Luçiano Boçi: Kaosin në RTSH e shkaktoi Rama

Flet deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: Maxhoranca nuk është aritmetikë numrash, siç do ta dëshironte Kryeministri, por algjebër besimi dhe suksesi

Intervistoi: Redjon Shtylla

 Qartazi në protestën e fundit gjatë muajt dhjetor të vitit që lamë pas, Kreu i Partisë Demokratike Lulëzim Basha nën mbështetjen e organizatorëve të forumit rinor, u premtoi studentëve se ligji i arsimit të lartë, do të ndryshojë me ardhjen e të djathtëve në qeverisje. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti Luçiano Boçi si pjesë e komisionit për edukimin dhe mjetet e informimit publik, shpjegon me detaje për publikun qasja me të cilën ligji i arsimit të lartë është propaganduar nuk është adekuat me kushtet që ofron platforma e arsimdhënies në vendin tonë. PD, si pjesë e Parlamentit e ka rrëzuar që në fillim dhe nuk është bashkuar në mbështetje të studentëve vetëm kur ata nisën protestat  gjatë vitit 2015, por që në zanafillën e paraqitjes nga qeveria, të projektligjit për reformimin në arsimin e lartë. Boçi thotë se, platforma e PD-së është për ndërhyrje efikase të karakterit tërësor ligjor, për një programor infrastrukturor që do të përfshijnë të gjitha nivelet e arsimit dhe kërkimit shkencor. “Këto janë pikat thelbësore që garanton një zhvillim të qëndrueshëm, mirëqenie dhe rritje të ndjenjës së përgjegjësisë tek qytetarët shqiptarë për misionin që ka secili prej nesh si dhe shoqëria në tërësi”, argumenton më tej z. Boçi. Deputeti i PD-së, flet dhe për ngërçin e krijuar në Radio Televizionit Publik, që prej dy vitesh. Edhe në këtë pjesë përsëri PD-ja qëndron kritike, duke akuzuar Kryeministrin Rama se kjo është tentativa e tretë dështuese për RTSh-në, ai i bën thirrje Ramës që të paraqesë kandidatë siç parashikon ligji dhe jo të përmbyllë egon e tij për pushtet. Deputeti Boçi, mbështet faktin se Televizioni Publik duhet të qëndrojë i tillë e jo t’i shërbejë politikës së ditës. Për sa i përket vijimësisë të protestave, Boçi shpreh qëndrimin zyrat se ato do në rinisin së shpejti dhe për sa i përket fjalëve se a mund të ndryshojë qeveria kur ajo ka një mazhorancë, e cila e tejkalon numrin e votave? “Mazhoranca nuk është aritmetikë numrash, siç do ta dëshironte Kryeministri, por algjebër besimi dhe suksesi”, ka theksuar Boçi.

Në protestën e fundit, z. Basha deklaroi se së bashku me studentët do të kërkonte kthimin e ligjit për arsimin e lartë. Përse opozita reagoi vetëm këtë vit, ndërkohë që, studentët kanë dy vite që e kanë kundërshtuar?

Deklarata e Kryetarit Basha nuk është e para, por vazhdim i një qëndrimi kundërshtues të shprehur qartë nga PD që në momentin që është shfaqur drafti i parë i ligjit të arsimit të lartë. Them i pari, që i takon marsit të 2015-s, sepse ky ligj njohu disa variante jozyrtare që qarkulluan me disa ndryshime minimale. Realisht drafti zyrtar i ka mbërritur Komisionit të Edukimit dhe mjetet e informimit publik në korrik të 2015-s dhe është diskutuar përgjatë këtij muaji. Maxhoranca këmbënguli, duke përdorur abuzivisht votën, në futjen e tij të menjëhershme në seancë po në këtë periudhë, për të shmangur dhe një reagim të fortë të botës akademike dhe studentore. Korriku shënon fillim-vakancat e universiteteve. Pra kohësisht nga varianti jo zyrtar dhe ai zyrtar, diskutimi mbi këtë ligj ende nuk ka mbushur vitin dhe përcaktimi diferencës midis nesh dhe studentëve nuk është i saktë. Jo vetëm për këtë, por dhe për faktin që kundërshtimi ynë ndaj drafteve fillestare dhe atij zyrtar, ka qenë i prerë dhe i konturuar politikisht fort. Kjo është pasqyruar jo vetëm nëpërmjet deklaratave të  vetë kryetarit të PD, të deputetëve nga selia e PD, por dhe nëpërmjet një vargu qëndrimesh mediatike audiovizive dhe të medias së shkruar të shumë prej anëtarëve të Departamentit të Arsimit pranë PD-së. E gjitha kjo sipas një plani mediatik të paramenduar dhe të organizuar. Kulmimi ishte tryeza e rrumbullakët e organizuar nga PD-ja me grupet e interesit, forumet akademike dhe lëvizjet studentore që kishin shprehur hapur kundërshtinë e tyre për ligjin. Ndërkohë, konsistenca e anëtarëve tanë të Komisionit të Edukimit gjatë diskutimit nen për nen, diskutim, i cili zgjati gati 36 orë, detyroi Parlamentin që të organizonte seancë të posaçme për këtë ligj. Gjatë kësaj seance u konfiguruan diskutime efikase dhe të forta nga deputetët tanë, të cilët parashtruan pa asnjë ekuivok, me argumente, qëndrimin e PD-së kundër një ligji, i cili eliminon vlerën publike të universitetit, që cenon e kufizon pavarësinë dhe lirinë akademike. Që ul aksesin e studentëve, rrit tarifat dhe përçmon e dëmton rolin e pedagogut dhe profesoratit brenda institucionit të arsimit të lartë e që atrofizon dhe i merr frymën kërkimit shkencor. Përgjatë kësaj periudhe kontaktet me grupet studentore dhe forumet akademike kanë qenë intensive me karakter bashkëpunues e ofrues, por gjithmonë duke respektuar kërkesën e bërë nga ata vetë që aktivizimi oponencial i tyre të mos politizohej dhe të përdorej. Pra reagimi ynë nuk ka dhe nuk vuan nga asnjë diferencë kohore dhe ideore. I ka ecur dhe ecën në të njëjtën linjë dhe të njëjtin intensitet kundërshtues sikurse ai i studentëve dhe pedagogëve. I gjithë ky qëndrim politik konsekuent i ravijëzuar në këto paragrafë, normal që provokon nga ne një qëndrim ekstrem të shprehur publikisht nga z.Basha, në protestën e organizuar nga të rinjtë si pjesë e iniciativës për mosbindje civile: ne jemi taksativisht kundër këtij ligji dhe me marrjen e përgjegjësisë së qeverisjes nga votuesit, ne do ta abrogojmë dhe do ta zëvendësojmë me ligj që është produkt i konsultimeve intensive me botën akademike e studentore dhe që i shërben pikë së pari dijes, kërkimit shkencor dhe progresit të vendit.

Cila është reforma që do të bëjë PD-ja në arsim, kur të vijë në pushtet?

Dua ta shmang për momentin fjalën reformë pasi ka një inflacion aq të paparë të përdorimit të saj nga kjo maxhorancë, sa rrezikon të humbasë dhe kuptimin parësor dhe të mbartë një kuptim pezhorativ. Ne do të bëjmë ndërhyrje efikase të karakterit tërësor ligjor, programor infrastrukturor që do të përfshijnë të gjitha nivelet e arsimit dhe kërkimit shkencor me bindjen se ai është një ndër shtyllat kryesore që garanton një zhvillim të qëndrueshëm, mirëqenie dhe rritje të ndjenjës së përgjegjësisë te qytetarët shqiptarë për misionin që ka secili prej nesh si dhe shoqëria në tërësi. Do të zhbëjmë çdo ndërhyrje abuzive që ka dëmtuar sot progresivisht statusin e shkollës, universiteteve, mësuesit, nxënësit, studentit, pedagogut, kërkuesit për t’i dhënë atyre vlerën dhe vendin që i takon.

Prej dy vitesh RTSH është pa drejtues. Si mendoni se mund të zgjidhet ngërçi i krijuar në institucionin kryesor të informimit publik?

Zgjidhja e ngërçit është gjetja e një konsensusi më shumë se politik, profesional. E gjitha kjo me dëshirën dhe angazhimin që ne e kemi, për të vendosur në drejtim një përzgjedhje midis kandidatësh që nuk mbartin hije dhe kusure të së kaluarës, por që shohin nga e ardhmja dhe që bindin se do të kontribuojnë për një RTSH që i shërben vërtet publikut dhe jo politikës së ditës që i shërben informimit dhe jo deformimit që i shërben edukimit tërësor dhe jo konfortimit pa kufij.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se brenda këtij muaji do të zgjidhet kreu i ri i RTSH-së, qoftë edhe duke ndryshuar ligjin. A garanton kjo mënyrë një proces jo politik dhe cili do të jetë qëndrimi i PD-së?

Kjo do të ishte tentativa e tretë e Kryeministrit brenda kësaj kohe të qeverisjes së tij për të ndryshuar ligjin për mediat audiovizive 97/2013, të miratuar me konsensus dhe me një ekspertizë shumë rixhide nga institucionet ndërkombëtare. Tentativa e parë kishte të bënte me shfuqizimin e dispozitave kalimtare që i siguronin Kryetares së atëhershme të AMA-s, znj. Bushati të vazhdonte të ishte në detyrë (neni 134). Tentativa nuk mori viston e përfaqësuesve të institucioneve monitoruese dhe si e tillë u tërhoq, megjithëse znj. Bushati u ekzekutua më pas me metoda pak a shumë mesjetare. Tentativa e dytë ishte kërkesa për abrogimin e nenit 62, që rregullon raportet e pronësisë së mediave, me iniciativën personale të z. Balla, iniciativë, e cila fillimisht nuk u përkrah as nga vetë anëtarët e maxhorancës në komision. Pas reagimeve të forta të përfaqësuesve më të lartë të OSBE, KIE dhe BE, të cilëve ju është kërkuar mendim me insistimin e anëtarëve të komisionit, PS-ja u detyruara ta tërhiqte kërkesën për amendim në mes të seancës së parlamentit. Për këtë shkak logjik nuk mendoj se kjo tentativë e tretë do të funksionojë, pasi të gjitha lexohen qartazi si tentativa që kërkojnë të kapin institucionet e pavarura, në këtë rast TVSH. Ndërkohë, ligji i saktëson mirë që është konsensusi politik ai që prevalon ndaj emocioneve dhe arrivizmave të maxhorancave. Rama më mirë të bëhet ofertues i ndershëm dhe i mirë kandidaturash bindëse duke ofruar atë që kondicionon ligji; konsensus, sesa të zbulohet si rrëmbyesi aventuror i çdo “dashurie” pushtetore.

Opozita ka deklaruar se gjatë këtij muaji do të rinisë protestat. Sipas kreut të PD-së, “qytetarët do të arrestojnë personat e korruptuar”. Si do të zhvillohen protestat dhe çfarë nënkuptoni me arrestim nga qytetarët?

Protestat do të vazhdojnë, sepse për hir së vërtetës nuk ka pasur ndërprerje dhe kjo është e verifikueshme me rastin e Librazhdit apo qyteteve të tjera, ku qytetarët kanë protestuar jo domosdoshmërisht nën një format politik. Ato do të kenë forma organizimi të ndryshme, mesazhe të përcaktuara dhe do të zhvillohen dhe në territore e bashki përtej Tiranës. Shprehja e mësipërme që “qytetarët do të arrestojnë personat e korruptuar”, ka kontekst të qartë pavarësisht formës figurative të shprehur. Janë qytetarët ato që me mosbindjen civile dhe protestat që do të zbresin nga froni qeverinë e korruptuar dhe arrogante, për të cilën ka vetëm një derë nga ku mund të kalojë që është ajo e drejtësisë.

Në qëndrimet e PD-së është folur shpesh për zgjedhje të parakohshme. Si mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme me një maxhorancë që ka vota edhe më shumë sesa i duhen për të mbajtur qeverinë?

Rrugën se si shkohet e kemi përcaktuar e artikuluar. Nëpërmjet një qeverie teknike. Kjo gjasë ka ndodhur shumë afër nesh dhe është formulë e aplikueshme dhe tërësisht e domosdoshme për rrethanat, të cilat përjeton vendi, pas dështimit dhe falimentimit moral, politik e ekonomik të një maxhorance që dobësinë e saj e ka pikërisht tek numrat e shumtë që disponon. Forca e një maxhorance zbulohet dhe konsolidohet në aplikimin e një qeverisje efikase, sipas raportit premtim-realizim. Maxhoranca nuk është aritmetikë numrash, siç do ta dëshironte kryeministri, por algjebër besimi dhe suksesi. Kur besimi është përdhosur, suksesi është fundosur dhe kontrata me zgjedhësit është djegur plotësisht, rruga e vetme janë zgjedhjet. Tek e fundit njerëzit nuk votuan që të kenë në drejtim njerëz të inkriminuar, që të përjetojnë korrupsionin me galopant të mundshëm, megjithëse shumë modern, nuk votuan që të korrin varfëri e mjerim, burg e eksod, mungesë shprese e mbytje të së ardhmes. Dhe para gjithë kësaj numrat nuk kanë vlerë reale sado të fortë të jenë ato.

Duke qenë se jeni deputet i zonës së Elbasanit, si e shihni qeverisjen me reformën e re territoriale?

E shoh si një qeverisje, e cila luhet, barazohet ose fitohet vetëm brenda stadiumit “Elbasan Arena”. Harrohet që Elbasani si qytet ishte shumë më i madh se një stadium dhe tani është bashki qindra herë më e madhe se një stadium, që ka mijëra probleme sociale, ekonomike dhe kërkon investime serioze dhe përkujdesje, të cilat i mungojnë plotësisht.

 

 

 

 

SHKARKO APP