Milena Harito: Nuk ka asnjë emërim nga deputetët apo partitë në shërbimin civil

 

Flet për “Koha Jonë”  lidhur me reformën në administratën publike, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito

Milena Harito: Nuk ka asnjë emërim nga deputetët apo partitë në shërbimin civil

Intervistoi: Sidorela Lepri

Reforma në administratën publike përbën një prej pikave kryesore të vendosura nga Bashkimi Europian që vendi ynë duhet të përmbushë për hapjen e negociatave. Por si ka qenë ecuria e kësaj reforme? Çfarë është bërë në drejtim të përmbushjes së saj? Si po funksionon ligji i ri për “Nënpunësin Civil”?
Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito i jep përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve. “Reforma në Administratën Publike është në rradhë të parë një domosdoshmëri për ringritjen dhe forcimin e shtetit, sepse në konceptin tonë administrata publike është sistemi i qarkullimit të gjakut të gjithë shtetit.”, rrëfen Harito.
Në intervistën e saj për gazetën “Koha Jonë”, Harito tregon edhe për sistemin e ri të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore në Administratën Publike. Sipas saj, ky sistem është shtrirë dhe është funksional në të 16 ministritë e linjës dhe në kryeministri duke përfshirë në të mbi 1600 dosje elektronike të punonjësve si dhe po hidhen të dhënat për të gjithë institucionet dhe agjensitë në varësi të ministrive.
Më tej, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike flet edhe rekrutimet e reja në administratë, punësimin e të rinjve, inovacionin dhe teknologjinë si edhe sportelet e reja të Hipotekës që tashmë menaxhohen nga një agjensi e re.

Reforma për Administratën Publike përbën një prej 5 pikave të vendosura nga Bashkimi Europian që vendi ynë duhet të përmbushë për hapjen e negociatave. Si ka qenë ecuria e kësaj reforme deri në këto momente?

Reforma në Administratën Publike është në rradhë të parë një domosdoshmëri për ringritjen dhe forcimin e shtetit, sepse në konceptin tonë administrata publike është sistemi i qarkullimit të gjakut të gjithë shtetit. Është një domosdoshmëri për t’u dhënë qytetarëve shtetin që meritojnë dhe shërbimet për të cilat ata paguajnë nga taksat e tyre. Po ashtu është edhe një nga 5 prioritetet për integrimin europian. Dhe me kënaqësi mund të them se është prioriteti që ka ecur më mirë gjatë vitit të fundit dhe që ka marrë vlerësimin më të lartë në Progres Raportin e BE, që u publikua vetëm pak ditë më parë.
Ky raport i BE-së është konfirmim i progresit të qartë që kemi arritur në këto dy vite qeverisje. Progresi në administratën publike vlerësohet me nivelin më të lartë, ndër 5 prioritetet si mesatarisht i përgatitur dhe është i të njëjtit nivel me Serbinë dhe Malin e Zi, të cilët i kanë çelur negociatat. Çka do të thotë se për çështjet e Administratës Publike jemi në nivelin e nevojshëm për t’i çelur negociatat.

Në Progres-Raportin e KE thuhej se rekrutimet në administratë duhet të jenë më transparente. Çfarë është bërë në këtë drejtim?

Më falni, por do më duhet t’ua citoj tekstualisht se çfarë thotë progres raporti, që të mos kemi asnjë keqkuptim. Për çështjen e rekrutimeve në administratë raporti thotë: “Shqipëria duhet të vazhdojë rekrutime dhe lirime transparente e meritokratike të nëpunësve civilë në të gjitha institucionet shtetërore, në mënyrë që të arrijë objektivin e një administrate publike të depolitizuar dhe profesionale”. Pra duhet të vazhdojë, jo duhet të fillojë. Ky vlerësim i BE konfirmon ekzatësisht atë që ne kemi më shumë se një vit që po e përsërsisim pa u lodhur: rekrutimet në administratë janë në përputhje të plotë me ligjin e ri të nënpunësit civil dhe janë transparente dhe meritokratike. Ata që nuk duan të na besojnë ne, të paktën kanë mundësi të dëgjojnë dhe të besojnë atë se çfarë thotë BE.

Mënyra sesi rekrutohen punonjësit në Administratën Publike është një çështje mjaft e diskutuar dhe është krijuar një “mitizim” rreth saj. Përsa i përket ligjit të ri të “Nënpunësit Civil”, si po funksionon?

Është e vërtetë që konkurset si formë për rekrutimin e punonjësve të administratës publike kanë pasur një imazh shumë negativ dhe ndaj tyre ka pasur një mosbesim shumë të madh. Dhe kjo ka arsyen e vet të kuptueshme. Që nga koha kur kanë nisur të zhvillohen konkurse e deri rreth 1 vit më parë, konkurset përdoreshin si një mënyrë e mirë për të mbuluar abuzimin që kryhej me punësimet partiake dhe nepotike në administratën publike.
Ligji i ri “Për Nëpunësit Civil” ka ndryshuar tërësisht rregullat sesi organizohen dhe kryhen konkurset. Por duhet të jetë e qartë për të gjithë se ky ligj rregullon funksionimin e Shërbimit Civil, i cili numëron në radhët e tij rreth 16 mijë punonjës, nga rreth 90 mijë punonjës që ka administrata publike në tërësi. Në vitin 2013 kur qeveria e re ka marrë detyrën, kemi gjetur të përfshirë në Shërbimin Civil vetëm 3000 punonjës. Menjëherë, sipas ligjit të votuar në maj 2013, jeni angazhuar që ta zgjerojmë rrethin e institucioneve që duhet të përfshiheshin në këtë Shërbim dhe që duhet t’u nënshtroheshin rregullave të reja dhe shumë strikte të rekrutimit të punonjësve. Kemi arritur në rreth 16 mijë punonjës, ndër të cilët rreth 7 mijë administrohen drejtpërdrejt nga institucionet e pavarura dhe pushteti lokal dhe do të vazhdojmë të përfshijmë sa më shumë institucione në Shërbimin Civil.
Përsa u përket procedurave të konkursesve që organizon DAP, ato janë tërësisht transparente dhe meritokratike. Këtë e provon më së miri edhe numri i lartë i personave që aplikojnë për të marrë pjesë në këro konkurse. Që nga momenti i aplikimit të ligjit të ri, pra rreth 1 vit më parë numri i personave që kanë aplikuar për të marrë pjesë në konkurrse ka qenë rreth 25 mijë.

Në disa media gjatë ditëve që lamë pas u publikuan disa lista me emra deputetësh të mazhorancës, ku pretendohej se kanë ndërhyrë për emërime. Sa të vërteta janë?

Në fakt për vërtetësinë e atyre listave duhen pyetur ata që i publikuan ato, por nga mënyra se si u paraqitën ngjajnë më shumë si një diversion i atyre që duan të hedhin baltë mbi punën e qeverisë dhe koalicionit tonë, sesa si dokumente zyrtare apo partiake.
Unë nuk mund të gjykoj mbi disa lista anonime dhe pa asnjë provë vërtetësie, por ajo që mund t’u garantoj është saktësia dhe korrektësia e procedurave të konkurrimit për të gjitha pozicionet e punës, që ligji i parashikon se janë brenda Shërbimit Civil. Kushdo që ka interes, apo qoftë dhe dyshime mund t’i kontrollojë këto procedura, të cilat janë të ruajtura në mënyrë strikte nga ana e Departamentit të Administratës Publike dhe aty të shikojë nëse ka pasur ndonjë parregullsi apo ajo. Por është e sigurt që nuk do të gjejë asnjë parregullsi. Sepse ata që kanë fituar këto konkurse e kanë bërë këtë me zotësinë e tyre dhe përmes procedurave të kontrolluara dhe plotësisht të dokumentuara.

A ka pasur precedentë të tillë në djeninë tuaj?

Ajo që mund tju garantoj unë është se nuk ka pasur dhe nuk do të ketë as në të ardhmen emërime në Shërbimin Civil që të jenë bërë nën ndikimin e deputetëve apo partive politike. Përpjekje për të ndërhyrë në emërime të ndryshme, apo për të ndikuar në procedurat e emërimeve sigurisht që janë bërë. Kjo edhe për faktin se një gjë e tillë prej shumë vitesh ishte konsideruar si normale në Shqipëri. Por ne kemi qenë të vendosur të mos bëjmë lëshime në zbatimin e ligjit. Është një fakt i pamohueshëm që kur ne filluam zbatimin e ligjit të ri “Për Nëpunësin Civil” ka pasur shumë rezistencë nga drejtuesit e Institucioneve, të cilët ishin mësuar që ti zgjidhnin vetë punonjësit e tyre. Por ajo që ne kemi bërë ka qenë zbatimi me korrektesë i procedurave standarde, duke konsoliduar kështu një sistem, i cili nuk të lejon të abuzosh dhe të shkelësh ligjin. Sot vendin e punës, midis një grupi pozicionesh të lira, e zgjedhin kandidatët sipas renditjes së tyre në konkurs dhe jo si dikur, kur mes tre kandidatëve, drejtuesi i institucionit zgjidhte se kë do merrte në punë. Kemi të bëjmë me një ndryshim të vërtetë mendësie, të cilin vetë administrata u desh ta absorbonte. Na duhet ta bëjmë të ditur me çdo mjet tek publiku i gjerë, i cili me të drejtë është ende mosbesues.
Ajo që është më e rëndësishmja për t’u ritheksuar në këtë pikë është fakti i ruajtjes në mënyrë shumë të saktë i të gjitha procedurave të konkurrimit. Kështu, gjithkush që ka interes mund të kontrollojë procedurat e konkurrimit dhe rezultatet e dala prej tyre dhe të vërtetojë personalisht se nuk ka asnjë ndikim politik apo partiak në emërimet e bera.

Cilat janë sfidat kryesore për të realizuar me sukses reformën për Administratën Publike?

Ashtu siç e thashë edhe më lart, Progres Raporti i KE ka dhënë vlerësimin më të mirë për reformën në Administratën Publike, por në të njëjtën kohë ka parashikuar edhe linjat në të cilat duhet të vijojë zbatimi i reformës. Dy ndër sfidat e radhës janë vënia në efiçencë e plotë të sistemit të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, të cilin ne e prezantuam pak ditë më parë dhe zbatimi me rigorozitet i Kodit të ri të Procedurave Administrative dhe një sërë hapash të tjerë.

Pak ditë më parë ju keni prezantuar sistemin e ri të të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore në Administratën Publike. Si pritet të ndikojë ky sistem në menaxhimin e punonjësve në administratë?

Puna për ngritjen e këtij sistemi kishte nisur qysh në vitin 2005. Ai ishte mbështetur nga fonde të Bankës Botërore dhe IPA 2008 deri 2011. Por me gjithë këto projekte e investime, deri në fund të vitit 2013 sistemi i HRMIS kishte të dhëna vetëm për 4 ministri.
Shikoni se çfarë dështimi, 8 vjet punë dhe rezultati ishte shtrirje në 4 ministri. Qartësisht për mungesë vullneti politik.
Aktualisht ky sistem është shtrirë dhe është funksional në të 16 ministritë e linjës dhe në kryeministri duke përfshirë në të mbi 1600 dosje elektronike të punonjesve si dhe po hidhen të dhënat për të gjithë institucionet dhe agjensitë në varësi të ministrive. Një nga risitë më të mëdha të sistemit HRMIS do të jetë llogaritja e pagave për punonjësit e administratës publike në mënyrë automatike. Sistemi do të gjenerojë në mënyrë elektronike listën e pagesave të punonjësve të institucioneve, nëpërmjet ndërveprimit të sistemit HRMIS me Sistemin e Thesarit në Ministrinë e Financave.

A është e lidhur reforma në Administratën Publike me Reformën në Drejtësi dhe a e ka penguar kjo e fundit ecurinë e saj?

Nuk ka një lidhje direkte. Por Gjykata administrative trajton rastet e nëpunësve, të cilët konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat nga titullarët e institucioneve.

Punësimi i të rinjve në profesionet që ato kryejnë studimet mbetet një problem. A është bërë sa duhet në këtë drejtim?

Pyetja juaj më shumë sesa me Administratën Publike më duket se lidhet me sistemin arsimor dhe mungesën e orientimit me tregun e punës që ka shoqëruar të rinjtë shqiptarë në gjithë këto vite. Ne e kemi thënë kur kemi qenë në opozitë dhe vazhdojmë të këmbëngulim sot në qeverisje, se të rinjtë duhet të orientohen me tregun e punës përpara se të zgjedhin universitetin apo rrugën e tyre profesionale.
Në këtë drejtim ne jemi duke fuqizuar nëpërmjet mbështetjes financiare sistemin e shkollave profesionale, të cilat u japin mundësi të rinjve të fitojnë zanat dhe më pas ta kenë më të lehtë për t’u punësuar. 8 vitet e kaluara nën qeverisjen e PD-së ishin një çmenduri kolektive me një inflacion absurd të diplomave të pavlera, pasi sot numërohen më shumë të rinj të diplomuar se sa mund të mund të ketë nevojë dhe hapësirë për punësim në vend. Mbyllja e një sërë universitetesh të cilët nuk plotësonin kushtet dhe fabrikonin diploma pavlerë ishte vendimarrja e duhur duke i dhënë fund kësaj situate të pakuptimtë që merrte kursimet e familjeve shqiptare dhe i linte të rinjtë në mëshirë të fatit.

Inovacioni dhe Teknologjia kanë qenë një prej pikave të programit qeverisës të PS-së. Çfarë është bërë në këtë drejtim?

Inovacioni dhe teknologjia janë pjesa më dinamike, që ndikon dukshëm në rritjen ekonomike në të gjithë Europën dhe më gjerë. I gjithë ky sektor ofron mundësi punësimi të kualifikuar dhe të mirëpaguar. Për këtë arsye me një sërë iniciativash kemi nxitur vetëpunësimin e të rinjve në këtë fushë, si edhe orjentimin e studentëve drejt TIK duke konstatuar, për vitin shkollor 2015-2016 në disa universitete trefishim të numrit të këtyre studentëve edhe për shkak të nxitjes sonë të gjithanshme.
Nga ana tjetër, ne kemi mbështetur fort zhvillimin e startup-eve, siç njihen sot në të gjithë botën iniciativat e reja të biznesit në fushën e teknologjisë së informacionit.
Bashkimi Europian investon gjerësisht në këtë drejtim, ndaj dhe Qeveria e ka orientuar vëmëndjen e saj në mbështetjen e këtyre nismave, të cilat më pas mund të kthehen në biznese të suksesshme duke rritur mundësitë e punësimit. Në mesin e muajit tetor ne shpallëm një thirrje me grante për mbështetjen e projekteve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Thirrja përfshin fushat e shtatë programeve Kombëtare të Kërkimit dhe zhvillimit dhe vlera maksimale e projekteve që do të mbështetet nga qeveria do të jetë në masën e 2.500.000 lekëve.
Në kuadrin e mbështetjes së start-up, qeveria ka vendosur të krijojë godinën e Inovacionit. Është një godinë ku janë vendosur tashmë të gjitha agjencitë e inovacionit dhe përveç kësaj do të ketë një hapësirë të veçantë të dedikuar tërësisht nismave të reja në fushën e teknologjisë së informacionit.

Ditët e fundit ju keni prezantuar sportelet e reja të Hipotekës që tashmë menaxhohen nga një agjensi e re. Çfarë do të ndryshojë konkretisht në këtë drejtim?

Reforma e Shërbimeve Publike është një tjetër reformë e madhe, që do të ndryshojë në thelb mënyrën se si shteti u ofron shërbimet qytetarëve të tij. Është një reformë që synon ta sjellë qytetarin në qendër të vëmendjes së shtetit dhe të shmangë çdo hapësirë për të bërë korrupsion. Aktualisht kemi ngritur një agjenci, e quajtur ADISA, e cila do të menaxhojë të gjitha sportelet ku shteti ofron shërbime për qytetarët. Këto shërbime tashmë do të jenë të strandartizuara, sipas parimit modern të kujdesit ndaj klientit që kanë adaptuar prej vitesh kompanitë më të mëdha dhe të suksesshme ndërkombëtare dhe ato kombëtare.
Thelbi i kësaj reformë është ndarja e sporteleve në të cilat ofrohet shërbimi nga institucionet që e prodhojnë këtë shërbim. Me këtë ndarje sigurojmë që sportelet përqëndrohen vetëm tek shërbimi ndaj qytetarit dhe respektimi i afateve të përgjigjeve duke ofruar cilësi më të mirë shërbimi ndërkohë ulim në maksimum mundësitë për korrupsion nga ana e punonjësve në sportel të cilët nuk kanë më mundësinë arbitrare të japin shërbimin ose jo por bëhen garantë dhe kontrollues të afateve të përgjigjes në emër të qytetarit.

Ditët e fundit në media është shkruar se kjo nismë e juaja synon ta monopolizojë dhënien e shërbimeve. A është kjo në të mirë të qytetarëve shqiptarë, kur dihet se në përgjithësi shërbimet monopol në vend kanë krijuar shumë probleme?

Shërbimet publike nuk mund të quhen monopol. Ofrimi i tyre në mënyrën më të mirë të mundshme është detyrim ligjor që shteti ka ndaj qytetarëve të tij. Ndaj dyshimi i shprehur në këtë rast është krejtësisht i pa bazë. Nga ana tjetër ne tashmë kemi shembullin e parë të aplikimit të këtij modeli në vendin tonë. Janë sportelet e ZRPP Tiranë, të cilat prej më shumë se 1 muaji po menaxhohen nga ADISA, e cila dua të theksoj se është një agjensci shtetërore me kompetenca të përcaktuara qartë. Megjithë problematikën e trashëguar të çështjeve të pronësisë në vend, sportelet e ZRPP Tiranë sot janë shumë herë më komode, më efikase, shkurtojnë kohën e pritjes për qytetarët dhe garantojnë përgjigjen.

SHKARKO APP