Mediu: “Veprimet e paarsyeshme dëmtojnë PD, opozita kërkon Qeveri Teknike”

Flet për “Koha Jonë”, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu: ”Çdo veprim i paarsyeshëm do të dëmtonte vetë PD-në”

Intervistoi: Redjon Shtylla

Pas ligjit të dekriminalizimit, pas miratimit të ndryshmeve kushtetuese që përcaktojnë Reformën në Drejtësi, hapi tjetër i demokratëve është caktimi i një qeverie teknike. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, një ndër aleatët më të afërt me PD, në një intervistë për “Koha Jonë”, është shprehur lidhur me një fakt të tillë se “qeverisja teknike për përgatitjen e zgjedhjeve është e domosdoshme”, por edhe se, “asnjë reformë nuk ka vlerë nëse nuk garantohet votimi i lirë dhe i ndershëm”.  Ndërsa i pyetur mbi faktin nëse drejtësia e re do të ketë fuqi të hetojë edhe arenën politike nëse ka të inkriminuar, Mediu ka nënvizuar se, “përballë ligjit, gjithsecili duhet të jetë i barabartë dhe të trajtohet si i tillë”…

 z.Mediu, miratimi i ndryshimeve kushtetuese me 140 vota pro, që i hap rrugë reformës së shumëpritur në Drejtësi, ende nuk e ka hapur dritën jeshile. Nga kush dhe pse po mbahet peng e po bllokohet realizimi në total i drafteve kushtetuese të reformës?

Miratimi i reformës në drejtësi me konsensus ishte fryt i punës së opozitës dhe faktorëve të tjerë politikë, i cili shmangu tendencën e qartë të qeverisë për të kontrolluar politikisht sistemin gjyqësor. Falë kërkesës së opozitës për përfshirjen në proces, si dhe faktit që vendimet dhe qëndrimet e Komisionit të Venecias të konsideroheshin si i vetmi shtrat mirëkuptimi.  Padyshim meritë të jashtëzakonshme në këtë proces ka dhe faktori ndërkombëtar SHBA, BE dhe Gjermania, ambasadorja Vllahutin dhe Ambasadori Lu. Për t’u kthyer te pyetja juaj mendoj se maxhoranca dhe veçanërisht Rama nuk e donin këtë konsensus, kështu që në fillim të procesit të draftimit  dhe shqyrtimit të legjislacionit përkatës u përpoqën të krijojnë një situatë të re konflikti për të shmangur konsensusin, me qëllimin që atë që nuk e arritën nëpërmjet procesit kushtetues, përjashtimin e opozitës dhe kontrollin e gjyqësorit ta realizojnë nëpërmjet ligjeve. Prandaj kërkuan dhe tentuan veprime në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet dhe procedurat e Kuvendit, duke përdorur si akuzim kërkesën se e do BE-ja. Ne kemi shprehur angazhimin tonë maksimal në nivel ekspertësh dhe politik për të punuar çdo ditë dhe me hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të fillojmë të miratojmë menjëherë ligjet duke nisur nga ligji i Vetting.

Pjesëmarrja e PD-së në Komisionin Parlamentar ka qenë shpesh herë kundërshtuese dhe në plot raste jeni larguar edhe ku si opozitë kërkoni rol udhëheqës në këtë reformë? Pse dhe si e shpjegoni këtë?

Opozita në komision ka bërë një punë të jashtëzakonshme po të krahasoni draftin e parë që është çuar në Venecia, me draftin që u miratua në Parlament, do shihni ndryshime thelbësore në ‘të që kanë shmangur kontrollin politik të sistemit të drejtësisë, eliminimin e korporatimit etj.. S’kemi kërkuar asnjë rol udhëheqës në proces, por të drejta të barabarta siç është përcaktuar në vendimin e ngritjes së komisionit dhe si rruga që garanton konsensusin e nevojshëm. Pa opozitën do kishim një pazar politik në Parlament, një pushtet gjyqësor shtesë politikë të PS-së, qeveri që do të kontrollonte të tre pushtetet, një tirani të maxhorancës dhe shkatërrim të demokracisë, sistemit tonë kushtetues dhe për pasojë të drejtave të qytetarëve shqiptare.

Ndërkombëtarët janë shprehur se çështja e 7 ligjeve është çështje kushtetuese dhe jo politike. Si e gjykoni hipotezën e rrjedhjes së votave nga PD-ja? 

Ne kemi dorëzuar në komision dhe pranë ekspertëve të EURALIUS, një punë të thelluar dhe voluminoze, gjë e cila tregon seriozitetin tonë në proces. Ligjet i shqyrton e miraton Parlamenti. Deputetët duhet të jenë të përgjegjshëm, e të paktën t’i lexojnë. Çdo diskutim dhe qëndrim i yni ka qenë në koherencë dhe diskutim me faktorin ndërkombëtar e do të vazhdojë të jetë i tillë në përputhje me rekomandimet dhe vlerësimet e Komisionit të Venecias. Ne duam dhe do të punojmë që të kemi 7 ligje që vijnë në përputhje me ndryshimet kushtetuese të miratuara nga 140 deputetë të Kuvendit. S’kam dëshirë të merrem me hipoteza, por çdo pazar politik jo vetëm më duket i pavend, por dhe pështirë. Opozita është e vështirë, por dhe prova e karakterit dhe dinjitetit të deputetëve. Kam bindjen se të gjithë donim reformën dhe ata deputetë që kërkuan të votohej reforma, kërkuan të miratohej ajo reformë që mori votën e gjithë deputetëve dhe jo reforma e Ramës. Dua edhe njëherë të vlerësoj lidershipin, koherencën dhe qëndrueshmërinë e Bashës në këtë proces.

Kryetari i Komisionit të Venecias, Gianni Buquiçhio është shprehur që të huajt nuk cenojnë sovranitetin. Është kjo një përplasje e fortë pasi opozita është shprehur se mbështet Komisionin e Venecias? Pse sipas jush PD-ja po rrezikon qëndrimet?

Aspak, asnjë nga ne nuk mendon se të huajt cenojnë sovranitetin, por mosvlerësimi dhe moszbatimi i prerogativave ligjore dhe kushtetuese nga ato të përcaktuara me ligj, cenojnë funksionimin normal të sistemit demokratik. BE dhe SHBA janë aleatët tanë strategjikë dhe ka qenë kjo e djathtë që ka krijuar marrëdhëniet me ta dhe institucionet e tyre. Ka shtyrë realisht procesin e integrimit Europian dhe anëtarësojë Shqipërinë në NATO dhe këtë nuk e bëmë duke hequr dorë nga përgjegjësitë tona dhe duke ja lënë kodoshin në derë ndërkombëtarëve. Bashkëpunimi me ndërkombëtarët është dhe do të jetë i domosdoshëm, por përgjegjësia jonë është e pashmangshme, çdo lojë politike që bëhet me ndërkombëtarët është foshnjore dhe dritë shkurtër. Kjo ishte një lojë politike, për të ardhur keq, për të kundërvënë opozitën me ndërkombëtarët, por në realitet në të gjitha nivelet ndërkombëtarët vlerësuan dhe mbështeten zgjidhjet e opozitës sepse ato bazoheshin tek rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Qëndrimi i PD-së është për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Kreu Basha ftoi Metën për bashkëpunim, por si aleat i PD-së në rolin e kreut të PR-së, mendoni se është i dobishëm një bashkëpunimin i dytë PD-LSI? 

Padyshim që z.Meta pati një rol të rëndësishëm në arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi deri në momentet e fundit të miratimit të saj. Mendoj që çdo ide për marrëdhënie me të majtën duhet analizuar në radhë të parë me efektin afatgjatë që ajo ka mbi të djathtën, pasojat dhe problemet e shfaqura në kohë dhe injorimi i tyre do të ishte shkatërruese për të ardhmen e së djathtës në Shqipëri. Ne nuk kemi asnjë të drejtë të caktojmë se kush janë kundërshtarët tanë politikë dhe si të tillë Rama dhe Meta, si individ dhe parti politike ekzistojnë pavarësisht nga ne. Politika duhet t’i shërbejë kompromisit, në shërbim të vendit edhe kur jemi në pozicione kundërshtarësh dhe reforma në drejtësi e tregoi këtë. Për mendimi tim Rama-Meta janë pjesë e keqe e qeverisjes dhe problemit. Basha ka detyrimin të rivitalozojë të djathtën, PD dhe partitë e tjera ato historike dhe ato të tranzicionit, të konsolidojë strukturën mbështetëse dhe elektorale të së djathtës, rininë, të përndjekurit, pronarët, intelektualët. Dhe qeverisja teknike për përgatitjen e zgjedhjeve është e domosdoshme. Asnjë reformë nuk ka vlerë nëse nuk garantohet votimi i lirë dhe i ndershëm. Kjo qeveri ka manipuluar dhe punon çdo ditë për të manipuluar zgjedhjet. Reforma zgjedhore është e një rëndësie të pazëvendësueshme për shqiptarët dhe jo për politikën, vetëm është domosdoshmëri që shqiptarët të vendosin me votën e tyre për qeverisjen e vendit. Mënyra e organizimit dhe detyrat e qeverisjes teknike janë pjesë e një procesi të një diskutimi politik dhe marrëveshjes, që janë bërë edhe më parë.

Nëse nuk krijohet qeveria teknike, cili duhet të jetë hapi i radhës i opozitës?

Mali i Zi u përball me një krizë politike që nuk kishte të bënte me gjendjen ekonomike, por përplasjet për shkak të anëtarësimit në NATO dhe politikave në favor të investimeve të huaja. Ata morën një vendim, zgjedhje të parakohshme e me një qeveri të përbashkët, ku opozita ka marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme, Financës, Bujqësisë dhe Edukimit. Ky vendim i tyre u mor në shërbim të interesit të vendit. Mendoj se dhe ne duhet të gjejmë arsyet për të kapërcyer këtë situatë dhe për t’i dhënë mundësi shqiptarëve të vendosin për qeverisjen dhe jo grupeve kriminale dhe korruptive.

Deputetët demokratë dolën kundër qëndrimeve zyrtare, e deklaruan vota pro nëse partia nuk do të jepte vendimin për reformën. Çfarë tregon kjo?

Nuk kam ndonjë gjykim për ta, secili ka të drejtën e tij të gjykimit. Për fatin e keq pak deputetë kanë qenë në njohje të plotë për problematikën e procesit, për mënyrën dhe kohën e shkurtër që u zhvillua, madje, druaj që një pjesë e madhe të mos kenë arritur ta lexojnë draftin. Qëndrimin e deputetëve e kam kuptuar si një shqetësim politik, që opozita duhej të evitonte që ta nxirrte opozitën si kundërshtare e reformës dhe ta kundërvinte me ndërkombëtarët dhe ky shqetësim ishte i drejtë.  PD dhe opozita arriti që të mundësojë një reformë konsensuale, që vlerësoi deri në detaj jo shqetësimet e opozitës, por rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, grupi i deputetëve që janë kritikë ndaj kreut Basha, mendoni se do të jenë në lista apo do të lihen jashtë?

Ata janë çështje të vlerësimit të PD. Unë kam parë që në PD ka një ballafaqim të hapur dhe kurajoz të ideve dhe kjo shpesh interpretohet si kundërvënie apo grupazh. Mendoj se demokracia e brendshme në një parti funksionon nëpërmjet respektimit të statutit, respektimit të strukturave të vendimmarrjes dhe mundësisë që çdo individ të jetë pjesëmarrës në diskutim dhe vendim si në rast kur është dakort dhe kur është kundër, si kur voton pro dhe kur voton kundër, pa këtë lloj diversiteti e djathta do atrofizohej. Çdo veprim i paarsyeshëm do të dëmtonte vetë PD-në. Ne jemi opozitë dhe kemi një marrëdhënie të detyrueshme të bashkohemi në rrugën tonë me shqiptarët për t’u përballur me një qeverisje që në historinë politike të Shqipërisë, do mbahet mend si qeveria më e keqe.

SHKARKO APP