Majlinda Bregu, një rrëfim për “Ik E ja”-ket në Europë
UET-Press sjell librin “Ik E ja Europë”, një analizë politike, sociologjike dhe gazetareske, me autore ish-ministren e Integrimit
Nga Blerina Gjoka
Gjatë një interviste për “Mapo”-n shkrimtari Rudolf Marku shkruante se, nëse një shkrimtar arrin të jetë i sinqertë në atë që shkruan, ia ka arritur, pavarësisht subjektit apo stilit. Kjo m’u kujtua ndërsa nisa të lexoj librin e Majlinda Bregut, deputete e PD-së, ish-ministre e Integrimit për 7 vite, me një përvojë si gazetare dhe pedagogjike si psikologe. Titulli i librit dhe subjekti të bënin skeptik në fillim, në fund të fund kush do të harxhojë kohën të lexojë për procesin e integrimit europian, që është kthyer tashmë në një pjesë të jetës sonë të përditshme, në një udhëtim sizifian. Në fakt, Bregu ka arritur që me anë të sinqeritetit dhe humorit, ironisë apo historive jashtë kornizave, ta sjellë një analizë “të mërzitshme” në një rrëfim interesant plot ngjyra, jo vetëm për integrimin por edhe për Majlindën.
Zonja Bregu, është vërtet një surprizë ky libër i shkruar nga ju, jeni si të thuash duke jetuar jetën aktive politike dhe befas vendosni të shkruani një libër me kujtime, impresione për kohën kur ishit ministre e Integrimit dhe jo vetëm. Pse ky libër dhe pse tani?
Unë të shkruarit e kam pasur gjithmonë me dëshirë, që në shkollë kur na jepnin tema për të shkruar. Një nga hobet që më ka ndjekur gjithë jetën është leximi, pastaj të shkruarit vjen dhe nga gazetaria, por mënyrën e të shprehurit pak më ndryshe se sa klishetë e zakonshme të fjalimeve politike jam munduar që t’ia ruaj vetes edhe pse s’kisha ndonjë qëllim për të bërë kryevepër. Nxitur dhe nga fakti që ky proces (i integrimit) është i gjatë por i padokumentuar dhe duke qenë se eksperienca ime ishte më e gjata në këtë ministri, 7 vjet, nisi nga marrëveshja e Asociim-Stabilizimit dhe përfundoi me marrjen e statusit kandidat, i cili vetëm datën e lançimit arriti me qeverinë aktuale, sepse çdo gjë tjetër u përfundua gjatë qeverisjes tjetër. Ndaj mendova se mund të ishte interesante për t’i shkruar, megjithëse aty mungojnë qindra detaje. Sigurisht kisha shumë kohë, sepse kur je në qeveri nuk ke kohë, sidomos në këtë proces që ka gjithmonë afate.
Si lindi titulli “Ik E ja Europë”?
Ikejake është një fjalë më vete edhe pse është ndarë në gërma. “Ik e ja” është rrugëtimi ynë nëpër Europë, sigurisht dhe i imi gjatë këtyre viteve. Ka dashur të thotë dhe diçka tjetër ky titull, sepse sa herë na duket që Europën e kemi pranë, na ndodh që bëjmë një hap pas, fatkeqësisht, si një lloj destini i keq dhe jemi detyruar ta nisim rrugën nga e para. Kështu është i gjithë rrugëtimi, një lloj përçapjeje për të arritur atje ku do, një kontinent që shqiptarët e kanë ëndërruar prej shekujsh.
Në fakt, libri nuk është vetëm një ikejake e Shqipërisë në Europë, por dhe një rrugëtim i yti që nga fëmijëria deri më sot…
Unë e kam tmerrësisht të vështirë që të përsëris mendime që më duken si tekste shkolle dhe duke qenë se procesi ka shumë anë teknike, me terma, me deklarata, me marrëveshje, duket si një shkencë më vete, doja t’i shmangesha dhe një mënyrë për ta bërë këtë janë disa histori ngacmuese për lexuesin, një episod për të çlodhur lexuesin për të lexuar analizën që vjen më pas. P.sh, ajo pjesa e xhaketës me shkrimin “New York”, apo pjesa që tregon takimin tim në fushatë me komunitetin rom, e veshur me fundin me lule, tregojnë se në fund të fundit janë pjesë e rritjes.
Duhet thënë, ishte interesante sesi kontakti juaj i parë me zyrtarë europianë kishte ardhur nga episodi që ju tregoni në libër, kur dhatë lajmet në TVSH veshur me një xhaketë ku shkruhej New Jork, të mendosh që pas disa vitesh do të negocionit me zyrtarët europianë si ministre…
Ky nuk është një libër kujtimesh, por një analizë për të kuptuar si e kam ndjerë unë gjatë këtyre viteve këtë rrugëtim. Por atë episod e kam treguar, sepse unë e kujtoj me shumë qejf pasi është shumë gazmor. Në një situatë kur mungonte spikerja në TVSH dhe mua më futën në momentin e fundit për të dhënë lajmet, unë kujtova se po shpëtoja hallin e televizionit, isha vetëm 20-21 vjeç, vija nga fakulteti në punë, dhe atëherë kur me idenë se shpëtova, kur dal nga studioja shoh ca fytyra të vrenjtura. Lajmi atë ditë ishte që një delegacion i Këshillit të Europës kishte ardhur në Tiranë, ndërsa spikerja e televizionit të vetëm dilte me xhaketën ku shkruhej “New York”. Ndaj them në libër se Europën e kanë xhelozi të gjithë, sepse Europa është kultura, historia, është pasioni.
Keni dy shënime në parathënie nga dy personalitete të institucioneve të BE-së, Doris Pack dhe Jose Manuel Barroso, dhe e para kujton se fillimisht ka pasur një raport të vështirë me ju. Në fakt, cili ka qenë raporti juaj si ministre dhe i zyrtarëve shqiptarë me zyrtarët e Brukselit?
Nuk e kam ndjerë kurrë veten inferiore në asnjë takim me palën përballë. Besoj se kjo është çështje sa personaliteti, aq edhe vendosmërie. Kur beson se po lufton për një kauzë të drejtë dhe ke një detyrë që e bën me pasion, nuk ka asnjë arsye për t’u ndjerë ligsht. Por jam ndjerë ligsht në situata të cilat ne na pasqyronin si njeriun me bisht, pra problematikë, kur ti ngelesh pa përgjigje. Kur ata të pyesin se pse Daçiç dhe Thaçi ulen me njëri-tjetrin për të gjetur një marrëveshje dhe pse Berisha dhe Rama nuk flasin dot me njëri-tjetrin, ti ngelesh pa gojë.
Pasi tregoni lodhjen e madhe për përgatitjen e pyetësorit të Brukselit me 4000 mijë faqe, ju shkruani: “A janë të nevojshme realisht ushtrime kaq shteruese për një vend që kërkon të bëhet anëtar? Dhe, a e ka lexuar njeri realisht atë dokument aq voluminoz?!”. Në këtë kontekst mendoni se anëtarësimi në BE është thjesht çështje e vullnetit të Brukselit dhe jo një rrugëtim i pafund “kushtesh” e “detyrash” ndaj nesh?
Unë mendoj se ideja gjeniale e atyre që themeluan Bashkimin Europian, që nga Monet, Churchill, Adenauer e të gjithë të tjerët ka një spostim të madh. I qëndroj kësaj se në rast të procesit të integrimit europian dhe zgjerimit si qasja më e mirë për këto vende për t’iu dhënë sigurinë atyre, si vendeve të Ballkanit Perëndimor apo atyre vendeve që janë pjesë e partneritetit lindor, si Ukraina etj., është më shumë çështja e sigurisë. Pra, sfida e Europës sot është që të ketë një rajon si Ballkani Perëndimor të sigurt. Nuk mendoj se zgjerimi nuk është çështje e politikave të brendshme të BE-së dhe duhen shtyrë në kohë me idenë kur të jenë gati ne këtu jemi dhe vetëm shtojnë detyrime dhe teknikalitete, sepse BE-ja lindi si një pasion për të shuar luftëra dhe duhet të vazhdojë si një vendimmarrje politike për të shuar konflikte dhe për t’i dhënë mundësinë të gjithë kontinentit që të ndihet i kompletuar dhe të ndjejë bashkimin. Përndryshe, vetëm sa i jep mundësi zhvillimit të konflikteve dhe në rastin e Ukrainës, Europa tregoi se nuk është në gjendje të menaxhojë konflikte të përmasave të mëdha. Kështu është më mirë t’u japë mundësi këtyre vendeve që të zhvillohen dhe të mbështeten ekonomikisht, përndryshe në këtë rajon ku shumë vende flirtojnë ose kanë marrëdhënie me një tjetër vend problematik, siç është Rusia, do të jetë gjithmonë dhe më e vështirë një qasje e sigurt drejt Europës. Për fat të mirë, Shqipëria deri më tani ka treguar vetëm dëshirën për të qenë pjesë e Europës dhe kjo duhet vlerësuar. E rëndësishme është që të lihet dera hapur, sepse ky është një proces që nuk mbaron në një ditë. Procesi i zgjerimit është një valle e dyanshme dhe ne kemi detyrë të plotësojmë detyrimet tona. Por ka absolutisht nevojë që pala europiane të jetë e qartë, jo e vagullt në dhënien e datave dhe ta mbajë gjallë dhe hapur procesin.
Ju flisni në librin tuaj për identitetin europian, kombëtar dhe atë ballkanas, duke perifrazuar se në vendet e Ballkanit “europianizimi është kthyer në një garë pa kohë”; sot jeni optimiste apo pesimiste për kohën që do t’i duhet Shqipërisë për të qenë pjesë e BE-së?
Jam realiste, që do të thotë se Shqipëria nuk do të ketë një rrugë të shkurtër. E rëndësishme është se gjatë kësaj rruge të mos vëmë shkopinj nën rrota dhe të mos bëjmë gjasme, të flasim e të deklarojmë dhe kur vjen puna te standardet të mos punojmë. Ne nuk ia bëjmë dot testin Europës, t’i them ja, jemi gati, na anëtarëso. Vendimmarrja do të jetë gjithmonë e më e vështirë, sepse mund të ketë më shumë anëtarë, duke përfshirë dhe ndonjë vend nga rajoni dhe të rritet trendi i detyrimeve. Pra, sa më seriozë të jemi, të vendosim të parin respektimin e ligjit dhe duke ndërtuar atë që na mungon, besimin te njëri-tjetri. Me nxjerrje sysh, me polarizim politik, me moszbatim standardesh, me mungesë shprese, me apatizmin që politika sot u ngjall shqiptarëve që thonë se të gjithë janë njëlloj, ky proces bëhet vetëm dhe më i largët. A ka mundësi ta shpejtojmë? Ka, dhe e kemi në dorë vetë.
Ju pranoni në libër se një femër që i kushtohet karrierës dhe politikës nuk i shpëton dot sakrificës për të lënë mangët diçka te familja, fëmijët. Në fakt, askush nuk i pyet burrat politikanë nëse janë penduar që merren me politikë, por një grua projektohet gjithmonë si nënë dhe grua para se të projektohet si deputete, ministre…në këtë këndvështrim, a ia ka vlejtur?
Unë them se ia vlen çdo gjë që bën me pasion dhe kur beson e sigurisht, pa cenuar të tjerët. Këto duhet të jenë gjërat të cilat një njeri të mendojë në fund të ditës nëse ia ka vlejtur apo jo. Unë kam hyrë me pasion dhe dëshirë në politikë. Sigurisht jam munduar se mundësia të vjen një herë, siç na e dha Berisha shumë vetave në vitin 2005, por duhet të dish ta mbash. Kam punuar me përkushtim dhe s’kam lënë asnjë detyrim, edhe kur fëmijët e mi nuk më shihnin në shtëpi apo kur kisha halle me ta, siç kanë të gjithë. Detyrohet të më ndihmojë i gjithë rrethi i të afërmve, që në fakt është një egoizëm i tepruar, pasi pret që meqë ti ke punë, të tjerët të jenë të gjithë gati të të ndihmojnë. Por besoj se ne si shoqëri duhet të kuptojmë për modelin që u jep fëmijëve. Jemi në mungesë të theksuar të modeleve, sidomos të grave që marrin përsipër dhe duan t’i bëjnë gjërat. Karriera nuk është blasfemi. Të duash të jesh edhe në karrierë, edhe burrë, edhe fëmijë, t’i kesh të gjitha bashkë, nuk do të thotë që ti je e mrekullueshme dhe i bën të gjitha shumë mirë, do të thotë që ti përpiqesh, është e drejta jote. Kam përshtypjen se ky brezi i sotëm ka më shumë modelin e rehatisë sesa modelin e lodhjes dhe kur vjen puna për politikë mendojnë se është e lehtë. Pak e dinë që unë kam filluar punë që 18 vjeç, gjatë shkollës, me barrë, me fëmijë, i bie më shumë se 23 vite punë pa pushim, pra kam nevojë për të thënë se nuk ka njeri që mund t’i marrë gjërat lehtë, pavarësisht se po funksionon dhe ky model, fatkeqësisht.
Libri i Bregut promovohet më 9 maj, Ditën e Europës
Një libër për kohën kur ishte ministre e Integrimit, por jo vetëm. Majlinda Bregu i prezantohet publikut si shkrimtare-publiciste me një libër që ka gjithçka. Libri është shkruar pas daljes në opozitë të PD-së dhe që ka dy parathënie nga dy ish-personalitete të BE-së, Doris Pack, europarlamentare dhe ish-presidenti i KE-së, Jose Manuel Barroso. Libri “Ik E ja Europë” është botim i UET-Press dhe do të promovohet ditën e shtunë më 9 maj, pikërisht në Ditën e Europës, në Panairin e Librit në Pallatin e Kongreseve. Ky libër jo vetëm analizon nga sytë e ministres më jetëgjatë të Integrimit marrëdhënien e Shqipërisë me BE-në, por sjell histori personale, plot humor dhe sinqeritet, ndonjëherë dhe pasazhe pak të trishta të sakrificës që i duhet të bëjë një grua dhe nënë kur merr përsipër një detyrë të tillë si zonja Bregu.
Mapo