Mediu: Jo djegie mandatesh, beteja në Kuvend

Flet për “Koha Jonë”, Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu: Kemi nevojë për garë dhe lista të hapura 

Intervistoi: Redjon Shtylla

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, situatën aktuale të ligjit të dekriminalizimit e sheh si një tallje, kjo nga ana e maxhorancës. Në një intervistë për “Koha Jonë”, në lidhje me tematikat aktuale politike, z.Mediu nuk ka nguruar të shpreh opinion e tij në lidhje me deklaratat e aleatëve të tij, që deputetët e PD-së, po mendojnë lënien e mandateve, e ku ka theksuar se: “Mandatet na i ka dhënë populli opozitar dhe jo qeveria apo mazhoranca, kështu që ne duhet të vazhdojmë me të gjitha format betejën parlamentare”. Ndërsa për opozitën në tërësi është i mendimit që: “Ne s`mund të bëhemi pjesë e problemit, por të jemi zgjidhja”. E përsa i përket kreut të PD-së, z.Mediu ka këshilluar për një lider me një profil të qartë të së djathtës, ide dhe praktika, që synojnë të ndërtojnë shtetin e së drejtës dhe jo thjesht ndërrimin e pushtetit. Sipas z.Mediu, qeveria aktuale nuk është më qeveri e qytetarëve, por e pushtetarëve.

Mediu pak ditë më parë u zhvillua takimi i aleatëve të PD-së, ku veç dekriminalizimit u diskutua dhe për zgjedhjet e ardhshme duke mos përjashtuar dhe zgjedhjet e parakohshme. Si mund të shkohet në zgjedhjet e parakohshme?

Dua të vlerësoj vendimin për institucionalizimin e kësaj tryeze opozitare, për t`u mbledhur dhe diskutuar të paktën një herë në muaj. Vendimi për të trajtuar çështjet me rëndësi politike, si: Reforma për Dekriminalizimin, Reforma Kushtetuese, Reforma në Drejtësi si dhe  Reforma Zgjedhore. Dakortësia për ta parë Kodin në tërësi, me qëllim garantimin e  zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, votimin dhe numërimin elektronik, financimin e partive politike, një sistem, i cili i jep mundësi qytetarëve të vendosin me votë se kush do t’i përfaqësojë në Kuvend, si dhe çdo Parti të përfaqësohet në Kuvend në përputhje me votat që merr. Shqipëria nuk ka për të ndërtuar institucione dhe demokraci të qëndrueshme, pa garantuar  zgjedhje të reja, të lira dhe të ndershme. Qeveria Rama – Meta nuk garanton zgjedhje të lira, faktuar kjo me zgjedhjet në Korçë dhe zgjedhjet lokale të deklaruara si të manipuluara nga OSBE/ODIHR.

Në PD është diskutuar mundësia e djegies së mandateve. Cili është qëndrimi juaj si aleat  në rast se do të ketë një vendim të tillë?

Situata në Parlament është e papranueshme, duke nisur me përfshirjen e qëllimshme nga maxhoranca e njerëzve me rekorde kriminale, sidomos në zonat e njohura si bastione të së djathtës, me qëllim jo vetëm fitoren e pushtetit, por edhe imponimin me dhunë verbale dhe fizike të interesave jo të ligjshme të pushtetit. Niveli i formimit politik dhe arsimor të Parlamentit është në kuotat më të ulëta, që nga historia e Parlamentit të parë shqiptar. Kjo ka krijuar përshtypjen se çdokush mund të bëjë çdo gjë dhe ka prishur hierarkinë e vlerave në shoqëri, madje e ka përmbysur tërësisht atë. Qeveria e ka kthyer Parlamentin në një appendix pa vlerë, ku ka vetëm një zë që diskuton, fyen e vendos dhe ky është Kryeministri, ose kur bëhet pazar, edhe Kryetari i Parlamentit. Shkelja e Kushtetutës dhe e Ligjeve janë bërë normë, të ashtuquajturat Reforma, fshehin vendime të paracaktuara korruptive apo kontrolli të jetës politike dhe ekonomike në vend. Zgjedhjet lokale provuan edhe njëherë që maxhoranca PS-LSI është e vendosur në rrugën e kriminalizimit të të gjithë strukturave vendimmarrëse në nivel lokal dhe qendror. Në këto kushte duket se çdo përpjekje e opozitës sado e fortë, duket e pavlerë dhe unë e kuptoj frustrimin e disa kolegëve deputetë, por unë mendoj se mandatet na i ka dhënë populli opozitar dhe jo qeveria apo maxhoranca, kështu që ne duhet të vazhdojmë me të gjitha format betejën parlamentare. Në Parlament, më shumë se egon tonë politike, duhet të përfaqësojmë interesin dhe zërin qytetar dhe kombëtar, sidomos të biznesit, pronarëve, të përndjekurve dhe rinisë, alternativën tonë të ndërtimit të Shtetit. Ne s`mund të bëhemi pjesë e problemit, por të jemi zgjidhja.

Në situatën që ndodhemi, kur çështja e dekriminalizimit, aktet e propozuara nga PD-ja u miratuan, por Byroja e Hetimit është lënë pezull, cili do të jetë sipas jush fati i reformës në drejtësi?

Është e pafalshme, deri kriminale mosimplementimi dhe tallja që po i bëhet Reformës së Dekriminalizimit. Ndryshmet e kërkuara nga opozita, vetëm ndihmojnë procesin. Reforma në Drejtësi ka vetëm një rrugë, interpretimi i drejtë i Rekomandimeve të Venecias, zbatimi i tyre, vendimmarrja e përbashkët nëpërmjet dialogut  dhe debatit politik, si dhe një debati të organizuar mediatik, sidomos përfshirja e grupeve të interesit dhe  shoqërisë civile në këtë debat. Kjo Reformë, nëse mbetet një vendimmarrje e ngushtë e një komisioni apo grupi specialistësh, do të jetë e mangët dhe me vështirësi të mëdha implementimi. Sa për Byronë e Hetimit, Venecia është shprehur qartë në mbështetje të opozitës dhe kundër draftit të qeverisë.

Për reformën zgjedhore keni deklaruar se duhet aplikimi i sistemit proporcional dhe konkurrimin me lista të hapura? A do ta mbështesë PD-ja iniciativën tuaj?

Sistemi i sotëm zgjedhor është një sistem, i cili na ka transformuar, nga një Republikë Parlamentare, në një Republikë Kryetarësh, me një sistem parlamentar jo funksional, në shërbim të një qeverisje autoritariste dhe pazari. Deputetët me këtë sistem janë të emëruar nga kryetarët dhe jo të zgjedhur nga vota e qytetarëve. Ata i shërbejnë qëllimeve dhe egove të kryetarëve, ose heshtin në mënyrë që të sigurojnë një vend të sigurt në listë, në parlamentin e ardhshëm. Sistemi me lista të hapura është aplikuar në zgjedhjet lokale të 2007, pa as më të voglin problem apo incident. Listat e hapura bëjnë të mundur që zgjedhja preferenciale e kryetarëve, të zëvendësohet me zgjedhjen e lirë të votuesve, si dhe të forcës së individëve, për të konkurruar. Argumenti se njerëzit e parasë, apo ashtuquajtur “të fortë”, do të dominonin garën, është i pabazë, sepse listën e kandidatëve e vendosin vetë partitë dhe, nëse në vend të 12 qarqeve, të konkurrohet në 6 qarqe, kjo shmang probleme të tilla. A do ta pranojë PD-ja? Unë mendoj se PD ka si bazë të filozofisë së saj politike, lirinë dhe forcën konkurruese të individit dhe zgjedhjen e lirë të qytetarëve. Ne kemi nevojë për garën dhe listën e hapur, sepse pushteti i ka mundësitë ta zhvillojë këtë garë, duke zëvendësuar mundësinë e zgjedhjes në Parlament, me pozicionet ekzistuese, apo të mundshme në qeverisje.

Në optikën tuaj çfarë i mungon opozitës së Bashës?

Mendoj që është një opozitë që vjen e konsolidohet dhe po ndërton një raport të qëndrueshëm me qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë. Qëndrimet e ndryshme në opozitë të përfaqësuesve të saj, mendoj se janë shprehje e preokupimit për një opozitë vitale. Nëse do të rendisja disa çështje që për mendimin tim do ta bënin më të fortë opozitën, do të rendisja: Angazhim dhe marrëdhënie më të qëndrueshme me trupën parlamentare dhe drejtuesit e pushtetit vendor, duke i vlerësuar ata si potenciale politike vendimmarrëse dhe elektorale. Marrëdhënie të qenësishme institucionale me partitë opozitare,  shoqërinë civile, biznesin, pronarët, të përndjekurit dhe rininë. Ata duhet të shohin në këtë marrëdhënie mundësinë e përfaqësimit të interesave të tyre dhe mundësinë e konkurrimit dhe përfshirjes në radhët e deputetëve dhe qeverisjes. Angazhim maksimal të debatit dhe dëgjimin me vëmendje të qytetarëve në çdo fshat dhe qytet të Shqipërisë. Ndërtimi i strukturave politike dhe elektorale në nivelin e qarqeve të PD-së dhe koalicionit opozitar, duke filluar që tani përcaktimin e kandidatëve, në mënyrë që t`i jepet koha e mjaftueshme për të organizuar strukturat politiko-elektorale dhe kontaktin me votuesit. Angazhim maksimal në Bruksel dhe Uashington DC, për të ndërtuar  partneritet dhe jo vetëm denoncim të paligjshmërisë dhe korrupsionit të opozitës. Është e rëndësishme që Basha të angazhojë në marrëdhëniet ndërkombëtare gjithë spektrin opozitar, për të shmangur percepsionit që çështjet janë thjesht interes i tij apo vetëm i PD-së. Ka nevojë për një profil të qartë të së djathtës, ide dhe praktika, që synojnë të ndërtojnë shtetin e së drejtës, dhe jo thjesht ndërrimin e pushtetit. Çdo ide se ne pushtetin e presim nga koalicioni me LSI-në, është disfatiste dhe shkatërruese. Duhet vrarë apatia politike dhe bindja që mund të krijohet tek një pjesë e drejtuesve dhe aktivistëve, se pushteti mund të vijë vetvetiu, në mos në këto zgjedhje, në zgjedhjet e tjera.

Prej tre vitesh opozita në tërësi ka shprehur kritika ndaj reformave të qeverisë. Partia Republikane i njeh ndonjë meritë në këto vite qeverisë?

Do të kisha dëshirë të vlerësoja pozitivisht ndonjë veprim të qeverisë, por mendoj se një qeveri që e konsideron veten pronare të lirive dhe jetës sonë, një qeveri që e sheh biznesin si një lopë, jo vetëm për ta mjelë, por për ta therur, një qeveri që nuk njeh dhe vlerëson pronën private, një qeveri që e ka kthyer korrupsioni në sistem, një qeveri që qëndron për shkak të pazareve politike, një qeveri që kontrollon dhe voton ligjet në Parlament, duke blerë deputetë dhe parti, një qeveri që po e çon ekonominë e vendit dhe atë familjare në kufijtë e ekzistencës, e shumë probleme të tjera, nuk është më qeveri e qytetarëve, por e pushtetarëve.

Ligjin për pronat, jeni shprehur se do ta dërgoni atë në Gjykatën Kushtetuese si dhe në Komitetin e Ministrave të Bashkimit Europian. Aleati juaj e ka dërguar tashmë, ju pse e shihni të gabuar këtë ligj?

Ne e kemi çuar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese dhe vlerësojmë sidomos qëndrimin dhe rolin e Presidentit Nishani në lidhje me këtë çështje. Jemi të kënaqur që dhe PD-ja e ka çuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, duke e parë këtë dhe si një reflektim të saj në raport me të drejtën e pronës dhe problemeve që vetë PD-ja ka shkaktuar në dëm të pronarëve. Ky ligj është antikushtetues, është në kundërshtim me vendimet e Gjykatës së Strasburgut, është një ligj që krijon pabarazi përballë ligjit dhe njëkohësisht kërkon t`i shpronësojë pronarët edhe njëherë. Ky ligj kërkon të varrosë përfundimisht të drejtën e pronës private me një sjellje më keq se komuniste dhe tërësisht korruptive.

SHKARKO APP