Luiza Gega: I kam dhënë më shumë atletikës sesa ajo mua
Atletja Luiza Gega tregon për pasionet e saj përtej sportit dhe planet e ardhshme në karrierë
Luiza Gega: I kam dhënë më shumë atletikës sesa ajo mua
Intervistoi: Sidorela Lepri
Luiza Gega është atletja shqiptare, e cila disa ka thyer disa rekorde në rang botëror në disiplinat që përfaqëson. Sportistja që ushtron prej 14 vitesh sportin e atletikës ka përfaqësuar denjësisht vendin tonë në garat e fundit ndërkombëtare. Para Olimpiadës “Rio 2016”, ajo shihet si shpresa e madhe e Shqipërisë për t’i sjellë medaljen e parë vendit tonë në eventin më të madh sportiv në të gjithë botën.
“Norma olimpike është arritur 3 herë, kjo brenda një periudhe 4 javore të sezonit që sapo mbaruam. Pra, jam sportistja e vetme deri më tani që kam arritur normën olimpike, kjo e konfirmuar nga Federata Botërore e Atletikës së bashku me Komitetin Olimpik Botëror.”
Në një intervistë për “Koha Jonë”, Luiza Gega rrëfen për momentet më të vështira të karrierës së saj, mungesa e vëmendjes nga shteti si edhe planet e ardhshme në këtë sport.
Luiza, keni thyer disa rekorde në disiplinën që ju përfaqësoni, po në jetën tuaj personale cilat janë rekordet më të mëdha?
Kam 14 vite që merrem me sportin e atletikës dhe i jam përkushtuar plotësisht (qesh). Këto rekorde që kam arritur në këtë sport në fakt do ti quaja më të mëdha, sepse edhe përkushtimi ka qenë i tillë.
Olimpiada po afron dhe deri atëherë cilat janë objektivat tuaja?
Para Lojërave Olimpike janë disa aktivitete të mëdha që duhet të marr pjesë. Kampionati Botëror i sallave të mbyllura në Portland USA në Mars 2016, ku kam arritur normën si e vetmja atlete shqiptare për të garuar aty. Do të jetë kampionati Europian që do të zhvillohet në qershor në Hollandë dhe më pas do të futem në një minifazë përgatitore për Lojërat Olimpike Rio 2016.
Olimpiada “Rio 2016”, a është siguruar pjesëmarrja juaj dhe a i premton Luiza Gega medaljen e parë Shqipërisë në këtë event?
Norma olimpike është arritur 3 herë, kjo brenda një periudhe 4 javore të sezonit që sapo mbaruam. Pra, jam sportistja e vetme deri më tani që kam arritur normën olimpike, kjo e konfirmuar nga Federata Botërore e Atletikës së bashku me Komitetin Olimpik Botëror.
Të thuash se do të arrihet një medalje në këtë event, i cili është më i madhi në nivelin botëror është shumë e vështirë. Nuk mund të arrihet medalja pa pasur mbështetjen nga shteti për stërvitjen në kushte normale, fizioterapi me mjekun dhe çdo gjë tjetër që është e nevojshme gjatë gjithë periudhës përgatitore. Këto nuk janë kërkesa, por domosdoshmëri pasi të gjithë kundërshtaret e mia, aktualisht kanë ekipe që kujdesen për mbarëvajtjen e stërvitjes dhe të garës.
Ju vjen keq që nuk keni marrë pjesë në olimpiadat e kaluara dhe a besoni se meritonit të ishit pjesëmarrëse në to?
Më vjen keq sigurisht, sepse isha përgatitur shumë për të qenë pjesëmarrëse dhë për të arritur më të mirën time. Federata botërore e atletikës në bazë të një rregulloreje nuk njohu arritjen e normës, pasi ishte vrapuar në garë miks pra djem dhe vajza bashkë. Sigurisht, jo për fajin tim, por të organizatorëve. Ajo që vuajti pasojat isha unë.
Kur keni filluar të merreni me atletikë?
Në moshën 13-vjecare akoma pa filluar gjimnazin, ku gjithmone dilja e para. Konkurencën për këtë sport doja ta ndjeja në nivele përtej shkollave dhe kjo ishte mosha që fillova seriozisht stërvitjen.
Ka patur ndonjë moment që keni dashur të hiqni dorë?
Për fat të keq ka pasur dhe jo vetëm një. Është vështirë të stërvitesh në Shqipëri dhe të mendosh të mos heqësh dorë. Përveç kushteve të vështira, sporti për fat të keq përveç kohës ka dhe harxhime financiare. Kur rritesh e ke të vështirë ta bësh vetëm për pasion, pasi ke dhe gjëra të tjera të nevojshme. Kur fillova shkollën e lartë isha në dilemë për ta vazhduar. Për fatin tim të mirë, nuk hoqa dorë sidomos kur pranoi të më stërviste Taulant Stermasi (trajneri im aktualisht) dhe më tha këto fjalë: Nëqoftësë dëshiron të arrish rezultate të larta duhet të stërvitesh fort, pavarësisht vështirësive që do të hasësh gjithë kohën, ndryshe është e kotë të vendosim objektiva të mëdha.
Cilat kanë qenë disa nga momentet më të bukura në karrierën tuaj?
Një nga momentet më të bukura për mua ishte thyerja e rekordit në 1500 metra, i cili cilësohej rekordi më i vështirë i të gjithë disiplinave të atletikës. Trajneri nga arritjet që shikonte në stërvitje, këtë e shikonte plotësisht të mundur. Kur e arrita këtë rekord, përjetova një emocion vërtet të veçantë, ku pastaj vazhdova me përmirësimin akoma më shumë në garën e 1500 metra dhe erdhën shumë medalje e momente të bukura.
Po momenti më i vështirë?
Momenti më i vështirë për mua ishte në muajin shkurt të këtij viti ku unë stërvitesha për Europianin e Sallave të Mbyllura, ku pësova një dëmtim në tendinë dhe pavarësisht përpjekjeve për t’u shëruar në kohë për t’u stërvitur dhe për të marrë pjesë nuk munda. Përveç kësaj më është dashur të qëndroja një muaj pa stërvitje. Ishte e vështirë, sepse synimet e mia ishin për medalje pasi stërvitja kishte shkuar vërtet shumë mirë.
Cilat janë synimet tuaja në këtë sport?
Objektivi i afërt është arritja në finalen e olimpiadës dhe zënia e vendit të 8-të në këtë aktivitet. Ndërsa për rezultat kam si objektiv të mbyll karrierën me rezultat në1500 metra poshtë 4 minutave.
Në këndvështrimin tuaj si një atlete profesioniste, a ka ky sport që ju përfaqësoni vëmendjen e duhur të shtetit?
Nuk mund të flas se çfarë vëmendje ka shteti për atletikën, por në rastin tim vërtet lë shumë për të dëshiruar. Shteti kur ka sportist të këtij niveli elitar duhet jo vetëm të jetë mbështetësi financiar kryesor, por dhe mbështetësi kryesor në arritjen e atyre objektivave që janë jo vetëm të miat, por të shtetit të cilin përfaqësoj.
Keni dhënë më shumë për atletikën apo ju ka dhënë më shumë atletika juve?
Sa i kam dhënë këtij sporti vetëm sportdashësit e dinë. Kam arritur e vetme të marr të paktën 10 medalje ndërkombëtare çdo vit të niveleve shumë të larta botërore e europiane. Ndërkohë nga ana tjetër atletika dhe organet drejtuese të saj nuk kanë bërë pothuajse asgjë për të justifikuar lodhjen, punën dhe rezultatet e larta të mia.
Përveçse këtij sporti, me çfarë merreni tjetër?
Më pëlqen të lexoj shumë dhe sidomos për fushën që i përkas si fitness, por dhe sigurisht si çdo vajzë e moshës sime më pëlqen të bëj shopping (qesh). Këte e fus tek pasionet e mia.
Ju mbetet shumë kohë e lirë?
Pothuajse aspak, kjo pasi jam në pjesën kryesore e grumbulluar jashtë vendit ku banoj në stërvitje. Dhe stërvitja është dy herë në ditë. Gjithsesi me raste gjej kohë dhe për shoqërinë, në rastet e ditëlindjeve për të qenë prezente në to.
Keni një moto për jetën?
Lufto dhe puno për të arritur objektivat.
Dhe së fundmi, planet e ardhshme në karrierë?
Do të hap së shpejti palestrën time në Durrës, me ndihmesën dhe të motrës time Besës. Sigurisht që hapja e palestrës nuk do të ndryshojë objektivat e mia për të qenë më e mira në disiplinën time në botë.