Lulzim Basha të zgjidhë dualizmin me Sali Berishën

Lulzim Basha shqiptoi fjalët e duhura në mesazhin e 23 korrikut 2013, kur u votua me 80 përqind të votave të antarësisë si kryetar i PD-së, pas humbjes tronditëse, ndoshta më e thella që nga krijimi i saj.

Basha deklaron me 23 korrik 2013: “Do punoj pa ndal që Partia Demokratike të jetë forca e ëndrrave dhe shpresës së të rinjve shqiptarë, gjeneratës së parë të lirisë dhe gjeneratave të tjera. Së bashku me ta kemi fituar ngaherë, së bashku me ta do korrim fitoret tona të ardhshme. Detyrat që na presin nuk janë të lehta, sfidat janë të medha. Gjatë gjithë rrrugës tonë 23 vjeçare kemi treguar se sa herë kemi qenë të bashkuar dhe të vendosur e të hapur në vlera, ne jemi përballur me sukses dhe kemi fituar”.

Përgjatë rrugëtimit tre vjeçar, Basha duket se hasi në vështirësi për ta kthyer këtë vizion në realitet dhe rezultatet elektorale që pasuan humbjen fatale pasuruan tabelën e rezultateve humbëse.

Projekti për hapje ndaj figurave të reja, vlerësim ndaj kontributeve, reformim i thellë në çdo qelizë, bashkim i faktorit të djathtë, që ishte fibra kryesore e staturës së tij politike në krye të Partisë Demokratike pritet të marrë jetë përpara zgjedhjeve të 18 qershorit 2017.

Pas tre vite e pesë muaj drejtim të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet përpara sfidës më të rëndësishme të tij politike, betejës së zgjedhjeve parlamentare, e para që nga largimi i liderit historik Sali Berisha nga drejtimi i partisë.

Bilancin e opozitës së drejtuar nga Lulzim Basha e bëjnë dy analistë të njohur, Dritan Hila, Afrim Krasniqi dhe personaliteti në radhët Partisë Demokratike të Bashës, Besnik Mustafaj.

Dualiteti në drejtimin e PD dhe moskrijimi i një profili të qartë duket se janë mangësitë e dukshme për kryetarin Basha.

Hila:“Akoma nuk ka arritur të krijojë një profil të tij. Duke qenë se është drejtuesi i partisë më të madhe opozitare ky është handikapi më i madh i tij në drejtimin e partisë. Kemi akoma një Bashë ish-anëtar i KOP, ish-Ministër i Jashtëm, ish -Ministër i Brendshëm, ish-Ministër i Transporteve, po akoma nuk po shohim një Bashë kryetar i PD apo lider” .

Politilogu Afrim Krasniqi e sheh problemin kryetar të Bashës tek fakti që trashëgoi strukturat e zgjedhura dhe të mandatuara të partisë, gjë që e bëri mandatin e tij eksperimentar në vend që të ishte frymëzues.

Krasniqi: “Mandati i tij praktikisht ka qenë i kushtezuar per shkak të rrethanave qe ai u zgjodh, sidomos lidershipit historik që ka pas. Eshtë mandat ekperimental me shume sesa inspirues. Nuk arriti dot të kishte një mandat të plotë dhe të krijonte një bilanc, por u detyrua të veprojë në situatë të vakët. Deputetët ishin zgjedhur, drejtuesit ishin zgjedhur, mori një strukturë të gatshme për ta drejtuar dhe kjo është shumë e vështirë”.

Besnik Mustafaj, ish-drejtues dhe Ministër i PD, i larguar pas përplasjeve me Berishën, është rishfaqur në aktivitetet e kryetarit Lulzim Basha dhe shprehet mirëkuptues për vështirësinë që ka tranzicioni i lidershipit pas 26 viteve ekzistencë.

Mustafaj: “Ishte tranzicion i vështirë me thenë të drejtën. Ishte goditja me e madhe që PD ka marrë ndonjëherë nga pikpamja elektorale. Një humbje e tillë në një parti e cila është e lidhur me pushtetin dhe reformat e vendit i shkakton një traumë shumë të madhe. Dhe e dyta, është hera e parë që ndërrohet lidershipi dhe jo një lidership dosido, kalohet nga Berisha tek lidershipi i ri në kuptimin e plotë të fjalës. Pra mbetet ende një proces i pa mbyllur, sepse Basha po leviz për të përvijuar Partinë Demokratike, siç ai mendon se i duhet Shqipërisë. E kam parë gjithjë proces të vështirë”.

Në fjalimet e tij, kryetari i PD Basha shprehet se Partia Demokratike është alternativa që i duhet Shqipërisë, është forca ku qytetarët shqiptarë shohin të ardhmen e tyre, partia ku ruan dhe zgjon të ardhmen e të rinjve dhe se ky vend mund të jetë i jetueshëm.

Por 6 muaj para zgjedhjeve politike të 2017, që do të shënojnë edhe testin e parë politik për Lulzim Bashën, a ja ka dalë të rikthejë besimin tek qytetarët?

Mustafaj: “Ne kemi një mentalitet përgjithësisht të çuditshëm si shoqeri që për mua është tregues i kulturës së paktë poltike. Vazhdojnë ti tregoj Partisë Demokratike keqeverisjen e saj vazhdojnë ti tregojne përgjegjësinë për mosmbajtjen e disa e premtimeve, sidomos në mandatin e dyte 2009-2013. Një parti jep llogari ne zgjedhje dhe nga ai moment është starti i ri. Çka bërë me parë nga ai moment flet historia apo drejtesia për raste korrupsioni. Kjo është jashtë aftësive të Bashes si lider, por e ka ndikuar dhe e ka vënë disa herë në pozita mbrojtëse si lider i ri, për mua kjo është e pa papranueshme. Mbron një bilanc që nuk ka punë. Sugjeroj se nuk ka nevojë të mbrojë një bilanc për të cilin zgjedhësit e kanë dhënë verdiktin e tyre, në këtë kuptim duke u vënë në pozita mbrojtëse e ka penguar që të merret sa duhet me reformimin e Partisë Demokratike për ta parë shqiptarët sa më shpejt çfarë koncepti ka për PD dhe cila është alternativa që ofron”.

Krasniqi: “Numri i qytetarëve të pakënaqur me qeverinë është i madh, por kjo nuk është votë për opozitën. Që do të thotë PD nuk ka arritur dot të krijojë besim dhe një kontratë morale me qytetarët e zhgënjyer, nuk ka ofruar një alternativë që përkthehet në vota”.

Hila: “Nuk besoj se ja ka arritur, gjithsesi shihet se pushteti është në ditë të vështira Lulzim Basha ende nuk ka rritur të rikuperojë besimin”

Një nga arsyet përse Lulzim Basha nuk arriti të kthejë shpresën e shqiptarëve te Partia Demokaratike është sipas Dritan Hilës qëllimi për ta përdorur këtë mandat për forcimin e pushtetit të tij brenda Partisë Demokratike.

Hila: “Për momentin ndoshta po kërkon të forcojë pozitat brenda partisë së tij, pastaj me kalimin e kohës do shikojë të rikuperojë terren dhe në komunikim me publikun dhe me elektoratin” .

Lulzim Basha, u angazhua publikisht për zbatimin e një projekti të ri për Partinë Demokratike. Reformimi, përtëritja e drejtuesve të degëve lokale të Partisë Demokratike dhe afrimi në parti të figurave të reja të pëlqyera nga shqiptarët.

Të gjitha këto objektiva siç tregoi koha ishin shumë të vështira për t’u realizuar nga Basha dhe ekipi i tij i ngushtë.

Krasniqi: “Kjo do jetë provë për zgjedhjet e ardhshme, pasi do bëjë listën e parë elektorale. Deri tani i ka gjetur gjërat e gatshme. Përpjekja për të rinovuar, duket pozitive, por PD ka një ndarje të thellë në breza gjë që aktualisht reflektohet në organizmin e saj. Uniteti nuk është arritur”.

Mustafaj: “Unë mendoj se përpjekja për të gjetur ekuilibër mes trashëgimisë, eksperiencës së figurave të PD me prurjet e reja është e lavdërueshme. Pastaj është një proces evolutiv. Shumë të rinj të promovuar nga Basha para dy vjetësh sot po tregojnë se nuk kanë qenë ne lartësinë e duhur dhe pritshmërinë e demokratëve dhe shoqërisë. Unë mendoj si ai e ka kuptuar se që ky është proces evolutiv. Tani kemi atë që në shah quhet “ceit not”. Afrimi tek zgjedhjet matet me muaj, dhe duke u matur me muaj koha për refleksion është më e vogël se koha për aksion” .

Pjesë e aksionit është edhe procesi i ripërtëritjes së Partisë Demokratike, që sipas Dritan Hilës nuk ka qenë i natyrshëm.

Hila: “Nuk është proces i natyrshëm. Basha është përpjekur të vendosë njerëzit e tij në krye të Partisë Demokratike, në qendër dhe në bazë, por nuk është një proces i natyrshëm që ka të bëjë me zgjedhjet nga baza në mënyrë që të seleksionohet elementi genuin, elementi i cili mbin sipas qarqeve. Pra qarqet te zgjedhin përfaqësuesin e tyre dhe përfaqësuesit e tyre të zgjedhin qendrën. Në fakt në të gjitha partitë nuk po bëhet më ky proces”.

Basha: “Do mbështetem fort tek vizioni kurajo dhe qendresa historike, e themeluesve, të Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë. Tek pasuria e paçmueshme e vlerave të lidershipit historik të Sali Berishës”.

Në ligjeratën politike, kryetari Basha , revokonte vlerat e figurave tradicionale, por pranë tij mbante të rinj që u konsideruan si forca e re e rëndesës në Partisë Demokratike si një kundërpeshë për të ashtëquajturën “garda e vjetër”.

Basha: “Ftoj sot të gjithë ata që janë gati të anëtarësohen dhe të jenë pjesë e projektit tonë të ri. Pa dyshim vend ka e do të ketë gjithmonë për themeluesit dhe nismëtarët ata që kanë qendruar gjithmonë pranë Partise Demokratike dhe kanë kontribuar apo do kthehen për të kontribuar”.

Përzgjedhja e ekipit drejtues të partisë nga Basha dhe ata që e ndihmuan të zgjidheshin emra të caktuar janë jodomethënës, në optikën e analistëve.

Hila: “Reflekton të njëjtën gjë si për zgjedhjet qe u zhvilluan në bazë. Janë njerëz besnik të tij ose besnik te Berishës. Berisha ka peshë në Partinë Demokratike dhe ka emra me të cilet përfaqësohet, por janë emra që s’të thonë gjë. Sekretar është Ristani, është besnik i Bashës i dha Bashkine në vitin 2011, por nuk thotë gjë për PD”.

Për besnikët e lidershipit të zgjedhur nga Basha, Besnik Mustafaj mendon se meritojnë një reflektim.

Mustafaj: “Nuk bëj biografinë. Por nëqoftëse sondazhet japin ende rezultate të dobëta për kupolën, pergjegjësi ka dhe ky lidership i zgjedhur nga Basha bashkë me Bashën. Do të thotë që zgjedhjet nuk kanë qenë të duhura, ky fakt duhet ta shtyjë për reflektim të fortë”.

Krasniqi: “Nuk ishte zgjidhja e duhur, ishin zgjidhje kohore, fakti që bën katër vite është tregues per faktin pse opozita nuk është zgjeruar në perfaqësimin politik. Nuk ishte zgjedhje e duhur që ish-Ministra apo zyrtarë të konsumuar dhe që qytetarët votuan kundër të promovohen në poste drejtuese parlamentare, tek e fundit ata përfaqësuan paralamentin dhe imazhi negativ i tyre nuk riktheu dot imazhin pozitiv”.

Ndonëse nuk e ka të lehtë t’a bashkëndajë përgjegjësinë me kupolën aktuale të Partisë Demokratike, Lulzim Basha u përpoq të distancohej nga keqqeverisja 8 vjeçare e Partisë Demokratike, ku dhe vetë ai ishte pjesë e kabinetit.

Sinjalet e para të distancimit ai i dha pas më shumë se 1 viti në krye të Partisë Demokratike, në Kuvendin Kombëtar të kësaj force politike, ku pavarësisht nëse ishin ose jo të sinqerta, krijuan efekt në publik.

Basha: “Sot në emër të PD, iu kërkoj ndjesë me përulje. Ju kërkoj ndjesë anëtarëve të PD qytetarëve, shqiptarëve që mund të jenë ndjerë të braktisur dhe kanë patur arsye të ndjehen të zhgënjyer. Thelbësore mbetet distanca e krijuar me qytetarin me anëtarët e partisë në qendër dhe në periferi, u lodhen nga qeverisja”.

Hila: “Kush është keqeverisja e PD, koncensionet? Koncensionet vazhdojnë dhe në qeverisjen e PS, dhe Basha nuk ka deklaruar asnjëherë që do t’i zhbëjë. Janë shume fakte te cilat PD i kishte në qeveri, te cilat po i vazhdon PS dhe Basha nuk ka thënë se do i zhbëjë. Duhen hapa konkretë, keshtu tha dhe PS dhe vazhdoi keqqeverisjet e PD”.

Krasniqi: “Ajo që ndodhi ishte minimale. Nuk kishte distancim nga keqqeverisja por anëtarësia. Nuk ishte ky problemi i PD. Pa kërkuar falje për korrupsion dhe shumë gjëra të tjera s’ka ndryshim.

Ndryshe mendon Besnik Mustafaj, i cili pohon se Basha është distancuar shpesh nga keqeverisja me akte të vlerësuara dhe mirëptitura nga publiku.

Por ai e këshillon Bashën të mos shpenzojë shumë kohë me kërkim ndjese.

Mustafaj: “Basha është distancuar në shumë raste nga keqqeverisja. E ndjen se trashëgimia duhet gjykuar politikisht për t’i shërbyer të ardhmes. Në këtë kuptim Basha ka bërë gjeste të mirëpritura nga opinioni publik. Por kjo nuk duhet t’i marrë kohë. Mea culpa, ai tani është në periudhen e shfaqjes se alternativave për të krijuar besim te shqiptarët”.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të lënë në hije dhe për t’i ikur përgjegjësisë së qeverisjes 8 vjeçare, por dhe premtimit për një mënyrë të re të të bërit politikë, duket se mes Partisë Demokratike dhe mbështetjes qytetare ka një hendek ende të pakapërcyer.

Rezultati i zgjedhjeve vendore, nuk ishte frymëzues per kauzën politike pasi Partia Demokratike shkoi në opozitë edhe në qeverisjen vendore.

Lulzim Basha, lexoi fitore dhe përballë humbjes, një strategji kjo ndoshta për të mbajtur të në entuziazëm strukturat dhe arsyet e humbjes për t’i deleguar faktorëve të tjerë.

Basha: “Prej hartës territoriale, kandidimi i personave me rekorde kriminale, dhe perfshirja e mafias”.

Por si një politikan me eksperiencë, humbja ishte paralajmëruar herët nga lideri historik i kësaj force politike, Sali Berisha, i cili nuk kishte ngurruar të jepte një projeksion të qartë.

Berisha: “Me xherimenderin që është i dënueshëm në hartat elektorale është bërë që në 61 bashki, PS të dominojë në 51 prej tyre”.

Hila: “Basha nuk mendoj se po mendon shumë për zgjedhjet sesa për të vendosur kontrollin e tij mbi PD. Nëqoftëse do mendonte për zgjedhjet do kishte bërë më shumë se dy mitingje në 3 vjet”.

Krasniqi: “Në historinë e Shqipërisë pas zgjedhjeve të përgjithshme zgjedhjet lokale i ka fituar mazhoranca. Parë në këtë aspekt nuk ishte surprizë. Problem ishte strategjia që ndoqi opozita, duke bojkotuar reformën administrative i hoqi vetës mundësinë të negocionte bashkitë që i kishte bastione dhe t’i fitonte. Edhe testet e mëvonshme në Dibër dhe Kolonjë treguan se nuk pati një aksion të mirëmenduar opozitar. Në zgjedhjet e ardhshme parlementare opozita ka kohë të ndryshojë, por nëse arrin të besojë të marrë votat e saj. Është e pritshme, PD nuk ka krijuar ende alternative”.

Dritan Hila është i mendimit se në rast humbje të zgjedhjeve të 2017, argumenti për vjedhje dhe manipulim, nuk do t’i vlejë Bashës. Mbajtja e lidershipit të Partisë do jetë një jetik për të.

Hila: “Nuk e di si do e kalojë humbjen e 2017, janë artifica jo më vodhën zgjedhjet jo presione, janë justifikime brenda partisë dhe jo për qytetarët. A do ja arrijë të mbajë partinë nga minat nën ujore ku hyn brezi i vjetër?! Kjo është diçka që do mbetet per t’u parë. Në zgjedhjet e reja do bejë ndryshim sjellja e Ilir Metës, jo Basha”.

Basha: “Dita e mirë duket që në mëngjes thotë populli edhe dita e keqe që në mëngjes duket, mëngjesi po kalon për qeverinë Rama- Meta dhe keq e me keq po bëhet. Mos luani me njerëzit mos luani me qytetarët. Opozita ka denoncuar me fakte dhe me prova depërtimimin e krimit ne politikë, të kulmuar në zgjedhjet e 2013 kur kjo aleancë e krimit me Edi Ramën dhe Ilir Metën mori formë përmes veshjes me mandate politike të personave të njohur botërisht si përfaqesues të krimit organizuar”.

Lidershipi i Bashës në më shumë se 3 vite, kaloi përmes sfidave të mëdha. Dy vitet e para protestat popullore ishin aksioni kryesor, vitin e fundit ato u zbehën ndjeshëm duke u shpërndarë në protesta të veçanta nëpër rrethe.

Krahas aksioneve në rrugë, Lulzim Basha në strategjinë e tij zgjodhi, debatet dhe aksionet e forta parlamentare. Dekriminalzimi i insitucioneve publike u shndërrua në kauzën kryesore për të cilën demokratët sakrifikuan 6 muaj jetë parlmentare.

Një vit pas miratimin, ky ligj ka dhënë rezultate poshtë pritshmërisë dhe kjo shpjegon edhe faktin se për hequr personat me precendentë penalë nuk mjafton një ligj, por vullneti i liderëve partiakë që i çojnë në parlament dhe funksione të larta të administratës.

Politologu, Afrim Krasniqi, e vlerëson një dështim të madh.

Krasniqi: “Mendoj ka qenë një nga dështimet më të mëdha. Ligj i bërë më shumë për te huajt sesa për ne. Deputetë apo zyrtarët e shkarkuar vijojnë të kenë funksione partiake. Në Shqipëri funksionet partiake janë më të rëndësishme se funksionet shtetërore. Kjo tregon se procesi i dekriminalizmit është më shumë retorikë se akt konkret.”

Besnik Mustafaj, ka një qasje të ndryshme. Dekriminalizimin e vlerëson si kontributin më të madh që një opozitë ka dhënë ndonjëherë në këto 26 vite.

Mustafaj: “Une besoj se Basha duke u bërë iniciator i ligjit te dekriminalizimit, ka dhënë kontributin më të madh që ndonjë opozite ka dhënë në këto 25 vite. Kam parasysh çdo opozitë, asnjëra nuk ka bërë një iniciativë të tillë që synon transformimin dhe pastrimin e elitave politike.”

Problem mbetet zbatimi i tij i ligjit të dekriminalizmit dhe Mustafaj e vë gishtin tek përgjegjësi.

Mustafaj:“Si opozitë Basha ia ka arritur qellimit dhe është sukses, zbatimi nuk është në dorë të opozitës është në dorë të qeverisë”.

6 muaj para zgjedhjeve parlamentare të 2017, Lulzim Basha ndodhet në një moment kulmor në karrierën e tij politike.

18 qershori, dita kur mbahen zgjedhjet parlamentare, mund të cilësohet beteja e tij e parë si lider i Partisë Demokratike dhe i së djathtës.

Basha prezantoi një platformë për reformimin e thellë të Partisë Demokratike, si mënyrë për të forcuar në sytë e qytetarëve staturën e një lideri perëndimor me një gen të fortë demokratik ose si inkurajim për strukturat në qendër dhe në bazë.

Mustafaj: “Është një platformë fantastike. Uroj si demokrat i vjeter që ajo të zbatohet sa më shpejt. PD ka vuajtur për demokraci të brendshme. Kjo paraqitje e Bashës për disa koncepte do të fusë brenda në PD një dinamikë tjetër demokratike. Kjo i jep ëndrrën çdo demokrati se mund të rritet përmes votave. Një toger që nuk ëndërron të bëhet gjeneral nuk e dua në betejë. A do të mund t’i shkojë Basha në fund? Në një masë të madhe varet nga ai. Por ne duhet t’i shohim kur t’i fusë në statut, të ikë nga deklaratat publike. Primaret ne parti janë një gjë e madhe”.

Krasniqi: “Është pozitive ideja e votimit nga anëtarët, listat për deputet por është e vështirë për ta besuar. Ndërkohë që ne e presim këtë në bazë ka vendimarrje nga qendra për të shkarkuar dhe emëruar kryetarë, pa votuar. Shembulli duhej të jepej me votimin e kryetarëve”.

Partia Demokratike ka hedhur pikat e para të programit qeverisës, i dalë siç ka thënë Basha pas 3 vitesh takime intensive në çdo zonë të vendit, por ende nuk ka ndarë me opinionin publik ekipin me të cilin do të kërkojë votën e shqiptarëve.

Skuadra drejtuese në këto 3 vjet ka ndryshuar herë pas here, dikush ka rënë një tjetër është ngritur dhe Lulzim Basha ende nuk ka përcaktuar fytyrën e ekipit të tij me të cilët synon pushtetin.

Sugjerimi i opinionbërësve për Lulzim Bashën është dhënia fund e dualizimit me ish-liderin historik dhe të ç’kompleksimit nga Berisha.

Mustafaj: “Berisha ka deklaruar se nuk ndërhyn, por njëkohësisht mendoj se Basha duke mos qenë pjesë e lidershipit të historisë së PD qysh në fillim, dhe personalitetin e fortë, Basha ka kompleksin e historisë siç e kanë krejt te rinjtë. Por më shumë se kompleks ka qenë ndikim i një marrëdhënie dhe respekti të ekzagjeruar nga ana e Bashës. Unë Bashës i kam sygjeruar që duhet t’i tregojë kufirin Berishës. Unë nuk besoj se njerëzit duhet të largohen vetë nga politika. Kur e kanë kryer ciklin e tyre, duhet t’i tregohet vendi me votë dhe nga lidershipi i ri. Fakt është se Berisha ka bërë opozitë të fortë, ka qenë kompensim i madh për cilesinë e grupit parlamentar. Ka pas një ndikim në disa momente kyçe, le të kujtojmë këtu denoncime të mëdha që ka bërë dhe forca goditëse i ka shërbyer rolit që ka opozita. Nuk jam në gjendje t’i them Bashës nëqoftëse duhet të jetë Berisha në listat e reja. Nëqoftëse nuk do jetë me kë do ta zëvendësojë, nëqoftëse do të jetë si do mbahet nën kontroll. Janë gjëra qe duhet t’i zgjedh kryetari”.

Krasniqi: “Nuk mendoj që ka ndarje mes Bashës dhe Berishës. Ka pasur mirëkuptim të plotë. Në thelb kanë një aksion. Problemi është se demokratët nuk e kanë pritur këtë, Berisha i përket historisë së PD dhe jo të jetë protagonist në jetën parlamentare të PD. Qytetarët nuk njohin kryetarin e grupit, por Berishën dhe kjo e ka dëmtuar Bashën”.

Hila: “Kam qenë ndër njerëzit që kam menduar se Basha po vendos profilin e tij në PD dhe që është lokomotiva tërheqëse e PD, por po shikoj që janë dy shina paralele ku shpesh herë rrota ku ecën Berisha është me e shpejtë se ajo ku ecën Basha. Është Berisha që përcakton kur duhet të hyjë apo të dalë grupi parlamentar, është Berisha që përcakton veprimet e forta. Basha po i shkon nga mbrapa, duhet të zgjidhë sa më shpejtë këtë dualizëm”.

Partia Demokratike ndodhet para provës së madhe, Lulzim Basha po ashtu. Pesha e fitores apo humbjes do të rëndojë mbi shpatullat e tij. Basha është arkitekti i strategjisë së re dhe pas zgjedhjeve pakkush do të jetë i interesuar të dëgjojë për trashëgiminë që ka gjetur ai në Partisë Demokratike, apo kush ndikoi e këshilloi në zgjedhjet e tij.

Militantët, mbështetësit, qytetarët që besojnë se do jetë më mirë me të Kryeministër, do të duhet ta konsiderojnë Partinë Demokratike alternative, që mund t’iu ngjallë ëndrrën.

Hila: “Basha duhet të vendosë autoritetin brenda partisë. Nuk duhet të lejojë që herë Genc Ruli, herë Majlinda Bregu të dalin dhe të këndojnë sipas qejfit të tyre, të këndojnë në tribunat e studiove televizive. Demokracia funksionon brenda shtetit dhe jo brenda partive, brenda partive funksionon deri kur në momentin kur ke zgjedhur kryetarin, pas këtij momenti s’ka demorkaci. Jam duke thënë që Basha duhet të vendosë autoritetin, si mund të kenë besim shqiptarët besim tek ky”.

Krasniqi: “Nëse mua do më kërkoje këshille do i thoja dy gjëra. Së pari duhet të hap partinë, jo me mitingje por me ide dhe grupe njerëzish që mendojnë se Shqipëria nuk po shkon në drejtimin e duhur dhe ky numër është shumë më i madh se oborri i PD. Duhet të ndahet në mënyrë të prerë nga individët që kanë pasur problem në të kaluarën, problem korrupsioni dhe janë bërë headline për skandale politike dhe në selinë e PD janë në numër të madh. Dhe do të duhet të zgjerojë demokracinë vendimarrëse”.

Mustafaj: “Basha ka shprehur nje koncept për hapje të plotë të PD. Ka shkuar deri në një koncept të tepruar “ kushdo që është kundër qeverise, të vijë te ne”. Shqipërisë i duhet një bashkim i të gjithë spekterit të djathtë. Koncepti i koalicionit duhet të jetë i djathtë. Bashës i duhet që idetë e shfaqura të dëshmojë se i beson dhe ka energji ti zbatojë”.

Koalicionet dhe avantazhimi mbështetur në ekuacione fituese janë një armë tjetër e fortë që një lidër duhet të ketë dhe Basha duhet ta përdorë.

Hila: “Unë mendoj që koalicione të mëdha janë krijuar. PD e ka kolicion edhe PS po ashtu, e vetmja risi është aleanca me LSI, nuk e di sa i intereson LSI të shkojë në PD, për momentin i intereson PS. Kam idenë që topi është i lidhur me shume fije krushqie me PS që të mund të bëjë aleance me PD”.

Në ndërrimin e viteve Lulzim Bashës do t’i duhet të reflektojë dhe shpenzojë kohë për të ndërruar edhe strategjitë dhe ekipet që mund t’i ndërrojnë kahun e humbjeve dhe t’a kthejnë Partinë Demokratike në fituese.

SHKARKO APP