Ministri i Rumanisë: Gjyshi im ishte nga Korça
Ministri i Deleguar për rumunët jashtë Rumanisë, Dan Stoenescu: Gjyshi im ishte nga Korça
Ministri rumun: Shifrat e minoritetit arumun në Shqipëri nuk janë reale
Dan Stoenescu, ministri i qeverisë së Rumanisë për rumunët që jetojnë jashtë Rumanisë deklaron se, qeveria shqiptare deklaron se legjislacioni shqiptar duhet të jetë më gjithëpërfshirës për minoritetet. Në një vizitë që po zhvillon këto ditë në Tiranë dhe Korçë, ministri i Rumanisë ka diskutuar me autoritetet shqiptare lidhur me respektimin e të drejtave të minoritetit arumun. Në një intervistë dhënë për “Koha Jonë”, Stoenesku flet dhe për çështjen e shifrave të minoritetit arumun në Shqipëri. Sipas tij, është detyrë e autoriteteve shqiptare bëjnë vlerësime. Të njëjtën përgjigje ai jep dhe për përplasjen e shifrave mes minoritetit grek dhe atij arumun.
Ministri Stoenescu flet dhe për marrëdhëniet mes dy vendeve, ku vlerëson miqësinë mbi 100-vjeçare. Ndërsa zbulon se ka një lidhje të veçantë me Shqipërinë, pasi familja e gjyshit të tij është nga Korça.
Z. Ministër Stoenescu, këto ditë po zhvilloni një vizitë në Shqipëri, pse keni zgjedhur të ndaleni më gjatë në qytetin e Korçës?
Është i njohur fakti që minoriteti arumun në Shqipëri, gjendet në shumë zona, por pjesa më e madhe gjendet në Korçë. Duhet të them se për mua Korça ka një kuptim të veçantë sepse familja e gjyshit tim është nga kjo zonë. Njëkohësisht, ekziston një histori e gjatë e marrëdhënieve, të cilat qytetarët e Korçës kanë me Rumaninë. Kjo traditë vazhdon dhe në të tashmen nëpërmjet binjakëzimit të këtij qyteti me një qytet tepër të rëndësishëm të Rumanisë Kluzh Napoka. Dua të përmend faktin se, edhe pse në Shqipëri nuk ka arsim shtetëror në dialektin arumun, e vetmja formë e mësimdhënies janë disa klasa pilot të financuara nga Departamenti i Politikës për Marrëdhëniet me Rumunët e Kudogjendur, në muajin shtator 2015, në universitetin “Fan Noli” të Korçës u hap një katedër e gjuhës rumune. Në të njëjtën kohë nuk duhet të harrojmë se në periudhën midis luftërave botërore kanë ekzistuar Konsullata të Përgjithshme të Mbretërisë së Rumanisë në Korçë dhe Sarandë ndërsa 100- vjetori i marrëdhënieve diplomatike dypalëshe, u shënua nga inaugurimi në datën 7 dhjetor 2013, i Konsullatës së Nderit në Korçë. Në aspektin fetar duhet përmendur fakti se në Korçë ka një kishë arumune Shën Sotiri, e ndërtuar me mbështetjen e shtetit rumun, në të cilën shërbimet fetare kryhen në dialektin arumun.
Si e vlerësoni trajtimin e pakicave në Shqipëri?
Ashtu si dhe mirë e dini, fuqizimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të politikave antidiskriminim është një nga pesë prioritet, të cilat Shqipëria duhet t’i plotësojë për të hapur negociatat e integrimit. Gjithashtu, mbrojtja e minoriteteve është pjesë e kritereve të integrimit dhe është e natyrshme që shtetet anëtare të BE-së, t’i japin një vëmendje të veçantë përmbushjeve të tyre. Përshëndes vendosjen me të cilën Kryeministri Edi Rama bëri trajtimin e kësaj fushe. Është për t’u nënvlerësuar gjithashtu dhe krijimi i grupit të punës ndër institucionale për reformën e legjislacionit në lidhje me minoritetet. Sigurisht do të dëshironim që ky grup ndër institucional të kishte treguar një frymë gjithëpërfshirëse reale, ashtu si dhe thuhet në planin Kombëtar për Integrimin Europian (mars 2015).
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë më shumë se 100-vjeçare, përse nuk janë ngritur këto shqetësime më parë?
E vërtetë, marrëdhëniet zyrtare midis Rumanisë dhe Shqipërisë janë krijuar para më shumë se 100 vitesh, më saktësisht në dhjetor 1913, kur u hap përfaqësia diplomatike (Legata) e Rumanisë në Durrës. Rumania ishte vendi i parë, i cili njohu principatën e pavarur shqiptare dhe marrëdhëniet midis vendeve tona ishin shumë të ngushta. Në atë periudhë qeveritë rumune dhe shqiptare diskutonin në terma normale problemin e arumuneve të Shqipërisë, ndërsa kishat dhe shkollat e financuara nga shteti rumun për arumunët e Shqipërisë nuk u ndalën së funksionuari deri rreth fundit të Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht, me instalimin e regjimit komunist në të dyja vendet dhe situata e përgjithshme e të drejtave të njeriut u përkeqësua. Nga viti 1990 deri tani, problemi i statutit të arumuneve të Shqipërisë është diskutuar në mënyrë të vazhdueshme nga ana e Qeverisë rumune, në të gjitha takimet zyrtare me përfaqësuesit e shtetit dhe qeverisë shqiptare (President, Kryetari i Parlamentit, Kryeministër, ministër i Punëve të Jashtme, zv/ministër i Punëve të Jashtme etj..) Në këtë drejtim, thënia e analistit politik Mentor Nazarko ishte korrekte: "Kush ka informacione diplomatike e di që ky problem është ngritur shumë herë në kontaktet diplomatike midis dy vendeve". Por sado përpjekje të bëjnë arumunet e Shqipërisë ose Rumania, ata nuk mund të ruajnë identitetin pa mbështetjen e shtetit shqiptar, ashtu si dhe shteti rumun mbështet ruajtjen e identitetit të shqiptarëve të Rumanisë. Arumunët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Rumanisë mund të përfaqësojnë një urë të forcimit të lidhjeve midis vendeve tona. Por qarkullimi në këtë urë duhet të bëhet me dy drejtime.
Ka shumë shifra lidhur me komunitetin arumun në Shqipëri. Në vlerësimin e institucioneve të Rumanisë, sa është numri?
Institucionet e shtetit rumun nuk mund të bëjnë vlerësime. Në Censusin e vitit 1989, para rënies së regjimit komunist, rezultatet tregoni 782 arumunë, në përputhje me dokumentet zyrtare të dërguara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë për Komitetin Këshillues të Konventës-Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare. Në Censusin e vitit 2011, u vë re një rritje spektakolare, me më shumë se 8.000 mijë arumunë, por ka mundësi të mos reflektojë realitetin. Përcaktimi i saktë i numrit, do të ishte së pari, në avantazhin e autoriteteve shqiptare, si për të ditur me saktësi se si të projektojë programet e mbështetjes për një minoritet ose tjetrin ashtu dhe për të eliminuar burimet potenciale të tensionit në shoqëri dhe dyshime të mundshme në plan ndërkombëtar. Dëshirojmë një dialog teknik me autoritetet shqiptare për të ofruar eksperiencën e Rumanisë në problemin e minoriteteve. Çdo shtet i Europës Juglindore është i rrethuar nga bashkëkombës, Shqipëria ose Serbia, nuk bëjnë përjashtime, i referohem Serbisë sepse isha atje javën e kaluar. Në çdo rast, rumanizmi ka ruajtur gjatë gjithë historisë së tij marrëdhëniet me të mira me shqiptarët dhe përjashtimi i arumuneve nga rumanizmi nuk është në interesin e shtetit shqiptar.
Një pjesë e këtij komuniteti, për shkak të besimit fetar, etiketohen edhe si përfaqësues të minoritetit grek dhe përfshihen në shifrat që paraqesin institucionet në Athinës. Si mendoni se mund të zgjidhet kjo përplasje shifrash?
Mënyra se si Shqipëria menaxhon marrëdhëniet dypalëshe me fqinjët e saj të afërt është e drejta sovrane e vendit tuaj dhe dëshiroj të mos shprehem për këtë çështje. Por përsëris, pa mbështetjen e shtetit shqiptar, arumunët nuk mund të ruajnë identitetin, sado përpjekje mund të bëjnë ata ose Rumania. Zgjidhjet mund të gjenden vetëm në Tiranë nëpërmjet dialogut midis autoriteteve dhe organizatave besnike të shtetit shqiptar. Rumania ka mbështetur në çdo kohë besnikërinë e arumunëve për shtetin shqiptar.
Ju falënderoj për mundësinë që të mund t’i drejtohem popullit mik shqiptar dhe vëllezërve të mijë arumunë, nëpërmjet gazetës prestigjioze "Koha Jonë".