Luciano Boci: Bashkitë, feude të bajraktarëve të politikës së majtë

Intervistoi: Sidorela Lepuri

Pas rezultatit të zgjedhjeve të 21 qershorit, Partia Demokratike do të paraqesë në shtator analizën për humbjen. Ka patur një sërë komentesh lidhur me këtë çëshjte si edhe me rolin e kryetarit aktual, Lulëzim Basha. Por deputeti i PD-së për qarkun e Elbasanit tregon se diskutimi dhe vënia në dyshim e drejtimit të PD nga kryetari aktual është e pakuptimtë dhe nuk i shërben aspak forcimit të vetë PD.
Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Boci flet edhe reformën territoriale, e cila u vendos për herë të parë në zbatim në këto zgjedhje. Më tej deputeti i PD-së shpreh edhe qëndrimin e tij për reformën më të debatuar të ditëve të fundit, atë të arsimit.

Reforma e re territoriale u vu në zbatim për herë të parë gjatë këtij procesi zgjedhor. A ka ndikuar ajo në rezultatet zgjedhore duke favorizuar njërin kamp politik dhe nëse po, si?

Reformën që në fillim ne e kemi denoncuar si të ndërtuar jo mbi kriteret ekonomiko-gjeografike të zonave dhe  jo sipas afërsisë kulturore shpirtëror e sociale të tyre. Ajo mbetet një reformë e cila ndau bashkitë në bazë të matematikës së votave ndër vite të ndërthur me interesa momentale të personave me pushtet që i konsiderojnë ato si domenet e veta. Pra, në konkludim njësitë e përftuara nuk ishin Bashki reale, nga ato që duhet të ketë një realisht territor dhe që reflektojnë diversitetin e specifitetin ekonomik, turistik e tërësor të zonave të caktuara. Ato janë ose feude politike ku bashkësia e votave është e madhe në favor të së majtës ose feude të bajraktarëve të rinj dhe të vjetër të politikës pushtetare, të cilët i konsiderojnë dhe i trajtojnë si enklava fisnore, shoqërore dhe njëkohësisht politike. Kjo shpjegon faktin pse bashki të mëdha si Tirana, Durrësi, Elbasani etj, nga të mëdha u bënë pakuptimësisht shumë e më shumë të mëdha dhe pse qarqe me numër inferior banorësh si Berati apo Gjirokastra, gati pesëfish më pak se qarqet e tjera, prodhuan, në mënyrë absurde numër të madh bashkish. Këtu nuk kuptohet pse kemi dhe Çorovodë por dhe Skrapar. Pse kemi dhe Kuçove dhe Urë Vajgurore njëkohësisht, kur mund të qëndronin shumë më mirë bashkë. Kuptohet lehtë që përgjigja qëndron tek matematika e votës dhe tek koncepti i feudit personal e politik njëkohësisht. Ky realitet impononte për këtë shkak një rezultat pothuaj në tavolinë për pjesën më të madhe të njësive vendore, kur dhe dihet që në situata qoftë dhe përmbysjesh rezultatesh, trendi i lëvizjes së votave me zor e kalon 10%. Një paravendosje e tillë zbehu plotësisht alternativën e programeve dhe vizioneve. Me një analizë të shpejtë të mënyrës se si u bë fushata dhe në mungesë të plotë të zbardhjes së kompetencave të pushtetit lokal, del e qartë që shumë rezultate ishin pothuaj të paracaktuar pa nisur gara. Kjo bëri që dhe kandidatë me zero vlera, pa asnjë ide, artikulim politik, formim drejtues, të dilnin fitues dhe me diferenca jo të vogla.

Partia Demokratike i  humbi zgjedhjet në bashkitë më të mëdha të vendit. Çfarë mendoni se nuk shkoi siç duhet apo e penalizoi PD-në?

Nëse ne e shohim situatën zgjedhore të zhvilluar, në kontekstin e gjendjes ekonomike, sociale apo të punësimit, të burgosjes, humbjes progresive të lirive themelore, të premtimeve të shkelura të 2013-ës e të protestës qytetare të akumuluar dhe të shprehur hapur në forma e mënyra të ndryshme, duket sikur diçka ka çaluar në PD. Por nëse këtij horizonti pritës tepër pozitiv për opozitën i shtojmë realitet që ngjanë, që ishin planifikuar dhe që u realizuan, gjykimi fillon e trazohet plotësisht. Me një ndarje të stisur territoriale mbi bazën e votës politike historike dhe në kushtet e deformimit të procesit zgjedhor për shkak të angazhimit dhe dhunës totale të strukturave shtetërore mbi votuesit, instalimit të teknikës së devijimit të votës nëpërmjet blerjes së saj, shantazhimit, manipulimit, vjedhjes, sigurisht rezultati nuk duket aq shumë i papritur. Sigurisht këtu nuk dua të justifikoj askënd, përfshirë drejtuesit e të gjitha niveleve. Brenda nesh kemi shumë gjëra për të korrigjuar dhe për të përmirësuar. Analiza e duhur e zgjedhjeve do t’i shërbejë plotësisht reflektimeve dhe vendosjes së pikave mbi i për çdo kontribut të munguar apo të dhënë, punë të bërë keq ose shtrembër apo të mirë e të drejtë, për të ndërtuar pas kësaj kohezionin e domosdoshëm njerëzor, vizionar, motivues si investimi i duhur për zgjedhjet e ardhshme. Detyra më imediate për PD mbetet angazhimi i energjive të protestës qytetare për të vënë në shinat e duhura sistemin tërësor politik-zgjedhor, tek i cili kemi pretenduar e pretendojmë që të na krijojë mirëqenie, zhvillim, të sotme të mirë e të ardhme të sigurt për familjet dhe brezat. Kjo për arsye se ky sistem pothuaj në Shqipëri ka rënë plotësisht dhe duket se ai po merr pashmangshmërisht me vete dhe demokracinë ende të paarrirë tonën. Jetojmë kohërat e triumfit të krimit mbi qytetarinë, e së keqes mbi idealin,  dhe të aplikimit të një politike pushteti që votën e sheh si mekanizmin për të ruajtur e krijuar privilegje kastash dhe si mjet për të ruajtur me domosdo në masa, statukuonë e një varfërie konstante, e cila bëhet shtrati i çdo manipulimi të dëshiruar dhe lehtësisht të arritshme.

Ka patur një sërë komentesh lidhur me këtë humbje, por cili është qëndrimi juaj?

Një humbje është gjithmonë një stad reflektimi, analize, organizimi, përqendrimi për të sinergjizuar gjithçka pozitive dhe për të ndrequr gjithçka që nuk shkon, na ndan, na pengon në betejën tonë për të dhënë e ofruar alternativa zgjidhjesh dhe zhvilluese për vendin

Pas humbjes së zgjedhjeve janë shfaqur pakënaqësitë e para brenda vetë PD-së. Si do ta cilësonit rolin e z. Lulëzim Basha në këto zgjedhje?

Debatet janë pjesë e domosdoshme e funksionimit të një force politike. Kuptohet që ato intensifikohen në rast të humbjes së një gare. Kjo jo për të vënë gishtin dhe për të penalizuar njerëz të veçantë apo për të nxjerrë gozhdët e inateve të vjetra dhe të reja, por më së shumti për të bashkërenduar punën e struktuarve, të brezave brenda PD-së, individëve me role të përcaktuara. Opozita është proces i cila ka stadet e veta dhe lëvizjet e saj sinusoidale. E rëndësishme që investimet e të gjithëve të konvergojnë në qëllimin e madh të konfirmimit të saj nga votuesi si e besuar për të drejtuar vendin. Roli i Bashës ishte roli i një lidershipi që vjen në politikë me një kostum të ndryshëm nga kundërshtari i tij, me një kurbë ngjitëse të pakthim, me seriozitet e përkushtim politik që konfirmojnë ideale dhe dëshira për një drejtim të merituar të vendit.  Ai arriti të konfirmojë  traditën më të mirë të PD dhe e pasuroi atë me aksion politik shumëdimensional.

Thuhet  se PD do të paraqesë analizën e humbjes në shtator. Do të diskutohet gjatë analizës edhe për rolin e kryetarit aktual?

Gjithçka që i përket fjalës analizë do të bëhet pa hezitim. Vetë kryetari Basha e ka kërkuar një gjë të tillë. Debati i sinqertë, i cili nuk mbështetet në filozofinë e prerjes së kokave e shëndosh një forcë politike dhe e organizon atë për beteja të reja dhe të afërta. Diskutimi dhe vënia në dyshim e drejtimit të PD nga kryetari aktual është e pakuptimtë dhe nuk i shërben aspak forcimit të vetë PD. Kjo jo për arsye të këndvështrimit subjektiv, por për shkak të logjikës politike të evolucioneve brenda PD dhe të faktit të rritjes së mbështetjes për të në popull, të kthimit të kredibiliteit të saj si dhe të progresit organizativ të nisur nga lidershipi i saj. Interpretimet e rezultateve janë e drejtë e çdo anëtari, por ajo që mbetet kryesore është se PD po rikthehet. Ritmet e këtij procesi, shpejtimi i tij varen dhe nga gjithsecili ne në angazhimin tonë opozitar.

Nëse do të lindte nevoja, a do të formonte  PD sërish koalicion me LSI-në?

Politika është fusha e të pamundurave. Por ndonjëherë të pamundurat bëhen absolute.

Reforma e arsimit ka qenë në fokus të ditëve të fundit, ku pavarësisht se kaloi në parlament,  do të ketë sërish protesta nga akademikë dhe studentë. Përse mendoni se hasi shumë kritika kjo reformë?

Efektet e kësaj reforme argumentohen të jenë me pasoja negative për botën akademike e studentore. Ligji i Arsimit të Lartë i kaluar në parlament godet themelet e lirisë akademike dhe autonomisë universitare. Shmang detyrimet dhe orientimet e hapësirës Europiane. Kërkon ta vendosë jetën universitare nën kontrollin dhe tutelën e plotë të ekzekutivit dhe të politikës, vertikalisht nëpërmjet agjencive dhe horizontalisht nëpërmjet bordeve. Ai rrit në mënyrë galopante tarifat e studentëve dhe shmang detyrimin e shtetit për të financuar Arsimin e Lartë. Delegon fonde publike e interesa tek privati. Të rinjtë penalizohen dhe nuk kanë akses të plotë në Arsimin e Lartë. Ata nuk marrin mbështetjen që kushtetuta ja detyron çdo qeverisje dhe nuk përfaqësohen denjësisht brenda universitetit, të cilit i japin pjesën më të madhe të financimit nëpërmjet parave të familjeve të tyre. Pozita e pedagogut degradon dhe ai zhvishet nga vendimmarrja, me organe akademike si Senati, Asambleja, të gjymtuara si dhe me organe të eleminuara plotësisht si Këshilli i fakultetit apo ai i profesorëve. Universiteti publik me shndërrimin e tij të detyruar në Publik të Pavarur, humbet rolin ilumist e humanist dhe shndërrohet ne klientelist dhe arrivist. Madje një pjesë e tij në rrethe rrezikon rënien e statusit në kolegj dhe kësisoj pashmangshmërisht e dërgon atë drejt mbylljes.

Së fundmi, a mendoni se arsimimi ka nevojë për reformim dhe konkretisht çfarë duhet ndryshuar?

Pas ngopjes sasiore Arsimi i Larët duhet të shkojë drejt stadit të ngritjes cilësore. Arritja e këtij qëllimi nuk mund të bëhet me reforma që hartohen në zyrat e klientelës kryeministrore dhe që nuk marrin në konsideratë kërkesat e botës akademike dhe të grupeve të interesit. Ai nuk mund të bëhet as me ligje hibride të pangjara dhe të ndryshme krejtësisht nga realiteti dhe konteksti europian dhe vetë ai shqiptar. Në çdo fushë eleminimi i traditës sjell pasoja negative dhe futja e modeleve të papërputhshme me kontekstin, ekonomik, social e kulturor degjenerojnë në eksperiment afatshkurtra por me pasoja të pariparueshme. Më e mira do ishte që kjo reforme të drejtohej me vektor së brendshmi nga vetë Universiteti. Rikthimi i Katedrave (grupeve mësimore-shkencore) brenda departamenteve që në ligj anashkalohen, forcimi i organeve vendimmarrëse akademike, rritja e autonomisë e forcimi i lirisë akademike, rritja  e standardit të kontrollit të dijes, nxitja e punës kërkimore shkencore dhe e motivimit të titujve, grupimi i masave që ndikojnë në rritjen e korrektësisë akademike dhe që përmirësojnë mësimdhënien, do të ishin një pjesë e masave që do përmirësonin cilësinë aq të kërkuar, e shoqëruar kjo me ndryshimet e domosdoshme ligjore. Krahas këtyre, ngritja e kampuseve universitare dhe i bibliotekave bashkëkohore me të gjithë gamën e titujve e perfeksionimi i laboratorëve si pjesë e ndërhyrjes në infrastrukturë, do ndikonin djeshëm në realizim e asaj që të gjithë e duam. Nga ana tjetër rritja e pjesës së PPB për arsimin, është pikë kruciale për një reformë, pa të cilën gjërat duken të pamundura. Nuk mund të bësh reformë duke u thënë të rinjve që tani me përjashtim të disave ekselentë ose në nevojë, ju do ta blini dijen, sepse qeveria mendon thatë e shkurt: më shumë para e më shumë cilësi. Ky postulat merr vlerë kur secili merr përgjegjësitë e veta: dhe shteti dhe individi. Kjo nuk mund të bëhet duke “ja lënë topin në derë” familjeve të pamundura shqiptare dhe duke lozur me dëshirën e tyre të pamatë për fëmijë e breza të arsimuar.

 

SHKARKO APP