Maja Koçijançiç: Çdo deklaratë provokuese është thjeshtë e papranueshme
Duke reaguar ndaj zemërimit të shkaktuar në Serbi nga deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe zv.kryeministrit kosovar Hashim Thaçi për bashkim kombëtar, zëdhënësja e Politikës së Jashtme të BE është përpjekur të qetësojë palët duke thënë se Ballkani ka perspektivë evropiane dhe se të gjitha palët duhet të angazhohen për pajtim dhe fqinjësi të mirë.
A mund të sqaroni pozicionin e BE-së ndaj kryeministrit shqiptar? A po i bëni thirrje Ramës për të mos qënë provokues?
Maja Koçijançiç, zëdhënëse e BE: Ne kemi parë intervistën që kryeministri Rama ka dhënë së bashku me ministrin e Jashtëm kosovar dhe ajo që ne mund të themi si Bashkim Europian është se i gjithë Ballkani Perëndimor ka një perspektivë të qartë europiane, konfirmuar në nivelin më të lartë politik të BE-së e së fundmi nga Përfaqësuesja e Lartë dhe Komisioneri për negociatat e zgjerimit. Të gjithë partnerët në rajon kanë konfirmuar angazhimin e tyre për këtë qëllim dhe ambicien e tyre për të përmbushur kriteret e nevojshme në këtë proces, në respekt të plotë me parimet dhe standardet e BE-së. Një pjesë e këtyre zotimeve lidhet qartësisht me bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe marrëdhëniet e mira të fqinjësisë. Për momentin, gjithësecili në rajon po avancon drejt përmbushjes së këtij qëllimi, me ritme individuale të ndryshme. Por ne presim që ata, të gjithë, të bëjnë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të përparuar më tej. Në këtë kuadër, e sidomos në lidhje me çfarë përmenda për fqinjësinë e mirë, pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal, është shumë e rëndësishme që të mos ketë deklarata provokuese. Çdo deklaratë provokuese është thjeshtë e papranueshme.
Kryeministri Rama flet për dy skenare në atë intervistë, pozitive dhe negative. A nuk ju duket se po konsideroni vetëm njërën anë, atë negative, kur flisni për “provokim”?
Maja Koçijançiç: Për Bashkimin Europian ekziston vetëm një skenar dhe ky është ai i perspektivës së qartë europiane, në përfundim. Këtu është fokusi ynë dhe me të gjithë partnerët tanë po punojmë mbi këtë, përfshirë me Shqipërinë, përfshirë me Kosovën, duke angazhuar një përpjekje të papreçedent në këtë proces. Mendoj se ky duhet të jetë fokusi për këdo.
Si ndikon kjo qasje e kryeministrit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë?
Maja Koçijançiç: Unë ju dhash një përshkrim të përgjithshëm të Bashkimit Europian, sipas të cilit, përpjekjet duhet të vijojnë për arritjen e progresit sipas perspektivës europiane që ka rajoni. Gjithçka tjetër që del jashtë këtyre binarëve duhet evituar.
Përgatiti: Arta TOZAJ, TCH