Marko Bello: Në PS po ringjallen reflekset e vjetra të Partisë së Punës
Ish-deputeti i Partisë Socialiste Marko Bello shprehet se një parti që nuk pranon të bëjë zgjedhje ka pushuar së ekzistuari. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ish-deputeti që u ndëshkua nga largimi prej strukturave të PS-së për shkak të pjesëmarrjes në Lëvizjen për Mendimin Ndryshe në vitin 2009 shprehet se, në PS po ringjallen reflekset e Partisë së Punës. I pyetur sesi e sheh përballjen mes Blushit dhe Ramës dhe a rrezikon PS-ja të këtë përçarje, Bello shprehet se, “nëse një grup i ka zënë frymën partisë, i imponohet gjithkujt me arrogancë, duke përfituar nga pushteti dhe paraja, herët a vonë do t’i orientojë mbështetësit dhe simpatizantët e vet drejt një forcë të re politike, e cila do të respektonte vullnetin e anëtarëve dhe rregullat statutore, programin e saj dhe një qeverisje në të mirë të shumicës dhe jo një grushti oligarkësh dhe të korruptuarish”.
Bello, në një koment të bërë disa ditë më patë shkruanit se “e ardhmja e PS-së është në pikëpyetje” dhe se “një grup aventurierësh po e japin me koncesion”. Përse sipas jush arriti PS-ja në këtë situatë?
Partia Socialiste ndodhet sot në një situatë dramatike, kur solidariteti njerëzor është zëvendësuar me politika klienteliste që ndjek lidershipi i partisë dhe një grusht oligarkësh në shërbim të tij; kur vendin e debatit dhe fjalës së lirë e ka zënë heshtja nga frika e përjashtimit dhe ndërprerjes së karrierës; kur në vend të zgjedhjeve të lira po aplikohen emërimet e paracaktuara nga lart; kur fryma shoqërore në komunikim është mbytur nga arroganca dhe diktati i njëshit dhe kur, në vend të kontributit, përkushtimit për t’u shërbyer qytetarëve dhe integritetit moral po preferohen të fortët dhe ata që janë pasuruar në mënyrë të dyshimtë në këto vite të tranzicionit. Përgjigjja për pyetjen tuaj se si arriti PS në këtë situatë, kërkon kohë, por mund të them shkurtimisht se Edi Rama dhe grupi pas tij kane pasur një projekt të qartë për të shtënë në dorë partinë më të madhe dhe më demokratike në vend, për ta përdorur si instrument për tu pasuruar në kurriz të shqiptarëve. Sigurisht, që janë shfrytëzuar defektet që partia kishte dhe, padyshim edhe dobësitë e disa prej drejtuesve të saj, veset e të cilëve Rama ia doli t’i ushqejë dhe, më në fund t’i komprometojë tërësisht, duke i kthyer në vegla dhe shërbëtorë të tij dhe klanit që ai përfaqëson. Nga ana tjetër, u eliminuan gradualisht të gjithë kundërshtarët e kësaj politike të pabesë që Rama dhe grupi i tij ndoqën në 8 vite. U ringjallen reflekset e vjetra të Partisë së Punës, udhëheqja e së cilës, për çdo dështim, fajësonte “armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm” të partisë…
Jeni një ndër njerëzit që u larguat nga PS-ja si ndëshkim për pjesëmarrjen në LMN. Nëse sot do ishit pjesë e grupit parlamentar të PS-së, cili është qëndrimi që do mbanit për zgjedhjen e kryetarit?
Pa modesti false, mund të them se vazhdimisht kam ngritur zërin për çdo fenomen negativ që konstatoja, për çdo devijim nga programi i partisë dhe shkelje të statutit dhe rregullave që synojnë të disiplinojnë dhe garantojnë seriozitetin e një partie politike. Nuk jam dekurajuar asnjëherë, kur servilët e kryetarit më kanë “sugjeruar” të mos kritikoj se gjoja kështu i bëhet qejfi rivalëve të kundërshtarëve tanë politikë, apo në rastet kur më është bërë presion se do të më largojnë prej politikës. Edhe sot, përpiqem modestisht të shpreh qëndrimin tim, hapur dhe në favor të anëtarëve të thjeshtë të partisë dhe mbi të gjitha në favor të qytetarëve, hallet e të cilëve sa vijnë e shtohen. Ndërprerja e dhunshme dhe pa asnjë shkak që kryetari i bëri karrierës time politike gati 20 -vjeçare, nuk më ka penguar që të reagoj si qytetar me bindje të majta, i cili priste një tjetër mënyrë qeverisje nga ajo e Partisë Demokratike, dhe jo thellim e përkeqësim të saj, sikurse po bën qeveria e koalicionit të majtë. Ashtu si në vitin 2009, kur bashkova zërin me shumë kolegë në PS, për ta detyruar kryetarin që të zbatonte statutin e partisë që ai vetë kishte propozuar dhe mbështetur, pra kur kryetari humb zgjedhjet, duhet të japë dorëheqjen, edhe sot mbështes pa mëdyshje garën e hapur në Kongres, i cili është kongres zgjedhor, ku zgjidhen të gjitha forumet drejtuese, përfshi edhe vete kryetarin e partisë. Vetëm një burracak do t’i shmangej sfidës së konkurrimit, aq më tepër që ai është edhe drejtues i partisë, edhe i qeverisë. Ndonëse, a priori, rizgjedhja e tij duket thuajse e garantuar, këmbëngulja për të mos lejuar konkurrencën dhe garën demokratike tregon sa frikë, aq edhe mospërfillje, sa papërgjegjshmëri, aq edhe përçmim për anëtarët e partisë dhe forumet e saj.
Mendoni se nuk ka nevojë për zgjedhje apo duhet respektuar statuti? Nëse do të ketë garë reale për mandatin e kreut të PS-së, mes Blushit dhe Ramës. Si e parashikoni fundin e saj?
Në kongresin e partisë më të madhe në vend dhe që qeverisë Shqipërinë prej gati 3 vjetësh, shkohet pas një analize serioze në bazën e partisë dhe jo pas disa takimeve mediatike, nëpër salla të mbyllura e të kontrolluara, ku nuk dëgjohet fjala e atyre që qeverisen, por vetëm monologu i atyre që qeverisin. Në kongres shkohet për të marrë vendime të rëndësishme në interes të Partisë Socialiste dhe vendit, e jo për shfaqjen e radhës. Kongresi nuk është një akt i vetëm që ezaurohet në 1-2 ditë, por shumë më tepër se kaq. Ai është evenimenti më i rëndësishëm i një force politike dhe, si i tillë, kërkon një përgatitje serioze për njohjen, krahasimin dhe diskutimin e ideve, propozimeve dhe platformave nga të gjithë anëtarët e partisë, që nga organizata e deri tek Asambleja Kombëtare, e cila merr parasysh edhe vlerësimet e opinionit publik dhe, më pas i paraqet Kongresit, për miratim dhe vendimmarrje, projekte të ndryshme dhe me interes publik.
Është e paimagjinueshme të mendohet se në kongres nuk do të ketë garë për postin e kryetarit. Po na sillet shembulli i Partisë Laburiste në Britaninë e Madhe, e cila vjen nga përvoja sindikaliste (trait d’unions), ndërkohë që PS ka historinë, përvojën dhe traditën e saj. “Nuk ka kohë Rama të rizgjidhet, se është përqendruar fort tek reformat”,– thotë dikush në PS, duke e bërë situatën më qesharake nga sa e ka bërë “guximi” i deputetit kaubojs, për të rivalizuar kreun e partisë. I mbetem asaj që kam shprehur më parë se, kur një parti politike pranon diktatin e njëshit për të mos bërë më zgjedhje, ajo parti ka pushuar së ekzistuari. Ne sot jemi si në rastin e përrallës së Andersenit me mbretin lakuriq, të cilin e shikonin të gjithë, por që asnjëri nuk kishte guximin dhe sinqeritetin e fëmijës që klithi se sovrani kishte dalë rrugëve, ashtu siç e kishte bërë nëna.
Nga përvoja që kini në jetën e brendshme të PS-së, përplasja mes Ramës dhe Blushit rrezikon të sjellë një çarje të re të partisë?
Nuk mendoj se përçarja e një partie do të vinte nga gara, konkurrenca apo respektimi i statutit të saj. Përkundrazi, në një parti të lirë, demokratike dhe moderne të gjithë anëtarët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen, në respekt të rregullave dhe statutit që ata vetë kanë votuar. Socialistëve dhe progresistëve shqiptarë nuk u intereson një kongres formal, i cili vetëm dëgjon dhe duartroket disa fjalime e pastaj gjoja rikonfirmon formalisht kryetarin dhe bashkëpunëtorët e tij. Interes për një kongres surrogato kanë vetëm një grusht oligarkësh që kanë zaptuar kupolën e partisë dhe që duan të vazhdojnë të përfitojnë, në kurriz të mijëra socialistëve dhe votuesve të majtë, duke tradhtuar besimin e tyre dhe duke garantuar pushtetin dhe pasurimin e tyre të paligjshëm. Gjithsesi, nëse një grup i ka zënë frymën partisë, i imponohet gjithkujt me arrogancë, duke përfituar nga pushteti dhe paraja, herët a vonë do t’i orientojë mbështetësit dhe simpatizantët e vet drejt një forcë të re politike, e cila do të respektonte vullnetin e anëtarëve dhe rregullat statutore, programin e saj dhe një qeverisje në të mirë të shumicës dhe jo një grushti oligarkësh dhe të korruptuarish.
Intervisoi: Qamil Xhani