Mehmetaj: Më shumë rini në politikë, jemi lodhur nga konflikti artificial

Kandidatja e LSI-së për qarkun e Tiranës, Kejdi Mehmetaj flet për synimet që ka forca e saj politike në zgjedhjet e reja parlamentare. Ajo për “Shekullin” si një deputete e re, që ka një eksperiencë në aulën parlamentare, rendit faktet se pse LSI-ja do të jetë forcë e parë politike.

Çfarë konsiderate keni në tërësi për klasën aktuale politike shqiptare? A punon ajo bazuar në interesat dhe nevojat e qytetarëve?

Mendoj se klasa aktuale politike shqiptare ofron disa modele, të cilat unë do të doja ti ndaja nga njëri-tjetri për të bërë edhe një gjykim të drejtë. Modeli i parë është ai i politikanëve të karrierës të cilët kanë dhënë shumë për të zhvilluar demokracinë e vendit dhe na mësuar se si duhet bërë politikë me argumente e ide. Këto i kemi të shumtë brenda LSI dhe jo vetëm, edhe brenda PS e PD gjen modele që mund ti marrësh shembull si Arta Dade, Namik Dokle etj. Modeli i dytë është ai i burrave që kanë rreth 27 vite që thonë të njëjtat gjëra, karakterizohen nga arroganca e pushtetit dhe kokëfortësia. Këta janë pikërisht ata të cilët e kanë sjellë politikën shqiptare, e për pasojë edhe të gjithë vendin në këtë situatë ku jemi sot.

Nga njëra krizë në tjetrën, vetëm e vetëm sepse secili prej tyre sheh vetëm interesin vetjak dhe për pak pushtet është i gatshëm të bëjë shumë kompromise edhe shumë keq në disa raste. Modeli i tretë, i cili ka ardhur si rrjedhojë e kompromiseve të pashoqe që bën modeli i dytë, është ai i të fortit në politikë. I atyre të cilëve kanë rekorde kriminale, kanë ndërruar disa emra në të shkuarën. Atyre që bëjnë presion për të marrë votën. Atyre që janë në politikë për të mbrojtur bizneset e tyre, ose për të përfituar ndonjë tender më shumë.  Në këto katër vite në parlament kam qenë dëshmitare se sa e vështirë është për politikën në Shqipëri të flasë në emër të qytetarëve të thjeshtë dhe se shpesh rolet ngatërrohen. Mendoj se shumë gjëra do të ishin ndryshe sot dhe vendi do të ishte në një rrugë tjetër zhvillimi e progresi nëse në politikë do të kishte më shumë idealistë, profesionistë, përfaqësues të mirëfilltë të qytetarëve shqiptarë dhe interesave të tyre. Shpresoj se ne si brez i ri do të arrijmë t’ia kthejmë këtë dimension të munguar politikës shqiptare.

Ju keni qenë deputetja më e re e Parlamentit. Si do ta konsideronit eksperiencën katër-vjeçare në atë sallë? A kishit pritshmëri të tjetra?

Unë si deputete e re, por njëkohësisht edhe i gjithë grupi parlamentar i LSI jemi përpjekur ti shfrytëzojmë këto katër vite për të përmbushur dhe realizuar programin me të cilin ju paraqitëm qytetarëve në fushatën e 2013. Duke qenë përfaqësuese e të rinjve, në fokusin tim kanë qenë kryesisht çështjet e arsimit dhe punësimit të të rinjve, pa lënë pas dore edhe fusha të tjera që prekin, jo vetëm rininë, por të gjithë popullsinë. Kam folur shumë sa i takon Maturës Shtetërore, edhe fjalimi im i parë në parlament ka qenë pikërisht për këtë çështje. Kam ndjekur nga afër duke dhënë kontribut e duke qenë kritike ligjin e ri për arsimin e larte si edhe ndryshimet e vazhdueshme në ligjin për arsimin profesional. Kam diskutuar dhe ndjekur Programin Kombëtar të Praktikave të Punës si edhe iniciativa të tjera që nxisin punësimin e të rinjve.

Kam qenë së bashku me Silvën hartuese dhe nismëtare e Ligjit për Vullnetarizmin dhe më lejoni të shtoj se jam e pakënaqur nga ministria e linjës, e cila ende nuk ka bërë gati aktet nënligjore që ky ligj të zbatohet tërësisht. Një sërë iniciativash të mira janë ndërmarrë për të rinjtë, por shumë ka çaluar në zbatimin e këtyre iniciativave. Të katërta vitet kanë qenë intensive, por kam kuptuar se karakterizohemi nga burokracitë e tepërta dhe mungesa e prakticitetit për t’i vendosur gjërat shpejt në lëvizje. Jam ndjerë shpesh shumë e keqardhur që na është dashur që një pjesë të mirë të kohës sonë ta harxhonim për çështje si dekriminalizmi, apo konflikti artificial politikë, kohë të cilën mund ta kishim përdorur për të bërë disa punë të mira për vendin. Besoj për çdo të ri pritshmëritë do të ishin shumë të larta.

Çfarë qëllimesh i keni vendosur vetes për Legjiislaturën e ardhshme, duke qenë se jeni në vendet e sigurta të listës për deputete për një mandat të dytë?

Ditë pas dite LSI ka prezantuar për qytetarët programin e saj dhe realizmi i këtij programi do të jetë angazhimi ynë kryesor në katërvjeçarin e ardhshëm. Ne mendojmë se vendi ka nevojë për një frymë të re në qeverisje dhe vendimmarrje dhe këtë frymë mund ta sjellin të rinjtë e të rejat, që për shembull në listën e LSI për Tiranën zënë pjesën kryesore. Ne po punojmë që tu rikthejmë qytetarëve besimin te politika dhe se të zgjedhurit e tyre do të jenë realisht zëri i tyre dhe jo zëri i interesave të ngushta. Unë do të vazhdojë një betejë që e kam filluar që katër vite më përpara dhe këtë herë jam e sigurt që do ja dalim më mirë pasi në Parlament do të kem shumë bashkëmoshatarë që kanë të njëjtat qëllime me mua. Lajtmotivi i punës sonë të përditshme është: Një shans për të gjithë dhe do të sigurohemi që këto shanse të jenë reale dhe të prekshme për çdo qytetar.

Si një deputete në moshë të re çfarë u premton dhe u këshillon të rinjve?

Të jem e sinqertë nuk e kam vendosur asnjëherë veten në pozitën e premtuesit, pasi mendoj se njerëzit janë lodhur nga premtimet që nuk mbahen asnjëherë. Unë u flas të rinjve mbi projekte të cilat ne i ndërtojmë bashkë dhe po bashkë do i vendosim në zbatim. U kërkoj të rinjve të angazhohen dhe të flasin me zërin e tyre, pasi vetëm kështu do të kenë në dorë fatin dhe të ardhmen. Mendoj që nëse secili angazhohet sado pak në komunitet, më shumë llogari do të kërkohet e më shumë punë do të bëhen. U them gjithashtu se politika nuk është pronë, është përfaqësim e prandaj duhet të përpiqemi ta fitojmë këtë përfaqësim vet ne.

Ne i kemi të qarta objektivat tonë për të rinjtë dhe këto janë të krijojmë më shumë shanse për arsim cilësor dhe më shumë punë dinjitoze dhe të mirëpaguara. Jo vetëm ne, por e gjithë politika duhet të punojë për tu ofruar të rinjve më shumë shanse për të qenë të suksesshëm në fushat e tyre sepse vetëm kështu do të arrijmë të jemi një vend i zhvilluar me aspirata Europiane. Sa i takon këshillave, mendoj se më duhen edhe disa vite më shumë jete dhe eksperience për t’i dhënë, por ajo që iu them shpesh bashkëmoshatarëve të mi është që në asnjë moment të mos humbim vëmendjen nga dija dhe asnjëherë të mos heqim dorë nga ëndrrat.

LSI-ja ka folur për një program të ri për arsimimin. Ka një plan konkret LSI-së se si mund të rritet cilësia e arsimimit të të rinjve shqiptarë?

LSI ka një plan konkret për arsimin: Arsim Cilësor-Familje e shëndetshme, i cili së pari e kthen arsimin në prioritet qeverisës duke rritur edhe investimin/zërin që arsimi zë në buxhetin e shtetit, së dyti e rimëkëmb sistemin arsimor nga çerdhet e kopshtet e deri në nivelin e kërkimit shkencor. Ne e shohim arsimin si investim afatgjatë që e bëjmë për Shqipërinë dhe jemi të bindur se edukimi cilësor është çelësi i suksesit të një shoqërie të zhvilluar dhe të suksesshme. Plani ynë është i ndërtuar në tre shtylla kryesore: ringritja e infrastrukturës shkollore, e cila është e mangët dhe shumë e vjetruar në të gjithë vendin.

Ka ende sot shkolla të cilave u bie çatia dhe s’kanë dyer e dritare, jo më të flasim për ngrohje dhe laboratorë; ngritja e standardit të mësimdhënies dhe zhvillimi i mendimit kritik nëpërmjet kurikulave bashkëkohore dhe përmirësimit të teksteve shkollore. Ne jemi një vend që e duam dijen dhe kemi të gjithë kapacitetet qe Shqipëria të kthehet në qendrën e studimeve për të gjithë rajonin e Ballkanit. Gjithashtu një vend të rëndësishëm në program zë arsimi profesional, si një shtyllë shumë e folur por pak e zhvilluar në tërësinë e sistemit arsimor në vend.

LSI-ja prej pak kohësh drejtohet nga një kryetar të ri, Petrit Vasilin. Mendon se e panalizon LSI-në largimi i Ilir Metës nga posti i drejtuesit, lidhur kjo edhe me synimin për të dalë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit?

Unë mendoj se zgjedhja e Ilir Metës si President i Republikës së Shqipërisë i solli qytetarëve qetësi dhe besimin se kriza politike do të merrte një zgjidhje dhe se në tërësi klasa politike do të ndërgjegjësohej për të qenë më e përgjegjshme. Jam e bindur që kjo zgjedhje ka ndikuar vetëm pozitivisht, si në strukturat e LSI po ashtu edhe tek votuesit sepse tregoi qartazi përkushtimin tonë të përditshëm: përpara se të mendojmë për veten apo interesin e partisë, mendojmë për vendin. LSI do të jetë padyshim forcë e parë politike këto zgjedhje, pasi qytetarët shohin në LSI përkushtimin ndaj çështjeve të tyre dhe ndjejnë punën e përditshme që ne bëjmë për t’i përfaqësuar denjësisht.

LSI do të jetë forcë e parë, pasi është e vetmja parti e cila realisht u ka dhënë të rinjve një shans, u ka dhënë grave një shans dhe është e përkushtuar ndaj familjes. LSI nuk është një parti që kujtohet për qytetarët vetëm muajin e zgjedhjeve dhe as nuk i përdor ata për të bërë shoë dhe këtë qytetarët e vlerësojnë më shumë se çdo gjë. Ne do të jemi forcë e parë, pasi vendi nuk ka më nevojë për arrogancë dhe njerëz që duan pushtetin, por për drejtues serioz dhe të përkushtuar si Petrit Vasili. Shqipëria ka nevojë tani për energjinë e të rinjve dhe pjekurinë e profesionistëve dhe kjo është oferta jonë.

SHKARKO APP