Meta: Shqiptarët të monitorojnë çdo vendim të Kushtetueses dhe institucioneve të drejtësisë
Presidenti i Republikës Ilir Meta e cilëson mbylljen e hetimeve për dosjet e Shijakut dhe të Dibrës, tregues të kapjes së drejtësisë. Meta tha në “Vizion+” se shqiptarët duhet të monitorojnë çdo vendim të Kushtetueses dhe institucioneve të drejtësisë. Kreu i Shtetit theksoi se do dekretojë me shpejtësi çdo ligj, që i shërben integritetit të zgjedhjeve dhe së mirës publike.
Kemi gati tre vjet pa Gjykatë Kushtetueses, tashmë le të themi se ajo, mund të jetë funksionale. Cila është sfida e Gjykatës Kushtetuese në këndvështrimin Tuaj? Pasi çështjet që presin aty janë të një rëndësie të veçantë dhe janë të shumta.
Sfidat e Gjykatës janë të panumërta, dhe nuk është detyra ime për të përcaktuar axhendën e tyre.
Ajo përcaktohet nga çështjet, që janë tashmë në tryezën e anëtareve të Gjykatës Kushtetueses.
Për mua, çdo akt dhe çdo vendim i kësaj Gjykate është mjaft i rëndësishëm dhe do të ketë shumë vendime të rëndësishme, për të verifikuar integritetin e saj.
Ditën që u dekretua anëtari i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese, Ju, keni bërë edhe njëlloj krahasimi me Gjykatë Kushtetuese në Kosovë, e cila e ka çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese në Shqipëri, do të duhet të shqyrtoj edhe çështjen e zgjedhjeve të 30 qershorit..!
Sigurisht, që kjo është një çështje që i mbetet Gjykatës në të ardhmen. Për mua kjo është një çështje e qartë dhe e zgjidhur, mjafton raporti i zonjës Audrey Glover, për të kuptuar ilegjitimitetin e këtij procesi.
U bë shumë vite që Shqipëria nuk ka gjykata funksionale. A duhet të besojnë qytetarët shqiptar tek drejtësi, tashme me ngritjen edhe pjesërisht të këtyre institucioneve të rëndësishme?
Qytetarët shqiptarë nuk duhet të besojnë askënd, përfshirë dhe Presidentin e Republikës, por, duhet të ndjekin, të monitorojnë, çdo akt, çdo sjellje, çdo vendim.
Kjo vlen edhe për Gjykatën Kushtetueses, kjo vlen edhe për institucionet e tjera të drejtësisë.
Ajo që unë mund t’ju them me bindje të plotë është, që nuk besoj se institucionet e drejtësisë, do mund të funksionojnë në një mënyrë të besueshme dhe të jenë plotësisht efektive, dhe të pavarura jashtë kësaj trysnie të jashtëzakonshme politike dhe partiake.
Sidomos, kur ushtrohet në kohën që kemi një Kuvend njëpartiak, dhe kur në tërësi të gjithë institucionet e shtetit janë të kontrolluara nga një parti e vetme.
Është e vështirë të presim në një trysni të tillë një funksionim efektiv, të besueshëm, dhe të pavarur edhe tek institucionet e drejtësisë.
Pra, politika nuk i ka hequr duart nga sistemi i drejtësisë sërisht?
Politika e la vendin tre vjet pa Gjykatë Kushtetueses. Politika e bllokoi KED-në për tre vite. Prandaj jemi në këtë situatë. Kujt i interesonte që vendi të mbetej pa Gjykatë Kushtetueses? Vetëm qeverisë.
Mazhoranca, ju akuzon Ju? Akuzon Presidenti i Republikës për zvarritje të këtij procesi..
Mazhoranca gjithmonë do të gjejë një sebep, po më duket se çështjet janë të qarta. Edhe “Venecia” foli shumë qartë se kush e bllokoi KED-në dhe se kush e krijoi incidentin për rastin, kur Parlamenti në bashkëpunim me ish-kryetarin e KED-së, donin t’i rrëmbenin një anëtar të Gjykatës, që me Kushtetutë i takonte Presidentit, për hesap të tyre.
Zoti President, kemi vetëm tre anëtar të Gjykatës së Lartë, ndërkohë që mbi 35 mijë dosje presin në këtë organ kaq të rëndësishëm. Pse u vonua kaq shumë ngritja e të gjithë strukturës e të gjithë arkitekturës? Pse ishte kaq e vështirë për të përzgjedhur këta anëtarë..
Mungesa e vullnetit politik dhe dëshira e mazhorancës për të kapur të gjithë sistemin e drejtësisë. Kjo është shumë e qartë.
Përse Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm u zgjodh me 69 vota, kur Kushtetuta e ka shumë të qartë se si zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm? Për të kapur sistemin e Prokurorisë. Kjo është shumë e qartë, sikundër të gjitha veprimet e tjera ku kanë synuar kapjen e sistemit të drejtësisë.
Ndërkombëtarët e kanë konsideruar një proces të vështirë, po të drejtë, të suksesshëm Reformën në Drejtësi në Shqipëri.
Po të shohim të gjitha kushtet që janë vendosur nga Bundestag-u dhe Parlamenti Europian, kanë të bëjnë me vetë zbatimin e Reformës në Drejtësi.
Kështu që nuk mund ta konsiderojmë ende të suksesshme se nuk është ngritur komplet, apo se emra të cilët janë aty nuk do të garantojnë drejtësi?
Cilat janë rezultatet? Mjafton mbyllja e hetimeve të dosjes së Shijakut, të Dibrës, për të kuptuar sesa e kontrolluar është kjo lloj drejtësie.
Zoti President, prej vitit 2019, tre bashki janë pa kryetar, Shkodra, Vora dhe Durrësi. Kur do i dekretoni zgjedhjet për këto Bashki?
Kjo nuk është një pyetje që i takon Presidentit. Së dyti, nuk besoj se është shqetësim, sepse të gjitha Bashkitë në vend drejtohen në një mënyrë të çuditshme, që nuk bën ndonjë dallim të madh për këto raste. Sigurisht,do të duhej një vendim i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e 30 qershorit, për të bërë vlerësime të tilla.
Parlamenti ka miratuar disa ligje, të cilat i ka propozuar opozita me synim luftën ndaj shit-blerjes së votës. Një ndër këto është edhe ndryshimi, në Kodin e Procedurës Penale, që i jep të drejtë SPAK-ut, të hetojë korrupsionin zgjedhor. Do i dekretoni këto ndryshime?
Çdo ligj, që i shërben integritetit të zgjedhjeve do dekretohet. Ashtu siç është dekretuar me shpejtësi rrufe çdo ligj, që i shërben të mirës publike.
Këto konkretisht?
Do t’i shohim me ekipin e juristëve dhe do veprojmë në respekt të Kushtetutës.
Mendoni se hetimi i korrupsionit zgjedhor është sfida kryesore e SPAK-ut?
Mendoj që sfidat janë nga më të jashtëzakonshmet, që përfshijnë çështje shumë të mëdha. Prej kaq kohësh hetimi i dosjes së Dibrës dhe të Shijakut, kanë qenë një prioritet kryesor i kërkuar me aq forcë, ka qenë edhe kusht i Bundestag-ut dhe Parlamentit Europian.