Minxhozi: Sistemi i drejtësisë është në gjendje skandaloze

 

Skënder Minxhozi, kryeredaktor i revistës “Java”, i ftuar në edicionin qendror informativ në Top Channel, theksoi se vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për pafajësinë e Arben Frrokut “reflekton gjendjen skandaloze në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë”. 

Ilir Paço: Zoti Minxhozi, sot Arben Frroku doli i pafajshëm, ndërsa vëllai i tij, Mark Frroku, hyri në burg me masë sigurie për tre akuza. Si i shihni këto dy vendime të ndara të drejtësisë dhe politikisht çfarë ndodh tani?

Skënder Minxhozi: Janë dy vendime të ndara, pasi janë ngjarje të ndryshme, me dinamika të ndryshme. Sot duhet folur për Arben Frrokun, i cili nga një dënim i përjetshëm që pritej përfundoi në lirim. Është vendim tronditës, një nga ato vendime që hapin polemika dhe që do e quaja mazokist për vetë sistemin e drejtësisë. Ky vendim reflekton gjendjen skandaloze në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë sot dhe nevojën urgjente që ky sistem të ndryshojë. 

Ilir Paço: Opozita edhe dje në Kuvend akuzoi kryeministrin Edi Rama për dekriminalizimin. Duket sikur beteja për dekriminalizimin prek vetëm mazhorancën dhe dy deputetët e saj, të cilët janë njëri në arrest shtëpie dhe tjetri tashmë në burg…

Skënder Minxhozi: Opozita është treguar e aftë të maksimalizojë përmasat e çështjes Doshi dhe Frroku. Procesi i dekriminalizimit është shumë më i gjerë sesa vetëm dy deputetë. Duhet të reflektojmë nëse me krim kuptojmë vetëm vrasje dhe pengmarrje apo çdo lloj kundravajtje që parashikon ligji shqiptar. Nëse me krim kuptojmë këtë të dytën, në Parlament lista do të ishte shumë e gjatë. Parlamenti nuk pastrohet vetëm nga një lloj krimi.

Ilir Paço: Kemi të tjera zhvillime në politikë që kanë mbetur në hije, siç janë zgjedhjet lokale dhe negociatat për aleanca. Sot, Edi Rama takoi Bamir Topin, ndërsa Lulzim Basha priti aleatët, ku republikanët u përfaqësuan sërish me nënkryetarin Madhi. Çfarë po ndodh brenda të dyja kampeve?

Skënder Minxhozi: Pritej që vështirësitë në koalicione t’i kishte mazhoranca, por i ka opozita. Rama po gjen territore të reja, ndërsa Basha ka probleme të mëdha PDIU-në dhe PR-në. Nuk e mendoja që opozita të haste në këto lloj pengesash.

SHKARKO APP