Me Assad ishim mirë, jetonim në paqe jo varfëri

 

 

NGA FATMIRA NIKOLLI.

“Emri im do të thotë i guximshëm. Unë nuk dua të jem refugjat, dua të kthehem prapë në Siri. Ne kemi besim tek toka jonë. Ne jemi njerëz të lirë, mund të bëni kryq në Damask, mund të putheni, mund të pini alkool. Atëherë çfarë lirie u kërkua? Dhe pse po luftohet?” Kur dëgjoj këto fjali, kam përballë një burrë në të 40­ at, që kam vendosur ta takoj për të mësuar cila është Siria përtej dhe para luftës dhe pse ky njeri i ikur, kthehet sërish në Siri, prej ku populli ikën për të mbijetuar.

Në një prej kafeneve në zonën e ish­bllokut, 46­vjeçari sirian, jep panoramën e një Sirie të venitur, ku ngërthehen shtatë kultura, tashmë të kanosura nga një luftë, që kërcënon më gjerë se veçse tokat e qytetërimeve të lashta. Bassel Al Janan ka lindur në Damask, ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës. Kriza dhe lufta e detyruan të ikë nga qyteti i shtatë portave dhe prej muajit maj, jeton në Tiranë, ku ka ngritur edhe një biznes. Ish­studenti Letërsisë Angleze në Universitetin e Damaskut, rrëfen sot për “Gazetën Shqiptare” Sirinë e tij, Sirinë e Adonisit dhe atë të Asmahanit, Sirinë e siteve të mbrojtura nga UNESCO.

Dëshmitë më të vjetra të jetës të gjetura në Siri, shkojnë në 5000 vite para Krishtit dhe është një skulpturë gruaje. Ndër vendet më të rëndësishme të trashëgimisë përmenden: Teatri romak i Bosrës shek.II (në Busra al Sham), Kalaja e Alepos, Kisha e Shën Simonit në Alepo (viti 475), Xhamia e madhe e Damaskut ndërtuar pas vitit 634 (ku besohet se do të kthehet Isa­Jezusi, po këtu ka qenë bazilika e Gjon Pagëzorit), Tempulli i Bel në Palmira, varri i Abelit (djalit të Evës e Adamit) e jo vetëm. Damasku, i njohur si vendi i qytetërimeve njihet edhe për “shtatë portat e tij”.

-Ç’kuptim ka emri juaj Bassel?

Bassel do të thotë “njeri guximtar”, ose “guximtari”. Një njeri plot me fuqi dhe me guxim.

-Kur ke ardhur në Shqipëri?

Për herë të parë kam ardhur në muajin maj të këtij viti. Erdha për ta vizituar, sepse një miku im më kishte folur për Shqipërinë, Tiranën ndërkohë që në Siri situata përkeqësohej dhe po kërkoja një vend për një jetë më të mirë. Nuk me pëlqen të jem refugjat. ­

-Erdhe në maj dhe vendose të qëndrosh këtu?

Erdha, pashë situatën, atmosferën. Më pëlqeu. Njerëzit janë të dashur, miqësorë dhe me ndihmojnë ngado që shkoj. Nëse i pyes anglisht dhe nuk më kuptojnë, sjellin dikë që flet anglisht. Kur mësojnë se jam nga Siria më ndihmojnë ende më shumë. ­

-Mbasi erdhe u ktheve sërish në Siri?

Po. Vendosa të jetoja këtu, kështu që nisa procedurat për rezidencë për të cilën më ndihmoi konsulli sirian. ­

-Sa do rrini në Shqipëri?

Me këtë rezidencë njëvjeçare dhe besoj e rinovueshme.

-Ku keni jetuar në Siri?

Në Damask.

-Familja juaj ku është?

Unë jam këtu, familja ime është ende në Damask. Kam një djalë e dy vajza dhe bashkëshorten. Im bir është në Gjermani, ai është 19 vjeç. Besoj se do marr edhe familjen këtu pasi në Siri po bëhet ende më keq: për shkak të luftës e po ashtu nga ana ekonomike.

-Ku jeton familja?

Në Damask, në një vend të sigurt, në shtëpinë tonë. Në mes të qytetit, por në një zonë që ka qenë e sigurt që prej fillimit të krizës. Atje nuk ka luftë, por herë pas herë bien disa raketa. ­

-Keni njohur shqiptarë në Siri?

Kam njohur shumë atje, sepse vinin për të studiuar atje, për të mësuar Sheriatin. Këtu në Tiranë kam njohur shumë njerëz që vijnë në restorantin tim dhe që më thonë se kanë qenë në Siri për të studiuar dhe vijnë për të rishijuar ushqimet arabe.

-Si është të jetosh në Damask, në mes të luftës? A keni frikë për jetën?

Unë nuk kam frikë nga lufta. Kam jetuar atje 5 vite në luftë. Duhej të kisha ikur që në fillim, por ka edhe një problem tjetër: situata ekonomike. Është shumë e vështirë tani, pasi dollari është rritur shumë. Ajo që fiton është shumë pak, del me humbje. Atje kam një biznes, kemi pengesa në importe, ndonjëherë i porosit e humbasin rrugës. ­

-Ku bëhet lufta atje?

Kudo, rreth Damaskut. 12 kilometra nga shtëpia ime ka luftë. Ka një zonë ku nuk mund të kalosh, sepse aty lufton ushtria me terroristët.

-Pse bashkëpunojnë sirianët me terroristët?

Jo të gjithë. Disa prej tyre. Nuk di ç’të them, por nëse e mendon, se di ç’jetë kanë bërë këta luftëtarë e as pse disa njerëz i ndihmojnë ata. Është çështje parash. ­Filloi si një luftë kundër presidentit Bassar Al Assad.

-Si u kthye në terrorizëm?

Po, mendoj se u nis nga ajo. Po ju them diçka. Para pesë vitesh, Bassar Al Asad ishte presidenti më i mirë për mua e shumë sirianë të tjerë. E vërteta është që shumë njerëz mendojnë se problemi është ai, por nuk është. Kjo është gënjeshtër, sepse ne po jetonim në paqe, ne jetonim mirë, ne s’kemi njerëz të varfër në komunitetin tonë, kemi çdo gjë dhe ishim një nga vendet me të lira në botë. Nuk e ekzagjeroj. Çfarëdo të doje, e kishe. Vendi po zhvillohej gjithnjë e më shumë nga ana ekonomike. ­

-Një vend i pasur edhe nga nafta?

Jo vetëm. Nuk varemi nga nafta, varemi nga agrikultura, eksportonim në gjithë botën, kishim shumë burime. Kemi elektricitet, ujë, çdo gjë. Kemi fabrika e shumëçka e prodhojmë vetë. Ishim të pavarur. E hanim bukën nga toka jonë. Ndaj ne nuk kishim uri dhe ndaj kemi pesë vite që luftojmë dhe jemi ende në këmbë, sepse kemi gjithçka. Çdo vend tjetër që do ishte përballuar me këtë situatë, edhe për një vit do kishin pësuar kolaps. Ne ende jo, sepse kemi çdo gjë.

-Dhe tani është bllokuar kjo jetë?

Po, është bllokuar. Është bllokuar nga jashtë. Po ju them diçka, ne kemi pritur njerëz nga e gjitha bota, nga Iraku, Libani, Greqia, Algjeria. Nga kudo. Ne nuk thamë se nuk mund t’i presim. Nuk bëmë kampe për ta, as tenda. I pritëm libanezët në shtëpitë tona. Më besoni. Nuk bëmë kampe, as tenda. Qeveria bëri çdo gjë, i futi në shkolla e në godina.

-Po ju jep bota ju atë që ju keni dhënë?

Ne tani jemi vetëm. Askush nuk na pret. Kaq është e gjitha. Por, sërish po luftojmë. Jemi ende të pavarur. Mund t’ia dalim sërish vetëm. Edhe për pesë vite, sepse toka jonë është e pasur dhe ne besojmë tek toka jonë. Unë mund të përballem me këdo që thotë se ne nuk kemi liri. Ne kemi gjithë lirinë që duam.

-Ju e kishit lirinë para luftës?

E kemi edhe tani. Mund të pini çfarë të doni në rrugë, mund të luteni në rrugë, mund të bëni ç’të doni. Ky është kuptimi i vërtetë i lirisë.

-Edhe të krishterët jetonin në paqe?

Po, madje deri tani. Nuk kemi asnjë ndarje mes të krishterëve dhe myslimanëve, jo. Është si këtu në Shqipëri dhe më besoni edhe më shumë. Nuk i shohim këto. Jemi kryeqytet i madh. Kemi besimtarë nga e gjithë bota e të gjitha besimet. Mund të bësh çdo gjë që do në Damask. Ç’liri kërkohet? Që të flasësh për politikën? As që më intereson politika. Më intereson jeta ime, e jeta ime ishte shumë mirë përpara luftës. Më besoni, para krizës, me një dollar në Siri mund të haje drekë e darkë, e besoni dot? Ku jetohet kështu? Për ne ishte kështu. Kjo është liria për të cilën flas. Nuk më intereson politika. Unë lutem në rrugë, mund të bëj kryq në rrugë, mund të pi alkool, mund të dalësh me të dashurën kudo, e kjo është liria e vërtetë. Edhe femra ka liri, nuk është siç thuhet. Që prej vitit 1961, ne kemi pasur gra në parlament. Problemi nuk është Bashar Al Assad. Ai po luftonte në fillim terroristët, por askush nuk e vriste mendjen për këtë.

-Ata (terroristët) u panë si çlirimtarë?

Po. Ata thanë se ai(presidenti) po vret njerëzit e tij. Jo, nuk po e bënte. Ai është president prej vitit 2000 dhe në këto 10 vite Siria u bë e fuqishme ekonomikisht, nga ana sociale në fushën e sigurisë, importi dhe eksporti ishte ne nivele të larta. Pse ai nuk i vrau njerëzit e tij në këto 10 vite? Ka disa gjëra që duan logjikë.

-A mendoni se po shkojmë drejt Luftës së III Botërore?

Më besoni se problemi dhe kjo krizë nuk është nga Siria, është shumë më e madhe se Siria. Siria ishte elementi. Nuk është lufta jonë, nuk është luftë siriane, është një luftë prej jashtë, në tokën tonë. Ky është problemi. Po ua them dhe jam i përgjegjshëm për ato që them, se ata nuk duan të ketë një shtet të fuqishëm pranë Izraelit. Ne jemi në kufi. Po të shihni, çdo vend rreth Izraelit është në krizë, përveç Sirisë deri para 5 vitesh që ishte e fuqishme.

-A është pranvera arabe një shkatërrim arab?

Patjetër. Nuk është çështje e Sirisë, është çështje gjeografike.

-Shumë shqiptarë, kanë shkuar të luftojnë në Siri duke u bërë pjesë e ISIS. A keni ju një mesazh për ta?

Nëse ISIS është myslimane siç ata thonë (sepse ne nuk e dimë se kush është ISIS, ne në gjuhën arabe i themi DAESH) thonë se po bëjnë luftë islamike, pse nuk e filluan nga fillimi? Pse nuk luftuan në Izrael? Pse erdhën në Siri të luftojnë Assadin, ai është mysliman? Ai ndërton xhami, institute për të mësuar islamin falas, ka bërë kisha, po ashtu. Ka bërë gjithçka. Pra, ai nuk e lufton islamin, ai që lufton islamin është Izraeli, jo presidenti ynë. Unë nuk e mbroj islamin, thjesht po shpjegoj, nëse ata po shkojnë të luftojnë në Siri, për çfarë çështje po luftojnë, për çfarë kauze? Pse?

-Pra, nuk po luftojnë për islamin?

Jo, sepse po vrasin myslimanët.

-Çfarë thotë Kurani nëse vret dikë?

Kurani kujdeset shumë për jetën dhe të drejtat e njeriut. Më shumë se çdo shtet politik. Kurani nuk thotë vrit njerëz, as vrit njerëz që nuk janë myslimanë. Jo. Le ta provojnë ata që thonë të kundërtën. “Nëse një mysliman vret dikë­këdo, është si të ketë vrarë gjithë njerëzimin” – e kuptoni sa e rëndë është vrasja për Kuranin. Edhe nëse është hebre, kristian apo budist. Kjo është ajo që duan ata të duket Islami.

-Si është jeta në Siri? Çfarë ka shpëtuar, mbas shkatërrimit të Palmirës? Cila është Siria e vjetër, ajo Siri përtej dhe para luftës, ajo Siri që ne nuk e njohim?

U shkatërrua sepse ishte e vjetër. Ka tempuj, ka kisha të vjetra, ka shumëçka. Kemi gjurmët e para të krishtërimit atje. Qytetet e vjetra janë shumë, Palmira, Homs, Alepo, etj. Nëse doni ta njihni Sirinë, ju e keni simbolin më të madh këtu në Tiranë, ajo është Nënë Tereza. Ajo e di shumë mirë se çfarë është Siria. Ajo ka folur shumë për të. Në vendin tonë ka kala, tradita muzikore madje muzika lindi tek ne dhe janë gjetur nota muzikore në Ugarit, është alfabeti i Ugaritit (1800 vite para Krishtit). Edhe sot, në qendër të qytetit, jeta vazhdon normalisht, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Teatrot e kinematë janë ende hapur. Siria është e pasur dhe nëse shkonit në universitet atje për Histori, ju do ta fillonit mësimin duke ju treguar se ka shtatë kultura nën tokën e Damaskut. Unë nuk jam historian, por mund t’u them aq sa di, sepse në Siri ka shumë site të trashëgimisë. Mund t’u them se Siria ka shtruar rrugën për krishtërimin, për kulturën dhe zhvillimin. Po ju përmend qytetin Saidnaya, ku ka një kishë të vjetër, rreth 2000 vjeçare (Manastiri i Zonjës Sonë), është në mal. Kanë tentuar ta shkatërrojnë, por ushtria e ka mbrojtur.

-Ju çfarë keni studiuar?

Kam studiuar Letërsi Angleze në Universitetin e Damaskut. Më pas kam organizuar dasma me agjencinë time dhe kam pasur sukses. Kam kompozuar muzikë, kam realizuar dekore. Ishte një punë që më jepte kënaqësi

-Keni frikë për familjen?

Kam frikë, por jetojnë në zonë të qetë, të sigurt. Asgjë nuk është e sigurt në Siri sepse fluturojnë mbi kryeqytet, ranë në lagjen time, u goditën fqinjët e mi. Por nuk kam frikë të vdesim në këtë mënyrë, mbasi nëse do vdes, mund të vdes edhe këtu. Nëse iki prej andej, nuk iki si refugjat. Dua të kthehem prapë në Siri, dua të jetoj atje. Erdha në Shqipëri në mënyrë të ligjshme, mora rezidencën. Presioni është i madh atje, mund t’ia dalim raketave e plumbave, por nuk mund t’ia dalësh situatës ekonomike, nëse s’ke si jeton. Do përpiqem të vijoj jetën këtu dhe dua të jetoj në paqe. Kam humbur shumë miq dhe kanë vdekur të tjerë në shpërthime. Ne kemi pesë vite që vuajmë, por askush nuk tha gjë. Pse nuk u ngrit flamuri ynë si për Francën? Pse? Ne kemi humbur 5 mijë civilë nga shpërthimet, e po i luftojmë terroristët që prej fillimit. Do ta presim këtë kancer që po rritet kaq shumë, sepse po vijnë nga jashtë. Për të luftuar kë? Për të luftuar ushtrinë? E dini ju që ushtria jonë ka të krishterë, ka myslimanë, ka budistë? Po thuhet se në Siri është një vend i përgjakshëm kur vrasin njëri­tjetrin. Jo. Kam parë njerëz që kanë shkuar të luftojnë si terroristë që nuk dinë se për kë luftojnë.

– Ndonjë nga njerëzit që ju njihnit është bërë terrorist?

Jo, por kam të njohur në ushtrinë që lufton kundra ISIS. Ata që luftojnë tani kanë kërkuar liri, por nuk e dinë çfarë është liria. Kishte demonstrata 6 muaj. Më vonë u bë Ushtria e Lirisë kundra ushtrisë së shtetit. Më pas dëgjuam për diçka tjetër dhe më pas u bë ISIS. Ne nuk e dimë çfarë ndodhi.

-A është kjo një luftë mes sunitëve dhe shiitëve?

Jo. E bënë të duket kështu. Imazhi qe i tillë. Shumë prej miqve të mi janë shiitë dhe nuk më interesojnë emrat. Kam një mik prej 21 vitesh dhe nuk e dija që ishte shiitë, e mësova tani kur filloi kriza. Nuk më interesonte kjo. Ata që janë kundër Sirisë kanë dhënë këtë imazh që është i rremë.

– Keni jetuar në paqe?

Po, për qindra vite. Nuk ka luftë civile, është gjeopolitikë. Pas asaj që ndodhi në Francë, njerëzit kanë filluar të kuptojnë se ka një ISIS, deri tani e dinin luftë civile. Dëshiroj paqe për të gjithë njerëzit dhe shpresoj që të mos shoh në asnjë vend situatën e Sirisë./Balkanweb

SHKARKO APP