Mimoza Hafizi: Rikthimi i Tom Doshit në PS i mirëpritur, por me kusht

 

Intervistoi: Sidorela Lepuri
Deputetja e Partisë Socialiste së Qarkut Shkodër, Mimoza Hafizi, pas dy vjet qeverisje të së majtës bën diferencën e punës së kryeministrit Edi Rama dhe të paraardhësve të tij.  –“Angazhim për reforma me shikim afatgjatë,” – e konsideron Hafizi punën e kësaj qeverie, “një angazhim të pandikuar nga efektet e çastit” – vlerëson më tej ajo. Në prag të zgjedhjeve lokale, Hafizi beson se kandidatja e majtë në qytetin  Shkodrës, Keti Bazhdari, ka shanse reale për të fituar ndaj rivales së djathtë, falë edhe koalicionit me LSI-në, si dhe beson edhe më tepër kur shprehet se kandidati i majtë për Tiranën “Erion Veliaj do të jetë kryetari energjik i bashkisë së Tiranës, pas 21 Qershorit.” Mimoza Hafizi është një ndër deputetet më të arsimuara në këto 24 vjet plurarizëm në Kuvendin e Shqipërisë dhe duket se ironizon disi procesin e dekriminalizimit, -“Ndjehem shumë mirë që jam pjesë e një përpjekjeje historike, kur po tentohet të dekriminalizohet politika,”- shprehet në një intervistë për “Koha Jonë” Mimoza Hafizi, që ndër të tjera për flet edhe çështjen “Doshi” , reformën në Arsimin e Lartë, apo edhe problemet e punësimit e të largimit të shqiptarëve nga vendi i tyre:   
 
Zonja Hafizi, a mendoni se Shqipëria ka ndryshuar dhe po ecën në drejtimin e duhur gjatë qeverisjes gati dy vjeçare nga e majta?
Janë një radhë reformash të ndërmarra gjatë kësaj periudhe ende të shkurtër qeverisjeje, të cilat dëshmojnë për vullnet pozitiv në drejtim të ngritjes së shtetit funksional, që është drejtimi i duhur për vendin.
 
Si do ta vlerësonit punën e deritanishme të kryeministrit Edi Rama, në krahasim me paraardhësit e tij në këto 24 vjet?
Një diferencë e dukshme e punës së kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij me paraardhësit është angazhimi për reforma me shikim afatgjatë, angazhim i pandikuar nga efektet e çastit, qofshin ato dhe elektorale.
 
Ju vini nga bota akademike dhe jeni pjesë e një Kuvendi, ku po diskutohet dekriminalizimi i tij. A ndjeni keqardhje që parlamenti shqiptar konsiderohet edhe i kriminalizuar dhe pse mendoni se ka ndodhur një gjë e tillë?
Ndjehem shumë mirë që jam pjesë e një përpjekjeje historike, kur po tentohet të dekriminalizohet politika. Ky proces e bën ende më pasionante jetën parlamentare për kategorinë time universitare.
 
Fushata për zgjedhjet lokale të 21 qershorit ka nisur. A do të ketë ndikim në rezultatin e këtyre zgjedhjeve puna e kësaj qeverie?
Aksione të tilla si shkatërrimi i drogës, fillimi i pastrimit në rrjetin e kalbur të universiteteve, legalizimet masive a beteja për pagesën e energjisë elektrike, ndonëse nuk shfaqin lidhje direkte me zgjedhjet vendore, kanë përcaktuar fizionominë e kësaj mazhorance. Këto aksione do të kenë efekt pro nesh tek elektorati që na votoi me 23 Qershor 2013 pikërisht për vendosjen e shtetit ligjor.
 
Në zonën tuaj elektorale, në Shkodër, në këto zgjedhje kandidojnë dy femra, Keti Bazhdari dhe Voltana Ademi. Sa shanse shihni se ka kandidatja e PS-së për të thyer tabunë në këtë qytet, bashkia e së cilës i është besuar vazhdimisht së djathtës?
Ne vijmë në këto zgjedhje me të njëjtin koalicion fitues të dy viteve më parë. Ne po zhvillojmë fushatë moderne, me premtime të argumentuara, me program të vërtetë. Ne po punojmë të jemi bindës përpara qytetarëve, qoftë me cilësitë e znj. Bazhdari, qoftë të stafit mbështetës, qoftë të listës së kandidatëve për këshillin bashkiak. Ne po qëndrojmë në lartësinë e riorganizimit territorial e administrativ, i cili u realizua nga kjo mazhorancë dhe i hap horizont shumë të gjerë zhvillimit të Shkodrës.
 
Largimi i deputetit Tom Doshi nga Partia Socialiste, do të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Shkodrës, duke marrë parasysh ndikimin që z. Doshi ka në këtë qark?
Largimi i z. Doshi nga Partia Socialiste ishte akti i duhur në drejtim të standardeve normale të politikës, akt që përputhet me aspiratën e votuesve për vendosjes e shtetit ligjor.
Pak ditë më parë z. Doshi ka deklaruar se është i gatshëm të ndihmojë në fushatën elektorale nëse i vjen një kërkesë e tillë. Ju personalisht a mendoni se është i mirëpritur?
Më vjen mirë për këdo që frymëzohet nga vizioni ynë për qeverisjen vendore në Shkodër, aq sa të ofrojë mbështetje elektorale. Çdo mbështetje për fitoren e kandidates dhe listës sonë të këshilltarëve është e mirëpritur, kur nuk nënkupton kërkesa që çojnë në ujdi të fshehta nga sytë e zgjedhësve.
 
Beteja më e fortë do të jetë si gjithnjë Tirana dhe PS-ja pret që të triumfojë kandidati i saj Erjon Veliaj. A mendoni se ishte kjo kandidatura e duhur që kreu aktual i bashkisë, Lulzim Basha të dorëzojë pas katër vjetësh mandatin tek kundërshtarët e tij politikë?
Erjon Veliaj po zhvillon një fushatë energjike elektorale, ashtu siç dhe do të jetë kryetari energjik i bashkisë së Tiranës, pas 21 Qershorit.
 
Si pjesë e stafit pedagogjik, a duhet reformuar arsimi në Shqipëri dhe si e vlerësoni Reformën në Arsimin e Lartë, që ka ndërmarrë qeveria?
Reformimi i Arsimit të Lartë është një nga sfidat që elektorati na besoi më 23 Qershor 2013 dhe reforma që po ndërmerret është një nga përpjekjet për realizimin e kësaj sfide të vështirë.
 
Përse ka kundërshtime ndaj Reformës në Arsimin e Lartë dhe sa besoni se është përqindja e pedagogëve dhe studentëve që e kundërshtojnë atë?
Kundërshtimet vijnë kryesisht nga kakofonia që u krijua me disa versione e dokumente. Pedagogët e studentët ende nuk e kanë të qartë se çfarë do të ndodhë. Por gjithsesi, faza e diskutimit në komisionin tonë parlamentar të arsimit do të shërbejë si periudhë vendimtare transparence, diskutimi e rregullimi.
 
Drejtues të Universitetit Publik, dekanë e shefa departamentesh janë edhe pjesë e politikës, që do të thotë se kanë marrë pëlqimin e saj për postin që gëzojnë. A e shihni si paradoksale që oborri akademik para se të kërkojë që qeveria të mos ndërhyjë në punët e saj, të depolitizohet më parë?
Besoj se autonomia e universiteteve publike dhe pavarësia politike e drejtuesve të tyre janë dy procese të lidhura, që do të rriten bashkërisht.
 
Së fundmi, shumë të rinj shqiptarë vazhdojnë të largohen jashtë vendit të tyre për një të ardhme më të mirë, ndërsa nga ana tjetër në administratën publike denoncohen vazhdimisht zyrtarë të korruptuar që mbajnë vendet e punës pavarësisht ndryshimit te qeverive. A është ky një tregues se për atë që e meriton nuk interesohet askush në Shqipëri?
Krijimi i një administrate moderne dhe të kualifikuar mbetet sfida e madhe e qeverisë. Administrata e aftë jo vetëm që është motori i punëve të shtetit, por krijon modelin e punësimit përmes meritës, tek punëdhënësi më i madh, që është shteti.

SHKARKO APP