agon m'u propozua diçka tjetër që e gjykova jashtë prirjeve të mija. U ndjeva më mirë në këndin e lajmeve, pasi, të them të drejtën, e monitorova me kujdes për më shumë se një muaj. Kështu duke patur parasysh edhe marrëdhëniet që ju i dini se kam me Andi Bejten, drejtorin editorial të Agonit, shpresoj se lajmet do të jenë ushqim i përditshëm për komentet e mija dhe idetë e mija do të pasurojnë lajmet në Agon.

Ju zakonisht jeni munduar të mbani një distancë nga ngjarjet dhe t'i shikoni ato jo flakë për flakë. Ky emision ditor do të kërkojë shpesh një reagim të atypëratyshëm, a i druheni një mundësie më të madhe gabimi?

Përgjithësisht si gazetar them se kam komentuar e dhënë mendim për ngjarjet e ditës. Distancën, për të cilën flisni, e kam kërkuar duke e vendosur ngjarjen në një kontekst më të gjerë (nganjëherë edhe historik) dhe- besoj- duke mos bërë militantin e partive, por duke reflektuar paanësi gjykimi. Kjo frymë do të ruhet në këndin tim. Megjithatë mundësia dhe angazhimi për të marrë po ashtu pjesë në emisionet me karakter më thellues politik të Agon Channel do të më japë mundësi të thelloj temat më të rëndësishme. Po ashtu po mendojmë me Bejten edhe për një format një javor emisioni të thelluar politik, social dhe kulturor.

Përsa u përket gabimeve, pa dyshim që këto nuk përjashtohen. E rëndësishme është që, sikurse thotë Biaggi, të mos gaboj për hesap të të tretëve.

 Gati 15 vite bashkëpunim me Klan, a ishte e vështirë ndarja?

Le të shohim pjesën plot të kupës: 15 vjet janë shumë dhe kjo flet se megjithë fërkimet, unë edhe Klani (veçanërisht Opinioni) kemi qenë të kënaqur nga bashkëpunimi. Në Opinion më është dhënë mundësia të shpreh mendimet e mija edhe pse shpeshherë në një kontekst tepër konfliktual dhe të polarizuar, çka jo gjithmonë e ndihmon kthjellësinë e mendimit. Do të kisha dashur që atë që do të bëj tek Agon ta bëja në Klan, por nuk më është propozuar asnjëherë ndonjë gjë e tillë.

Shpesh ju kanë kritikuar se ju godisni sistemin (përfshirë edhe atë mediatik që është konvertim i oligarkisë me politikanë të korruptuar), a mos duke lëvizur nga një media tek tjetra edhe ju i shërbeni në thelb këtij sistemi?

Kam qenë dhe mbetem kundër këtij sistemi mediatik. Idealisht kam qenë dhe mbetem i idesë se një nga format për të ndryshuar këtë sistem është krijimi i një medieje publike demokratike dhe të paanëshme dhe futja e mediave private në një treg ku të ketë vërtet konkurrencë sipas meritës dhe jo një treg të kapur nga oligarkët. Sot jemi në një situatë ku pushteti synon të kontrollojë gjithçka dhe në këtë kontroll media publike është më afër sistemit që kaluam se sa mediat private, ku gjithsesi ka më shumë hapësira lirie. Për momentin nuk shoh mjet alternativ për të thënë të vërtetën time e për të ndryshuar gjendjen në emër të ideales përveçse duke luftuar me kurajo perbrenda sistemit. Edhe rrjetet sociale, që u dukën idealisht si alternativë, si mundësi lirie pa kufizim, realisht i shoh se janë pjesë e të njëjtit sistem, të manipuluara shpesh nga pushteti politik, pushteti i parasë dhe lobeve të ndryshme. Prandaj kurajua për të luftuar brenda sistemit mbetet shumë e rëndësishme edhe sepse, sikurse thuhet, nuk mund të jesh i lirë vetëm. Dhe po ta shohësh edhe më gjerë më duket se kjo është mënyra më e shëndoshë për të ndryshuar edhe gjendjen e Shqipërisë për këdo që ka ideale të tjera nga ky mjerim ku ndodhemi.

Me sa kemi dëgjuar kontrata juaj përmban një klauzolë ekskluziviteti. A mendoni se po bëni një sakrificë duke munguar në studiot kryesore televizive?

Në kontratë parashikohet që përsa i përket aktiviteteve në mediat e shkruara dhe po ashtu atyre që kanë të bëjnë me krijimtarinë apo botimet e mija nuk ka ekskluzivitet. Përsa i përket analizave dhe komenteve si gazetar do të jem vetëm në Agon me një angazhim të përditshëm çka besoj se do të jetë mjaftueshëm edhe për mua për të shprehur mendimet e mija pa u bërë edhe i mërzitshëm. Sigurisht nuk është idealja, siç e thashë, por më e mira e mundëshme për momentin.

E keni vendosur se me çfarë do filloni këtë të hënë 6 prill tek këndi i Lubonjës?

Kam disa ide, por zgjedhja do të vendoset edhe nga dita dhe ngjarjet e saj.

SHKARKO APP