Mimoza Hafizi: Rezultatin e Kongresit, edhe Enveri do ta kishte zili
Zonja Hafizi, ju keni bërë një kërkesë në Komisionin e Garancive Statutore për të interpretuar vendimin e marrë nga Kongresi për mbajtjen e referendumit në PS. Keni një përgjigje se kur do të konstituohet e më pas kur do ta marrë në shqyrtim ky komision kërkesën tuaj?
Në përgjigjen që kemi pasur nga Komisioni i Garancive Statutore për kërkesën tonë të një muaji më parë thuhej në mënyrë të qartë se çdo institucion i partisë, edhe Komisioni i Garancive Statutore, e mbaron mandatin e vet në momentin që fillon të funksionojë institucioni i ri i zgjedhur. Kështu, nëse Komisioni i ri i Garancive Statutore nuk është konsistuar ende, duhet të funksionojë Komisioni i vjetër, pra, Komisioni në detyrë. Kërkesa ime është dorëzuar para një jave, mosmbledhja e Komisionit në detyrë të Garancive Statutore është shprehje e fajësisë dhe e arrogancës që ka pushtuar drejtimin e Partisë Socialiste.
Ju keni qenë kundër referendumit, ose më mirë jeni për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin e PS përmes parimit një anëtar, një votë. A po bëni ju një fushatë për të mbështetur këtë qëndrim tuajin se referendumi nuk e zgjidh çështjen e mandatit të kryetarit?
Kemi kërkuar në mbledhjen e Grupit Parlamentar, si institucioni i vetëm që mblidhet rregullisht në PS, që ky referendum të shoqërohet me fushatë të organizuar nga partia. Përgjigjja ka qenë negative, domethënë organizatorët e referendumit preferojnë të nxjerrin masivisht në votim dhjetëra mijë socialistë, pa asnjë fushatë, pa dhënë asnjë shpjegim. A mund të ketë një mënyrë tjetër më flagrante sesa kjo për të cenuar dinjitetin e dhjetëra mijë njerëzve? Unë nuk çuditem, në fakt, se diçka e ngjashme ndodhi në Kongres, ku 1500 delegatët u trajtuan pa respekt nga çasti i parë në çastin e fundit, përmes shkeljeve të njëpasnjëshme të procedurave të zhvillimit të një Kongresi normal. Në këtë situatë, ne do të kërkojmë të gjitha mundësitë për të kontaktuar socialistët e bazës e për të shpjeguar se pse secili prej tyre duhet të thotë me indinjatë: Jo Referendumit të 9 Prillit! Ky referendum, ky proces pa fushatë e pa kandidat, po tenton të zëvendësojë procesin e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Socialiste, proces që nuk do të mund të zhvillohej pa fushatë e pa kandidat. Ky referendum do të kujtohet gjatë si tentativa më e paprecedentë për t’u hequr të drejtën e votës për kryetarin e tyre dhjetëra mijë socialistëve. Ky referendum do të kujtohet gjatë si tentativa më e paprecedentë për t’u hequr të drejtën e kandidimit anëtarëve të PS-së.
Diskutimi juaj, por dhe i anëtarëve të tjerë të Asamblesë Kombëtare dhe në Kongres për ndryshimet statutore dhe mandatin e kryetarit, mendoni se është ezauruar pas votimit të statutit nga Kongresi dhe zhvillimit të referendumit?
Kongresi e kaloi statutin e ri pa u njohur me të. Kongresit iu mohua e drejta ta diskutonte atë nen për nen, për arsyen e thjeshtë që të mos zbulohej ndryshimi tinëzar i momentit të fundit, i bërë nga autorë të paidentifikuar, që neni “Mandati i Kryetarit të Partisë ndërpritet kur Partia humbet zgjedhjet e përgjithshme”, i miratuar në Asamblenë Kombëtare të zëvendësohet me nenin “Mandati i Kryetarit të Partisë ndërpritet kur Partia humbet vendin e parë në zgjedhjet e përgjithshme”. Historikisht, që nga krijimi i saj, Partia Socialiste është votuar nga shqiptarët si forcë e parë politike në vend, çka bën të qartë se neni më sipër është ndryshuar për ta kthyer në të përhershëm mandatin e kryetarit të partisë. Kjo situatë e bën edhe më ilegjitim pozicionin e kryetarit aktual të PS-së. E si mund të quhet i ezauruar ky debat?
Një nga përfaqësuesit e rëndësishëm në PS, profesor Servet Pëllumbi, është shprehur se nëse ky debat vijon, do të thotë se ju nuk keni qëllime përmirësimi të PS dhe zbatimit të statutit, por qëllime politike në dëm të PS dhe qeverisjes së saj. Keni gjë reagim ndaj këtij konkluzioni të profesor Pëllumbit?
E pashë që z. Pëllumbi kishte rekomanduar largimin tonë nga Partia Socialiste. Nëse kriteri i z. Pëllumbi dhe kujtdo tjetër për të qëndruar në PS është nënshtrimi ndaj arrogancës dhe forcës, është pajtimi me shkeljet, me mungesën e respektit dhe cenimin e dinjitetit, ai dhe ata të ndihen të lirë ta kërkojnë përjashtimin tonë. Unë ndihem shumë mirë me pozicionin tim, qoftë para çdo socialisti, qoftë para çdo qytetari shqiptar. Unë ndihem e lirë për të thënë të vërtetën që i duhet çdo socialisti, pa asnjë frikë nëse do të përjashtohem apo jo nga PSja. Unë nuk e pranoj se në Kongres ishim pakica prej 3 vetash përkundër 1497 të tjerëve. Këtë rezultat do ta kishte pasur lakmi edhe shoku Enver. Në këtë kongres thjesht nuk u verifikua vota, e cila në demokraci kalon përmes kutisë së fshehtë. Dhe pikërisht këtë po kërkojmë prej muajsh, që të ndërtohet një proces kandidimi për kryetarin e partisë, proces me votim të fshehtë, me fushatë dhe me kandidatë alternativë. Vetëm atëherë mund të thuhet se cila është shumica dhe cila është pakica.
Nëse asgjë nuk ndryshon nga këto që ju thoni dhe kërkoni, e gjeni më veten në PS, mendoni të largoheni prej saj në një parti ndoshta të re?
Do të vazhdoj të kërkoj. “E pur si muove”!
“Panorama”