Manja:  Për drejtësinë, “topi” është në fushën e opozitës

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i PS-së, Ulsi Manja: Socialistët e dhanë përgjigjen për të pakënaqurit në referendum

 Intervistoi: Redjon Shtylla

 Për deputetin Ulsi Manja maxhoranca e ka shprehur qëndrimin e saj për reformën në drejtësi dhe pritet vetëm dakordësia e opozitës. “Tani topi është në fushën e opozitës dhe qytetarët presin një përgjigje politike prej tyre”, thotë ai. Në një intervistë për “Koha Jonë” ai komenton dhe zhvillimet e brendshme në PS. Për pjesën e referendumit dhe të pakënaqurve, Manja shprehet se, mund t’u drejtohen institucioneve të partisë posaçërisht KZP-së (Komisioni i Zgjedhjeve në Parti) dhe KGS-së (Gjykatës së Partisë) për të marrë përgjigjet e duhura lidhur me paqartësitë apo transparencën. “Keqardhje për lehtësinë me të cilën kërkojnë të përbaltin PS që ju ka dhënë gjithçka”. Dhe për kushtin e PD-së për ligjin e dekriminalizimit, Manja e sheh si një lojë të opozitës dhe nisma ligjore nuk respekton asnjë premisë kushtetuese, madje, as vetë nenin 1 të ligjit bazë për dekriminalizimin.

 Kolegu juaj, z.Blushi ka renditur 20 pika në të cilën e quan të paligjshëm referendumin. Si pjesë e këtij grupi parlamentar a i shihni akuzat e z.Blushi të drejta dhe cili është komenti juaj?

 Nuk kam asnjë koment për asnjë nga tezat e Blushit mbi referendumin dhe qeverisjen e PS-së. Demokracia është vullnet i shumicës në cilën çdo formë ushtrimi të saj qoftë me referendum, qoftë me zgjedhje. Socialistët në gjithë vendin e dhanë përgjigjen e tyre me 9 prill 2016 duke konfirmuar ekzaktësisht vullnetin e tyre të shprehur me votë në zgjedhjet e qershorit 2013, kur mandatuan Ramën si Kryeministër të vendit. Blushi dhe kushdo tjetër në PS që ka pretendime në lidhje me këtë formë të ushtrimit të demokracisë së brendshme në parti, sipas statutit të partisë që e “dashurojnë” kaq shumë kur ka erë pushteti, le t’u drejtohen institucioneve të partisë posaçërisht KZP (komisioni i zgjedhjeve në parti) dhe KGS (Gjykatës së Partisë) për të marrë përgjigjet e duhura lidhur me paqartësitë apo transparencën që ju nevojitet. Ndjej keqardhje për lehtësinë me të cilën kërkojnë të përbaltin PS që ju ka dhënë gjithçka, i ka bërë deputetë, ministra, anëtarë kryesie etj., dhe u meket zëri dhe u zverdhet fytyra hijeve sa herë përballemi me kundërshtarët tanë politikë në zgjedhje.

Kushti i opozitës për amendamentin në lidhje me dekriminalizimin nuk miratohet nga ana juaj si maxhorancë, kur në fakt me miratimin e këtij ndryshimi në ligjin në fjalë do të prekë deputetin Strazimiri që mund të duket dhe pak qesharake që ata kërkojnë tashmë një ndryshim kur mund të prekë dhe deputetin e tyre?

Ndryshimet e propozuara nga opozita në ligjin për “Garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, përpos se bie ndesh me parimin kushtetues të prezumimit të pafajësisë, bie ndesh edhe me vetë objektin e ligjit të sapomiratuar dhe që këto ditë ka nisur zbatimin në praktikë nga institucionet e ngarkuara nga ligji dhe që në dijeninë time rrethi i zyrtarëve që janë subjekt i këtij ligji janë në fazën e vetëdeklarimeve individuale sipas formularit të miratuar me vendim të Kuvendit të Shqipërisë. Ndryshimet e propozuara nga opozita në ligjin për dekriminalizimin akoma pa u vënë në zbatim ligji nuk kanë për synim të mbyllin ndonjë boshllëk apo hapësirë në ligjin aktual, por nisur nga interesa të caktuara politike të ditës synojnë të pezullojnë nominalisht mandatin e deputetit Prenga duke e personalizuar tërësisht nismën e tyre ligjore. Ndryshimi që ata kërkojnë nuk është parimor, por selektiv dhe përbën precedent të rrezikshëm për mënyrën e ligjbërës në ardhmen për Kuvendin e Shqipërisë.  Ju thoni që ata me këtë nismë mund të prekin edhe mandatin e deputetit Strazimiri duke u përpjekur ta paraqisni si moment sinqeriteti dhe luajaliteti politik të opozitës. Nuk është aspak e vërtetë dhe në nismën e opozitës nuk ka asnjë gram sinqeriteti dhe respekti parimesh kushtetuese, por nisma e tyre ligjore synon pezullimin e mandatit të deputetit apo të zyrtarit të lartë për  krimin e arrestimit në flagrancë për veprat penale kundër jetës dhe shëndetit të kryera me dashje duke lënë jashtë këtij parashikimi vepra të rënda penale për të cilat ligji procedural penal e lejon arrestimin në flagrancë. Fjala bie nëse një subjekt i ligjit të dekriminalizimit arrestohet në flagrancë për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake apo vepër penale në fushën e lëndëve narkotike, sipas variantit të propozuar nga opozita nuk i hyn gjemb në këmbë. Edhe nëse priremi që këtë nismë ligjore të  opozitës ta trajtojmë me konstruktivitet  në variantin që serviret nisma ka probleme parime të rëndësishme kushtetuese por dhe me vetë objektin e ligjit të dekriminalizimit. Pa i hyrë debatit kushtetues le të ndalemi tek ligji për dekriminalizimin në variantin e votuar në Kuvend. Ky ligj në objektin e tij njeh dhe pranon tre koncepte juridike që janë tërësisht atribut i gjykatës: masën e sigurisë, vendimin gjyqësor jopërfundimtar dhe vendimin e formës së prerë dhe dëbimin nga një autoritet i huaj për vepra penale ndërsa arrestimi në flagrancë si koncept që kërkohet të bëhet pjesë e ligjit nëpërmjet ndryshimeve që propozohen nuk mund të ngrihet në nivelin e masës së sigurimit personal (masa e sigurimit është atribut i gjykatës) pasi është koncept dhe atribut tërësisht policor që duhet vlerësuar si ligjshëm ose jo fillimisht nga prokurori e më pas nga gjykata. Për këdo që ka njohuritë minimale në fushën e ligjit e kupton që kjo nismë ligjore nuk respekton asnjë premisë kushtetuese  madje as vetë nenin 1 të ligjit bazë për dekriminalizimin. Personalisht, mendoj se nisma e opozitës e konceptuar me dashakeqësi kushtetuese dhe ligjore vjen si e tillë thjesht dhe vetëm për të provokuar një konflikt politik të ri me maxhorancën për të justifikuar marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin me qëllimin e vetëm: shmangien e reformës në drejtësi. Nëse do të kishte qëllim tjetër nisma do të duhej të kishte qenë e mirë konsultuar kushtetutshmërisht dhe ligjërisht dhe jo selektive, aq më tepër që kjo maxhorancë ndryshe nga opozita me rastin Strazimiri tek Liqeni Artificial, ka vendosur me kohë standardin e respektimit dhe të barazisë para ligjit për këdo nga njerëzit e saj përfshi edhe deputetët duke ia lënë drejtësisë të thotë fjalën e vet sa herë që ka pretendime për shkelje ligji.

Skandali i fundit botëror me të ashtuquajtura “Panama Papers”, ka përfshirë edhe Shqipërinë. Ka shumë akuza për ish-qeveritarë të PD-së, por edhe për qeverinë aktuale. A mendoni se duhet një hetim parlamentar për këtë fenomen?

Skandali “Panama Papers”sapo ka dalë në dritë dhe është përgjegjësi e organeve ligj zbatuese dhe hetimore të vendit për t’u marrë me fenomenin nëse ka apo do ketë përfshirje të zyrtarëve apo qytetarëve shqiptarë apo të huaj që kanë abuzuar me pushtetin dhe pasuritë e shqiptarëve. Ajo ç’farë mund të bëjë parlamenti në veprimtarinë e tij parlamentare për të pasur më tepër transparencë në lidhje me parajsat fiskale dhe kompanitë off shore, është ndërhyrja me masa legjislative për të rregulluar dhe forcuar kuadrin ligjor në drejtim të transparencës së ortakëve dhe të deklarimit të burimeve financiare të gjithsecilit prej tyre në këto kompani off shore dhe  në dijeninë time kuadri jonë ligjor në këtë drejtim lë për të dëshiruar.

Pika e fundit, e cila pritet për reformën në drejtësi është dhe përcaktimi nëse draft amendamentet do të kalojnë me votim 2/3 apo 3/5. A është ky debat aktual dhe ky neglizhim një sfumim i kalimit të paketës dhe a do të kalojë në komisionin e posaçëm me një tryezë siç është rekomanduar nga ndërkombëtarët?

Reforma në drejtësi ka ardhur në një pikë, ku palët politike në këtë proces duhet të sqarojnë përfundimisht pozicionet e tyre politike përballë qytetarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë:  Nëse janë ose jo për ta përmbyllur këtë reformë ashtu siç na e kanë diktuar qytetarët e vendit?  Ne si maxhorancë e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë që reforma në drejtësi është themelore dhe jetike për qytetarët  dhe për shpëtimin e vendit nga kthetrat e korrupsionit dhe duhet finalizuar sa më parë në Kuvend. Tani topi është në fushën e opozitës dhe qytetarët presin një përgjigje politike prej tyre sepse pengesa të karakterit teknik nuk ka për sa kohë kemi pranuar si emërues të përbashkët draftin e konsultuar në Komisionin e Venecias.

Si një njohës i mirë i sistemit të drejtësisë penale, si e shihni Byronë Kombëtare të Hetimit. Për t’ia shpjeguar një publiku, i cili pa faj mund të jetë çorientuar nga diskutimet e shumta. Çfarë pritet nga kjo ngritja e këtij organi nën drejtimin e Prokurorisë së posaçme dhe si do të organizohet?

 

Drafti i kushtetues i konsultuar në Komisionin e Venecias dhe që të dyja palët kemi rënë dakord, e parashikon Byronë Kombëtare të Hetimit si njësi të posaçme hetimore të organizuar pranë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, e cila do të jetë përgjegjëse për të luftuar në mënyrë të pavarur nga Prokuroria e Përgjithshme  korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar.

Mënyra e organizimit dhe funksionimit  të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe BKH do të përcaktohet me ligj të veçantë të Kuvendit. Modele pozitive të punës së këtyre strukturave antikorrupsion në nivel ballkanik apo evropian ka dhe ne nuk na duhet të bëjmë shpikje institucionale apo ligjore, mjafton vullneti pozitiv  për të ecur në rrugën e duhur atë të sundimit të ligjit dhe që diktohet nga shumica dërrmuese e shqiptarëve.

Në reformën zgjedhore tashmë në përcaktimin e ekspertëve si nga maxhoranca dhe opozita, pritet dhe realizimi sipas standardeve të ODIHR. Opozita deri diku i ka shfaqur qëndrimet e saj dhe besoj që maxhoranca do t’i shfaqë ato në ditët në vijim. Në opinion tuaj si duhet të ndryshojë formula dhe cilat janë ato pika që ju i shihni më kryesore për t’i përmirësuar?

Komisioni i Reformës Zgjedhore sapo ka nisur nga puna, jemi tërësisht në kohë për të adresuar në mënyrën më të mirë të mundshme të gjitha rekomandimet teknike të OSBE-ODIHR  për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Natyrisht që ligji zgjedhor duhet të jetë produkt tërësisht i vullnetit të përbashkët politik pasi bëhet fjalë për rregulla dhe standarde që duhen respektuar nga të dyja palët në ndeshjet politike të radhës njëlloj si në një ndeshje futbolli. Në gjykimin tim të gjitha ligjet zgjedhore në thelb garantojnë garë të ndershme dhe demokratike, por u takon palëve politike që këto rregulla loje t’i përcjellin te qytetarët si moment feste dhe jo konflikti politik sa herë që ka zgjedhje. Komisionet e reformës zgjedhore në Shqipëri tashmë kanë krijuar një traditë bashkëpunimi të frytshëm pozitë-opozitë dhe gjithmonë kanë prodhuar rezultate pozitive. I tillë besoj do jetë në punën e tij edhe Komisioni “Fino-Bylykbashi” me asistencën më të mirë të OSBE-ODIHR.

SHKARKO APP