Merkel: Marrëveshje afatgjatë me Trumpin, Europa të jetë e bashkuar

(Intervistë me Kancelaren në prag të G20)

Intervistë e Giovanni di Lorenzo dhe Bernd Ulrich, me një koment nga Danilo Taino

“Corriere della Sera”

Mbi G20 gjendja mbetet e ndërlikuar. Kësaj i shtohet fakti që Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të dalin nga marrëveshja e klimës e Parisit”. Kancelarja Angela Merkel inkuadron çastin politik. “Me Trumpin, marrëveshje të largëta. Europa të jetë e bashkuar” dhe shton: “Një rezultat i mirë i takimit në nivel të lartë do të ishte që të vërtetojmë se merremi me sfidat rruzullore”. Merkel iu përgjigjet pyetjeve të tjera: “A vazhdon të jetë Perëndimi? Cilat janë parimet që me të vërtetë vlejnë: njëanshmëria, shumanshmëria, shumëpolariteti?”. “Rendi botëror po ndryshon, raportet e forcave ndryshojnë”, thotë Kancelarja.

Zonja kancelare, ju keni thënë se përgatitjet për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të G20 dukeshin një ndërmarrje, pothuajse e pamundur.

            E kam thënë?

Po, në fillim të majit, gjatë një konference ekonomike në Berlin. Sot, pak ditë para fillimit të G20, a mund të thuash se gjendja është përmirësuar?

Tashmë kërkohet katrorësia e rrethit (qesh). Jo, gjendja mbetet e ndërlikuar, duke mbajtur parasysh llojshmërinë politike të pranishme në G20. Veç asaj i shtohet fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të dalin nga Marrëveshja e Parisit mbi klimën. Megjithatë bisedimet e G20-ës nuk fillojnë me konferencat e kryetarëve të Shtetit e të qeverive, por me punën e bërë nga ekspertët, shumë muaj para për të arritur një miratim, përndryshe nuk mund të merren vendime.

Cili mund të quhet një përfundim i mirë?

            Diçka që të tregojë se merremi në mënyrën e përshtatshme me sfidat rruzullore, por që në të njëjtën kohë të mos fshehë kundërshtimet. Marrëveshja mbi klimën, për shembull, nuk është kompetencë e G20-ës, por një proces i Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, gjatë takimeve të mëparshme të G20, jemi shprehur në lidhje me lëndën në mënyrë të përbashkët e, pikërisht për këtë tema do të ketë rëndësinë e saj. Është dhe mbetet një vendim i vajtueshëm ai i Shteteve të Bashkuara për të braktisur Marrëveshjen e Parisit. Megjithatë ka edhe disa shtete amerikane që do të vazhdojnë të bashkëpunojnë. Nga ana tjetër, bëhet fjalë për një marrëveshje afatgjatë që do të ketë pasoja për gjithë shekullin. Duhet të veprojmë tani për të parandaluar pasoja afatgjata. Kjo vlen për ndryshimet klimatike, por edhe për temat e lidhura me Afrikën apo rreziqet shëndetësore.

Përballë rendit botëror të çrregulluar opinioni publik kujdeset shumë edhe për çështje të tjera: Perëndimi a do të vazhdojë të jetë ? A do t’i bashkojë Europa forcat me Kinën, sa i përket tregtisë? Cilët janë parimet që vlejnë me të vërtetë: njëanshmëria, shumanshmëria, shumëpolariteti? Cili është mesazhi juaj në këtë drejtim?

            Fakti që janë të pranishme 20 Vende, së bashku me Bashkimin Europian, me organizatat ndërkombëtare, organizatat rajonale aziatike dhe afrikane, e që të gjithë jemi përfshirë në një proces këshillimesh e bashkëpunimi të përhershëm; në një epokë të zotëruar nga mungesa e bashkëbisedimit, kjo përbën një vlerë reale. Është e vërtetë se rendi botëror është në ndryshim dhe që raportet e forcave tjetërsohen. Kjo ka të bëjë me ngjitjen e Kinës, por edhe Hindia kryen hapa të mëdhenj me një tregues rritjeje më shumë se 7%, shumë më i madh se ai i Kinës. Të dyja Vendet kanë afër nga 1,3 miliard banorë, një faktor vendosmërisht domethënës. Kësaj i shtohet fakti që administrata amerikane dhe presidenti Trump e gjykojnë globalizimin në mënyrë krejt të ndryshme nga ne gjermanët. Ndërsa ne kërkojmë të shfrytëzojmë mundësitë që rrjedhin nga bashkëpunimi në çdo drejtim, në sytë e administratës amerikane globalizimi është një proces në të cilin nuk mund të ketë situata win–win, por vetëm fitues e të humbur.

  1. R. McMaster, këshilltari për sigurinë kombëtare i Trumpit e quan botën një arenë. Ai nuk beson në një bashkësi rruzullore.

             I kundërvihet krejtësisht pikëpamjes sime. G20 është në vetvete një shembull bindës se si bota arriti të dalë nga kriza financiare e përgjithshme e 2008–2009, nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, me dobi për të gjithë. Sigurisht presidenti Trump është zgjedhur nga shumë që e shohin globalizimin me mosbesim, dhe ndihet i detyruar kundrejt këtyre zgjedhësve. Por ka shumë kohë që FMN, OSBE, madje dhe vetë G20 nuk flasin thjesht për rritje por për rritje të mundshme dhe të përkrahshme. Nuk duam që të jenë të paktit ata që kanë dobi nga përparimi ekonomik. Të gjithë duhet të përfitojnë. Në cilësinë e përfaqësueses së një shteti me ekonomi shoqërore të tregut, është në këtë frymë që dua të drejtoj takimin e lartë të G20. Prandaj kam thirrur para tubimit të gjithë pjesëmarrësit europianë të G20-ës në Berlin, dhe Britaninë e Madhe, Francën, Italinë, Spanjën, Norvegjinë dhe vendet e Ulëta, veç institucioneve të BE. Përfaqësojmë bindje të përbashkëta që do t’i paraqiten takimit të lartë.

Pra, doni që Europa të veprojë në mënyrë të përbashkët?

Po, është e udhës që Europa të bashkojë fuqitë.

            Në tërësi, a besoni se Perëndimi mund të veprojë ende në mënyrë të përbashkët?

            Po, në disa çështje, në të tjera jo.

            Pra, jo ! Më parë, sigurisht kishte më shumë Perëndim, e drejtë ?

Jo, nuk kam thënë ashtu. Sot nuk është më kështu mbi të gjitha argumentet. Por nuk do të thotë se nuk mund të gjejmë baza të përbashkëta në disa sektorë.

A shoqërohet kjo me një humbje të rëndësisë së pushtetit të Shteteve të Bashkuara?

            Nuk e di. Rëndësia e pushtetit varet nga forca ekonomike, ushtarake e civile e në këta tre sektorë amerikanët përfaqësojnë ende një fuqi botërore, siç e vërtetojnë edhe diskutimet e fuqishme të brendshme. Siç duket, administrata amerikane nuk do të përfaqësojë më “policin” që vendos rendin në të gjithë botën. Mund të quhet si një lajm i mirë po ashtu edhe i keq, sipas rasteve. Në këtë drejtim: amerikanët janë paraqitur, në dhjetëvjeçarët e fundit, kudo si një fuqi. Dhe kjo për të përdorur një eufemizëm, mund të jetë parë në mënyrë kritike.

Por Shtetet e Bashkuara lënë një zbrazësi të rëndësishme, apo jo ?

            Po, në fakt kjo është një sfidë e madhe. Për shembull, nëse një ditë amerikanët do të thonin se nuk duan më të marrin pjesë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar do të ishte një problem i vërtetë. Mbetet fakti që kemi një interes të përbashkët në lëndët e sigurisë e të paqes, prandaj edhe objektiva të përbashkët për të ndjekur.

Mbas kthimit nga G7 në Siçili keni provuar të inkurajoni europianët? Siç keni thënë në Trudering. “Kohët në të cilat mund të besohej krejtësisht te të tjerët janë pjesë e së shkuarës, është ajo që kam provuar në ditët e fundme”. A do ta ripohonit të njëjtën gjë?

            Po, është pikërisht kështu. Nuk mund të jemi të sigurt nga fakti se Shtetet e Bashkuara investojnë, siç kanë bërë deri tani në Kombet e Bashkuara, në politikën e Lindjes së Mesme, në sigurinë europiane ose në misionet e paqes në Afrikë. Bëhet gjithnjë e më e qartë sa e rëndësishme është të ndërtojmë një ortakëri me Afrikën dhe kontinentet e tjera. Është në interesin tonë dhe bën pjesë në zotimin tonë europian.

Përse Amerika, PPI i së cilës është pothuaj i barabartë me atë të BE, duhet të zotohet aq shumë në ndeshjet tona lindore apo gjysmëlindore?

            Jemi mësuar me këtë zotim, mbasi që nga kohët e Luftës së Ftohtë njihnim te Shtetet e Bashkuara një Fuqi të Madhe në kundërshtim me Bashkimin Sovjetik, dhe mendohej se e donin atë rol. Mbas shembjes së Murit dukeshin si e vetmja mbifuqi e mbetur. Sot bota është shumëpolare. Por ju keni të drejtë: në fakt amerikanët nuk mëtojnë të ndërhyjnë në çfarëdo pjese të botës. Me gjasë Shtetet e Bashkuara nuk do të përzihen në masat e marra për Afrikën, siç do të ishte e nevojshme.

Praktikisht, çfarë do të duhej të bënin konkretisht europianët për të arritur të kenë besim në vetvete?

Kemi një numër të gjerë detyrash për të përballuar: mbrojtjen e kufijve të jashtëm, një regjistër europian i hyrje–daljeve, një shërbim spiunazhi privat, për të përmendur vetëm disa shembuj. Por duhet të merremi edhe me politikën energjetike dhe klimën.

Me këtë doni të thoni se duhet edhe një buxhet i përbashkët për Vendet e Eurozonës ose një ministri e Financës europiane, siç do të uronte presidenti francez Emmanuel Macron?

Po, duhen edhe masa për të fuqizuar monedhën e përbashkët dhe siguruar evolucionin e nevojshëm të Eurozonës dhe të Tregut të përbashkët dhe atij digjital. A kemi nevojë për një qeverisje ekonomike? Un jam plotësisht në dobi të saj. Një ministër i Financave europiane? Në parim po, se janë dy ide të rëndësishme. Por për të dyja duhet t’iu përgjigjemi çështjeve praktike, si duhet të jetë kjo ndërtesë, për shembull a duhet të jetë një president i përhershëm i Eurogrupit etj. Ka opinione shumë të ndryshme në Europë. Me një bazë juridike të përbashkët është e mundur të imagjinohet kaq. Së bashku me Emmanuel Macronin do të përballojmë të gjitha këto tema. Duhet të kujtojmë gjithmonë se çfarë kemi ndërmend kur themi se Europa duhet të marrë në dorën e saj fatin e vet: të ruajmë vlerat tona dhe interesat europianë, të krijohet pasuri e vende të reja pune në Shtetet anëtare.

Një vit më parë a do ta kishit përfytyruar një takim në Hamburg me Putinin, Trumpin dhe Erdoganin mbas grushtit të Shtetit në Turqi?

Nuk ka rëndësi ajo që do të kisha përfytyruar një vit më parë, duhet t’i marrim gjërat ashtu siç janë. Në cilësinë e Kryetarit të G20, kam për detyrë të mendoj mbi mundësitë e integrimit. Në të njëjtën kohë nuk mund të harrojmë ndryshimet. Marrë me shkurtime

 E shqipëroi: Eugjen Merlika (MAPO)

SHKARKO APP