Mesazhet e para të ambasadorit të ri të SHBA në Tiranë

Pas mbërritjes së tij në Shqipëri, ambasadori i ri amerikan, Donald Lu, i ka paraqitur letrat kredenciale presidentit Bujar Nishani dhe menjëherë më pas ka mbajtur konferencën e parë për shtyp.  Në një konferencë të dhënë për mediat, me një shqipe për t’u pasur zili, Lu ka rrëfyer para gazetarëve veten e tij, familjen dhe prejardhjen, para se të fliste për politikën dhe prioritetet e SHBA-ve ndaj vendit tonë. Gjithashtu ai ka dhënë dhe mesazhet e para për klasën politike në vend. 

Konferenca e plotë për mediat e ambasadorit Amerikan në Tiranë

Mirëmëngjes dhe mirë se erdhët! Sot i paraqita letrat kredenciale Presidentit Nishani.  Patëm një bisedë të ngrohtë për sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në mbështetjen e reformave kryesore.

Gjatë muajve që studiova shqip, kam mësuar që në Shqipëri është e rëndësishme të dish kush je, nga vjen, nga cili fshat, qytet apo krahinë.  Kështu, më lejoni t’ju tregoj pak për veten dhe për familjen time, dhe pastaj do të flas për prioritetet e Uashingtonit për Shqipërinë.

Së pari, jam rritur në plazhin Huntington, një qytet bregdetar në jug të Kalifornisë.  Ky qytet, ky plazh është i njohur në Amerikë si qyteti i surferëve. Kalifornia gjithashtu është një komunitet multi-etnik i mrekullueshëm ku njerëzit nga e gjithë bota, përfshirë nga Shqipëria, vijnë për të gjetur mundësi të reja për vete dhe për fëmijët e tyre.

Babai im imigroi nga Kina. Udhëtimi i tij në Amerikë me anje dhe me pak dollarë në xhep ishte shumë i vështirë.  Por tani, ai është në pension në Kaliforni; ishte një inxhinier mekanik i suksesshëm dhe si hobi i pëlqen të riparojë makina të vjetra.

Nëna u lind në San Fransisko në Kaliforni nga prindër që ishin gjithashtu imigrantë.  Ajo u detyrua të punonte në një dyqan ushqimesh për të paguar për studimet universitare.  Pasi mbaroi universitetin, ajo u bë programuese kompjuterash dhe në fund presidente e një kompanie kompjuterash në luginën Silikon.

Vëllai, motra, dhe unë nuk jemi rritur në një familje të pasur.  Por prindërit kursyen paratë e tyre për të na dhënë arsim të mirë.  E gjithë familja jeton ende në Kaliforni.  Bashkëshortja ime e dashur, Dr. Ariel Ahart, është me ne këtu në Shqipëri.  Ajo është specialiste e talentuar në fushën e shëndetit publik.  Kemi dy fëmijë, Aliya 9 vjeç dhe Kipling 13 vjeç, super të zgjuar dhe shumë të lumtur që janë në Shqipëri.

Më lejoni t’ju them disa fjalë rreth punës sime në Shqipëri.  Nga Uashingtoni më janë dhënë tre prioritete – mbështetja e reformave drejt anëtarësimit në BE, zhvillimi i Shqipërisë si një aleate më e fuqishshme e NATO-s, dhe ndihma për të forcuar institucionet demokratike. Por, çfarë do të thonë këto?

Së pari, urime për të gjithë shqiptarët për marrjen e statusit  kandidat për në BE.  Është një arritje e pamatë për të cilën shqiptarët duhet të jenë shumë krenarë.  Mbështesim plotësisht përpjekjet e Shqipërisë për integrimin e mëtejshëm euro-atlantik, në NATO dhe në BE.  Kjo mbështetje përfshin nxitjen e përpjekjeve të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. 

Së dyti, duam që Shqipëria të jetë një aleate më e fuqishshme e NATO-s.  Kjo do të thotë të përpiqemi të kuptojmë rolin e saj ushtarak pas reduktimit të forcave në Afganistan dhe rifokusimin e trajnimeve dhe ndihmës amerikane për të përgatitur ushtrinë shqiptare për misionet e saj të ardhshme në NATO.  Së fundi, forcimi i institucioneve demokratike do të thotë vazhdimi i bashkëpunimit tonë të rëndësishëm në fushën e reformës në drejtësi dhe zhvillimin e sektorit të OJQ-ve në Shqipëri.

Marrëdhëniet midis dy popujve tanë dhe qeverive tona janë të forta. Unë do të punoj për t’i çuar përpara këto marrëdhënie çdo ditë që do të jem këtu në Shqipëri. E di që shqiptarët presin shumë nga ambasada amerikane dhe nga ambasadori amerikan për shkak të miqësisë jetëgjatë dhe lidhjeve historike midis dy vendeve tona. Jini të sigurtë që ambasada amerikane dhe unë do të vazhdojmë të jemi miq të vërtetë dhe të sinqertë të të gjithë shqiptarëve.

Faleminderit që erdhët dhe pres me kënaqësi t’iu përgjigjem pyetjeve tuaja. 

Top Channel: I nderuar ambasador, ju keni rreth një vit që prisni të merrni detyrën këtu në Shqipëri…

Ambasadori Lu: …Më shumë se një vit…

Top Channel: Po, më shumë se një vit. Besoj se gjatë më shumë se një viti i keni ndjekur zhvillimet në vendin tonë në distancë. Do të doja të dija se çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?  Njëkohësisht, meqenëse ju vini nga Uashingtoni, është dita juaj e dytë në Shqipëri, a ka një ndryshim të politikës amerikane ndaj Shqipërisë? Faleminderit dhe suksese në punën tuaj.

Ambasadori Lu: Ju e dini që ambasadorët amerikanë ndryshojnë, normalisht, por politika e SHBA nuk ndryshon. Kam respekt të madh për paraardhësit e mi – ambasadorët Arvizu, Withers, dhe Ries. Ajo që ka ndryshuar dhe është bërë më e pjekur është marrëdhënia jonë. Si aleatë në NATO, po punojmë krah për krah në Afganistan, në koalicionin global kundër ISIS dhe për të parandaluar luftëtarët e huaj që të shkojnë në Siri. Ky nivel partneriteti ka qenë i paimagjinueshëm vetëm njëzetë vjet më parë. Faleminderit.

TV Klan: Përshëndetje, shkëlqesi. Komplimente për shqipen, në radhë të parë.

Ambasadori Lu: Faleminderit.

TV Klan: Z. Ambasador, ju thatë që gjatë detyrës tuaj në Shqipëri ju do të punoni për të çuar përpara marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA, por cilat janë kjo pjesë e marrëdhënieve që kërkon përmirësim të mëtejshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë?

Ambasadori Lu: Një nga fushat e qarta për bashkëpunim më të madh me partnerët nëpër botë është anti-terrorizmi dhe lufta kundër ekstremizmit. Sulmi ndaj Charlie Hebdo në Paris nuk ishte vetëm një sulm ndaj njerëzve të pafajshëm. Ishte kundër vlerave demokratike dhe asaj mënyre jetese që SHBA dhe Franca punojnë së bashku për t’i promovuar kudo në botë. Këto janë vlera që ne i ndajmë me Shqipërinë dhe të gjithë ne ndajmë një ndjenjë solidariteti me popullin francez në këtë kohë zie për ta. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për luftëtarët e huaj që marrin pjesë në konfliktin në Siri dhe kërcënimin që paraqesin kur kthehen në vendet e tyre të origjinës. Ne po punojmë me Shqipërinë dhe me shumë partnerë të tjerë me të cilët ndajmë partneritete të forta në luftën kundër terrorizmit për të bashkërenduar përpjekjet për ta zbutur këtë kërcënim.

Faleminderit shumë dhe mirupafshim. Shihemi së shpejti.

SHKARKO APP