Mikail Gorbaçov: Si ra BRSS-ja

Mikail Gorbaçov është 85 vjeç dhe problemet e vogla shëndetësore janë pjesë e jetës së tij. Megjithatë, sensin e humorit e ka të pathyeshëm.

“Shiko – më thotë ndërsa mbështetet në një bastun, gjatë takimit tonë në Moskë, – tani kam nevojë për tre këmbë për të lëvizur!”.

Ish-lideri sovjetik ra dakord të bisedonte me mua në lidhje me momentin që ndryshoi përgjithmonë historinë botërore: ditën kur ra Bashkimi Sovjetik.

“Ajo që ndodhi me Bashkimin Sovjetik ishte drama ime”, thotë ai. “Dhe një dramë për të gjithë ata që jetuan në Bashkimin Sovjetik”, shton.

Më 21 dhjetor 1991, buletini i lajmeve të televizionit rus u hap me një njoftim dramatik: “Mirëmbrëma, Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari ….”.

Vetëm pak ditë më parë, udhëheqësit politikë të Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës ishin mbledhur për të shpërbërë Bashkimin Sovjetik dhe të formonin Bashkësinë e Shteteve të Pavarura.

Më pas, tetë republikat e tjera vendosën të ndiqnin shembullin e tyre dhe të sfidonin Mikhail Gorbaçov, i cili luftonte ende për t’i mbajtur të bashkuara në një shtet të vetëm.

Pati tradhti pas krahëve, pas krahëve të mi”, thotë Gorbaçov. “Dogjën të gjithë shtëpinë për të ndezur një cigare. Vetëm për të marrë pushtetin”, thotë ai.

Nuk mundën ta bënin me mjete demokratike. Prandaj bënë një krim, ishte një grusht shteti”, vijon ai.

Më 25 dhjetor 1991, Gorbaçov njoftoi dorëheqjen si president i Bashkimit Sovjetik. Atë ditë në Kremlin, flamuri sovjetik u ul për të mos u ngritur më kurrë. “Ishim drejt një lufte civile dhe unë doja ta shmangia”, kujton Gorbaçov.

Përballja dhe ndarja në një vend si i yni, i mbushur me armë, edhe armë bërthamore, mund të kishte shkaktuar vdekje të shumta dhe shkatërrim total”, shpjegon ai. “Nuk mund të lejoja që kjo të ndodhte. Dorëheqja ishte fitorja ime”, thotë Gorbaçov për BBC.

Në fjalën e dorëheqjes, Gorbaçov tha se si rezultat i perestrojkës, një program reformash që ai vetë nxiti, shoqëria “kishte fituar lirinë”.

25 vjet më vonë, e pyes nëse mendon se liria po kërcënohet sot në Rusi. “Ky proces (i nisur nga Perestrojka ) nuk ka përfunduar”, përgjigjet ai.

Duhet të flasim sinqerisht për këtë. Ka njerëz për të cilët liria është bezdi, nuk ndjehen mirë me të”, thotë ai.

“I referoheni Vladimir Putinit?“,- e pyes. “Këtë duhet ta gjesh ti”, përgjigjet në mënyrë enigmatike. “Kjo është një pyetje që nuk të përgjigjem”, thotë ai.

Në bisedën tonë, Mikhail Gorbaçov shmang kritikat e drejtpërdrejta për Vladimir Putin. Megjithatë, ai flet në mënyrë indirekte për dallimet mes tyre.

“Ju kërkon ndonjëherë këshilla Putini”, e pyes. “Ai di gjithçka”, përgjigjet pa hezitim Gorbaçov. “Të gjithëve u pëlqen t’i bëjnë gjërat sipas mënyrës së tyre. C’est la vie “(kjo është jeta), siç thonë francezët”.

Presidenti sovjetik është kritik i ashpër i Rusisë moderne.

Burokratët vodhën pasurinë e kombit dhe filluan krijimin e korporatave”, thotë ai.

Gorbaçov thotë se një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit Putin dhe kreu i gjigantit të naftës Rosneft, ndikon në çështjet e shtetit.

Me gjithë kundërshtimet e tij, ish líderi sovjetik gjithashtu vë në diskutim Perëndimin që “provokon  Rusinë”.

Jam i sigurt se shtypi perëndimor, përfshirë dhe ju, merr udhëzime të veçanta për të diskredituar Putinin dhe ta heqin qafe. Jo fizikisht, por vetëm që të sigurohen që të largohet”, thotë ai.

Gorbaçov thotë se “fushata e shpifjeve” nuk pati sukses.

Është krejt e kundërta. Ka arritur 86% të popullaritetit , shumë shpejt do të arrijë 120%!”.

Marrëdhënia e ngrohtë e Mikhail Gorbaçov me presidentin e ndjerë amerikan, Ronald Reagan, i hapi rrugën fundit të Luftës së Ftohtë. Atëherë, çfarë mendon Gorbaçovi për burrin që po shkon në Shtëpinë e Bardhë?

E njihni Donald Trump?”, e pyes.

Kam parë ndërtesat e tij të larta, por nuk kam pasur mundësinë ta takoj personalisht, kështu që nuk mund të gjykoj mendimet dhe politikat e tij”, shprehet Gorbaçov.

Sot, në Perëndim, shumë njerëz e shohin Mikhail Gorbaçov si një hero, si njeriun që i dha lirinë Evropës Lindore dhe lejoi ribashkimin e Gjermanisë. Megjithatë shumë njerëz në vendin e tij besojnë se Gorbaçovi është udhëheqësi që humbi një perandori.

A mbani ju ndonjë përgjegjësi për rënien e Bashkimit Sovjetik?

Ajo që më shqetëson është se në Rusi, njerëzit nuk e kuptojnë mjaftueshëm atë që kisha qëllim ë bëja dhe ata që realisht bëra”, përgjigjet ai.

“Për vendin dhe botën, perestrojka i hapi rrugën bashkëpunimit dhe paqes”, thotë ish-udhëheqësi komunist.

Në fund të intervistës, Gorbaçov i afrohet pianos së tij. Ndërsa unë luaj disa melodi, Komunisti emblematik këndon disa nga sukseset e preferuara sovjetike.

Këto këngë të improvizuara janë bërë një traditë e çuditshme, por shumë e këndshme pas një intervistë me Gorbaçovin. Njeriut që ndryshoi botën me perestrojkën i pëlqen të këndojë.

Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari sa hap e mbyll sytë.

Sa janë 70 vjet krahasuar me perandoritë romake apo osmane ?

Mendoj se është e padrejtë të fajësosh Gorbaçovin apo republikat separatiste se shkatërruan perandorinë sovjetike.

Bashkimi Sovjetik mund të ketë qenë difektoz që në fillim: ekonomikisht, politikisht dhe ideologjikisht. Ndoshta ishte i destinuar të ishte një superfuqi jetëshkurtër.

SHKARKO APP